Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Ismail Kadare ne Rome

Dita, dy faqet speciale, 6 dhe 7 qershor 2004

Cili shqiptar nuk ka ndjerë në pranverë-verën e vitit 1999 se i kishte ardhur ora sublime e shërbimit të madh për kombin! I ndodhur me punë në Ambasadën tonë në Romë, mes shumë ngjarjeve të veçanta, u bëra dëshmitar i ardhjes në kryeqytetin italian të Ismail Kadaresë. Më parë atje kishte mbërritur Ibrahim Rugova. Për një javë u gjendën në të njëjtin qytet dy shqiptarë të shumënjohur, secili me një profil dhe qendrim të vetin për ato që po ndodhnin në Kosovë. Ndërsa për shumë arsye që nuk vareshin nga ne, ato ditë përjetonim një lloj rutine në cilësinë e mbrojtjes mediatike të çështjes së shqiptarëve, shkrimtari i shquar brenda një javë do të prodhonte një volum gjigand në favor të saj. Do të ngrinte një furtunë. Para dhe pas tij nuk mbahet mend në Romë të ketë ekzistuar një shqiptar tjetër që të mund të ketë shkaktuar atë lloj stuhie mediatike.
Një fragment i kësaj dëshmie, pjesërisht i publikuar edhe në librin e parë të ciklit tim “Ditari i Romës”, po e bëj të ditur tek gazeta “Dita”. Me rastin e 5-vjetorit të ngjarjes.
Ismail Kadarenë me bashkëshorten e shkrimtaren Helena, me në krye ambasadorin Leontiev Çuçi, do ta shoqëronim në veprimtarinë ku do të merrte çmimin letrar “Feronia”. Kjo veprimtari u krye jashtë Romës, në Kështjellën Ducale të Fiano Romanos. Ambasadori më ngarkoi të isha në makinën, ku u vendos çifti Kadare dhe gjatë rrugëtimit biseduam. Dëgjova prej tyre gjëra të mahnitshme. Në Kështjellën Ducale, pasi u mora leje, filmova me kamerën time personale çdo gjë që m’u duk e papërsëritshme. Për ta thënë një herë tjetër. Sepse ato çaste çdo tik-tak ore dhe zemre ishte histori.

Ylli Polovina









Pjesa e parë

30 maj

Eshtë e dielë. Rreth mbrëmjes në Romë duhet të ketë mbërritur Ismail Kadare sëbashku me Elenën, gruan e tij. Vjen drejt për së drejti nga Parisi, sepse është i ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e çmimit ndërkombëtar për letërsinë \"Feronia\", që këtë edicion i jepet atij. Flitet nëpër rrethe miqsh se do të marrë pjesë edhe në një debat për pakicat kombëtare, i cili do të mbahet në Kampidolio.
Duket si një e dielë e bekuar.
Televizioni italian lajmëron me pamje se si Mis Albania 1999 në Tiranë është shpallur refugjatja kosovare 19 vjeçare Venera Mustafa.
Dhe shton fjalët e gëzuara të saj: \"Kjo tregon se Shqipëria dhe Kosova jemi një\".


31 maj

Ismali Kadare boton një intervistë në \"Il Messaggero\". Titulli i saj ka fjalët \"Kadare: \"Vuaj, nuk mund të shkruaj\" dhe mbititull \"Zitë e luftës paralizojnë shkrimtarin e madh shqiptar, i cili të shtunën në Romë do të marë çmimin Feronia\".
Pyetjet janë të shkurtëra.
Përgjigjet po ashtu:
\"Duhet të ndalen masakrat e serbëve dhe pastaj bombardimet. Janë një gjë e tmerrshme, por të domosdoshme për të ndalur Hitlerin\", \"Perëndimi beson se Millosheviçin e rrethonjë shumë njerëz besnikë. Por nuk është kështu. Jo të gjithë serbët rreshtohen nën flamurin e tij të fanatizmit dhe të vdekjes\", \"Lufta më jep ndjenjën e vazhdueshme të vuajtjes dhe të pafuqishmërisë\", \"Kam shkruar shumë. Tani kam ndalur. Tani jam i dëshpëruar. Shoh popullin tim që vuan, shkatërrimin dhe zinë. Dhe qëndroj si i ngrirë. Por do të kalojë, shpresoj se do të kalojë\".
Po këtë ditë Ibrahim Rugova ka bërë një vizitë mes refugjatëve kosovarë të vendosur në ish-bazën ushtarake të Komizos, në Siçili. Raiuno në mbrëmje theksoi se vizita \"rrufe\" e Ibrahim Rugovës ishte shoqëruar me entuziazëm në një pjese të refugjatëve, por edhe me thirrje për UÇK-në të një pjese tjetër, e cila e kundërshtonte politikën e tij. Madje Raiuno shtoi se pati edhe momente tensioni mes njerëzve dhe shoqëruesve të Rugovës.
Raiuno përcolli nga goja e Rugovës vetëm fjalët e tij të falenderimit për qeverinë dhe popullin italian. Asgjë tjetër.
Po këtë ditë është rishfaqur në tv dhe nëpër faqe gazetash studentja e bukur kosovare me emrin planetar Venera. Befasia dhe imazhi i saj mbushën pothuaj 24 orë që i rezistojnë ciklit shfarrosës së ndërrimit të shpejtë të lajmeve.
Mis Albania duket si orakull, thua paralajmëron një gëzim të ardhshëm.


