Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Partizani i perjetshem Dritero Agolli

Dita, 3 tetor 2004

Italiania Mimma Aloisi përherë kishte qënë për mua një shpend i bardhë deti që rrihte mbi dallgë krahët e thërriste me sytë nga Shqipëria. Njëlloj si ai rituali gjashtëshekullor i arbëreshëve që në festat e tyre, kudo ku të gjenden, kthehen e rrinë një çast me fytyrë nga ajo hapësirë e përtej detit, në të cilën gjendet atdheu i tyre i vjetër. Me në vështrim Shqipërinë Mimma u shfaq që në momentin e parë kur u takuam, pas një bisede telefonike, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në 2 qershor 1998. Ajo është një katolike e pasionuar dhe për të marrë pjesë në një ceremoni të krishterë në Selinë e Shenjtë dhe parë Papën kishte ardhur atë ditë bashkë me disa miq të vet. Për të mbërritur në Romë nga Mineo e saj, qytezë piktoreske buzë Mesdheut dhe në pjesën e ulët të ishullit të Siçilisë, të duhet të konsumosh pothuaj të gjitha orët me dritë të një dite. Madje edhe sikur të udhëtosh me një autobus të shpejtë.
Në të gjitha vitet që rrodhën pas qershorit 1998 ne kemi bashkëpunuar ngushtë. Por tema e këtij shkrimi nuk mund të jetë kjo histori e gjatë pune të përbashkët, mes të cilës ngjarjet e befta dhe shumë interesante janë të mjafta. Motivi i këtyre dy faqeve tek “Dita” është një gëzim që na bashkon të dyve, Mimma Aloisin dhe mua dhe shumë shpejt edhe të gjithë bashkëkombasit: sapo ka përfunduar botimi në italisht i romanit të Dritero Agollit “Komisari Memo”. Që nga çasti kur më tha në telefon se libri ende me aromën e shtypshkronjës i kishte mbërritur në dorë dhe se një kopje do të ma niste menjëherë me postën më të shpejtë, kaluan vetëm pesë ditë.
“Komisari Memo”, tashmë në gjuhën e popullit të saj dhjetramilionësh, kishte kapërxyer të paktën dy detra për të hyrë në territorin e Shqipërisë. Si të ishte një zog deti. Një pulëbardhë. Apo një zgalem.
Si vetë Mimma Aloisi.

