Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Latinisti i madh Pashko Gjeçi dhe dishepulli i tij Shpetim Çuçka

Dita, 6 nentor 2004

Që të gjallët të mos harrohen

Lajmi që 86 vjeçari Pashko Gjeçi, një “përkthyes i gjallë, por i harruar”, siç do ta cilësonte një e përditshme, do të zgjonte për disa ditë rresht vëmendjen e medias, duket një kumt i mirë. Shndërruesi në shqip i “Komedisë Hyjnore” të Dante Alighierit, i cili një javë më parë do të merrte urdhërin “Ylli i Solidaritetit”, dhënë nga Presidenti i Republikës Italiane, Karlo Axelio Çampi, dukej krejtësisht një simbol i së kaluarës. Në rradhët e shkrimit të mëposhtëm do të ishte e tepërt të kërkonim e gjenim arsyet përse njeriu i ditur shqiptar, akoma fatmirësisht mes nesh, ishte lënë mënjanë nga nderimet e detyrueshme që shteti duhet t’u bëjë pa u lodhur dhe me përrulje përfaqësuesve të elitës kombëtare. Mirëpo një sprovë e tillë do t’i ngjante kërkimit të gjilpërës në kashtë. Pashko Gjeçit sigurisht i takonte një vlerësim i lartë nga vendi fqinj, prej ku edhe mori e përcolli në shqip kryeveprën botërore me tre vëllimet “Ferri”, “Purgatori” dhe “Parajsa”. Por ndërkohë për popullin e vet ai ka përkthyer edhe Homerin, Gëten, Shekspirin, Rasinin, Leopardin. Nëpërmjet të nderuarit Gjeçi gjithë kontinenti europian ka hyrë në Shqipëri shumë dekada më parë, që atëhere kur regjimi realkomunist kishte bërë mbylljen hermetike të kufijve. Vetëm për këtë kontribut të madh për Shqipërinë e dëshiruar të hyjë në BE Pashko Gjeçi, aspak për të “kopjuar” kryetarin e Shtetit italian, ka nevojë të çmohet publikisht dhe në rastin më të parë edhe nga shoqëria e Shteti ynë.
Edhe për shumë arsye të tjera. Mes tyre edhe për faktin se mbetet një latinist i madh. Mirëpo që të zgjosh tani, në fund të vitit 2005, vëmendjen e shqiptarëve për gjuhët e vjetra latine e greke duket po ashtu punë e mundimshme.

Nyjet që i lidhin

Do të na ndihmojë në këtë sprovë risensibilizimi të opinionit për latinishten e greqishten e vjetër një emër tjetër. Do të na bëjë guidë në sprovën tonë një intelektual. Ai quhet Shpëtim Çuçka, emër i ndjerë herë pas here në këtë mori të madhe ngjarjesh ku “ligjin” e bëjnë vipat dhe folësit e pasionuar të gjuhëve moderne, sidomos anglishtfolësit. Ka një fill të fortë që i lidh të dy, Pashko Gjeçin dhe Shpëtim Çuçkën. Për ata që i njohin, si provë afërie do të konsideronin ndoshta faktin se kanë qënë që të dy në Romë, ku, i pari në vitet tridhjetë dhe i dyti në ato shtatëdhjetë të shekullit të shkuar, kanë kryer në kryeqytetin italian studimet e plota në universitetin “La Sapienza”. Janë diplomuar për filologji dhe filozofi.
Por ky detaj i njëllojtë tek Pashko Gjeçi dhe Shpëtim Çuçka është dëshmia më e vogël e afërisë shpirtërore dhe intelektuale mes tyre. Nyjet që i lidhin, janë disa. Mbi të gjitha dashuria për gjuhët e vjetra të latinishtes dhe greqishtes. Dhe që të mos paragjykohemi që në fillim se po përpiqemi ta kthejmë vëmendjen e njerëzisë së sotme moderne dymijë e ca vite të shkuara, nënvizojmë se me dashurinë për latinishten dhe greqishten e vjetër nënkuptojmë njohjen me dy qytetërimet bazë të shoqërisë moderne perëndimore: me Demokracinë që është frut i qytetërimit antik grek dhe me të Drejtën Romake, e cila është themeli i ligjshmërisë bashkëkohore.