1 qershor

\"La Stampa\" mendon se \"Rugova triumfon në Komizo mes refugjatëve\". Ajo sqaron se vizita ishte vetëm një orëshe. Lideri kosovar brenda kësaj ore është futur mes turmës së rreth njëmijë kosovarëve, ka vizituar një infermieri, është takuar me autoritetet e kampit dhe ka bërë një takim të shpejtë me gazetarët.
\"La Stampa\" gjithashtu shkruan se njëri prej gazetarëve e kishte pyetur se çfarë do t\'i përgjigjej Hashim Thaçit, i cili që nga Londra një ditë më parë, kishte thënë se \"deklaratat e Rugovës nuk kanë asnjë rëndësi\". Ibrahim Rugova ishte përgjigjur: \"Nuk e di cili është ky që flet, unë jam zgjedhur dy herë president i republikës e Kosovës dhe u përgjigjem vetëm atyre që më kanë votuar. Ka njerëz që kanë dëshirë më shumë të flasin se të punojnë\".
Gazeta shton se pas kësaj ore vizite Ibrahim Rugova i hipi helikopterit të Marinës detare italiane \"që ngriti një re pluhuri dhe mori rrugën për në Katania\".
Kjo ditë mbarti edhe një lajm tjetër: kryeministri italian Masimo D\'Alema kishte deklaruar se \"Rugova është mik i vendit tonë. Për ne nuk kushton financiarisht fare: jemi një vend shumë i pasur për të vënë Rugovën në kushtet që ai të punojë\".


Natë.
Në edicionet e vona të lajmeve është shfaqur në edicionin informativ kryesor të mbrëmjes, në kanalin e parë të televizionit publik italian, Rai, Ibrahim Rugova dhe i ka bërë thirrje popullit kosovar që të rrijë sa më afër vendit të tij e të mos shpërndahet nëpër botë. Fjalët e tij më kushtruese: \"Për ca ditë është e nevojshme që refugjatët të qëndrojnë afër Kosovës, ndryshe rikthimi i tyre do të jetë i vështirë\".
Rugova gjithashtu u ka bërë thirrje kosovarëve refugjatë që të mos u besojnë skafistëve.

Pasmesnatë.
Ora 22.40. Edhe Ismail Kadare i jep një intervistë në kanalit të parë të Rai-it.
Midis të tjerash ai ka deklaruar se Ibrahim Rugova mund të jetë i vlefshëm për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, por ai duket se nuk e ka kritikuar fort regjimin serb dhe vetë Millosheviçin për të dënuar krimin e tij ndaj popullit kosovar.


2 qershor

Ora 23.30. Ismail Kadare jep sërish një intervistë të dytë në televizionin publik italian, Rai, kanali i dytë.
Ai dënoi \"mbytjen\" që dhuna serbe po i bën një populli të tërë, shqiptarëve, të cilët për të janë një popull i lashtë dhe si të gjithë popujt ka të drejtën e të jetuarit i lirë në këtë botë.

3 qershor

Njoftohet se Sllobodan Millosheviçi pranoi planin e paqes të bashkësisë ndërkombëtare. Të gjithë komentatorët e media italiane thonë e shkruajnë se \"Millosheviçi u gjunjëzua\" dhe se \"ai është dorëzuar për të mbijetuar\".
Pasdite Ismail Kadare foli rreth një orë në RadioRai, kanali i parë. Në shumicën e kohës programi ishte hartuar me përgjigje ndaj pyetjeve të dëgjuesve. Në të gjithë këtë emision Kadare theksoi fjalët barbari për dhunën serbe, u shpreh kundër pjesëmarrjes së ushtarëve rusë në kontigjentin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare si edhe nguli kembë se bashkëjetesë brenda një shteti federativ nuk mund të ketë më mes shqiptarëve dhe serbëve. Në fund të emisionit u lajmërua se të nesërmen do të kishte të transmentuar në RadioRai një mesazh të tij të përmbledhur.

