Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Profesor Kristo Frasheri
Foto: Profesor Kristo Frasheri
Shkelqimi dhe mosrenia e Kristo Frasherit

Korrieri, 2 shtator 2006


Këto ditë ndërhyri në debatin për identitetin e shqiptarëve edhe Akademiku Kristo Frashëri, bashkëkombasi që ndoshta meriton të konsiderohet si një ndër historianët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohrave. Mirëpo nuk është klasifikimi i statusit shkencor të profesorit në fjalë qëllimi i sipërmarrjes së këtij shkrimi. Mbase me guximin për ta përcaktuar dimensionin e zotit Frashëri aq eksluzivisht bëmë një gabim të falshëm, por le ta quajmë se e kryem këtë kuturisje “për inat” të Vip-ave. “Për inat” të Vip-ave aspak sepse jemi kundër për hapësirën e madhe mediatike që zënë jo kur ushtrojnë talentin e tyre të admiruar, por edhe kur bëjnë plazh, kur puthen në ndonjë makinë luksi apo kalojnë një darkë në buzëdet. Blicat e aparateve dhe faqet speciale të gazetave fiksohen përherë tek ta, kamerat po ashtu ua regjistrojnë pa pushim të gjitha llojet e thashethemeve. Punë e tyre! Poblemi është se Profesor Kristo Frashëri, herë pas here mbështetur në bastunin e tij, kur del prej shtëpisë së vet të thjeshtë e të mbushur me libra nuk tërheq vëmendjen e asnjë paparaci. Ndërkohë që është një nga intelektualët më të spikatur të kombit, një nga protagonistët e tij më vezëllues. “Historia e Shqipërisë“, një nga librat me të autor, jo vetëm në shqip, por edhe në disa gjuhë të huaja, prej gati katër dekadash qarkullon në bibliotekat më kryesore të kontinentit e më tej. Dhjetëvëllimëshi për Gjergj Kastriot Skenderbeun, pas botimit të librit të parë, pret publikimin e të dytit. Profesor Kristo Frashëri ka një libër për Lidhjen e Prizrenit, një tjetër për tre vëllezërit Frashëri. Vetëm në dy-tre vitet e fundit ai u ka vënë në duar lexuesve librat “Historia e Tiranës”, “Himara dhe përkatësia etnike e himariotëve”, “Skenderbeu-jeta dhe vepra”. Sëfundi kushdo mund të lexojë një libër-intervistë të titulluar “Historiografia shqiptare në tranzicion”.
Pikërisht ky intelektual i shquar, me një krijimtari dukshëm mëmëdhetare, pak ditë më parë u shfaq dhe nisi të marrë pjesë në debatin për identitetin tonë. Nuk e dimë se çfarë e shtyu drejtpërsëdrejti profesorin e nderuar të ndërhyjë, sepse patjetër një frymëzim qytetar e kombëtar i duket haptas në çdo rresht të studimit. Mundet që shpejtimin e tij për të marrë pjesë e ka nxitur edhe një deklaratë e Akademikut Rexhep Qosja. Studjuesi i shumënjohur prej një kuvendi shkencor të mbajtur kohët e fundit në Prishtinë tha se i kishte ardhur keq që polemika rreth identitetit të shqiptarëve në Tiranë kishte përfunduar në duar jo eksperte. Përjashtonte nga ku status i ulët vetëm analizën e historianit Pëllumb Xhufi. Mundet që i gjithë kombinimi kohor i ngjarjes të jetë një rastësi, por vetëm një javë nga kjo deklaratë në debat hyri Akademiku Kristo Frashëri. Me dhjetra mijra shqiptarë e kanë lexuar dhe vijojnë ta lexojnë në disa numura rresht të “Gazeta Shqiptare” analizën e tij. Shumë shpejt ndoshta ajo do të jetë në faqet e një libërthi. Në libërtha kanë përfunduar idetë me këtë temë të Ismail Kadaresë dhe të vetë Rexhep Qoses. I pari përdori për përhapjen e ideve të tij të përditshmen “Shekulli” dhe i dyti ditoren “Shqip”.
