Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Midis Atdheut dhe Memedheut

Botuar ne revisten \"Shqip\", dhjetor 2006

Janë me fat ata popuj që në një farë mënyre shtetin e kanë nga përmasat territoriale të barabartë ose përgjithësisht të përafërt me kombin. Ata Atdheun dhe Mëmëdhenë e kanë një. Tek këta fatlumtur fjala më e përdorshme është ajo që vjen drejtpërsëdrejti prej rembës latine, “patrium”. Nuk kanë nevojë të shpikin apo kombinojnë bashkime rrokjesh e fjalëformime të tjera. Mirëpo në këtë botë që trazohet pa pushim shtetet apo kombet më shumë se të përafërt në përmasa me njeri-tjetrin janë pjesë-pjesë a më keq: të ndarë mes për mes. Në këtë kuptim ato janë qenie me kokë, qafë, sy, veshë e gojë, duar e kembë, gishta e thonj, siç janë ose me një sy, me dy a tre gojë, pa njërën kembë apo vetëm me dorën pa gishta…Për fat të keq mbi glob sundon ligji i më të fortit dhe kur je i dobët do apo nuk do mund të lëvizësh mes gjindjes së madhe të shteteve e popujve edhe me paterica apo me fashë të zezë mbi njërin sy të kërryer.
Ky përfytyrim që ngacmuam te lexuesi që në rradhët e para të shkrimit nuk është gjithsesi ndonjë punë fort me sqimë, sepse e mira do të ishte e tillë që imagjinatën e lexuesit duhet ta nxitësh me pamje sa më të kendshme. Ja që kësaj rradhe u vetdetyruam, gjithnjë për ta bërë sa më të dukshëm problemin që do të trajtojmë.
Shqiptarët janë nga ata popuj që nuk kanë mundur dot të krijojnë një shtet që të përputhej sadopak me vetë hapësirën e natyrshme të kombit. Kjo tashmë dihet e nuk ka nevojë për fjalë më shumë, siç edhe njihet nga të gjithë se të paktën, sipas projekteve në veprim, kombi ynë së afërmi do të prodhojë dy shtete të pavarura të njohura që të dy nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ai do të pjellojë me pjesë të etnisë së vet paqësore edhe tre shtete të tjera. Të paktën do të themi (Si lum ne!) që jemi shtrirë në pesë shtete. Me një fjalë do të jemi një lloj “OKB”-je më vete. Kur të rishkruhen historitë e popujve të vitit dymijë nxënësi i botës globale të vitit 5000, në temën e mësimit për historinë e “vendit të shqiponjave” do të ngrejë dorën e do të pyesë mësuesen se sa qindra milionë kishin qënë këta shqiptarët.
Kështu del se edhe ne kemi përparësitë tona, atë epërsi që popuj shumë më të mëdhenj se ne nuk e kanë. Dhe me që fjala ra për të shumëpërdorurën nga eurokontinenti e deri në dy Amerikat të lemës “patria”, ne shqiptarët kemi një lulëzim sinonimie për kolegen fjalë të Perëndimit. Shqiptarët përdorin jo vetëm të bukurën fjalë Atdhe, por edhe atë Mëmëdhe. Që të dyja janë pastërtisht shqiptare. Shumë të tjerë popuj e kombe nuk e kanë këtë privilegj. E kanë huazuar fjalën dhe bashkë me