4 qershor

Ky mesazh u përcoll sot në mëngjez
Po sot \"Corriere della Sera\" boton një intervistë të Ismail Kadaresë. Ajo publikohet me titullin \"Për Kosovën ëndërroj një protektorat. Por pa rusët, ata janë shumë miq me serbët\".
Bien në sy përgjigjet:
\"Serbët nuk kanë të drejtë morale të administrojnë Kosovën\", \"Eshtë e drejtë naturale e shqiptarëve të jetojnë sëbashku\", \"Nuk kam asnjë dëshirë të takoj Rugovën. Mbetem me mendjen se politika e tetë vjetëve e Rugovës ishte një faliment dhe radikalizoi UÇK-në\".

5 qershor

Eshtë e shtunë. Pasdite në kështjellën Ducale të Fiano Romano, në periferi të kryeqytetit italian, Ismail Kadaresë do t\'i dorëzohet çmimi ndërkombëtar për letërsinë \"Feronia\".
Ndërkohë \"Corriere della Sera\" ka botuar një intervistë të Ibrahim Rugovës.
Në hyrjen e saj përshkruhet familja e Ibrahim Rugovës në kopshtin e vilës, ku jeton, në Romë. Pranë fëmijëve janë edhe Ibrahim Rugova dhe nënministri i Jashtëm italian Umberto Ranieri, të cilët luajnë me ta.
Pastaj nis intervista:
Gazetarja A. A.: Presidenti Rugova, çfarë provuat kur kur morët vesh se Sllobodan Millosheviçi kishte pranuar marrëveshjen e NATO-s?
Ibrahim Rugova: Mendova se është një shenjë e mirë. Por nuk mjafton. Duhet vepruar menjëherë. Duhen zbatuar menjëherë marrëveshjet. NATO duhet të hyjë menjëherë në Kosovë. Forcat ndërkombëtare duhet të garantojnë paqen: duhet përgatitur shpejt rikthimi. Duhet të jemi të sigurtë që serbët nuk na mashtrojnë. Ka ndodhur. Nuk besoj tek ta.
A,A.: Që të përgatitësh rikthimin çfarë do të thotë për ju?
Rugova: Do të thotë që të rigjesh të gjithë emigrantët politikë të shpërndarë: janë në Gjermani, në Zvicër, në Skandinavi, në Britaninë e Madhe, në Maqedoni, ndokush në Francë. Kush e di në janë gjallë që të gjithë.
A.A.: Çfarë roli mendoni se do të keni tani në rikushtetimin dhe rindërtimin e Kosovës suaj?
Rugova: Unë jam president i zgjedhur në mënyrë të rregullt.
A.A.: A nuk mendon se diçka mund të kenë ngjarë në udhëheqjen tuaj? Se afrimi juaj me Millosheviçin mund t\'ju krijojë edhe shqetësim? Ju jeni parë t\'i shtrëngoni dorën publikisht diktatorit serb?
Rugova: Kam qënë në kampet e refugjatëve në Komizo dhe në Maqedoni, askush nuk ma ka kujtuar këtë shtrengim dore. Të gjithë e kanë kuptuar se u bë nga nevoja. Që isha peng. Tani duhet të mendoj që të kthehen të gjithë emigrantët në atdhe. Për të ndërtuar gjithçka: strukturat politike, ekonomike, kulturore, sociale. Pastaj do të bëhen zgjedhjet e tjera: do të vendosë populli nëse jam akoma një president. Duhet të jenë kosovarët ata që do të vendosin për të ardhmen e vendit, pas tre vjetësh të forcave ndërkombëtare duhet bërë një referendum. Unë nuk dua të shpall pavarësinë. Me një referendum do të jenë kosovarët që do të vendosin të rrinë me serbët apo me shqiptarët. Ose të paktën me italianët: italianët janë një popull i madh.
A.A.: Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare është në Romë si edhe ju këto ditë. Por ai ka deklaruar se nuk ka asnjë dëshirë për t\'ju takuar. Sepse ju kurrë nuk i dënuat masakrat e Millosheviçit dhe nuk mund të konsideroheni një udhëheqës i shqiptarëve. Çfarë përgjigje do të jepnit?
Rugova: E njoh Kadarenë prej shumë vitesh. Jemi miq të vjetër. Eshtë një shkrimtar i zoti, kam shkruar edhe artikuj për të, jam një kritik letrar. Por tani jam edhe një president: ai si intelektual ka plotësisht të drejtë të më kritikojë. Eshtë njerëzore. Por nuk kam dëshirë të bëj polemikë. Aq më tepër për nivelin ku më vuri ai. Them vetëm se sot do të shkoj në Tiranë: më ka ftuar Sali Berisha. Do të vizitoj refugjatët dhe do të takoj politikanët e Shqipërisë.


