Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

A e ndryshon shoqerine edhe nje INSTAT, FIKS FARE apo OPINION?

Korrieri, 22 gusht 2004

Në transformimin e një shoqërie pasdiktatoriale, pothuaj ashtu si pas një lufte, proçesi i rindërtimit të vendit lyp kontributin e të gjithëve. Pa përjashtim. E theksojmë këtë “pa përjashtim”, sepse në një tranzicion të tillë prirjet për të përjashtuar manifestojnë tendencën të zvogëlohen. Tek ne, shqiptarët, një dukuri e tillë e pritshme nuk u vu re. Në verën e vitit 1990, të quajturën “hyrja në ambasada” partia e vetme në pushtet nuk e mirëkuptoi si një vepër që duhej ta kishte bërë vetë shumë më parë. Që prej atij çasti emigracioni i përjashtuar dhe i nëmur me togjalëshin e turpshëm “jashtëqitja e kombit” u bë një nga shtyllat e mbijetimit ekonomik të vendit, në shumë raste dhe e zhvillimit të tij. Tani është kthyer një nga vlerat më solide dhe perspektive të Shqipërisë. Në vitin 1992 me nevojën normale të dekomunistizimit të shoqërisë, bashkë me përgjegjësit dhe të fajshmit e saj, filloi një përjashtim masiv i shumë specialistëve të sprovuar dhe idealistëve stoikë të periudhës gjysëmshekullore komuniste. Emargjinizimi i shtresave të caktuara apo i pjesëve të ndryshme të vendit vijon edhe sot, edhe pse tendenca e mësipërme e ka përfunduar periudhën e inkubacionit të saj ideologjik dhe vetë sistemi që kemi zgjedhur po punon për kompaktësim.
Në një situatë të tillë politika dhe klasa e saj, ca për shkak të mënyrës se si tradicionalisht funksionon por edhe për mungesë përvoje të ushtrimit demokratik, lë nga pas çdo ditë gjurmët e një beteje ndarëse, veçuese, herë pas here edhe përjashtuese. Masa e madhe e të zhgënjyerve aktivë po kërkon prej vitesh të gjejë përfaqësuesit e vet. Por duke qënë se përfaqësuesit kryesorë të shtresave të caktuara të popullit mbeten si rregull politikanët është krijuar ideja e ngecjes së Shqipërisë në një qerth të mbyllur. Për të zhbllokuar gjendjen kërkohen gjithandej politikanë të rinj, citohen lista me emra të dëgjuar apo anonimë, ka ekzaltime pas ndonjë emir në ekzil, pritet e pritet me shpresë të vijnë këta jashtëtokësorë. Mirëpo duke qënë se nuk janë emrat që sjellin “politikën e re” apo që e mbajnë patjetër si lak e kular “politikën e vjetër”, shtegdalja e rekomanduar nëpërmjet “luftës së brezave”, gjeneratave në ardhje, kërkon shumë kohë. Mbi të gjitha ajo e merr rrugën e realizimit vetëm kur vetë shoqëria ndryshon mentalitetin e vjetër dhe vrapon vetë drejt përzgjedhjes dhe mbështetjes së të riut. Shqiptarët prirjen për të renë e kanë të natyrshme, por kjo predispozitë akoma mbetet spontane. Në këtë fazë të ndërmjeme organizimi i këtij proçesi rinovues e rigjenerues të shoqërisë dukshëm i është lënë në besë klasës politike.
Mirëpo pikërisht këtu ka një iluzion. Një keqkuptim.
Besimi absolut tek epërsia e politikës ka bërë që të kundrohen si faktorë të dorës së dytë e tretë roli, misioni dhe ndikimi mbi shoqërinë i përfaqësuesve të caktuar jashtë kësaj klase, jashtë qeverive dhe piramidës së Shtetit. Këta individë apo grupe gjenden tek e quajtura Shoqëri Civile. Ata publikisht kryejnë veprimtari të ndryshme konkrete në terrenin social, një pjesë vetëm shprehin idetë e tyre në media. Nuk kanë pas vetes as struktura shtetërore, nuk japin e marrin urdhëra, një pjesë e punës kryhet vullnetarisht. Jo pak prej këtyre të fundit, duke ndjerë apriori pafuqinë apo pamundësinë ekzekutive, mërziten e ankohen se mjaft nga propozimet apo kritikat e tyre klasa politike nuk i përfill, veçanërisht ajo pjesë që është në pushtet. Kjo atmosferë, sidomos kur shprehet para opinionit, siç ditë më parë bënte një emër i njohur, e shton apatinë e përgjithshme sociale dhe iluzionin mbi rolin ekskluziv të ndryshimit të vendit nga vetëm apo kryesisht klasa politike. Lëvizjet qytetare, ende jo pak të keqkuptuara apo edhe të manipuluara, mbërritën në Shqipëri si koncept e praktikë vetëm në fillim të vitit të katërmbëdhjetë të tranzicionit pasdiktatorial. Por me t’u “shijuar” nga shoqëria, ato fituan emër të mirë, popullaritet dhe shpërndanë shpresë.