Një dramë kulturore që mund të parandalohet

Shpëtim Çuçka bëhet i mëdyshtë kur i thua se ky interesim fort i dukshëm për të diturin Pashko Gjeçi ka të ngjarë të jetë një lloj rizgjimi i interesimit të shoqërisë shqiptare për dy gjuhët e qytetërimet antike. Ai është i pavendosur në idenë se cila ngjarje e zgjoi kërshërinë e medias, krenaria kombëtare, gjesti i mënçur i Presidentit italian apo proçesi i eurocivilizimit që po ndodh dukshëm në dy dekadat e fundit në Shqipëri. Për Çuçkën në vazhdimësinë e më shumë se një gjysmë shekulli kultura shqiptare ka qënë tepër e ngathët dhe konservatore ndaj njohjes së gjuhëve latine dhe greke. Po ashtu edhe qytetërimeve të tyre. Dyshimi se 86 vjeçari Pashko Gjeçi ishte një rizbulim krenarie të ligjshme gjithëkombëtare më shumë se rizgjim interesimi për dy epoka prej dymijë vjetësh kaluar, të bëhet i fortë kur merr vesh se qyteti që përbën djepin e latinishtdashësve është Shkodra, e evidentuara kohët e fundit thjesht për pagesat ndaj KESH dhe disa vrulleve të krimit. Bashkësia historike dhe aktuale shkodrane zotëron jo vetëm të drejtën e “shkollës” shqiptare të mësimit të gjuhëve antike, por edhe djepin e një lobi të përparuar dijetarësh të kësaj fushe. Dhe kjo vlerë e padukur shumë e Shkodrës nuk ka të bëjë aq fort me të qënit i një lloj kryeqyteti shqiptar i fesë katolike, por edhe me një të kaluar intelektuale të spikatur. Eshtë kjo një nga arsyet që Shpëtim Çuçka pas rastit Pashko Gjeçi gjen një shtysë: shkodranin Stefan Çapaliku. Sipas tij, ky nëpunës i rendësishëm në Ministrinë e Kulturës duhet të jetë njëri prej zgjimtarëve të opinionit përtej detit për dijetarin e shquar Gjeçi. Për Çuçkën ngadhënjyesi tetëdhjetë e gjashtë vjeçar i çmimit “Ylli i Solidaritetit” mund të jetë figura e fundit e një grupi kolosësh shqiptarë që kanë njohur dhe përkthyer prej latinishtes e greqishtes. Tani ata po shkojnë drejt fikjes.
Kjo dramë që mund të parandalohet, duhet të përfillë një të metë të kulturës sonë të këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit, mosinteresimin për të përgatitur në vazhdimësi njohës të gjuhëve dhe qytetërimeve antike. Jo vetëm sepse, siç e ravijëzuam më lart, kemi të bëjmë me djepet e dy qytetërimeve themele të bashkësisë së sotme evropiane, por edhe sepse kombi ynë ka bashkëjetuar me këto vatra dijeje. Në gadishullin ballkanik ne jemi gjeografikisht populli më i afërt me qytetërimin grek dhe më pas me atë romak. Kemi marrë prej tyre, por edhe kemi dhënë. Respektimi për latinishten e greqishten është po aq respekt sa edhe për ilirishten, gjuhën tonë mëmë. Mirëpo nga Shpëtim Çuçka mëson se njohësit e gjuhëve dhe qytetërimeve latine gjatë sistemit realkomunist vinin vetëm prej shoqërisë shqiptare të viteve tridhjetë. Zyrtarët e pasviteve dyzetë e çelën një kurs studimi të dy gjuhëve antike vetëm në vitin 1965. Në të morën pjesë njëzetë vetë, shumica e të cilëve tashmë nuk punojnë në profilin, ku janë specializuar. Pak kanë mbetur në zanatin e bukur të gjuhëtarit apo historianit, jo si përkthyesë nga latinishtja e greqishtja e vjetër: Seit Mancaku, Aristidh Ristani, Luan Malltezi, Pranvera Bogdani, Faik Drini, Pëllumb Xhufi e ndonjë tjetër. E veçanta e këtij brezi është se tre prej këtyre latinistëve të kursit të vitit 65 janë diplomatë. Madje që të tre me një qendrim zyrtar në Romë, si ambasadorë të Shqipërisë paskomuniste. Të tillë janë Edmond Dulaj, ambasador në vitet 92-95, vetë Shpëtim Çuçka i Ngarkuar me Punë, gusht-dhjetor 1998 dhe Pëllumb Xhufi, ambasador dhjetor 2001-shtator 2004.