Në mbrëmjen e 5 qershorit një pjesë e trupit diplomatik e Ambasadës Shqiptare në Romë, me në krye ambasadorin, do të shoqëronin bashkëshortët Kadare në udhëtimin e tyre drejt kështjellës Ducale të Fiano Romano, ku shkrimtari i shquar do të merrte çmimin ndërkombëtar për letërsinë \"Feronia\".
Pas mesnatës do të ishte rikthimi në Romë dhe përshendetja e ndarjes me të dhe me Elenën.
Të nesërmen ata do të largoheshin.


(Vijon)

Pjesa e dyte


Në një nga ditët e qëndrimit të Ismail Kadaresë në Romë, poeti Visar Zhiti, diplomat që mbulonte kulturën në ambasadë, pyeti: \"Thua ka njerëz që e ruajnë jetën e Ismail Kadaresë këtu në Romë?\"
\"Përse mendon kështu?\" e kundërpyeta.
\"Sepse e shoh që lëviz i vetëm nëpër rrugë, ndërsa jep intervista pa pushim dhe i ka shumë të ashpëra kundër Millosheviçit\".
Në të vërtetë në kryeqytetin italian, si edhe në gjithë gadishullin apenin, ishte njoftuar në publik se kishte patur disa përpjekje të agjentëve të Beogradit për veprime subversive. Edhe në ambasadën tonë një të dielë ja kishte behur policia italiane, sepse ishte sinjalizuar për vendosjen e një bombe në mjediset e saj. Pas një kontrolli të imtë nuk u gjet asnjë lloj eksplozivi.
E vetmja përgjigje që mund t\'i jepej poetit Zhiti, i cili ishte edhe mik i Kadaresë, mbetej parafabrikati qetësues \"Sigurisht që jetën e tij e ruajnë, por kjo duket se bëhet tepër fshehurisht\".
Megjithatë mund edhe të mos ishte fare kështu. Ai atë javë romane në hotel rrinte me Elenën, por nëpër studiot e radiotelevizioneve shkonte i vetëm.
Siguria e jetës, në të kundërt, ishte tepër e madhe për Ibrahim Rugovën.
Ismail Kadareja erdhi në Romë me një avion të linjës civile, Ibrahim Rugova, edhe pse formimin dhe aksionin politik e ka të një \"pëllumbi\", erdhi me një aeroplan \"Skifteri\" të shërbimeve sekrete italiane. I pari mbërriti pas një njoftimi që ishte bërë publik javë më parë, i dyti në mënyrën më sekrete që mund të organizojnë grupe të vogla qeverisësish në krye shtetesh të mëdhenj e të fuqishëm. Nga aeroporti publik i Fiumiçinos çiftin Kadare e mori vetëm një makinë e organizatorëve të çmimit letrar \"Feronia\", kurse 16 njerëzit e Rugovës, me të në krye, në pjesën ushtarake të aeroportit Çampino e pritnin trupat speciale të sigurisë, ndërkohë që në ajër e kishin shoqëruar njëherësh avionë të NATO-s dhe një qëndër radari shumë e sofistikuar, i cili mund të kapte fluturimin e një plumbi të ftohtë kuturu, i cili mund të endej nëpër ajër e jo më një avion \"armik\" apo predhë raketore. Dhe me shpejtësinë e një gjysme sekonde mund të urdhëronte shkatërrimin e sigurtë të rrezikut për jetën e Ibrahim Rugovës.
Ismail Kadarenë në pesëdhjetë minuta udhëtim drejt kryeqytetit e shoqëroi vetëm trafiku i madh e i rrëmujshëm, që ikën e vjen si lumë nga Fiumiçino. Ibrahim Rugovën snajperë të vendosur në pikëkalimet më të larta dhe më të fshehta të vrapimit një gjysëm orësh nga aeroporti civilo-ushtarak i Çampinos për në vilën ku do të strehohej. Në roje të jetës së tij, madje, kishte në disa kthesa edhe autoblinda.
Kadare dhe gruaja e tij u strehuan në hotelin e zënë nga organizatorët sipas procedurave më të rendomta. Atje hynin e delnin vazhdimisht njerëz, siç mund të ndodhë vetëm në një hotel në Romë, ku turistët gjithfarëlloj nuk mungojnë asnjëherë. Rugova u dërgua menjëherë në një nga vilat më të bukura të kryeqytetit italian, kopshti i së cilës zhytej në aromë lulesh dhe hije pemësh e ku nuk mungonin edhe karriget lëkundëse.
Tek i pari mund të gjendej ngjitur edhe një emigrant letrar, edhe një gazetar italian. Intervistat bëheshin në klubin më të parë, shëtitjet e lira ku të dëshironte dashamirësi i tij. Në të kundërt me këtë “pakujdesi” ishte e pamundur t\'i afroheshe dhjetë metra mureve anësore apo hyrjes së vilës Algardi. Edhe me telefon nuk ja delje dot. Në se një gazetar kërkonte një intervistë me politikanin e shumënjohur kosovar, kërkesën ai duhej ta arshivonte në ministrinë e Jashtme italiane dhe kjo ja përcillte sekretarit të Rugovës, Adnan Merovci. Më pas kërkesa bënte rrugën për tek Presidenti i Kosovës.