Kështu në mes të vitit 2006, pas nentëdhjetë e katër vitesh si shtet i pavarësuar, për herë të parë në historinë tonë moderne filluam të merremi me të kuptuarit e vetvetes. Të merresh me njohjen e vetes është shenjë qytetërimi, Eshtë dëshmi përparimi nëse kjo vetnjohje përfundon me dëshirën e vullnetin për të kuruar virtutet e veset që ke. Deri tani ne shqiptarët jemi marë shumë me të tjerët. Tek të tjerët kemi gjetur, shpesh pa i njohur mirë, të gjitha gjëmat që na kanë rënë në kokë. Po ashtu si të ardhur prej tyre kemi klasifikuar edhe vargun e madh të paarritjeve, që na ndjek potershëm nga mbrapa dhe na ngatërrohet nëpër kembë.
Në pamje të parë debati për identitetin e shqiptarëve u duk sikur kishte të bënte me fizionominë tonë evropiane apo gjysëm të tillë dhe vetëm kaq. Ismail Kadare, shkrimtari ynë me rezonancë botërore emri, gjer këtu e kishte projektuar dhe realizuar shkrimin e tij. Edhe sikur pas atij publikimi të mos ndodhte asnjë reagim sërish ndërhyrja e Kadaresë për identitetin tonë përbënte një risi në jetën e shoqërisë dhe kombit tonë. Ishte ai që guxoi dhe bëri hapin e kurajshëm të gjetjes dhe trajtimit të kësaj teme të mbajtur larg nga diskutimi gjithkombëtar. Mund ta kishte hedhur atë hap edhe një tjetër intelektual i shquar shqiptar, brenda apo jashtë vendit, veç autoriteti e niveli i lartë krijues i Ismail Kadaresë mbetet një ogur i mirë.
Akademiku Rexhep Qosja ndërhyri rrufeshëm duke e shndërruar ngjarjen realisht në një debat. Patjetër ai e nismoi edhe për parime profesionale ndaj të vërtetës shkencore. Duke qënë intelektual i kualifikuar profesori i nderuar jo vetëm i dha jetë debatit, por edhe më largpamje. Kadare dhe Qose janë ndër njohësit më të mirë të shpirtit dhe mendësisë shqiptare. Shfaqjet e nervozizmit dhe shprehjet e mërisë reciproke që shfaqën gjatë ballafaqimit do të harrohen shpejt. Madje ato “vese” të tyre njerëzore duhen “falenderuar”. Debat të pastër dhe vetëm për parime ideale nuk ka asnjëherë. Për ideale të idealizuara nuk ndeshet kush apo nëse përplasen e bëjnë këtë gjë si Don Kishotë. Debati Kadare-Qose, herë polemikë dhe ndonjëherë sherr, në thelbin e vet mbetet një debat i pastër. Nuk e bën pis atë çdo dyshim i arsyeshëm se të dy në ballafaqimin e tyre shtyheshin jo vetëm nga qejfmbetje të vogla e meskine, por edhe nga objektiva të qartë për të vënë nën kontroll dhe konsensus vetiak masa sa më të mëdha bashkëkombasish. Ismail Kadare dhe Rexhep Qose kanë pas vetes një jetë të tërë raportesh të ngjeshura me politikën dhe nuk kërkojnë vetëm lexues. Duke mos kërkuar patjetër votues si politikanët, të dy zotërojnë mjaft mirë teknika moderne të grumbullimit dhe rreshtimit të mbështetësve.