Hyrja e tyre, tashmë për t’u zhndërruar në një përbërës konstant, shenon historikisht edhe kthesën e sigurtë në mendësinë tonë. Përshembëll në rast se deri dje gjykohej që tarifat e shërbimeve mund të bëhen më “njerëzore” e më të durueshme nga shtresat e ndryshme të popullit me vetëm vullnetin i një kabineti qeveritar të çdo krahu politik, tani kjo garanci nuk mjafton. Rezultoi shumë shpejt se efikasë e të dorës së parë për humanizimin e këtyre shërbimeve jetike ishin lëvizjet e protesta qytetare. Shumë akomodime e rritje pagash deri tani bëhen me inisiativën e klasës politike, por mungesa e lëvizjes aktive sindikale në të gjithë administratën peshon shumë jo vetëm në një rritje më të dukshme të tyre, por edhe në pasigurinë e mjaft të drejtave të punonjësve.
Tani që mentaliteti ynë manifeston aftësi dhe gatishmëri të ndryshojë, çdo çast mbajtja gjallë e iluzionit për gjithpushtetshmërinë e politikës rezulton me prapavijë dhe ndikim regresiv. Shumica e njerëzve kanë arritur të kuptojnë se një aktivist qytetar, një protestues i civilizuar që di çfarë kërkon, një opinionist apo një gazetar televiziv, një historian apo psikolog, një INSTAT apo një CAO e MJAFT, një Këshill të Urtësh apo një Show të shtunën, një Fiks Fare, një OPINION apo SOS influencojnë moralisht e mendërisht mbi shoqërinë shqiptare dhjetra herë më shumë se klasa politike. Kjo jo sepse është e nëmur e para dhe e bekuar e dyta. Një interpretim tillë jo vetëm do të ishte i thjeshtëzuar, por edhe do të dëshmonte krekosjen boshe të kësaj të fundit.
Keqkuptimi mbi epërsinë ekskluzive të ndryshimit të një shoqërie prej klasës së saj politike, dukuri e cila vërtetohet nga hapësira e tejmadhe mediatike që akoma tërheqin, zotërojnë me karizmën e tyre apo kontrollojnë me tejpushtetin që fitojnë, ka sjellë edhe një devijim tjetër. Ideja e disa përfaqësuesve të shoqërisë civile, kryesisht gazetarë apo protagonistë publikë që e ushtrojnë publicistikën, të cilët në kompensim të veshshurdhjes së pushtetit administrativ kembëngulin në mobilizimin me përparësi të të quajturit “intelektual i angazhuar” nuk mund të rezultojë e frutshme deri në fund. Jo thjesht se modeli për “intelektualin e angazhuar” akoma vjen mbi supe me coprat e pelerinës së Luftës së Ftohtë dhe të ideologjive të shembura bashkë me Murin e Berlinit. Por edhe sepse sindroma e epërsisë, vjen nga politika apo nga armata e “të angazhuarve”, njëlloj e dhunon shoqërinë me presionin e saj. Kjo e fundit ndihet shpesh më e ndryshuar edhe pas një ndeshjeje ndërkombëtare futbolli, ku ekipi shqiptar triumfon. Apo pas një jehone mediatike në Paris të një vepre letrare bashkëkombase. Një përfaqësues emërndjerë i shoqërisë qytetare mund tregohet deri edhe indiferent me botën e politikës, por ndërkaq ai ndikon dukshëm në transformimin progresiv të shoqërisë. Për ilustrim po marrim një shembëll tjetër: Anjeza Shahinin.
Politikanët për shumë arsye, sidomos si lakmitarë të vrullshëm të pushtetit publik, nuk “mund” të reflektojnë në rast se ti thjesht i qorton. Në raste të tilla zakonisht ata marrin masa për të qënë më të mbrojtur nga kritika, mundësisht pa hequr dorë asnjë fije nga ambiciet e tyre. Pastaj pjesa më e emancipuar e shoqërisë civile dhe protagonistët e saj nuk kanë objekt pune “edukimi” dhe transformimi klasën politike, por më së pari shoqërinë. Politikanëve më shumë u bëhet presion qytetar që të kuptojnë se deri ku mund të shkojnë në pushtetushtrimin e tyre. Për shoqërinë nuk zgjidhen metoda trysnie. Ajo me durim mëkohet çdo ditë me ide të reja, me projekte rrugëzgjidhjesh efikase, me modele sjelljesh të qytetëruara. Ushqehet intensivisht me dëshirë për ndryshimin, me kurajo civile, me shpresë tek dita më e mirë, me besimin në vetvete.
Eshtë vetëm një shoqëri e tillë e aktivizuar dhe e zonja që ta marrë fatin e vet në duart e saj, e cila i bën presion demokratik politikës dhe çdo elite tjetër që kapullohet nga apatia e qendrimit në vend. E bën masivisht. Me efekt të sigurtë “reflektimi”. Ja pse ai përfaqësuesi i spikatur i shoqërisë qytetare në vend që të prishë humorin se kritikave apo projekteve të tij nuk po u vë kush veshin nga “lart”, të përgatisë masën e madhe të njerëzve të kërkojë ndryshimin. Kur këta dalin përballë atëhere është shumë e vështirë të mos “reflektosh”.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com