Nuk kishin kaluar as tre-katër ditë nga çasti kur Ibrahim Rugova kishte mbërritur në Romë, dhe erdhi lajmi se profesor Fehmi Agani ishte gjetur kufomë në periferi të Prishtinës. Lajmet thoshin se pikërisht katër ditë më parë ai ishte kapur nga policia serbe në një tren refugjatësh, i cili shkonte drejt Maqedonisë.
Janë pothuaj të njëjtat orë që ndajnë fatet e dy profesorëve, e të dy të moderuarve: e kryetarit të Lidhjes Demokratike dhe e nënkryetarit të saj.
Në të njëjtën orë njeri u nis drejt Romës, tjetri drejt vdekjes dhe dheut. Kur filluan të transmentoheshin pamjet e para nga lajmi i kobshëm në ekran Agani ishte një thes i mushamajtë që po futej apo po nxirrej nga një derë e prapme e një spitali apo morgu.


Në javën e qëndrimit të tij në Romë Ismail Kadare i dha një intervistë gazetës në shqip të emigracionit tonë në Itali, \"Bota Shqiptare\", e cila e botoi në numurin e saj të parë përurues. Më 1 korrik 1999. Duke i uruar asaj fat shkrimtari gjatë gjithë intervistës i ndenji ngulur idesë se shqiptarët emigrantë në Itali nuk kishin përse ndiheshin se vinin nga një vend jo normal dhe lutej, gati u binte në gjunjë lexuesve bashkëkombas, që të ndiheshin sa më të lidhur shpirtërisht me vendin e tyre. Në një çast polemike me tipin e sharlatanit, që kërkon të çlirohet e të shpëtojë nga fama e trazuar e Shqipërisë dhe me të shkelur në brigjet e vendit tjetër nis e shan vendin e vet, ai shkruante \"Je i lirë të mos e duash vendin tend, por jo të tallesh me të, vetëm nga që dikur i përkisje. Nuk kërkohet patriotizëm (meqë kjo fjalë i acaron disa njerëz), por besnikëri ndaj vendit. Besnikëria është ndjenja më natyrale dhe më e shendetshme e njeriut\".