të edhe kuptimin nga një vatër e lashtë kulture heleno-romane dhe me kaq kanë mbetur të kënaqur. Ne shqiptarët për po atë dukuri si edhe evropianët e disa popuj të tjerë të mëdhenj, jo vetëm kemi një fjalë të rrënjës sonë historike, por edhe dy. Njërën më të tingëlluese se tjetrën. Në bazë të kuptimit të saj është fjala dhé, pra tokë e territor. E dyta që i bashkohet për përforcim merr për ndihmë dy fjalë të tjera, të cilat përbëjnë kurorën e dashurisë dhe të moralit fisnik të një njeriu: at dhe mëmë. Kështu shqiptarët në fjalorin e tyre kanë një thesar të vërtetë jo vetëm linguistik, por edhe të dëshmisë se janë në ndjenjë patriotë shumë të mëdhenj. Vendit të tyre ata i thonë “dheu i atit” dhe “dheu i mëmës”. Pra të gjitha trojet shqiptare kuptohen dhe pranohen si dheu i babait dhe i nënës, si vendi i prindërve. Prej këtij konceptimi mund të kuptohet më lehtësisht përse zgjidhja e çështjes shqiptare ka të bëjë drejtpërsëdrejti me territoret dhe se, gjithnjë sipas standarteve të qytetërimit modern, ky problem nuk qetohet dot deri sa të gjejë formulën politike në përputhje me kuptimin madhor atdhe dhe mëmëdhe.
Dhe për ta mirëkuptuar sa më pozitivisht këtë gjë na duhet të shtojmë se duke patur fatin e trishtë që akoma përmasat e shtetit në rastin e shqiptarëve nuk harmonizohen me ato të kombit, kemi lënë në dëshmi dy fjalët roje: atdhe dhe mëmëdhe. Kemi mbajtur të aktivizuar dallimin mes tyre. Sepse secili prej nesh e di fare mirë se atdhe dhe mëmëdhe nuk janë pothuaj e njëjta gjë. Gjuhëtarët që i dinë këto punë shumë më mirë në fjalorët e tyre qindra faqësh kur duan të shpjegojnë fjalën “atdhe” vënë në bri atë “mëmëdhe” dhe të njëjtën gjë bëjnë kur detyrohen të interpretojnë këtë të fundit. E shpjegojnë me fjalën “atdhe”.
Megjithatë gjuhëtarët tanë mes dy fjalëve motra, duke i vendosur pranë, nuk vënë shenja barazimi. Si të thuash të dy fjalët janë nga një gjak, por ndryshojnë. Madje duke u rritur nëpër vite i shtojnë edhe më shumë hiret e tyre të të qënit disi ndryshe. Eshtë një gjë e çuditshme që ndoshta na ndodh vetëm ne shqiptarëve. Në një farë mënyre në fund të këtij vitit, 2006-tës, me atdhe ne kuptojmë truallin shqipfolës ku kemi lindur, kurse me atë mëmëdhe Shqipërinë. Ka edhe forma të tjera të kuptimësisë së dy fjalëve atdhe-mëmëdhe, por gjithsesi ato hë për hë nuk kanë ndërmend të bëhen një.
Kjo, që të bëhen një, do të ndodhë me siguri deri ditën kur çështja shqiptare do të zgjidhet në një mënyrë të tillë saqë i linduri në Tiranë, Prishtinë, Gjakovë, Gjirokastër, Ulqin, Sarandë, Shkodër, Gostivar, Prizren, Himarë të ndihet njëlloj brenda të njëjtës hapësirë e lidhjeje shpirtërore, ekonomike, kulturore e në mos edhe pjesërisht politike.