Që të gjithë këta kanë patur mësues Pashko Gjeçin. Mes tyre edhe Shpëtim Çuçka. i cili do ta quante fat takimin me të në këtë jetë, ku “fati” nuk është kaq i shpeshtë. Madje ai në rininë e tij të hershme, kohë ku hidhen bazat e jetës, praninë e Profesor Gjeçit e deshifron pak a shumë në mënyrën e vet simbolike. Kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç e sapo kishte mbaruar klasën e shtatë të gjithë nxënësve të kryeqytetit iu tha se në Tiranë ishte hapur për herë të parë një shkollë e mesme e gjuhëve të huaja dhe për t’u regjistruar në të mund të paraqitnin një kërkesë. Çuçka nuk e vonoi përpilimin e lutjes, duke kërkuar të vijonte profilin e latinishtes dhe greqishtes së vjetër. Madje zgjedhjen e bëri me vullnetin e tij të lirë. Prindërit, nëna infermiere dhe babai eskavatorist, ranë dakort menjëherë, edhe pse dy gjuhët, të cilat do të mësonte i biri, ishin prej qindravjeçarësh “të vdekura” dhe sigurisht këto punë ata nuk i kuptonin mirë. Shpëtimi ishte një nxënës i shkëlqyer e që u sillte vetëm gëzime notash të mira. Le të ndiqte fatin e tij. Pikërisht fatin e përzgjedhjes së re të së ardhmes së tij intelektuale Çuçka e përcakton me arsyetimin se e zgjodhi latinishten dhe greqishten e vjetër ngaqë në librat e njerëzve të ditur, të cilat lexonte ato kohë, ndeshte shumë fjalë latine apo të greqishtes së vjetër të përdorura prej tyre dhe ishte i bindur se një intelektual i vërtetë duhej të pajisej patjetër edhe me këto gjuhë kulture. Nëpër atë letërsi, e cila qarkullonte gjatë regjimit të mbyllur, mësohej se edhe Karl Marksi apo Vladimir Iliç Lenini i zotëronin këto gjuhë, madje në mënyrë të shkëlqyer. Kurse në biografinë e kulturës shqiptare shenohej se e dinin që nga shkruesi i parë i gjuhës shqipe, Gjon Buzuku, e deri tek poeti i madh kombëtar Naim Frashëri. Ky ishte profilizuar për dy gjuhët e vjetra në gjimnazin Zosimea në Janinë.
Kështu më 1965 për pesëmbëdhjetëvjeçarin Shpëtim Çuçka do të bashkoheshin në një fat hapja përherë të parë në historinë e shtetit shqiptar të një shkolle të mesme gjuhësh të huaja, përzgjedhja prej tij e latinishtes dhe greqishtes së vjetër dhe mësuesi që iu shfaq në këtë mjedis dijeje: Pashko Gjeçi. Njeriu që e kishte nisur artin e bukur të përkthimit që 17 vjeç. Pedagogu, që sipas Çuçkës, “çdo ditë na bënte nga një dhuratë”. Dhe “dhuratë” për të do të ishte një urtësi e re, të cilën librat nuk e kishin. Me etjen e madhe për të përvetësuar gjithçka që do ta bënte një njohës të mirë të dy gjuhëve të dy qytetërimeve të famshme fqinj dhe me modelin e Profesor Gjeçit përpara, ai brenda tremujorit të parë do të përfundonte së lexuari dispencën e të gjithë vitit dhe shumë shpejt do të niste përkthimin e veprës “Lufta e Galisë” e Jul Çezarit. Janë shtatë “libra” klasikë, të cilët përbënin afro treqind faqe. Më pas bëri përkthimin e fjalës së Ciceronit kundër Katilinës, lendë që kërkote kualifikim profesional tepër të lartë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në Universitetin e Tiranës do të kishte pedagog latinistin e njohur Henrik Lacaj, përkthyesin e madh të “Eneidës”. Ajo ishte një punë kolosale: 12 libra me nga 900 vargje secili.