Në mes të javës së qëndrimit në kryeqytetin italian, në një pasdite që e mbante diellin mbi Romë me dritë të butë e ledhatuese, në Sheshin Kampidolio u mblodhën mjaft shqiptarë për të mirseardhur dhe nderuar shkrimtarin e tyre të madh dhe kolegët e tij të ftuar në veprimtarinë e çmimit \"Feronia\". Midis tyre në podium u ul edhe Ismail Kadareja. Ndërsa të ftuarit merrnin simbolikisht fjalën, në pushimet e vogla mes ndërrimit të tyre artistë shqiptarë luanin në piano, violinë apo deklamonin vargje.
Kur i erdhi rradha Kadaresë ai u çua në kembë. Parafolësit e tij kishin përmendur fraza për ankthin e shpirtit njerëzor, për horizonte që vijnë dhe ikin, për qiej që thithen prej kozmosit dhe planete të çmendur që bien prej tij, për paqen e përjetshme të yllësive, për njeriun e dëshpëruar e të lodhur, i cili vazhdimisht është i prirur të kërkojë paqen. Paqe, paqe, paqe. Fjalët e poetëve dhe shkrimtarëve që vinin nga vende të afërt e të largët, pothuaj ishin lutje, përdëllime, bëlbëzime.
Kadare ishte ngritur në kembë. Ai është trupimët, por shqiptarëve të mbledhur në atë shesh të famshëm historik të Romës, iu duk sikur u ngrit një reliev bjeshke.
U lëkund pak. Fare pak, thua një vullkan llave po i shpërthente në gjoks dhe duhej ta përmbante mes brinjëve. Pastaj nisi të flasë. Tha se në këtë botë asnjë popull nuk është i tepërt. Asnjë popull nuk ështe i tepërt, përsëriti, e nuk mund të lejohet që një popull të mbytë një tjetër. Një krim i madh, vijoi, po ndodh, populli serb kërkon të mbysë popullin shqiptar të Kosovës.
Në Sheshin Kampidolio kishte rënë papritmas një heshtje aq e thellë sa dukej sikur edhe pëshpërimat e lëshuara shurdhazi e shkujdesur në rradhët e fundit të pjesëmarrësve, kishin ngrirë në ajër pa mbërritur dot për ku ishin nisur.
Më pyeti një zonjë italiane, shqiptoi Ismail Kadare me zërin e tij të plotë, se duke shpjeguar krimin që po ndodhte në Kosovë, kisha përdorur me tepri fjalën \"barbari\". Iu përgjegja se nuk kisha gjetur dot fjalë më të saktë për të përcaktuar gjëmën që po kryhej nga dhuna serbe ndaj popullit shqiptar. As nëpër fjalorët e zakonshëm nuk kam gjetur dot se si mund të shprehet ajo që po ndodh para syve të botës. Zonjë e nderuar, për të shprehur atë krim, që po kryhet kundër popullit tim, duhet krijuar një fjalë e re, ku \"barbari\" do të duket si një përkëdhelje.
Dhe pastaj iu drejtua sheshit të mbushur me njerëz me fjalët “Edhe një familje të shpërngulësh nga një apartament është një dramë e tërë dhe jo më një popull”. Pastaj: “Lufta nuk është gjë për t\'u dashur apo për t\'i ngritur himn. Edhe unë jam për paqen, por për një paqe jo në kurriz të shqiptarëve”.
U ul.
I hodhën mbi trupin e imtë brohoritje të pafund.
Më pas rinisi cikli metaforik dhe përgjumës i fjalëve të shkrimtarëve të ardhur nga bota: mjegullnaja të mbushura me akull kishin vërshuar në zemrat e njerëzve, pjedisetale të gjymtuar të historisë, kengë të trishta nëpër muzgje që zgjatin sa një gjithë një shekull, citime fragmentesh në prozë e vargje nga librat e tyre.
Gjer sa erdhi rradha e profesorit të Universiteit \"La Sapienza\", Gnisho Nishit, me origjinë serbe. Ai sapo ishte kthyer nga një vizitë në Beograd. Nishi është profesor i talentuar dhe mjaft komunikues me studentët e vet, autor i mjaft librave për përdorimin e metodës krahasuese në letërsi.
Ai nisi të përtypë fjalë të thërrmuara dhe gjysmë të shurdhëta se asnjë popull nuk po mbyste popullin shqiptar të Kosovës, se nuk kishte ndodhur ndonjë krim, se NATO kishte sulmuar një shtet sovran, se ai kishte mjaft respekt për kombin shqiptar...
Por papritmas një fishkëllimë kishte mpirë ajrin mbi shesh. Çaushi, një ish-burgosur për tridhjetë vjet nga regjimi komunist në Shqipëri, emigrant në Romë, pasi kishte futur dy gishtat në gojë si në fëmininë e vet, pati lëshuar tingullin sfidues. Ai ishte njëherësh përbuzje dhe thirrje. Si të kishin qënë marrë vesh brenda një sekonde të gjithë shqiptarët u ngritën dhe nisën të iknin. Stolat e karriget e shumta pothuaj u zbrazën. Shqiptarët u grumbulluan në fund të sheshit dhe u bënë atje grumbull, të zymtë e të zëmëruar. Si në një barrikadë. U ngrit nga podiumi edhe Ismail Kadareja dhe shkoi e u fut mes bashkëkombasve të tij.
Në fund të sheshit historik të Kampidolios të gjithë shqiptarët u bënë një piedestal. Ishin murrosur në një lapidar.
Drejtuesi kryesor i veprimtarisë \"Feronia\", tepër i tronditur, i nisi sheshit të shkretuar në qëndër dhe të mbushur me protestë në fund, fjalë të turbullta ndjese dhe gjeti mundimshëm një frazë, e cila e bëri profesor Nishin të ndihej përgjegjës për dëmin që i kishte shkaktuar aktivitetit. Atëhere ishte Nishi që la presidiumin dhe iu drejtua fundit të sheshit. Rreth tij u grumbulluan pesë-gjashtë përkrahës të tij.
Ishin shqiptarët që menjëherë lanë fundin e sheshit dhe u ulën nëpër stola e karrige. \"Piaca Kampidolio\", siç e shqiptojnë me krenari italianët, u mbush sërish.
U kthye me hap të ngadaltë në podium edhe Ismail Kadareja. Veprimtaria rihyri ftohtë në ullinë e vet të ndërprerë nga sfida e shqiptarëve. Pasi diskutuan dy poetë të ftuar shkrimtari shqiptar kërkoi të merrte fjalën sërish. U ngrit në kembë e përsëri foli për Kosovën. Por kësaj rradhe, tek rifliste për krimin dhe barbarinë serbe, hapi një pauzë të vogël mes fjalës së tij tingëllimtare dhe duke iu drejtuar Nishit vetmitar tha: ka një njeri që po tharton buzët andej nga fundi.
Kishte rënë muzgu dhe ngjyra gri e ndërtesave gati dymijëvjeçare të Sheshit Kampidolio u përpi dhe u tret me të një qielli në vishnjë dhe, sikur të vinte nga brenda palëve të tij, i dhanë një flamuri të madh të Bashkimit Evropian që varej mbi shesh, një përndritje të ëndërrt.
Ishte si një dritë që vinte prej thellësisë së shekujve, ndoshta nga vetë balladat shqiptare.


