Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Lulet e vocer te Shqiperise moderne

Sot,26 qershor 2004

Ndodhi që një natë të vonë në të dalë të lagjes Vip, të quajtur në Tiranë në periudhën e enverizmit me emrin Blloku (e që akoma përkëdhelet me këtë emër), të shoh një djalë, i cili ecte në gjysmë errësirë buzë murit të një shumëkatëshi të xhamtë. Fytyrën e fshihte nga njerëzit e rrallë që në atë orë kalonin nëpër trotuar duke nxituar të mbërrinin sa më shpejt në shtëpitë e tyre. Ishte shumë e vështirë të kuptoje përse ai njëmbëdhjetë a dymbëdhjetë vjeçar zvarrisej buzë murit e sa më larg kalimtarëve. Vetëm një parandjenjë se diçka nuk shkonte më bëri të rikthehesha mbrapa e t’i afrohesha. Në të vërtetë ai po qante nën zë. Ngashërente ngulçëm. Ishte një nga ata fëmijët e familjeve të shumta veriore, që të ardhur këto vite të pluralizmit në kryeqytetin shqiptar, bëjnë shitësin ambulant nëpër Tiranë dhe sidomos në të famshmin Bllok, atje ku pasanikët e rinj shqiptarë dhe rinia e kohës frekuentojnë zhurrmshëm pub-et, diskotekat apo bar-et e panumërta. Me një kapak kartoni të vogël në dorë, ku kanë sistemuar ngushtë e ngushtë dy-tre dhjetëshe paketash me cigare, disa çakmakë dhe ndonjë kartë telefonike, ata rendin nga një lokal luksoz në tjetrin të nxjerrin bukën e gojës. Shpesh edhe për një familje të tërë. Janë Lulët e Vocërr të Shqipërisë “moderne”, ata që mund të quhen Lulet e Vocërr të Tiranës. Fëmijë me jetë të dhimbshme pothuaj po kaq sa personazhi i njohur i Migjenit treçerek shekulli më parë.
Lulit tonë të Vocërr, të riut ende të parritur që ngashërente heshturazi me fytyrë të mbështetur në gjysmë errësirë në murin e një shumëkatëshi të xhamtë të Bllokut, atij djali me një trup të gjatë e të bukur, sy me një kafe të ngrohtë dhe tipare të dlirta, dikush i kishte rrëmbyer nga kapaku i kartontë tetëmbëdhjetë mijë lekë të vjetra mall. Duke e bërë të shkulmonte në gjoks fjalët “Si të kthehem tani në shtëpi!” Nuk kishim kaluar as dy-tre minutat e para të bisedës me fatkeqin dhe unë ndërkohë i kisha dhënë një dymijëlekëshe të vjetër thjesht për t’ja ulur sadopak borxhin dhe depresionin (frikohesha se mos ai, duke qënë aq i ndjeshëm dhe i mbyllur, tentonte të vetvritej), kur ndërkaq ndalën kembët pranë nesh edhe dy djem, me moshë mbase rreth të njëzetë e pesë viteve. Vinin nga brendësia e lagjes së zhurrmshme të Bllokut e ndoshta ishin frekuentuesit e zakonshëm të saj. Pyetën se çfarë kishte ndodhur dhe menjëherë, pasi i perkëdhelën flokët ambulantit të vogël të ardhur nga verilindja e Shqipërisë, i dhanë secili nga dymijë lekë të vjetra. Pastaj u larguan nëpër natë. Nga e folura kuptohej që, nëse nuk ishin tiranas autoktonë, ishin të ardhur në kryeqytet nga viset e Jugut. Pas gjestit të dy djemve jugorë Luli i Vocërr nuk po ngashërente më. Dukej i emocionuar.
Lexuesi të më ndjejë që këtë skenë e përshkrova disi gjatë, sepse gjithesecili prej nesh ruan në kujtesë ngjarje shumë më prekëse e tronditëse se kjo. Ndoshta pasuria e mbresave që ruan kushdo prej nesh nga raste të tilla e ndihmon autorin e këtyre rradhëve të parashtrojë një temë: atë të mbijetimit në Tiranë të “veriorëve”. Ka ardhur koha që të ndëgjegjësohemi se ky problem nuk mund të kapërxehet as me keqardhje, mëshirë apo humanizëm panegjerik, ca më pak ta hedhim me sloganin shpërfillës “malokët”. Apo ta “zgjidhim” me përdorimin e Bathores si terren e platsdarmë për konkurencë e luftë politike. Disa ditë më parë një përpjekje shumë të përgjegjshme publicistike, por edhe sociale, bënte një emision i televizionit Top Channel, sponsorizuar me atë rast nga një organizatë e huaj joqeveritare. Ndjeshmëri njerëzore për këtë temë e kanë përshfaqur edhe disa televizione apo tituj gazetash. Nuk kanë munguar edhe regjizorë apo artistë të ndryshëm, poetë e shkrimtarë, madje edhe politikanë të veçantë. Të gjithë duke e bërë pak nga pak të qartë se një metropol modern dhe një Shqipëri që hahet mes vetes për të arritur ditën e dëshiruar të bashkimit me BE-në, nuk mund ta shohë atë ditë me përcipësinë e heqjes mënjanë larg problemit të integrimit të verilindorëve. Tirana, institucionet dhe komuniteti i saj, duan apo nuk duan në këto çaste me mjaft probleme jetike (psh ndotja gati fatale e mjedisit), e kanë shtesë edhe këtë shqetësim të madh social. I cili nuk mund të shtyhet me moskokëçarjen e teorisë se “koha do të bëjë të vetën”. Kohën e lëvizin njerëzit, ata ja bëjnë “shpejtësinë” apo “ngecjen prapa”. Për mirintegrimin e banorëve të ardhur nga viset e vetmuara të verilindjes koha mund të shpejtojë edhe më tepër. Dhe këtu nuk është fjala thjesht e vetëm për masa administrative apo përkujdesje qeveritare. Mbi të gjitha çështja meriton të bëhet më e ndjeshme për shoqërinë shqiptare e sidomos komunitetin e madh të banorëve të Tiranës. Atje ku edhe problemi ekziston dhe në një farë mënyre përbën “vuajtje” sociale.
