Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

Pjeter Arbnori
Foto: Pjeter Arbnori
Arbnori Pjeter

Korrieri, 16 korrik 2006

Sa ishte gjallë, edhe pse si çdo protagonist i spikatur i shoqërisë shqiptare brenda vetes një dëshirë hyrjeje në histori e ka patur, Pjetër Arbnori me siguri nuk e ka menduar që emri i tij do t’i vihej Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës. Mund të ketë ëndërruar edhe më shumë, por edhe mjaft më pak. Në parim një qëndër ndërkombëtare kulture do të priste një emër tjetër, sepse elita jonë ka në këtë jetë dhe prej dekadash që nuk rrojnë më kolosë kombëtarë të kulturës. Arsyeja që emri i kryeparlamentarit të paharruar shqiptar konsiderohet i përshtatshëm me Qëndrën Ndërkombëtare të Kulturës në zemër të Tiranës, një nga godinat më sugjestionuese të arkitekturës së kryeqytetit, lidhet me transmentimin e një mesazhi. Dhënien e këtij kumti Kryeministri e shpjegoi mes të tjerash edhe me nevojën se “emri i tij duhet të shndrrisë në atë Qendër si përfaqësim jo vetem i personalitetit të Arbnorit, por dhe i vuajtjes dhe sakrificës mbinjerëzore të qindra e mijëra shqiptarëve, i kombit në tërësi nën një regjim ndër më të egërit që ka njohur historia”.
Pra me pak fjalë emri Pjetër Arbnori duhet të sfidojë atë të Enver Hoxhës. Këtë emër kjo ndërtesë e ka mbajtur në dekadën e fundit të diktaturës, sepse ishte projektuar dhe u realizua si mauzole i tij, si një Panteon personal. Në këtë mauzole u vendos gjithçka nga jeta e diktatorit, por trupi me kohë ishte strehuar në rradhën e parë të Varrezave të Kombit. Qeverisësit e rinj të vitit 1992 e hoqën një natë prej andej dhe Enver Hoxha i patrazuar (sepse mjaft bashkëkombasve nga koha e tij nuk iu gjetën as varret) prehet në një nga varrezat e kryeqytetit. Për sfidë, ironi apo edhe marrje hak pas vitit nëntëdhjetë në një lokal të madh brenda ish-mauzoleut administruesit e saj kanë zgjedhur emrin “Mumja”.
Dëshira e po të njëjtit qeverisës të vitit 1992 për t’i vënë emrin e Pjetër Arbnorit Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës e në thelb vetë godinës mund të kuptohet apo interpretohet edhe si një sfidë e dytë politike ngulmuese kundër kujtimit të Enver Hoxhës. Ose më saktë mbetjeve të pakësuara të kujtimit të tij. A ka sens realist në këtë veprim? Në parim jo vetëm njerëzit e zhgënjyer apo të martirizuar nga regjimi realkomunist, por edhe vetë historia ka nevojë që të marrë hakun. Marrja hak (si edhe larja e borxheve) hyn në rregullat elementare të biologjisë së vetë historisë. Ajo kërkon herë pas here të riekulibrohet brenda gjiratores së saj të madhe, ku logjika e përmbysjes gjithsesi ekziston dhe kur ato bëhen me masë e mend, sidomos pa dhunë, gjithëpranohen. Ka një poezi të Dritëro Agollit që e njohim të gjithë dhe që nuk ka për të vdekur kurrë. Ajo i kushtohet partizanit Meke. Me atë subjekt është bërë edhe një film. Në thelbin e kumtit të këtij partizani ishte sfida që në fundnentor 1944 i bënte mbret-perandorit italian, toleruesit të regjimit fashist, Viktor Emanuelit. Partizani Meke hyri në Pallatin e Brigadave dhe pasi u gjend papritur para shtratit të madh e pompoz të një njeriu që edhe fizikisht ishte afër kufirit të xhuxhit, shqiptoi mesazhin se deri tani kishte qënë ai mbret fitimtari, por prej këtij çasti e më tej ishte ai, partizani Meke. Tjetër gjë që më pas Mekja doli me gisht në gojë, sepse në të vërtetë iku një mbret dhe erdhi një tjetër. Mesazhi i partizanit të thjeshtë do të mbetet i përjetshëm dhe do të ketë përherë konsensus sepse njerëzit kanë nevojë të vihen gjërat drejtësisht në vendin e tyre. E bërë në një kohë të caktuar a është logjike dhe e pranueshme të shpërndahet kumti “dje fitimtar ishe ti Enver Hoxha, tani jam unë Pjetër Arbnori”. Ose edhe më tej “dje ishit të fituar ju bolshevikët dhe nxitësit e luftës së klasave, tani jam unë ish-i persekutuari politik”. Kumti mund të shkojë deri edhe tek domethënia “dje ishte fitimtar një shoqëri totalitare, tani fitimtar është shoqëria e hapur”, dje shtypja, sot liria e kështu me rradhë.