Ka një shkrimtar të madh Gjermania, në prag të vitit dymijë bërë nobelist: Gynter Gras. I deziluzionuar nga problemet e dala pas bashkimit mes dy pjesëve të vendit të tij, ndarë përdhunshëm nga lufta e dytë botërore, është shprehur \"Unë jam atdhetari pa atdhe\".
Shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, çdo vit kandidat për Nobel, ndoshta do t\'i shkonte \"unë jam atdhetari më në fund me atdhe\".
\"Nuk mund të shkruaj\" i ishte përgjigjur ai një gazetari nga Roma, kur ky e pyeti se çfarë kishte ndër duar. Ishin ditë të bombardimeve të NATO-s dhe kur Kosovën e kishte përfshirë vala e flakëve dhe e masakrimit të shqiptarëve. \"Nuk mund të shkruaj\". Për një shkrimtar kjo është e ngjashme me dëshpërimin e një njeriu që kalon një dhimbje aq të madhe sa thotë \"nuk mund të fus dot gjë në gojë\".
Kur kishte pyetur një koleg, për fat të keq nga Prishtina, përse nuk demaskonte në veprat e tij krimin serb, ky i fundit ishte përgjigjur shkujdesur dhe euforik: letërsia qëndron më lartë se krimi.
Pas kësaj Kadare ç\'mund të bënte tjetër gjë se veç të buzëqeshte hidhur!
Letërsia më e madhore në botë, ajo shekspiriane, e kishte patur këtë mbijetim madhështor pikërisht se kishte denoncuar krimin.
Ismail Kadare e kishte denoncuar krimin serb jo në fillim të vitit 1999, as një vit më parë. E kishte bërë përherë. Ndoshta duke mbërritur një lartësi drithëruese tek kryevepra e tij \"Kryshqit janë të ngrirë\", përshkrimi shekspirian i periudhës së protestave shqiptare të vitit 1981 dhe të aksionit serb të \"diferencimit\", një pastrimi etnik të kamufluar me ideologji. Diferencim i zi dhe i bardhë. I zi se vdiste shqiptarë nëpër burgje dhe i shtypte me zinxhira tankesh në rrugë. I bardhë se i pushonte masivisht nga puna.
Kadare gjithnjë kishte klithur kundër krimit. Më 2 qershor agjensia italiane e lajmeve ANSA i kishte marrë një intervistë shkrimtarit të porsaardhur në Romë dhe kishte marrë prej tij përgjigjen \"Duhet vepruar me urgjencë dhe efikasitet, nuk mundet të humbet kohë, nuk duhet vonuar për të bërë filozofi, ndërkohë që viktimat thërrasin\".


