Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
Dardania Press Përshtypje


Dardania Press

Përshtypje

Nga Vjollca Aliu
Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës

Ylli Polovina, ky shtegtar qytetesh e parqesh, ka hartuar një “hartë panoramike” të shtetit Bosnja e Hercegovina, relievin e së cilës e ka mbjellë me miniatura dhe e ka shkelur këmbë, një pjesë të saj, për të cilin jep edhe dëshmi studimi se emri “Bosna”, sipas një dijetari hungarez vjen prej shqipes, rrjedh prej “bossn”, me të cilën në veri të Shqipërisë i thonë lugut prej druri ku u hidhet kripë deleve.
Sarajevën, qytetin në mes 7 kodrinave, me lumin “Bosna” në mes, prej të cilit e mori emrin edhe shteti, autori e quan “kërthiza gjeostrategjike e siujdhesës sonë.”
Për dhimbjet e gëzimet e përbashkëta, për dashurinë e ndërsjell dhe për lidhjen e veçantë në mes shqiptarëve e boshnjakëve, Tiranës e Sarajevës, autori me ndjenjën përplot dashuri e thërret:”Sarajevë moj motër”, duke ia bashkëngjitur edhe përshkrimin dhe fotografinë ku shihen gjurmët e predhave serbe që kishin goditur me tërbim parvazet e dritareve të mbushura me saksi lulesh.
Aq shumëngjyrshëm përshkruhen ngjarjet, njerëzit, vendet, saqë të duket sikur i ke jetuar ato ngjarje, i ke shëtitur ato vende, i ke bashkëpërjetuar ato dhimbje e gëzime me personazhet e përfshira në libër, e të ngjall dëshirën që bashkë me ta t’i vazhdosh ato punë misionare e humanitare, siç i bënte Flamur Gashi, ambasadori vullnetplot, shpirtshqiponjë, misioni i të cilit la jo vetëm gjurmë, por la frymë shqiptare, ashtu siç ai la edhe veprat dhe emrin e tij në historinë e diplomacisë, dhe mbi të gjitha mori dashurinë e popullit mikpritës për mosshkëputje miqësore me të. Një nga gjurmët e tij është bliri i mbjellur nga ai në “Alley of Ambassadors” (“Rrugica e Ambasadorëve”) dhe vendosja e pllakës me emrin e tij në buzëshëtitore dhe marrja e certifikatës për këtë gjest.
Për punën e tij të veçantë dhe të çmuar, Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në BeH, Flamur Gashi, mori çmimin “Ambasadori më i mirë” nga Agjencia për Zgjedhjen dhe Promovimin e Menaxherëve të Bosnjes dhe Hercegovinës.
Një përshkrim i thellë, i mrekullueshëm, i rrallë dhe me plot detaje të cilat paraqiten si në pikturë e të japin ndjesinë sikur i ke para syve, janë: shqiponja në portën me kangjella në hyrje të ambasadës shqiptare në Sarajevë, e cila kur hapet, siç e panë edhe sytë e autorit të librit, krijon një sugjestion emocionues, siluetën e një shqiponje të madhe. Pastaj, është flamuri kombëtar me sipërfaqe 12 metra katror në ballë të godinës së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në BeH, numër i cili përkon me vitin 1912 të pavarësisë së shtetit shqiptar. Gjithashtu, lulet e mbjellura gjithandej oborrit e të çelura, të cilat tregojnë gjallërinë, bukurinë e dashurinë për jetën, lulëzimin. Vlen të theksohet edhe përzgjedhja e 60 superfotografive me pamje nga Shqipëria, të cilave, ambasadori Gashi u kishte gjetur vendin brenda objektit me shumë kujdes e strategji, ashtu edhe siç e kishte gjetur objektin për ambasadën në një pikë strategjike me pamje reklamuese.
Diçka që ndoshta duket e vogël, por që ka kuptim të miqësisë, për faktin e emërtimit të saj, ishte “bukënëna” (“naninhljeb” në gjuhën boshnjake), të cilën në shenjë miqësie e kishin përkthyer përgjysmë: fjalën “bukë” e kishin ruajtur në gjuhën boshnjake “hljeb”, fjalën “nënë” e kishin lënë në shqip. Takimi i ambasadorit Flamur Gashi me “naninhljeb” i kishte ndodhur fare rastësisht, por atij iu kishte dukur sikur drejt saj e kishte thirrur gjaku, drejt në furrën hasjane “Edin” ku e blinte tashmë atë bukë dhe iu kishte bë e shumëpëlqyera e tyre, atij dhe shoqes së tij të jetës, Aidës. Ndoshta jo vetëm për emrin e saj e për shijen, sa për heqjen e mallit të bukës së nënë Mirushes (nëna e ambasadorit Flamur Gashi), të cilën do të donte ta shijonte, por s’mund ta kishte më si dikur, pasi ajo në një mbrëmje shtatori të vitit 1984 kishte ndërruar jetë, për t’u bërë lule në parajsë në moshën 33 vjeçare.
Pa stërmadhime, autori i librit e përshkruan ambasadorin F. Gashi si një diplomat që e njihte “sekretin” e profesionit të tij. “Kultura qe mjeti i tij kryesor i depërtimit të imazhit pozitiv të vendit të vet në Bosnje dhe Hercegovinë”- thotë ai.