Në propozimin e bërë për lartimin e emrit të kryeparlamentarit shqiptar ka një dozë të caktuar interpretimi politik, kontrollin e përmasave të të cilit e kanë në dorë vetë ato struktura që e propozuan si të realizueshëm. Për autorin e këtyre rradhëve emërtimi Qendra Ndërkombëtare Kulturore Pjetër Arbnori është jo vetëm një gjetje politike, por edhe një nevojë e shoqërisë sonë. Veç bashkë me ngjitjen e këtij emri në atë që folklori popullor e thërret Piramida, duhet të ndërmerren edhe disa veprime të tjera që e garantojnë më fort fisnikërinë e përdorimit të një emri e jete fisnike.
Më së pari edhe pse ky propozim ka ardhur nga njëri krah i politikës të mos politizohet e instrumentalizohet në favor të saj. Të gjithë e dinë përkatësinë partiake të zotit Arbnori dhe po aq mirë dinë t’ja njohin si vlerë asaj strukture partiake ku ai militoi. Emri i kryeparlamentarit shqiptar kurrsesi nuk mund të përdoret jo vetëm kundër opozitës së sotme dhe njerëzve të saj, por as ndaj veteranëve të luftës çlirimtare apo kujtdo tjetri që e pagoi idealizmin e tij me besimin tek ai sistem absurd. Pjetër Arbnori me jetën e tij ka dëshmuar paqen dhe marrëveshjen politike. Në majën e asaj godine të bukur dhe arkitektonisht imponuese ai do të rrijë i papërfolur kurrë në rast se vepra nuk do t’i shpërdoret nga lufta politike. Eshtë vënë re një dozë politizimi i dëshmorit dhe parlamentarit Azem Hajdari, çka në ndonjë periferi ka shkaktuar kundërshtime me gjeste zëmërake e të papranueshme.
Duke vendosur emrin e një ish-të persekutuari politik nga diktatura në ballë të Qendrës Kulturore Ndërkombëtare do të ishte e dobishme që diku në këtë godinë, absolutisht pa u kuptuar e konstruktuar si muze, të gjendej një mjedis modest apo një mjet modern teknologjik, një biliotekë elektronike apo arkiv dokumentar, ku mund të sistemoheshin të gjitha emrat dhe jetët e të persekutuarve realë nga regjimi monist e sidomos nga qeverisësit diktatorialë. Ky mjedis po u bë në masën dhe vetpërmbajtjen e duhur jo vetëm që nuk do ta prishte ekuilibrin e përgjithshëm të identitetit të gëzueshëm të godinës (aty bëhen panaire të mëdhenj, ka selinë e televizioni TopChannel dhe edicioni tij Portokalli etj), por do ta pasuronte atë, baraspeshonte. Duke patur në krye emrin e merituar të Pjetër Arbnorit shokët e tij të mundimeve, shumica jo vetëm të harruar në hallet e tyre, por edhe një pjesë ende të mbetur në ato vende ku dekada më parë u internuan, do ta ndjenin veten të përfillur sinqerisht nga bashkëkombasit.
Pjetër Arbnori nuk është një politikan i përsosur, as edhe si njeri më i miri nga gjithë të tjerët. Duke qënë edhe një vit më shumë i burgosur se vetë Nelson Mandela nuk ka qënë patjetër edhe ai që vuajti më shumë. Duke e dashur mjaft jetën dhe ca më shumë lirinë diku më pak dhe diku më shumë, ai ka bërë kompromiset e veta me kohën e personat arrogantisht të fuqishëm. Në të gjitha rastet duke ruajtur maksimumin e identitetit të tij dhe të lirisë së brendshme. Jo njëherë politika e ka shfrytëzuar Pjetër Arbnorin dhe ndonjëherë edhe ai vetë nuk ka gjetur dot mundësi të bëjë më shumë. E megjithatë në finalen e jetës së tij të shkurtër (sepse të gjithë bashkëkombasit personalisht për të do të dëshironin të jetonte gjatë) ai regjistroi, gjithnjë në kushtet shqiptare, një nga figurat më të bukura. Pjetër Arbnori është sot një nga personalitetet më pak të cënueshëm moralisht.
Kjo ndodhi sepse Pjetër Arbnori do të thotë frymë e papushuar dialogu dhe jo agresivitet e dhunë. Duke e ngritur emrin e tij në lartësinë e “Piramidës” politika duhet të pranojë e bindet se modeli i sjelljes politike të tij është më i dobishmi për të ardhmen. Arbnori, kjo forcë e butë, nuk mundi vetëm Enver Hoxhën. Do të mundë edhe të tjerë, në rast se këta nuk e kuptojnë se sekreti i lartimit pas vdekjes është edhe zgjuarësi e personit protagonist. Pjetër Arbnori u nderua jo vetëm nga e majta e sotme bashkëkohore, por publikisht edhe nga vetë një ish-Ministër i Brendshëm i regjimit monist. Kryeparlamentari shqiptar dëshmon rrugën se si mund të hyhet denjësisht në histori.
Pjetër Arbnori do të rrijë i qetë në lartësinë e “Piramidës” edhe për një të vërtetë tjetër, për mbiemrin e tij. Familja e pema gjenealogjike e fisit të tij ka mbiemrin Arbnori. Kjo është një provë e patundshme nga historia se ata kanë qënë bashkëkombas të frymëzuar nga atdhetari e thellë.
Ja përse ai, “ylli” që do të rrijë në ballin e një nga godinave më të bukura të Tiranës e Shqipërisë, është Arbnori Pjetër. Ose Shqiptari Pjetër. Ose siç realisht e ka: Pjetër Shqiptari.


Ylli Polovina

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com