Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Shqiptaret e medhenj Agolli-Kadare

Ballkan, 5 shtator 2005

Hynë edhe ata në syrin e ciklonit të të fshehtave të së kaluarës së tyre në periudhën e diktaturës puniste. Nuk i kursyen. Ose nuk u kursyen. Ose nuk u vetpërmbajt njëri nga të dy. Ose nuk u tërhoq një i tretë që botoi një “dosje” të shkëputur dokumentash të Arkivës së Shtetit. Ose nuk e peshoi çastin e duhur një tjetër që e takoi shkrimtarin Ismail Kadare dhe i tha me entuziazëm se kishte në mendje një ide, të shfrytëzohej arkiva e dikurshme e Ministrisë së Brendshme me dokumentat se çfarë mendonin regjimi dhe kolegët për të. U bënë bashkë, si një lëmsh i vogël, edhe shumë arsye e ngacmime të tjera dhe ja ku lëmshi u bë ortek gjëmimtar.
Kështu polemika vetëtiu që nga e përditshmja “Metropol” e deri tek kolegia e saj me objekt pothuaj të përditshëm Ismail Kadarenë, gazeta “Sot”. Pas shkrepëtimës së parë debati i tërthortë këto ditë ra në qetësi. Nesër mund të rindizet sërish. Të rishkrepëtijë dhe për të dytën herë të fiket, të pushojë një grimë. E gatshme që në rastin më të parë të shkrepë e gjëmojë përsëri.
Jemi në një shoqëri të lirë dhe nuk mund të vihen postoblloqe për njerëz të veçantë, ndalesa që të flitet për ta, çensurë që të pengojë transparencën e personave me rendësi të veçantë publike, siç përshembëll janë Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli. Për motive të ndryshme të sinqerta apo edhe shtyrë nga interesa të pista askush në një shoqëri të lirë nuk mund të pengojë sipërmarësit e hapjeve të të kaluarave apo ngacmuesit e gërmimit në të shkuarën. Liria e këtij individi (ca më shumë e një Shteti), është një e shenjtë e paprekshme. Siç edhe është një shenjtëri e kulluar e atij, të cilit i ngacmohet e shkuara, të mbrohet me argumenta. Jo të justifikohet. Opinionit nuk i intereson vetëm njëra palë, ajo e atij që ja provokoi vëmendjen me bërjen publike të një të kaluare, por ca më shumë edhe e atij që bie nën projektorët e kësaj vëmendjeje. Shoqërisë që të mësojë të vërtetën më të plotë, i duhet debati i të dy palëve, sidomos ndjenja e qytetarisë, cilësia e ndershmërisë dhe përdorimi i logjikës së argumentit. Ja përse polemika e fundit, në distancë, mes bashkëkombasve tanë të shquar Agolli dhe Kadare ishte dëshmi civilizimi. Shembëll qytetarie në një kaos “specialesh” mediatike që prej afro pesëmbëdhjetë vitesh kërkon të sigurojë audiencë mes një populli që akoma nuk e ka të lehtë të ndahet mendërisht nga e shkuara për të dashur e projektuar më shumë të ardhmen e vet.
Lutem të më durojë lexuesi në paraqitjen e disa argumentave përse ajo që rrezëlliu në intervistat mes dy shkrimtarëve tanë të mëdhenj, duke mos qënë një model (kujt i duhen modelet!), ishte në një farë mënyrë dritë për të parë më tej dhe jo tym e blozë që ta bën terr pamjen.
Ata që kanë përjetuar sadopak regjimin e shkuar e dinë mjaft mirë se në marrëdhëniet zakonisht të trazuara mes artistëve të kohës, ato mes Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit kanë qënë nga më të mirat. Nuk mund të falsifikohet një “e vërtetë” tjetër, sado t’i duhet për kapital përfitimi ndonjërit. Dëshmitarët e kësaj bukurie shpirtërore janë në kembë, të gatshëm të ndërhyjnë, të zotë e të “armatosur” si të gjithë me të drejtën e fjalës së shqiptuar apo të shkruar. Këtë raport të veçantë bashkëpunues mes dy shkrimtarëve tanë të mëdhenj herë pas here, edhe pse nuk duket gjithnjë shumë i interesuar ta bëjë këtë gjë, është Ismail Kadare që e spikat me ngjarje brilante. Në krahë të tij dhe jo përballë, i kujdesur dukshëm që ta ravijëzojë këtë bashkëpunim, Dritëro Agolli të bind se mosmarrëveshjet kanë qënë një pikë ujë në oqeanin e tyre të mirëkuptimit. Kadare dhe Agolli janë dy vëllezër siamezë, në mos me të njëjtën “zemër”, kanë qënë e mbeten me të njëjtin “tru”. Ata nuk e kanë provuar, por e kanë ditur që në punizëm se heqja e njërit i merr “jetën” të dyve. Ja përse në paspunizëm çdo operacion për të hequr njërin e mbilartuar vetmitar tjetrin, është logjikë Adhamudhi (“Kërre njërin sy që të shpëtosh tjetrin!”)
Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për njërin prej tyre, ka patur dhe do të ketë urgjencë në përjetësi për të dy. Për pesëdhjetë vite të diktaturës realkomuniste ata ishin simbol se si mund të bëhej një letërsi e madhe në një regjim që kërkonte vetëm njerëz të vegjël. Për pesëmbëdhjetë vite në pasdiktaturë sërish dëshmuan kulturë të lartë pluraliste dhe që të dy kanë ndikuar shumë fuqishëm e mjaft progresivisht që shoqëria e hapur shqiptare të funksionojë sa më mirë.
Ne kemi tre vëllezërit Frashëri, por kemi edhe dy “vëllezërit” Agolli-Kadare.
Gjeniu letrar me famë botërore Ismail Kadare dhe poeti më i madh i të gjitha kohrave të shqiptarëve, Dritëro Agolli, nuk ngrihen dot mbi glob e kombin tonë duke i shtyrë që të bëhen e sillen si partitë politike. Eshtë në mënyrën më normale e demokratike që këto të fundit ta zhvillojnë shoqërinë nëpërmjet përplasjes së tyre, betejës së përditshme për të provuar se njëra është më e mirë se tjetra në aftësinë për të qeverisur vendin. I detyrove partitë politike që të sillen si shkrimtarët në klubin e Lidhjes, në takimet me lexuesit apo në studion e tyre të punës, atëhere shumëpartitizmi vdes. Por shkrimtari dhe përgjithësisht artisti nuk është parti, nuk përfaqëson, qoftë edhe denjësisht, njërën pjesë të popullit. Ata e përfaqësojnë të gjithë atë, sepse janë ndërgjegjia e kombit.
Ja përse çdo botim transparent dhe mbi të gjitha dashamirës, kur të projektohet e ca më tepër të marë rrugën e bërjes publike, duhet të përkujdeset që çdo e vërtetë të mund të shihet e gjykohet sa më gjërësisht nga opinioni. Ajo duhet të jetë e paveçuar dhunshëm nga konteksti i kohës dhe sidomos i paparagjykuar t’i bëjë dëm një personi për llogari të një të dyti. Ca më keq e ca më shumë do të përfundonte në pluhur çdo përpjekje e frymëzuar vetëm e vetëm për përfitim apo protagonizëm personal.
Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli janë dy shqiptarë të mëdhenj. Në shtatëdhjetë vjet punë e mbijetim e kanë provuar katërcipërisht këtë virtut të tyre. Kadare dhe Agolli po ashtu janë që të dy shkrimtarë të mëdhenj dhe kush mund të thotë të kundërtën? Kështu që ka mbaruar proçesi i përjetësimit të tyre si mëmëdhetarë dhe supertalente letrarë. Ata kanë hyrë që të dy në Panteonin shqiptar. Kjo është e vërteta e madhe. Këtu mbyllet çdo kërkim për ndonjë “të vërtetë” tjetër.
Na duhet të zbulojmë edhe të vërtetat e vogla, ato që ushqejnë thashethemet dhe faqet speciale të gazetave? Kush dëshiron le ta bëjë edhe këtë gjë. Eshtë punë e tolerueshme, krejt njerëzore, ndonjëherë edhe e dobishme. Shoqëria mëson edhe nga ky vullnet e nga kjo mani. Të paktën mëson që ta bëjë sa më pak në të ardhmen e saj.
Në rast se edhe autori i këtyre rradhëve do të fuste në këtë shkrim edhe një përllogaritje të të vërtetave të vogla që ai, si edhe jo pak bashkëkombas, di për Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin, do të delte gjithsesi në të njëjtin konkluzion dhe vendim personal.
Ky është e mbetet fare i thjeshtë: Prej njeniut letrar Ismail Kadare ka patur fatin të ketë marë ndikimin fatlum të shkollës së tij, prandaj ka edhe kënaqësinë ta pohojë se profesionalisht i mbetet nxënës. Prej kolosit Dritëro Agolli lutet e lutet të marë qoftë edhe një thërrime nga shpirti i tij i madh si njeri. Po ashtu (ah sikur) të merrte vetëm një grimcë nga humanizmi shkëlqimtar me të cilën ai rikrijon botën e veprave të tij artistike.


Ylli Polovina









Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com