Ambasadori Gashi e dinte se Sarajeva ishte një terren i pjellshëm shumëkulturor, prandaj, ai, në Sarajevë, në vendlindjen e Tinka Kurtit e të Bekim Fehmiut, deri në fillim të vitit të katërt të mandatit të tij, kishte sjell në Sarajevë dhe qytete të tjera të BeH mbi 600 artistë shqiptarë të profileve të ndryshme, përfshi edhe orkestrën e Operas dhe të Baletit si dhe Orkestrën e RTSH-së. 120 anëtarë prej tyre kishin ardhur në BeH me avion të posaçëm.
Për angazhimin e personazhit kryesor në gjithë përshkrimin e autorit në këtë libër, të ambasadorit të vyeshëm F. Gashi, për promovimin e kulturës dhe vlerave kombëtare shqiptare, përshkruhet deri në detaj realizimi i projektit teatror “Svetica tame” (“Shenjtorja e errësirës”) kushtuar Nënë Terezës, shfaqje e cila do të jepej në festivalin e përvitshëm të Sarajevës “Java e teatrit”, e cila ishte realizuar pas shumë përpjekjeve dhe pengesave për sigurimin e mjeteve financare të cilat me këmbëngulje donte t’i siguronte, që participimi financiar të realizohej dhe t’i bëhej vendi i merituar flamurit shqiptar në radhitjen e flamujve në festival e mos të mbetej i fundit. Dhe, për këtë, si gjithherë, ambasadori pati krah miqtë e tij, këtë herë aktorin e suksesshëm Ilir Tafa, i cili i ndihmoi financiarisht dhe kështu, bashkë me ambasadorin F. Gashi i kishin bashkuar financat për realizimin e shfaqjes, por duke e lutur që mos ta bëj publike këtë gjest, që pa dyshim se ishte madhor.
Veprat e ambasadorit Flamur Gashi nuk mbaronin, vetëm shtoheshin. Gjurmë e vepër madhore e tij ishte edhe iniciativa dhe realizimi i shtatores së Nënë Terezës në atë metrin katror të cilin e kërkonte ai për këtë qëllim, dhe ia arriti me përkrahje e mbështetje të miqëve të cilët ishin të pakursyer. Ajo shtatore, sot e asaj dite dhe për jetë e mot, është dhe mbetet ambasadore speciale me mandat të përhershëm, pasi shteti shqiptar mbylli përfaqësinë e saj diplomatike në BeH, por shqiptarët si komb e rihapën atë me vendosjen e shtatores së Nënë Terezës në një nga sheshet më të mëdha të saj.
Gjithë përshkrimit të mrekullueshëm të autorit do t’i mbes borxh nëse do të harroja pa përmend 1470 fëmijët e vrarë, në mesin e tyre edhe shqiptarë, të cilët kujtohen emër për emër në kopshtet e “Parku i Madh” (“Veliki Park”), në të cilin gjendet një shatërvan me një përmendore, mbi ujërat e të cilit janë 7 cilindra, që kur i shtyen me dorë rrotullohen, disa lëshojnë rënkim si shpirtrat e fëmijëve të vrarë, disa bëjnë zhurmë si fëmijët kur luajnë e disa lëshojnë zërat e fëmijëve kur qajnë.
Gjithashtu, në këtë libër, autori tregon se, në ditën e parë të agresionit serb mbi popullin e pafajshëm të Sarajevës, më 2 maj 1992, ra dëshmori i parë në BeH. Ishte shqiptari Bajram Zenuni, inxhinier, përgjegjës për antenat e radiotelevizionit të Sarajevës. Ai kishte deklaruar: “Jam shqiptar, dhe si i tillë, po të jetë nevoja, do të vdes këtu”- dhe po atë ditë ra dëshmor.
Me gjithë angazhimin e shqiptarëve në luftën e në paqen e BeH, shqiptarët nuk mund të zgjidhen deputetë atje. Në përshkrim, autori përmend studiuesin Ismet Azizi i cili thotë se në Bosnje dhe Hercegovinë jetojnë 8 deri 10 mijë shqiptarë, duke formuar kështu një nga pakicat më të mëdha në këtë shtet dhe tani në Republikën Serbska, pjesë e BeH, nuk jeton pothuaj asnjë shqiptar dhe sipas Kushtetutës së BeH, shqiptarët, sikurse edhe tërë pakicat, konsiderohen “të tjerë”, që do të thotë se ata nuk mund të zgjidhen si anëtarë të Presidencës, as të jenë deputetë të Kuvendit Popullor. Megjithatë, shqiptarët mbeten ndër miqët dhe bashkëpunëtorët më të mirë për popullin boshnjak atje.
Përshkrimet si në një film, të autorit diplomat, shkrimtar, gazetar dhe pedagog, pasqyrohen në mrekullinë e librit, të cilën e ka piketuar te jeta dhe veprimtaria e ambasadorit Flamur Gashi, si kryepersonash, si dhe në ngjalljen e ndjenjës për dëshirë të leximit të sërishëm, posa ta kesh përfunduar leximin e fjalës së fundit në libër. Prandaj, ky nuk është veç libër, por një magji e fjalëve në udhëpërshkrim ose një përshkrim magjepsës i një shtegtari.
Me mbresa të thella!

Vjollca Aliu
Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar të Kosovës

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com