\"Triumfi i krimit\", kështu u titullua. Shkrimi i tij u shfaq në gazetën italiane \"La Stampa\" më 5 maj 1999. Paralelisht ishte botuar edhe në shtypin francez.
Fjalët e shkrimtarit ishin thërrëse dhe të vërtetat, që ai ato çaste shpalli para botës, ishin tronditëse. Kadare shkruante se tashmë në Serbi krimi ishte kthyer në një pazar, se atje ishin bërë të zakonshme nxjerrja e syve, djegia në kazan, tallja me viktimat, gostitë midis kufomave. Se vrasja ishte zhndërruar në një masakrim të trupit njerëzor, në një gjymtim të tij, ç\'ka ka qënë gjithnjë e përjashtuar nga kodet morale të popujve të vjetër grekë dhe shqiptarë. Për të dëshmuar kodin shqiptar Ismail Kadare iu drejtua Kanunit të Lekë Dukagjinit, ligjit themeltar dhe kushtetutës më të vjetër dhe më autoritare të parashtetit shqiptar, i cili ndalon dhunimin e trupit njerëzor. Ky ligj, shpjegoi Kadare, ka vepruar dhe ende i ndihet pesha sot pikërisht edhe në ato rajone të banuara nga shqiptarët e Kosovës. Kanuni i Lekë Dukagjinit mund të jetë i kritikueshëm, sqaroi shkrimtari i madh, si një kod i ashpër dhe disi primitiv, por në bazën e tij, në pjesën themelore, në atë që përcakton \"Rregullat e vdekjes\", përjashton në mënyrë absolute masakrën dhe gjymtimin. Ligji i parë i kësaj pjese të Kanunit, vijonte Ismail Kadare, shkruan se në çdo grindje, në çdo hakmarrje, secila palë në një konflikt, sado i rëndë që të jetë ai, ka të drejtë vetëm për një vdekje. Ligji i dytë themelor, kujtonte opinionin e kohëve moderne shkrimtari i shquar, është se vrasja mund të bëhet vetëm në distancë dhe trupi i viktimës nuk mund të preket kurrsesi.
Në gazetën e madhe italiane “La Stampa” Ismail Kadare rikujtonte edhe një kulturë tjetër të virtutshme të shqiptarëve, atë kod të Kanunit që përcakton qëndrimin ndaj të huajit. Atje gjendet formulimi monumental \"Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut\". Për Kadarenë Serbia bëri të kundërtën me një popull të huaj, të cilin ndarje të përdhunshme kufijsh e kishin futur e ndryrë brenda shtetit të saj. Shtëpia e serbit mbase mund të ishte e Zotit, shkruante pragnobelisti ynë, por e Mikut nuk ishte kurrë.
Kultura e gjymtimit fizik dhe e prerjes së gjymtyrëve nuk i shpëton Ismail Kadaresë edhe kur kap e denoncon fjalët e liderit të opozitës serbe, kundërshtarit të Millosheviçit, të quajturit moderator, Vuk Drashkoviç. Sot në Beograd ai është ministër. Vuku kishte thënë botërisht: \"Do t\'u presim duart shqiptarëve që të mos bëjnë shenjën V të demokracisë\".
Kurse ish-presidentit jugosllav, njeriut që sot ndodhet pas kryqëzimit të hekurave të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të akuzuarit ndërkombëtarisht se nën qeverisjen e tij u krye përgjakja e ish-Republikës Federale Jugoslave dhe për dhjetë vjet edhe dhuna e masakrimi më i madh i shqiptarëve të Kosovës, Ismail Kadare i përkushton në një intervistë, dhënë në ditët e qendrimit në Romë, frazën tallëse e ndëshkuese \"Sllobodan Millosheciçi është një mediokër i vogël, por në gjendje për të bërë krime të mëdha. Të gjithë diktatorët mediokër mendojnë të bëhen personazhe të mëdhenj nëpërmjet krimit\".


Në mëngjezin e 5 qershorit një lajm i mbërritur jo zyrtarisht nga Tirana thoshte se në aeroportin e Rinasit ishin në pritje të ardhjes së Ibrahim Rugovës. Siç kishte premtuar edhe në Romë. Lajmi i ardhjes së tij të sigurtë për një vizitë në Shqipëri ishte përcjellë nga kryeqyteti italian që një ditë më parë. Në Tiranë grupi i Gardës së Republikës, shefja e protokollit e Ministrisë së Jashtme, shumë gazetarë rrinin në gatishmëri dhe ankth. Dy herë kishin vrapuar drejt avionëve që vinin nga kryeqyteti italian, por më kot. Prej tyre zbrisnin vetëm turistë të shumtë.
Lajmi jo zyrtar më në fund sqaronte: Rreth orës 11.00 një megafon i aeroportit të Rinasit njoftoi në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme se \"Rugova nuk vjen\".

6 qershor

Ismail Kadare u largua nga Roma. Bashkë me Helenën e vet. Jehonën e pranisë së tij media italiane do ta vijonte edhe për shumë ditë të tjera. Do të ishte një oshëtimë më e fortë se gjëmimi i motorrave të avionit të pasagjerëve “Boing”, i cili do ta ngrinte shqiptarin e shquar në ajër. Si një planet.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com