Shalli i kuq i Komisarit Memo

E kishte endërr që në kopertinë të vendosej një pamje me partizanë shqiptarë. Dhe botuesi Renato Brukoli ja plotësoi. Libri 313 faqesh e ka mbi kapakun e kremtë partizanin me shall të kuq në qafë. Për Mimma Aloisin ky detaj nuk kishte të bënte aq shumë me dhënien e kumtit të parë viziv për subjektin e romanit të njohur të Dritëro Agollit. Lufta çlirimtare e shqiptarëve në themel të veprës së shumënjohur ishte për të më i vogli motiv për të rilevuar atë silhuetë të bukur partizani mbi një libër të porsadalë në një gjuhë të huaj. Motivi e shtysa kryesore duhet të jetë një gjë tjetër. Ose të paktën hamëndësojmë se ka të ngjarë të jetë diçka që lexuesit duhet ta dinë në fillim si informacion e vetëm pastaj të kenë mundësi ta gjykojnë.
Autorit të këtyre rradhëve i duhet të pohojë se nuk është fort gjë e lehtë të botosh në italisht një libër, i cili të rrëfejë, ca më shumë në një volum me mbi treqind faqe, se si shqiptarët i kanë mundur e shpartalluar italianët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht shumica e popullit fqinj di fare mirë të ndajë regjimin fashist nga një sistem demokratik. Një pushtim ushtarak nga një valë emigracioni ekonomik apo kolonizimi të sforcuar. Të veçojë qartë një diktator si Benito Musolini nga (pershembëll) Romano Prodi apo Silvio Berluskoni, të cilët janë demokratë të njohur të popullit të tyre. Një lexuesi të tillë, i cili e ka dënuar prej dekadash të tëra pushtimin e Shqipërisë më 7 prill 1939, e vlerëson mjaft qartë një të vërtetë, siç mund të jetë fati i merituar me dështim i një agresioni ndaj një populli të pambrojtur e të vogël. E megjithatë italianët që u vranë në viset tona, të mashtruar e detyruar nga regjimi, sot në Itali kanë me dhjetra mijë bij të tyre, nipër e mbesa, të njohur e të afërt. Tua kujtosh u shkakton dhimbje e një të kaluar aspak të kendshme. Disave madje u duket sikur me botime të tilla u fyen atdheun. Për të dëshmuar sado pak se sa tema të ndërlikuara janë publikime të tilla rikujtojmë se një nga shtysat kryesore e kineastëve francezë të filmit me të njëjtin titull mbi motivet e librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Ismail Kadaresë ishte dëshira për t’iu përgjigjur publikisht fyerjes që provuan pasi italianët prodhuan dhe shfaqën filmin “Beteja e Algjerit”. Në këtë krijim të regjizorit të famshëm italian Xhulio Pontekorvo, të shfaqur pothuaj në të gjithë botën, tregohej se si algjerianët kishin shpartalluar e mundur ushtrinë franceze.
Në Itali e duan shumë partizanin, pas gjashtë dekadash që nuk harrohet një nga kengët më të bukura të vendit u kushtohet atyre. Titullohet “Çao bella!”. Po ashtu kenga e famshme e Toto Kutunjos “Jam një italian”, duke rrëfyer krenarinë e tij për cilësitë që ka një italian, spikat edhe një: Presidentin, ato çaste Sandro Pertini, e kishin patur në të kaluarën një partizan.
Që “Komisari Memo” del në italisht, i publikuar nga shtëpia serioze botuese ED INSIEME, përbën një ngjarje jo vetëm artistike e kulturore. Ajo ka tharmin e një evenimenti të vërtetë shoqëror e politik. Mbart mesazhin e një rivlerësimi pozitiv të shqiptarëve dhe historisë së tyre. Ka e demonstron respekt ndaj popullit tone dhe historisë së tij. “Komisari Memo” këto çaste është më tepër se një delegacion miqësor që vjen nga zyrat shtetërore të Romës. Më shumë madje se edhe një Traktat Miqësie, dokumenta të njohura ndërkombëtare që firmosen me bonsens mes dy vendeve. “Komisari Memo” është shumë e më shumë se një kredi apo investim në një TEC, hekurudhë apo aeroport.
Këtë mision të madh, me në kapakët e librit një partizan shallkuq të më shumë se gjashtëdhjetë viteve më parë, vetëm Dritero Agolli mund ta bënte. Kjo ndodhi sepse nga shkrimtarët që ne kemi, të shumënjohur dhe me më pak reputacion, vetëm ai mishëron Partizanin e Përjetshëm. Dhe këtu nuk është fjala se silhuetës së tij të bukur dhe kokës ekspresive, flokëve të tij të gjatë si një komit tipik ballkanas, i ka shkuar gjithnjë shalli i kuq, kenga apo vargu, poema apo tregimi e romani me temë partizane. As se vetë ka qënë, si rrallë ndonjë shkrimtar ynë që ende jeton, pjesëtar me armë në dorë i çetave çlirimtare. Dritero Agolli, me atë shpirt lirie që përherë vrullon, është një partizan i të gjitha kohrave. Një partizan sfinks. Një partizan simbol. Një piramidë që në vend të kokës së Keopsit, si në Egjipt, ka në Shqipëri bustin e tij.

