Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 2)
AGOSTINO, KOLONELI I USHTRISĖ ITALIANE ME MBIEMRIN ĒIFTELIA (Pjesa 1)
BEFASUESE: EKZISTON NJĖ PAMJE E PESTĖ PĖR SHPALLJEN E PAVARĖSISĖ DHE NGRITJEN E FLAMURIT
KORĒARĖT NĖ REVANSH PĖR PRONĖSINĖ E FLAMURIT TĖ PAVARĖSISĖ
AS FOTOGRAFI PĖR NGRITJEN E FLAMURIT NĖ 28 NĖNTOR 1912, AS AUTORĖ PĖR FOTOT E BĖRA EDHE NJĖ JAVĖ MĖ PAS
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Po vjen deshmori i Kombit!

“Korrieri”, 30 tetor 2006


Do të ketë këto ditë në Shqipëri, saktësisht ditën e martë, më 31 tetor, një ardhje. Do të vijë një dëshmor. Quhet Skerdilaid Llagami. Tiranas që prej tre shekujsh, pasardhës i një stërgjyshi të tij me emrin Moçi, i cili pasi dogji në Grykë të Rugovës, në Kosovë, postkomandën osmane dhe vrau komandantin e saj serb, mori rrugën e refugjatit dhe u vendos në thellësi të tokave shqiptare. Zgjodhi Tiranën, duke i dhënë qytetit e kombit të tij vetëm gjatë shekullit të shkuar dy pasardhës të shquar për mëmëdhetari, Myslim dhe Fiqiri Llagamin. Kurse ai, stërnipi i vitit dymijë, po rikthehet tani në Tiranë. Iku vullnetar në Kosovë në qershor të vitit 1998 për të luftuar në mbrojtje të bashkëkombasve të tij. Komandant batalioni e njësish speciale ai mori pjesë edhe në konfrontimin ushtarak në Luginën e Preshevës si edhe më pas në Maqedoni. Më 1 korrik 2001 ra në një pritë të pabesë në Bogovi. E kishte emrin e luftës “Shpendi”. Shoku i tij me emrin e luftës “Mësuesi” i mori trupin dhe mes rreziqeve nga lugina e Bogovisë e mbarti deri në majën e një mali të lartë e të ashpër, në fshatin e vogël Selckë e Keqe. Aty banorët e kishin dashur përherë si djalin e tyre Skerdilaidin. I varrosur në oborrin e xhamisë në atë majë mali ai ishte edhe i mbrojtur nga çdo operacion që grupe të veçanta armike mund të kryenin për ta rrëmbyer.
Por nuk është jeta e tridhjetë e dy vjeçarit Skerdilaid Llagami ajo që më së pari duam të kumtojmë. Diçka prej saj mund të gjeni në vëllimin poetik me titull “Krahët e Shpendit”, botuar në Tetovë gjatë vitit 2005, si edhe në një ribotim më të plotësuar një muaj më parë. Autor i këtij libri është i jati, Bardhyli.
Ngjarja e veçantë është se Skerdilaid Llagami po vjen. Kaloi pesë vite në majën e malit i ruajtur dhe i nderuar nga të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. E konsiderojnë dëshmor të kombit dhe si dëshmor kombi po hyn në tokën e shtetit të tij. Për të dritësuar përmasën e tij kombëtare më 30 tetor ceremonia e nderimit dhe e rivarrimit në atdheun e tij do të nisë nga Tetova dhe do të mbyllet të nesërmen në Tiranë. Nuk do të mungojnë në këtë ngjarje jo vetëm politikanë dhe qeverisës shqiptarë në Maqedoni, por edhe funksionarë të lartë shtetërorë dhe partiakë edhe të vendit tonë. Nga Tirana zyrtare është ceremonia e parë e këtyre dimensioneve dukshmërie dhe kuraje shtetare. Sepse, duhet ta pranojmë, nuk ka qënë asnjëherë kaq i thjeshtë vlerësimi publik i atyre vullnetarëve shqiptarë që kapërxyen kufirin dhe shkuan të marrin pjesë në veprime luftarake kundër paramilitarëve, policisë dhe më pas ushtrisë serbe. Janë njëmijë hallka dhe gracka ligjesh të shkruara e të pashkruara marrëdhëniesh ndërkombëtare që duhen patur parasysh. Duke filluar nga fakti se vullnetarët nuk i nisi shteti shqiptar, por ikën vetë. Ndonjëherë ky shtet e bënte një sy të verbër, por nuk mbarojnë edhe dëshmitë kur segmente të tëra të tij u kanë krijuar pengesa apo edhe i kanë braktisur kur pas lufte kanë rihyrë në atdheun e tyre. Në hallkat e grackat që mund ta ngarkonin me përgjegjësi apo fajësonin ndërkombëtarisht Tiranën zyrtare ishte edhe interpretimi i gjestit të vullnetarëve si ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi tjetër.