Në universitetin italian “La Sapienza”

Pasi përfundoi Universitetin e Tiranës Shpëtim Çuçka do të shkonte në Romë edhe në një universitet të dytë. Në “La Sapienza”, në vitet 1972-76, ai do të studjonte jo vetëm për latinisht dhe greqishten e vjetër, por edhe për filozofi. I rikthyer në Tiranë një ditë, ndërsa ishte në pritje të ndonjë mundësie tjetër, takon në rrugë, pothuajse rastësisht, mësuesin e tij idhull, Pashko Gjeçin. Kur ky dëgjon se nxënësi i tij ishte ende në kërkim të një vendi pune afër pasionit të përbashkët të përkthimit, e pyeti përse nuk shkonte në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. “Mbase nuk të pëlqen?” e ripyeti dyshues Profesori. “Më pëlqen, por atje nuk njoh ndonjë” iu përgjegj Shpëtim Çuçka. “Mirë, do të bisedoj unë me ata të Shtëpisë Botuese”, shtoi tjetri dhe u largua.
Pas pak ditësh studentin e porsadiplomuar në Romë e thirrën. I ofruan një vend në redaksinë e përkthimit. Kur e pyetën për gjuhët që zotëronte përveç latinishtes dhe greqishtes së vjetër, numëroi “italisht, anglisht, gjermanisht, frengjisht, disi rusisht”. Kur pesëmbëdhjetë vjeç kishte përzgjedhur pasionin e tij të dy gjuhëve antike, arsyetimi i të riut kishte qënë: latinishtja dhe greqishtja e vjetër, që të mësohet, kërkon patjetër shkollë, kurse gjuhët moderne mund t’i mësoj edhe individualisht.
Në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” punoi njëmbëdhjetë vite. Fruti i kësaj karriere ishin afro tridhjetë vepra të përkthyera dhe po kaq të redaktuara. Mbi tridhjetë mijë vargje të shndërruar në shqip, po kaq edhe vargje të redaktuar.
Karriera e Shpëtim Çuçkës si përkthyes është e gjatë: nga latinishtja një vëllim prozash (i mbetur pa botuar), bashkëpunim me të ndjerin Bujar Doko, redaktimi i epigrameve të Marcialit, nga greqishtja e vjetër “Jetë njerëzish të shquar” të Plutarkut, dy tragjedi të Eskilit (“Persët” dhe “Lutëset”), Euripidin, “Filokteti” i Sofokliut; nga gjuhët moderne prej 100 novelave të veprës “Dekameroni” të Bokaços solli në shqip 49 të mbeturat pa u përkthyer. Po ashtu shqipëroi nga Gëte dramën “Torkuato Taso” (3514 vargje), vepra të Vitorinit, Kalvinos e Shashës, tregime ruse dhe japoneze. Madje pak vite më parë ai nxori në publik edhe librin e tij me poezi “Drejt dritës”.

Ende një fill shprese

Njeriu që para dy muajsh e citoi publikisht për herë të parë Shpëtim Çuçkën si latinist ishte Profesor Luan Omari. Megjithëse nxitës për sensibilizimin e kujtesës së opinionit për Pashko Gjeçin u bë urdhëri italian “Ylli i Solidaritetit” dhe në kujtimin e shoqërisë shqiptare për nxënësin e tij aktiv u bë një Akademik (edhe pse i pari mbetet një kolos dhe i dyti dishepull i tij) drama dhe problemi mbetet po i njëjtë. Në Shqipërinë paskomuniste deri tani askush nuk kujtohet jo vetëm të ngrejë një shkollëz të përvetësimit të gjuhëve dhe qytetërimeve të vjetra latine dhe greke, por as edhe të një kursi të përkohshëm. Ndërkohë, përshembëll, presidenti Ibrahim Rugova di latinisht. Mbase jo për këtë arsye tek bashkëkombasit tanë në Kosovë bëhet më shumë për të mbajtur gjallë përgatitjen e brezave me njerëz të ditur të gjuhëve, kulturave dhe qytetërimeve të vjetra. Dhe në të gjithë Ballkanin, në këtë profilizim. bëhet hë për hë më shumë se në Tiranë.
Mirëpo shpresa, siç thonë, vdes e fundit. Hapësira e madhe që media i kushtoi të nderuarit Pashko Gjeçi dhe fakti që në Shqipëri ende ka një disa emra të rinj latinistësh të bën të besosh në mundësinë e një ndërgjegjësimi të Shtetit tonë për investime në këtë fushë. Shpëtim Çuçka, pas Shtëpisë Botuese Naim Frashëri, tashmë ka plot njëmbëdhjetë vite të tjera karrierë në Shërbimin e Jashtëm shqiptar, ku edhe kohën për të përkthyer e ka mjaft të kufizuar. Duke qënë për disa vite drejtor i ish-Drejtorisë së Kulturës në Ministrinë e Punëve të Jashtme apo edhe i asaj të Evropës, më pas ambasador në Rusi, shembulli i tij dëshmon se tek shqiptarët dhe qeverisësit e tyre ekziston, të paktën formalisht, ndjenja e vlerësimit të njohësve të latinishtes dhe greqishtes së vjetër.Pas këtij momenti duhet pak, fare pak mundim e vëmendje, që grupi i tyre, nxënës e dishepuj të kolosëve Pashko Gjeçi apo Henrik Lacaj, të mos ndërpritet e fiket në asnjë brez shqiptarësh.

Ylli Polovina








Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com