Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

1957, AMBASADORI SHQIPTAR ME AUTOMATIK NE BAGAZHET E TIJ PERSONALE
FILIP KASTRIOTI, NJË TELEGRAM URIMI PËR ISMAIL QEMALIN
SKËNDERBEU-AVION
POPA E FUNDIT
TË TJERA HOLLËSI MBI TAKIMIN E KRISTAQ RAMËS ME FAMILJEN POPAJ
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

At Liolini ne Boston, At Thomollari ne Kosine

“Korrieri”, 8 qershor 2006

Dy ngjarje paralele zhvilloheshin këto ditë, njëra në Kosinë të Përmetit dhe tjetra në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në të dytën mes protagonistëve zinte një nga vendet e para At Artur Liolin, njëri nga hierarkët më të spikatur të Ortodoksisë sonë kombëtare. Për të djelën e shkuar, 4 qershor, ai ftonte bashkëkombasit e tij emigrantë në qytetin e Bostonit dhe kudo tjetër ku gjendeshin e kishin mundësi, të merrnin pjesë në Meshën Peskopale që do të mbahej në Katedralen e tyre të drejtuar nga Hirësia e Tij, Peshkop Nikon, kushtuar 100-vjetorit të ardhjes së Fan S. Nolit në SHBA në vitin 1906. Me rastin e kësaj meshe do të promovohej biografia dyvëllimëshe për Nolin, shkruar nga i shumënjohuri Nasho Jorgaqi. Në vijim një djalë i ri njëmbëdhjetëvjeçar, Nikola Romano, do të prezantonte kontributin e tij \"Unë jam Fan Noli\", kurse vajza e talentuar Alisa Toshka, bijë e Robert Toshkës, të parit shqiptaro-amerikan të emëruar gjykatës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me flaut, instrument që Fan Noli në kohë shqetësimesh e përdorte në zyrën e tij të Kryeministrisë në Tiranë, do të luante një pjesë muzikore. Më pas fëmijë dhe mësues të Shkollës të Gjuhës dhe Trashëgimisë Shqipe në Boston do të recitonin poezi, por edhe pjesë nga biografia e Nolit. Veprimtaria e përgatitur me shumë kujdes dhe finesë intelektuale e fetare u krye siç ishte parashikuar, paraditen e 4 qershorit. Madje me këtë rast shumë pjesëmarrës shprehën respekt edhe për një autor e libër tjetër, atë “Noli i Panjohur” i Efthim Dodonës, botuar që në vitin 1996.
Por për fat të keq këtë ngjarje, ku jo vetëm nuk mungonin por ishin nismëtarë klerikë të lartë të besimit të krishterë ortodoksë, pothuajse kurrkush nuk e mori vesh. Në vendin amë, ku edhe ky lajm duhej të depërtonte ekrane dhe faqe gazetash, ishin duarzënë me një prift të quajtur Vasil Thomollari. Për veprimet e këtij të fundit opinioni informohej rregullisht në të gjitha orët e mundshme të ditës, që nga mëngjezi i herët e deri pas mesnate. Ngjarja non stop kishte të bënte me gjestet e këtij prifti ortodoks të një province të thellë, ushtrues i besimit fetar në një fshat të quajtur Kosinë, në rrethin e Përmetit. At Vasil Thomollari ngacmoi zëmërimin e shqiptarëve kudo ku gjendeshin në shtetin e tyre, në hapësirat shqipfolëse apo të emigruar gjithkund nëpër botë. Duhet pohuar se ky shërbyes i nivelit jo të lartë në hierarkinë e Kishës Ortodokse Shqiptare i tronditi pothuaj të nentë milionët e etnisë tonë. Ai u bë kryelajm. Në fazën e parë të dinamikës së këtij superlajmi prifti Thomollari dy gjeste i kreu rigorozisht: fliste në një celular dhe zbonte apo shmangte median shqiptare. Ai akuzohej për një trafik eshtrash, por edhe pse me vonesë, u mbrojt duke thënë se kishte qënë fare duarjashtë nga kjo mesele e zhurrmshme dhe se mbi varret që ishin hapur thjesht kishte kryer një rit fetar.
Mirëpo kryelajmi me në qendër At Vasil Thomollarin në fshatin Kosinë të qarkut të Përmetit mori një zhvillim interesant të dielën e 4 qershorit, pikërisht kur në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nderohej një nga figurat më të shquara të kombit tonë dhe të Kishës Ortodokse Shqiptare, Fan Stilian Noli. Sigurisht prifti Thomollari nuk kishte fare dijeni se çdo ndodhte në Boston dhe veprimet e tij në Kosinë nuk janë ndonjë veprim i qëllimtë i tij për të sfiduar Nolin, peshkop Nikon apo At Artur Liolinin. Ai u gjet nën ciklonin e sulmit të medias vendase dhe u përpoq të mbrohej me ç’të mundej nga furia që ra mbi të. Me siguri nuk e kishte menduar që më parë se puna me të vdekurit, e cila asnjëherë nuk ka qënë gjë e thjeshtë, do t’ja ndërlikonte emrin dhe fatin e mëtejshëm deri edhe në çështjen e marrëdhënieve mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë, raporte që janë mbi të gjitha punë profesionistësh dhe për ruajtjen e shendetshme të të cilave vigjëlojnë njerës të mbarë në Tiranë dhe Athinë.