Ka qënë një kohë kur “ndërhyrje në punët e brendshme” të Jugosllavisë së vitit 1999 bëri edhe vetë bashkësia ndërkombëtare me krahun e saj të fuqishëm ushtarak, NATO-n. Sidoqoftë ajo që ka ndodhur me vullnetarët e Shqipërisë për në Kosovë, në Luginë të Preshevës dhe në Maqedoni, herë hall i vërtetë, herë përgjegjësi reale dhe herë vetëm kompleks faji, u ka lënë mangut jo pak vlerësime të merituara. Ata lanë familjet e tyre në një vend të lirë dhe shkuan të luftonin me armë e një pjesë edhe të jepnin jetën përtej kufijve shtetërorë, veç gjithnjë në troje ku masivisht flitej shqip.
Skerdilaid Llagami, i shoqëruar nga një skortë ushtarake e shtetit shqiptar, po vjen mbase edhe për të rrëzuar përfundimisht një të shkuar kontradiktore të Tiranës zyrtare për këta vullnetarë. Ajo që do të ndodhi më 30 dhe 31 tetor përbën një akt që mund të konsiderohet më shumë se një ceremoni rivarrimi. Eshtë një reflektim dhe vetanalizë, gjetje dhe marrje e një qendrimi të qartë e më pas të palëkundshëm. Vullnetarët shqiptarë që shkuan e luftuan me armë në dorë nuk ishin mercenarë. Më së pari sepse brenda kombit nuk ka të tillë, mercenarët luftojnë jashtë shteteve dhe kombeve të tyre. Së dyti sepse vullnetarët shqiptarë ishin aleatë të NATO-s. Së treti sepse nuk destabilizuan një regjim demokratik apo minuan një situatë të qetë e paqësore. Demokraci dhe paqe nuk kishte jo vetëm në Kosovë, por as në Serbi. Vullnetarët shqiptarë shkuan të mbronin bashkëkombasit e tyre nga një përdhunë që rrënqethi e kishte kundër gjithë botën, por edhe për të rrëzuar një diktator. Madje Sllobodan Millosheviçi jo vetëm ishte diktatori i fundit i kontinentit, por përfaqësonte edhe një gjakatar. Nuk e kanë quajtur atë “kasap i Ballkanit” shqiptarët, por qytetërimi perëndimor.
Ndoshta ishin të nevojshme kaq vite sa shkuan (gati tetë) për të kuptuar se vullnetarët shqiptarë në rradhët e UÇK-së kanë qënë jo vetëm ndër djemtë më të mirë që ka patur vendi ynë, por edhe nga më demokratët në pikëpamjet e tyre politike dhe etnike. Disa vërtet e kishin një ëndërr: atë të bashkimit të Shqipërisë, Kosovës dhe të trojeve të tjera me shumicë shqiptare në një shtet të vetëm. Ishte ky një projekt njëshekullor, i blatuar me sakrifica dhe gjak, por që në çastin kur kuptuan se për Ballkanin ishte më e mira që lufta me armë të mos delte kurrë nga përmasat e një konflikti lokal, këtë gjë ata e kryen me një disiplinë e devotshmëri shembullore. Lufta me armë që bënë në rradhët e UÇK-së vullnetarët nga Shqipëria përkrah NATO-s pas çlirimit të Kosovës ka qënë vetëm presing. Si e tillë ajo u përdor në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni. Lugina nuk iu shkëput Serbisë, mbeti me të, u fituan vetëm disa të drejta që mungonin. Në Maqedoni e quajtura “pushka e mençur e Ali Ahmetit” po ashtu funksionoi si një mënyrë e fortë presioni për të fituar të drejtat e nëpërkembura. Atje nuk shkoi kurrë arma deri tek prishja e qendrueshmërisë së shtetit. Përkundrazi u vërtetua edhe njëherë tjetër se nuk ka roje më të mirë të Maqedonisë, bashkë me sllavët dhe pakicat, se shqiptarët.