Familja e italo-“shqiptare” Aloisi

Duke vijuar edhe më tej përsiatjen rreth madhështisë së ngjarjes që ka ndodhur dhe të veçantave të saj kurioze informojmë se përkthyesja e librit, Mimma Aloisi, nuk është thjesht vetëm një italiane. Një qytetare e popullit fqinj që ka lindur paslufte. Apo që, duke jetuar vazhdimisht në vendin e vet, e njeh Shqipërinë nga masmedia e disa udhëtime pune në Tiranë. Mimma, përkthyese e disa librave shqip në gjuhën italiane, ndihmëse e spikatur e shqiptarëve në periudhën e vështirë pasdiktatoriale dhe ndihmëse e pakursyer e popullit të Kosovës, është edhe autore e katër librave. Në njërin prej tyre, “Luis, historia e një familjeje me shtatë fëmijë”, dëshmon lidhjen e saj me vendin tonë. Mimma Aloisi vitet e fëminisë dhe rinisë së saj të parë nuk i ka kaluar në Itali, por në Shqipëri. Jo për pak ditë apo muaj, por për dhjetë vite nga më mbresëlënësit e jetës së saj. Në vitin 1939 i jati, Ingacio Aloisi, u thirr nën armë dhe më 7 prill, baba i shtatë fëmijëve, mori pjesë në pushtimin e Shqipërisë. Ishte në kolonën marshuese mbi Durrës, pastaj reparti i tij ndjek rrugën për në Rogozhinë, Elbasan e më në fund u dislokua në Pogradec. Çdo ditë marrshimi ushtarak dhe pushtimi për Injacion ishte një letër e dërguar tek gruaja e tij e dashur Anunciatina. Por fotot me kolegët e tij me uniformë zgjasin vetëm një vit, ato shuhen në fillim të 1940-tës. Të gjithë ata ushtarë italianë që ishin të ditëlindjes 1906 sipas ligjit u takonte të liroheshin. Injacio, i thirrur nga shqiptarët Luis (një shkurtim i mbiemrit Aloisi) u bët gati të hidhte në shpinë çantën e madhe të udhëtimit dhe të bënte rrugën e rikthimit: Pogradec-Elbasan-Rogozhinë-Durrës-Bari. Veç rrjedha e jetës së ushtarit të liruar befasisht ndryshoi: ato ditë në Pogradec kishte mbërritur me ngut Vaseli, pronari i firmës së ndërtimit me të njëjtin emër, me të cilin kishte punuar né Bari. Ky kishte marë nga qeveria italiane të drejtën e rindërtim-zgjerimit të rrugës Pogradec-Korçë dhe iu lut të punonte me të. Kështu filloi në Shqipëri edhe ajo pjesë e paharrueshme e jetës së vajzës së tij Mimma. Injacio i bëri menjëherë një letër të shoqes që të vinte në Pogradec, “buzë liqenit të mahnitshëm Ohri”. Dhe familja e madhe mbërriti shumë shpejt, e gëzuar që më në fund u mblodh rreth njeriut të saj të fortë. Në Pogradec Aloisët sëbashku me një vendali hapin një bar, të cilin e quan “Caffé Napoli-Llazi Vani”. Pastaj ndodhi lufta italo-greke, në kundërsulmin e saj ushtria helene hyri në territorin shqiptar dhe marrshoi në vijën Korçë-Pogradec. Familja Aloisi u shpërngul për në Itali dhe, me t’u “stabilizuar” gjendja, u rikthye tek “Caffé Napoli”.
Pastaj nisi lëvizja komuniste për çlirimin e vendit, më vonë shpërtheu lufta në male, nuk vonoi çlirimi i Shqipërisë, vitet e para. Në përputhje me një marrëveshje ndërqeveritare mes Romës dhe Tiranës, e cila rregullonte kthimin e italianëve në vendin e tyre, më 9 shtator 1949 familja e madhe Aloisi hipi në anijen që do t’i sillte për në atdheun e tyre. Por këtu ndodh e papritura: babai i tyre nuk u gjet në listë. E bija e tij Mimma përshkron në faqet e librit “Luis” se si ata qanin në kuvertën e anijes që po largohej nëpër det dhe Injacio që ngashërente në bankinën e portit, duke tundur krahët. Më 10 shtator familja e madhe mbërriti në Brindisi, por babai i tyre i arriti vetëm pas pesë muajsh. Hipur me njëmijë mundime në anijen “Laura”.

Vezullimi i një mesazhi

Dëshira e Mimma Aloisit, vajzës së ushtarit italian që mori pjesë në 1939 në pushtimin e Shqipërisë, për të përkthyer e ngulmuar në botimin e “Komisarit Memo” e shumëfishon vlerën e mesazhit të pazakonshëm të ngjarjes. Eshtë vezullim ngulëkembja e saj për vendosjen në kopertinë të pamjes së partizanit shqiptar shallkuq. Do të shkonte më tej e jashtzakonshmja e këtij botimi po të theksonim se nuk është vetëm ajo një katolike e vendosur, por edhe vetë botuesi Renato Brukoli. Madje edhe vetë shtëpia botuese ED INSIEME, e themeluar prej tij në vitin 1990, kryen, krahas publikimeve për të gjithë, edhe botime fetare. Ajo ka fituar çmimin Manfredonia 1998 pikërisht për kontributin që jep me origjinalitetin dhe forcën e mesazhit që shpërndan.
Kujt do t’i shkonte mendja një ditë se mes dy brigjeve tona, pas një përleshjeje të përgjakshme në fillim të viteve dyzetë të shekullit të kaluar, fryma e tolerancës, civilizimit dhe e bashkëjetesës, e miqësisë historike dhe e humanizmit, do të bënte që “Komisari Memo” të ishte në gjuhën italian krijesë e çiltër e një partizani shqiptar dhe e vajzës së një ushtari italian. E dy katolikëve të thekur italianë me një bektashi të famshëm shqiptar.
Mirëpo “Komisari Memo” dhe Partizani i Përjetshëm Dritëro Agolli i mbartin gëzueshëm e fuqishëm këto mesazhe të mëdha, ashtu si një dekatë më parë, në vitin 1993, shtëpia botuese Argo botoi e shpërndau në gadishullin e Apenineve kryeveprën “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”.
Di ta marrë nga Shqipëria dhe shpërndajë nëpër Itali këtë kumt edhe ai zgalemi i detit, Mimma Aloisi. Në një parathënie shumë të shkurtër në krye të botimit ajo shkruan \"Duke lexuar dhe përkthyer romanin edhe unë ndoqa nga pas grupin që mbante mbi supe bustin e Komisarit Memo…Kush do ta lexojë romanin e Dritëro Agollit do të gjendet si unë dhe me mua, bashkë me shokët e luftës të Komisarit, duke ndihmuar për sistemimin e bustit prej bronci. Dhe të gjithë do të ndjejmë të njejtin emocion\".

Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com