ooooooooooooo

Nuk jemi ne shqiptarët përgjegjës përse akoma gjendemi me mendje të ngritur se kur do të na ndodhë mrekullia që atdhe e mëmëdhe të jenë e njëjta gjë. Sepse ne e kuptojmë fare mirë që një bashkëkombas, i cili në vitin 1990 e më pas ka emigruar në një vend tjetër të Perëndimit apo ka gjetur punë deri në Australi e Kanada, atdhe do të vazhdojë të ketë, deri sa të mbyllë sytë, Shqipërinë apo Kosovën, Malin e Zi apo Maqedoninë. Do të jenë fëmijët e tij të lindur në emigracion që atdhe do të quajnë vendin ku prindërit kanë emigruar. Që prej këtij çasti edhe nipërit e më pas të gjithë pasuesit e tyre nuk do të lëkunden kurrë se nuk kanë më atdhe as Kosovën, as Shqipërinë, as Maqedoninë dhe as Malin e Zi. Atëhere ata do të ndeshen me problemin: Kë kanë Mëmëdhe?
Sipas traditës sonë të deritanishme Mëmëdhe ata duhet të kenë trojet shqipfolëse ku kanë lindur prindërit e stërgjyshërit e tyre. Pra mëmëdhe do të thërresin Kosovën, Shqipërinë, Malin e Zi apo Maqedoninë. Në rast se ne shqiptarët e kësaj kohe nuk do të jemi të zotë të përfitojmë nga rasti historik që na ofrohet për të qënë më bashkërisht me njeri-tjetrin, atëhere stërnipërit tanë nëpër botë nuk do të kenë një mëmëdhe, por të paktën katër. Ndërkohë që është plotësisht e mundur që të kenë vetëm një. Kjo nuk është çështje që arrihet nëpërmjet prerje-ndarjeve të kufijve të vjetër nacionalë, por me anë të zbutjes së tyre dhe bashkimit në një supershtet si Bashkimi Evropian. Atëhere një shqiptar në Malin e Zi apo një minoritar në Shqipëri do të ndihen si pjesëtarë të plotë të kombit të tyre pa shkelur e rënuar asnjë kufi dhe asnjë sovranitet të shumicës së popullit ku bashkëjetojnë.
Shqiptarët e kanë dëshmuar historikisht se duke patur prej fatit të vështirë një atdhe dhe një mëmëdhe, u kanë qendruar besnikë shteteve ku kanë jetuar. Këtë provë e japin sot arbëreshët. Të zhvendosur në Itali, kryesisht në atë të jugut, në shekujt e mesjetës dhe më dukshëm pas vdekjes së Gjergj Kastriot Skenderbeut, këta bashkëkombas kanë manifestuar një histori të pazakonshme shërbimi të çiltër për forcimin dhe demokratizimin e Italisë. Janë shembullorë në këtë frymë konstruktive. Kanë afro gjashtë shekuj që ata ndihen e deklarojnë se janë qytetarë italianë. Të thonë përherë se Italinë e kanë atdhe, porse Shqipërinë mëmëdhe. “Në Itali” të thonë “kemi jetën, në Shqipëri gjakun”. Kur ata akoma pas afërsisht gjashtëqind vitesh të flasin për “gjakun e shprishur” kanë parasysh pikërisht faktin se mes atdheut dhe mëmëdheut akoma ruajnë ndryshim të dukshëm. Aq e thellë është kjo hapësirë dallimi e mospërputhjeje saqë gjen jo pak ndryshim në shpjegimin e këtyre koncepteve mes Fjalorit të Gjuhës Shqipe, botim më 1980 nga Akademia e Shkencave dhe përshembëll një tjetri fjalor hartuar nga studjuesi arbëresh, profesor Vincenzo Belmonte. Në interpretimin e fjalës atdhe ky i fundit rreshton më shumë sinonime nga kolegët e tij të Tiranës dhe e shtrin peshën e saj edhe te fjala ”katund”, “prag shtëpie”, “nëfshat” e më tej. Fjalën mëmëdhe në atë fjalor nuk e gjen si lemë më vete, por si shpjeguese të asaj “atdhe”. Kjo ndodh sepse një pjesë e madhe e arbëreshëve ndihen me dy atdhe: Italinë dhe Shqipërinë. Për ta Italia është qyteti i madh, Roma apo Milano, porse katundi, vendbanimi ku prej shekujsh janë vendosur është vetë Shqipëria. Nuk ka në Siçili apo Kalabri vetëm një katund arbëresh që të mos jetë konfiguruar si një Shqipëri e vogël.
Shqiptarët me atdhe dhe mëmëdhe janë nga më kontribuesit në Ballkan për bashkëjetesën mes popujve të tij. Në Greqi arvanitasi i shquar Aristidh Kolia, mes helenëve një vlerë e diamantë e diturisë shqiptare, luftoi si askush në vendin e vet për të mbështetur çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj. Përreth për arsye që dihen nuk kishte aspak klimë favorizuese dhe dashamirëse, përkundrazi. Akoma përflitet se nga qarqe agresive shovene mund ta ketë pësuar deri në përkeqësim të rrezikshëm të shendetit të tij. E megjithatë ky arvanitas i madh, duke e manifestuar hapët se mëmëdhe kishte kudo ku trojet ishin shqiptare, pohonte pa u lodhur se si atdhe ndjente Greqinë. Madje një teori e tij për preardhjen e dy popujve thoshte se grekë e shqiptarë vijnë nga një trung i përbashkët.
Dallimi apo mospërputhja mes kuptimësisë “atdhe” dhe “mëmëdhe” nuk favorizon, siç mund të mendohet, përhapjen e gënjeshtrës për gjoja ekzistencën e një mendësie kombëtare për të quajturën Shqipëri e Madhe. Provon të anasjelltën. Mjafton për këtë edhe një shembëll nga politika aktuale. Ali Ahmeti, njeriu që në vitin 2001 udhëhoqi presionin me armë për fitimin e të drejtave të bashkëkombasve në vendin e tij, deklaron hapët se atdhe ka Maqedoninë dhe mëmëdhe Shqipërinë.