Kur bashkësia ndërkombëtare u tha vullnetarëve tanë se ishte koha të dorëzonin armët, e bënë këtë veprim me një rregull dhe bindje të jashtzakonshme. Kur po ashtu bashkësia ndërkombëtare orientoi se shoqëria e re pas rënies së diktatorit Millosheviç do të ishte pluraliste dhe mbi të gjitha në respekt të plotë të të gjitha të drejtave të pakicës serbe, u mobilizuan ta vinin në jetë këtë realitet. Tashmë ka vite që Serbia e ndërton jetën e saj në një sistem demokratik dhe të gjithë shqiptarët e urojnë me zemër mbrodhësimin e këtij vendi fqinj e që duam ta kemi përherë mik. Kosova bashkë me vullnetarët tanë i ndihmuan serbët duke përshpejtuar heqjen qafe të Sllobodan Millosheviçit. Hija e tij nuk u hoq vetëm në Prishtinë, por edhe në Beograd. Tani vullnetarët shqiptarë që kanë mbetur gjallë orientohen nga standartet e Bashkimit Evropian dhe asnjë projekt apo dëshirë e tyre, asnjë aspiratë për vetvendosje, nuk ka synim të prishë të ardhmen e Serbisë. Kjo do të kuptohet shpejt edhe më qartë se më parë.
Ka pafundësisht arsye për të mos patur asnjë kompleks faji apo cënim të rregullave të bashkëjetesës ndërkombëtare në rast se fillojmë hapët të vlerësojmë e nderojmë ata që luftuan me armë në dorë për të fituar lirinë e bashkëkombasve të tyre. Ajo që do të ndodhë më 30 dhe 31 tetor konfirmon më në fund se kjo orë e shenjtë ka ardhur. Pas epopesë së luftës çlirimtare kundër pushtuesve fashistë disa dekada më parë ajo e realizuar nga UÇK pak vite të shkuara është epopeja e dytë. Madje kjo e fundit do të jetë edhe më me fat, sepse sakrificat e luftës së parë i kompromentoi regjimi realkomunist, të së dytës i ruan të panjollosura koha e bashkimit me familjen evropiane.
Skerdilaid Llagami po vjen. Po rihyn në Shqipëri si dëshmor i kombit. Kur zëvendëskryeministri Namik Dokle më 7 korrikut 2004 e shpalli “Dëshmor i Atdheut” ligjet nuk kishin e nuk kanë akoma ndonjë nen për Dëshmorët e Kombit. Ajo që po bën qeveria aktuale është një hap e një shpresë më tej se një status i tillë mund të ekzistojë.
Nëse gjen rastin dikush dhe e konsideron këtë gjë shkelje të ndonjë të konvente globale atëhere le të jetë shembulli i veçantë i vullnetarit shqiptar një shtysë për ta korregjuar e plotësuar atë. Punë e ngatërruar? Aspak, thjesht mund të jetë punë e gjatë në kohë. Vullnetarët shqiptarë në UÇK ishin mirëfilli paqeruajtës. Mund ta vërtetojmë e rivërtetojmë këtë gjë. Ishin PAQERUAJTES.


Ylli Polovina






















Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com