Në kryeqytetin shqiptar, bashkësinë tonë metropolitane treçerek milionëshe, integrimi i gjithsecilit banor të tij në një fare mënyre përbën problem, por veçimi i verilindorëve për më shumë vëmendje (të paktën shpirtërore) nuk bëhet për shkak se ata i përkasin ndonjë qytetërimi të prapambetur. Ikësit nga ato hapësira kombëtare ku shtëpitë ende janë kulla larg njëra tjetrës dhe e gjithë jeta sociale përfshihet vetëm në atë lëndinë apo shpat mali që thirret bjeshkë, kanë bërë të njëjtën gjë si edhe një milion shqiptarët e emigruar jashtë vendit. Pra kanë vepruar drejt dhe në kohën e duhur. Sepse synojnë një jetë më të mirë. Këta ardhës zgjodhën Durrësin dhe më të shumtët Tiranën dhe sërish vepruan drejt. Pjesa dërmuese e tyre tani jetojnë më mirë se në viset ku edhe minierat e investuara në kohën e diktaturës janë mbyllur. Janë ato vise prej ku në fillim të shekullit të kaluar dhe më parë, udhëtarët e kuriozët e huaj shkelnin për të çuditur Evropën me rrëfimet se si koha kishte mbetur në vend në shekujt e mesjetës dhe ku ruhej varianti më i pastër në kontinent e përtej tij i kodit të gjakmarrjes. Kanë dashur shumë ta shpallin e trajtojnë verilindjen e shtetit shqiptar si një rezervat për studjues qytetërimesh të prapambetura apo për subjekje romantike letrare. Madje kjo hapësirë e quajtur Malësi dhe ata njerëz, të cilët krenarisht thirren malësorë kanë qënë edhe rezervat i planeve të shovinizmit ballkanas. Në shumicën e projekteve të shteteve tanë fqinjë para se të shpallnim pavarësinë apo para se më 1921 të njiheshim ndërkombëtarisht shtet, në rast se Shqipërinë tonë të sotme nuk e coptonin dot të tërën mes tyre, do të synonin t’i rrëmbenin asaj të gjithë hapësirën poshtë Shkumbinit si edhe brezin e gjërë të veriperëndimit, me kryeqendër Shkodrën. Shqipëri botërisht ata do të shpallnin dhe njihnin vetëm këtë territor të banuar nga “malokët”. Pra nga njerëzit që jo dëshira e tyre, por rrethana të shumta gjeostrategjike i kishin pothuaj izoluar e lënë mbrapa nga ritmet e zhvillimeve më të shpejta përreth tyre. Po të realizohej kjo tinëzi do të ndodheshim para një komploti të madh antishqiptar. Jo sepse ky minishtet nuk do të rezistonte dot (verilindorët përbëjnë një nga ashtat më të forta etnike të kombit tonë), por sepse shovenët dëshironin ta kallkanosnin kohën mes nesh. Ta ndalnin. Ta shkëputnin e ç’integronin malësorin nga zhvillimi. Të konfirmonin se shqiptarët nuk ishin veç një popull i vogël barinjsh. Bashkëngjitur me këtë shpifje do të jetonte plot komoditet teza shoviniste se Kosova në jetë të jetëve ka qënë tokë e banuar nga serbët dhe se shqiptarët aty ishin thjesht shtegtarë të zbritur nga malet tre-katër shekuj më parë, të favorizuar e nxitur nga Potra e Lartë e Stambollit.
Ky plan i zi sterrë nuk u realizua. Tani në rehabilitimin tonë të përgjithshëm kombëtar kemi shumë shanse. Duke ndërtuar Korridorin rrugor Durrës-Prishtinë në këtë hapësirë relativisht të zbrazur nga emigrimet e brendshme mund t’i japim një impuls të madh ritmit të jetës. Bekuar ata që e projektuan dhe po e vënë në jetë! Duke u përpjekur më shumë që verilindorët të integrohen jo spontanisht në Tiranën e madhe dhe tolerante, do të jenë të bekuar nga historia dhe ata që do ta sipërmarrin më dukshëm këtë kujdes. Qofshin qeveritarë, veprimtarë shoqërorë apo lëvizje qytetare, politikanë apo media. Duhet vullnet e pak durim nga pritësit për të kuptuar se duke bashkëjetuar pa asnjë paragjykim me këtë racë të bukur e gojëtare, shtyllë atdhedashurie dhe mbartëse kulturore të Eposit të madh të Veriut, do të bëjnë që një pjesë e ardhësve të largojnë butësisht nga disa prej rregullave atavike të jetës së tyre të meta që lidhen me mosrespektimin e domosdoshëm të rregullave të bashkëjetesës urbane. Veçanërisht shpirtin e thekshëm të marrjes hak, ndonjëherë edhe me derdhje gjaku.
Në një farë mënyre, siç ndodh me një takim të përballshëm bashkëkombasish, të dy palët do të vrapojnë gëzueshëm tek njeri-tjetri.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com