Por e gjitha kjo teknologji letrare dhe shkencore plus zanat politik nuk prodhoi helm, konfuzion apo paralizë kombëtare. Bëri të kundërtën: shendoshi dhe gjallëroi ndërgjegjen nacionale. Debati për identitetin tonë depërtoi deri në skajet më të thella të kombit. Në të vërtet mes të kualifikuarve në polemikën e ndezur, Dritero Agollit, Arbër Xhaferri, Servet Pëllumbit apo Shaban Sinanit, u përzjenë edhe mjaft publicistë me njohje jo të thellë apo edhe servilë të vjetër të njërit nga të dy debatuesit e mëdhenj. Veç ky “mish dhije që hyri në mes”, siç do ta përcaktonte një i mençur, në thelb nuk i bëri keq ngjarjes së pazakonshme. Eshtë më e shtrenjtë liria e të shprehurit se sa krijimi i kulteve. Kjo mizëri e vogël këtej dhe përtej kufirit ndikoi në mosfikjen e debatit dhe ndihmoi në më kryesoren: shtrirjen e tij gjithkombëtare. Pa ta dhe sidomos pa faktin se do të ishte ndryshe po të ndodhte sikur Ismail Kadaresë në fillim t’i përgjigjej jo Profesor Qosja por edhe Profesor Frashëri. Dobia kombëtarisht do të ishte më e kufizuar se në rastin kur njeriut të Tiranës iu përgjegj kolegu i Prishtinës. Kështu në njohje të lendës së debatit dhe në polemikë u mpleksën detyrimisht dy pjesët më të mëdha të etnisë. Edhe kjo dëshmon se debati për identitetin nuk është trill i asnjë individi apo pasojë mërie e lufte personale. Ai është dhe mbetet pjellë e kohës. E kërkonte ajo. U maturua për të.
Sepse zhvillimi ynë po ecën dhe po jep shenja pjekurie, ndodhi që në debatin jetik hyri edhe Profesor Kristo Frashëri. Ai nuk kërkon as mbështetës dhe ca më pak votues në prespektivë. Dëshiron vetëm lexuesë. Profesor Frashëri kërkon vetëm bashkëkombas që me mendje të kthjellët mund të mësojnë diçka nga e vërteta historike. Ai është i ftohtë siç çdo shkencëtar. Kokat tona të nxehura nga politika e ditës dhe e të dashuruara tradicionalisht pas vetes kanë nevojë urgjente për t’u ftohur.
Duke depërtuar në fushën e vërtetë e të ftohtë të dijeve debati për identitetin e shqiptarëve me ndërhyrjen e Akademik Kristo Frashërit hyri në një fazë më të lartë cilësie dhe ndikimi gjithkombëtar. Kjo fazë e re e saj bën të shpresojmë se debati jetik nuk do të mbyllet. Do të ishte tronditëse një kyçje e tij. Ka mjaft intelektualë e studjuesë të thellë që mund të vënë një gur në këtë themel vetanalize. Eshtë ky një rast i shumëpritur ku para syve tanë do të shfaqet e plotë më në fund inteligjencia jonë, kaq shumë e shmangur nga elita apo lobe të tjera më agresive apo edhe kaq fort e vetmënjanuar.
Reforma numër një që kemi ne shqiptarët është vetvetja. Hyrja në debat e Profesor Kristo Frashërit pikërisht për këtë gjë mund dhe duhet të na entuziazmojë. Një kuriozitet për ata që nuk e dinë: Ai është i ditëlindjes 1920, pra plot 86 vjeç. Ka lindur në Stamboll dhe më 1927 bashkë me familjen erdhi në Tiranë. Frashëllinjtë dhe jo vetëm tre gjigandët Abdyl, Sami dhe Naim, gjithnjë kanë dëshmuar vitalitet dhe fuqi intelektuale të jashtzakonshme. Akademiku Kristo Frashëri në këtë rini të lumtur fizike e mendore bën shaka e thotë: pasi një njeri mbush gjashtëdhjetë vjeç duhet t’i numërojë vitet nga fillimi. Kështu unë tani jam vetëm njëzetë e gjashtë vjeç.


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com