Ndërkohë superlajmi me të në qendër mund të merrte rrugën e fikjes jo me shumë mund po qe se me qetësi dhe dorën në zemër prifti me hierarki modeste në të nderuarën Kishë Ortodokse Shqiptare, pra shkaktari dhe burimi i vërtetë i furtunës mediatike, do t’i shpjegonte shqiptarëve në një, dy, tre, katër, pesë apo edhe dhjetë intervista të sinqerta se gjithçka ishte e shumta një keqkuptim. Pastaj televizionet dhe gazetat e etura që ai të çelte gojën do të publikonin patjetër edhe garancitë që duhej të jepte se pas ritit të grumbullimit të eshtrave në dhjetra kasa të aluminta në kishën e tij nuk kishte asnjë insinuatë për revanshe etnike apo politike ndaj Shqipërisë. Mirëpo At Vasili nuk e bëri këtë gjë fare të thjeshtë dhe e la ngjarjen të fryhej. Më 5 qershor skadonte afati i fundit i thirrjes për paraqitje vullnetare në prokurorinë e Përmetit, që më 4 qershor ai hodhi në veprim në tregun mediatik një fazë të dytë të dinamikës së lajmit. Ai bëri gjakftohtësisht deklaratën se në prokurori do të shkonte jo se në bazë të ligjit e kishte thirrur ajo, porse vente thjesht me dëshirën e tij. Prifti tepër i çuditshëm i Kosinës tentoi të hovë protagonizëm edhe më tej. Sipas televizionit “Klan” një agjensie të njohur lajmesh të Perëndimit ai i paska thënë se Kisha Ortodokse pësonte presion edhe nga shteti shqiptar. Sidoqoftë një ide më të plotë se si arsyeton papa Vasili mund ta lexojë gjithsecili në një shkrim të tij të botuar këto ditë në gazetën “Ngjallja” dhe të titulluar “Feja dhe kultura janë të pandashme”. Në thelb ai shkrim ka një motiv të drejtë për ta ngulmuar publikisht, ka të bëjë me çështjen nëse Shtëpia e Kulturës në Përmet do të mbetet e tillë apo, siç kërkon At Vasil Thomollari, do të rikthehet në të kaluarën e saj si kisha ortodokse e quajtur “Shën Mëria e Pazarit”. Kjo betejë që duhet zhvilluar nëpërmjet ligjit gjithsesi nuk mund të pranojë deklarata të tilla si “Fatkeqësisht një periudhë e errët po nis të shfaqet në realitetin shqiptar” ose në protestat e organizuara të hidhen parrullat “Stop terrorit ateist!” Ai e pa se stuhia mediatike e rënë mbi të, shoqëruar edhe me reagime të forta të shumë politikanëve vendas, rrezikonte nga emocionet nacionaliste të devijohej apo edhe manipulohej dhe kështu të cënonte padrejtësisht marrëdhëniet mes dy shteteve, popujve dhe qeverive. At Vasili Thomollari kishte një shans të mrekullueshëm të bëhej mbrojtësi i tyre, frymëzuesi i forcimit të mëtejshëm, kushtruesi kundër gjithkujt që donte t’i cenonte ato.
Sidoqoftë paralelisht me këtë ngjarje të bujshme që detyrimisht e meriton të të mos shpëtojë edhe më pas nga sytë, le të rikthehemi edhe njëherë tek ajo, e pazhurrmshja, ngjarja e Bostonit. Në prag të Meshës Peskopale në përkujtim të 100 vjetorit të mbërritjes së Fan Nolit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, publicisti i spikatur Vasil Qesari, pasi kishte siguruar nga veprimtarja e palodhur Rajmonda Moisiu dy kaseta të panjohura me zërin e Nolit, i emocionuar ua shpërndau tekstin e tyre mjaft bashkëkombasve. Aty gjendet edhe një thënie e politikanit shqiptar, i cili nuk ka qënë vetëm kryeqeveritar apo edhe shkrimtar e përkthyes vezullues. Fan Noli ka qënë me titull kishtar edhe Peshkop ortodoks. Teksti që po veçojmë me shpresë që nëpërmjet këtij shkrimi të mirëkuptohemi, është ky « Kishim në program të bënim një Shqipëri indipendente, e bëmë! Të mirë a të keqe, e bëmë! Nuk mund të presim nga foshnja që t’i ketë të gjitha mirësitë. Foshnjës duhet t’i jepet kohë të rritet e të tregojë se ç’është. Si mund t’i qortosh prindërit e tu thuash: Ç’keni bërë me këtë foshnjë këtu? Duhet të presësh sa të rritet foshnja e të tregojë se ç’lule është. Shqipërinë kishim në program t’a bëjmë, e bëmë! Kishim në pllan që të bënim një kishë autoqefale të Shqipërisë, e bëmë! Të mirë a të ligë, e bëmë! U a lamë si barrë të tjerëve që ta mirësojnë. Po ne e bëmë!»


Ylli Polovina


Version i printueshem
Faqja paraardhese

Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com