oooooooo

Flamur Gashi, për shumë kohë kryeredaktor dhe drejtor i Radio Kontakt, ndoshta është një nga shembujt më sintetikë të mishërimit në jetën e tij të binomit atdhe-mëmëdhe. Për pesë apo gjashtë gjenerata familja e tij ka kryer një alternim të habitshëm territorial të degëve të pemës së tij gjenealogjike. Një brez ka lindur në Shqipëri, tjetri më pas në Kosovë. E treta gjeneratë e ka nisur jetën patjetër në Shqipëri për t’i hapur rrugë lindjes në Kosovë të brezit të katërt. Gjeografikisht Gashi apo Malësia e Gashit është një zonë në Tropojë dhe përfshin disa fshatra. Në Pejë paraardhësit e Flamurit kanë ardhur në fillim të viteve 1800, duke zbritur nga Malësia e Nishit, ku atje një zonë quhet sërish Malësia e Gashit. Ky territor tanimë nga shqiptarët është e shpopulluar tërësisht. Atë kohë gjithçka nën sundimin e perandorisë osmane ishte hapësirë e njëtrajtshme dhe akoma nuk kishte në hartën e gadishullit as Serbi dhe as Shqipëri. Zhvendosja e fisit thjesht kryhej nga një territor shqipfolës në një tjetër. Arsyeja? Si e më të shumtëve bashkëkombas: dhuna e zgjerimit të brendshëm serb, i cili bëhej gati ta ngrinte shtetin e vet të pavarur jo vetëm mbi trojet natyrshëm të veta, por edhe mbi dëbimin e shqiptarëve dhe shtyrjen e tyre sa më larg. Kështu ata kanë prodhuar për të paktën dy shekuj familje muhaxhire, refugjatësh. Të parët e Flamur Gashit janë detyruar të bëhen ikës nga trojet ku historikisht kanë jetuar për t’u strehuar drejt thellësisë të brendshme të hapësirave shqipfolëse. Gashët u bazuan në Borizanë të Krujës. Ndërkohë edhe në Pejë. Midis Krujës dhe Pejës ishte trajektorja e lëvizjes së tyre nga njeri brez në tjetrin për gati një shekull e gjysëm. Para vitit 1913 e gjithë kjo hapësirë e gjërë ishte për ta atdhe dhe mëmëdhe bashkë. Një stërgjysh i Flamur Gashit ka qënë ushtarak me Lidhjen e Prizrenit, e cila luftoi për atë Shqipëri, ku atdheu ruante kufijtë e tij të natyrshëm. Për të qënë bashkë dhe të pandarë atdheu dhe mëmëdheu një xhaxha i të jatit, Qazim Vraga, po ashtu ishte në Kosovë luftëtar i njohur çete kaçake të rrethit të Pejës dhe Istogut. Që atdheu i shqiptarëve të ishte vetëm gjysma ose edhe aspak tokë e lirë, një xhaxha tjetër të Flamur Gashit, Halim Vragën, serbët e pushkatuan në Pejë më 1917. Atëkohë familja e tyre kishte disa dekada që prej Krujës ishte zhvendosur në Kosovë. Pas pushkatimit të Halimit familjen Gashi e dëbuan dhe ata u rikthyen ku e kishin qënë më parë, në Borizanë të Krujës.
Në rast se ndodhi që gjyshi i tij Syla e nisi ditën e parë të jetës së vet në Kosovë, fëmijëve të tij u ngjau e kundërta. Ata dritën e diellit e panë në Shqipëri. Në vitin 1947 Gashi-gjysh, i cili bashkë me djemtë jetonte këtej kufirit shtetëror, shkoi për një vizitë te kushurinjë e vet në Pejë dhe nuk mundi të rikthehej dot. Mbetën andej sepse u mbyll kufiri. Nuk e pati këtë fat vetëm një vëlla i gjyshit Sylë, i cili bashkë me fëmijët jetoi disa kohë në Mamurras dhe pastaj në Durrës.
Babai i Flamur Gashit, Xhemajli, si student ka qënë në gjeneratë me Ibrahim Rugovën. Ka qënë po ashtu një ndër e pjesëmarrësit e demonstratave të vitit 1968 për ngritjen e flamurit shqiptar. Në Pejë Xhemajli ishte një ndër tre organizatorët e protestave, prandaj edhe e arrestuan. Ishte në burgun serb të sigurisë së lartë në Pejë kur lindi i biri. Prej andej të shoqes, Mirushes, i erdhi dëshira e njëkohësisht porosia e tij: Djali do ta ketë emrin Flamur!
Për pesë vite me rradhë, nga 1980 deri më 1985, Xhemajl Gashi burgosej sistematikisht dhe pas disa muajsh vuajtjeje lirohej për t’u prangosur sërish. Procedura e izolimit të herë pas hershme për të hynte në strategjinë e regjimit serb për ata që konsideronte si irredentistët më të rrezikshëm. Pra për ata që siç natyrshëm janë shtetet sot në botë, dëshironin të kishin një atdheun me mëmëdheun. Dhe në rastin e Xhemajlit burgimi do të ishte më i shpeshtë dhe më i rendë edhe për një arsye tjetër: ishte nga Shqipëria. I pari që në familjen e tyre mori shtetësi jugosllave ishte Flamuri. Në vitin 1987, kur mbaroi në Pejë gjimnazin, ai nuk e kishte këtë shtetësi. Të gjitha dokumentat e familjes së tyre dhe të gjithsecilit shkruanin se ishin emigrantë të ardhur nga Shqipëria. Pasaporta ishte jugosllave, por tek shenimi “shtetësia” shkruhej “emigrant” dhe te “vendlindja” e të jatit “Krujë, Republika Socialiste e Shqipërisë”. Me këtë karakteristikë regjistrimi serbët thoshin se kishin në Kosovë rreth tridhjetë mijë vetë. Ky status donte të thoshte se sa herë që ndodhte ndonjë veprim proteste apo kundërshtim masiv ndaj autoriteteve serbe këta “emigrantë” i thërritnin menjëherë në organet e brendshme. Flamur Gashi ishte i pari “emigrant” nga familja e tyre që për t’u regjistruar në universitet i duhej patjetër të bënte ushtrinë. Sepse vetëm me këtë rast të jepej nënshtetësia jugosllave. Ai e mbajti këtë nënshtetësi vetëm për tre vite, gjer në 1989, kur edhe vetë, në gjurmë të traditës së familjes së tij, filloi një veprimtari nga më të spikaturat për shpëtimin e Kosovës nga sundimi i Beogradit.
Por nuk është qëllimi i këtij shkrimi rrëfimi i kësaj biografie. Ai vetë do të pëlqente të flitej për mijra të tjerë, mes të cilëve adhuron pajtuesin e madh të gjaqeve Anton Çeta dhe mbrojtësin e shquar të shqiptarëve, imzot Nikë Prela.
Ajo që i duhet lexuesit në argumentim të temës së binomit shqiptar të atdhe-mëmëdheut është se vetë Flamur Gashi pas vitit 1990, duke qendruar përfundimisht në Tiranë, ka hyrë dhe ka dalë në Kosovë shumë herë, deri edhe në periudha mjaft të rrezikshme.
Sipas traditës së të parëve në atë shtëpi nuk ka patur “kufi” ndonjëherë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Kështu ndërsa ai vetë (bashkë me të vëllezërit e motrat) ka lindur në Kosovë, të dy vajzat, Ulpiana dhe Kaltrina, kanë lindur në Shqipëri. Bashkshortja e tij është tiranase, por që në vitet 2001-2002, bashkë me dy fëmijët, jetoi e punoi në Prishtinë dhe në Pejë. Aq shumë e dashuroi ajo Kosovën saqë për shkak të një transferimi të Flamurit në Tiranë, e ndoqi nga pas vetëm pas gjashtë muajsh.

ooooooooooo

Flamur Gashi thotë se mëmëdhe ka Kosovën (atje i ka lindur nëna) dhe atdhe Shqipërinë (këtu i ka lindur i jati). Sipas shembullit të të jatit dy bijat e tij, Ulpiana dhe Kaltrina, detyrimisht Kosovën do ta kenë atdhe, sepse atje u ka lindur i jati. Mëmëdhe do të kenë natyrshëm Shqipërinë, sepse atje u ka lindur nëna.
Fëmijët e tyre? Ato janë ende të vogla, por me siguri gjithçka do të shkojë sipas traditës së krijuar që nga viti 1800. Veç atëhere, në këtë të ardhme të bukur, për shqiptarët fjala mëmëdhe do të jetë afruar aq shumë me atë atdhe saqë gjithçka që ndante jo vetëm njerëzit, por edhe fjalët, do të jetë thjesht një histori e së kaluarës.


Ylli Polovina




Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com