|
Foto: jpeg | “RUGOVA & KADARE PËRBALLË”
Libri i ri i Ylli Polovinës
Botuar në gazetën “Fjala”, 23 gusht 2022)
E ka marrë temën prej luftës së Kosovës, konkretisht nga momenti kur aviacioni i NATO-s goditi përditshëm pikat ushtarake nevralgjike të Jugosllavisë së mbetur të Sllobodan Millosheviçit.
Kjo periudhë përfshin kryesisht çastet kur në Romë, ku autori qe diplomat në ambasadën tonë dhe i ka ndjekur zhvillimet që përshkruan nga afër, u ndodhën në të njëjtën kohë, por e pakoordinuar mes njëri-tjetrit, Ibrahim Rugova dhe Ismail Kadare, madje edhe Bujar Bukoshi e Hashim Thaçi.
Prej kësaj situate shumë të veçantë dhe fort historike Ylli Polovina sistemon dhe rreshton në 174 faqe 70 kapituj.
Disa prej tyre: “Buzëqeshja e hutuar e Rugovës në krah të Sllobodan Millosheviçit, tetë ditë pas nisjes së bombardimeve të NATO-s”, “Drejt Beogradit, i hipur në një BMW të policisë”, “Në Romë vjen Bujar Bukoshi”, “5 maj 1999, Ibrahim Rugova mbërrin në Romë”, “Ruajtja e jetës së Ismail Kadaresë dhe Ibrahim Rugovës”, “30 korrik 1999, Ibrahim Rugova me një avion special lë Romën dhe kthehet në Prishtinë” etj.
Fragmente nga libri
I intervistuar sot në 15 maj nga gazeta e Shkollës së Gazetarisë Radiotelevizive të Universitetit të Peruxhës
“Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar i gjallë, i cili prej vitesh jeton në Paris, shprehet kundër inteligjencës perëndimore për sjelljen e saj ndaj luftës ballkanike”.
Ai deklaron: “Thjesht jam i shtangur nga intelektualët evropianë që refuzojnë të dënojnë krimet serbe, por kjo është sëmundja e tyre e lashtë: të gjejnë justifikime për t\'u vënë në shërbim të diktaturës\'\'.
“Nuk mund ta kuptoj mirëbesimin e masmedias perëndimore, statusin e tyre moral”, ka thënë Kadare, mendoj se mjafton të kemi lajme për një masakër të fëmijëve që gjithçka të jetë e qartë.
Apo duhet të fshihen lajmet kur nuk ka imazhe? Ndonjëherë pyes veten nëse mediat masive, për të heshtur, marrin para nga Beogradi. Me siguri, thotë Kadareja në intervistën e tij, ka vlerësime të volitshme, llogaritje të tjera që janë të paqarta për ne.
Nuk e kuptoj rezistencën ndaj interpretimit të situatës reale.
A shihen refugjatë apo jo?
A janë më elokuente hartat në të cilat gazetarët recitojnë raportet e tyre apo për milionat e refugjatëve?
Nëse jeni kundër luftës, sigurisht që nuk keni nevojë për imazhe\'\'.
Sipas Ismail Kadaresë, “nuk ka faktorë lehtësues për sjelljen e Serbisë, e cila po kryen” “shfarosjet që bota i ka dënuar me shekuj”.
Presidenti Millosheviç është \"një diktator stalinist dhe fashist në të njëjtën kohë\".
NATO, nga ana tjetër, nuk bën propagandë dhe ka të drejtë të sulmojë Serbinë: “Iniciativat diplomatike duket se kanë ngecur, refugjatët janë braktisur në fatin e tyre.
Diçka mbetet e paparashikueshme: fati i popullit shqiptar”.
Dy predha bazuka në rezidencën e ambasadorit gjerman Karl Heinz Kuhna në Athinë
Ibrahim Rugova ka vizituar sot, 15 maj, një kamp të refugjatëve kosovarë në Ingelheim, afër Mainz të Gjermanisë, ku mbrëmë kanë mbërritur edhe 210 refugjatë të tjerë.
Gjatë vizitës, e cila u zhvillua në fshehtësi të madhe për arsye sigurie, lideri kosovar ka folur për gati një orë me refugjatët.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Rheinland-Pfalz, Rugova ka mbajtur edhe një fjalim të shkurtër, gjatë të cilit ka falënderuar qeverinë gjermane për mirëseardhjen e kosovarëve që ikin nga mizoritë serbe dhe në veçanti ministrin e Jashtëm Josckha Fischer.
Lideri kosovar mbërriti në Bon të mërkurën e kaluar pas një jave të kaluar në Itali.
ooo
17 maj, sipas raportimeve nga mediat greke, persona të panjohur, pothuajse me siguri që i përkasin grupit terrorist “17 Nëntori”, kanë qëlluar mbrëmë me dy predha bazuka rezidencën e ambasadorit gjerman Karl Heinz Kuhna, fatmirësisht pa viktima.
Në vendin e sulmit, policia greke gjeti disa njolla gjaku, me siguri të njërit prej sulmuesve, i cili u plagos teksa qëlloi me armë zjarri.
I menjëhershëm ka qenë dënimi i ministrit të Jashtëm grek Jorgo Papandreu, për të cilin akte të tilla sigurisht që nuk do të prishin marrëdhëniet e shkëlqyera mes Bonit dhe Athinës.
Nga ana e tij, ambasadori gjerman e cilësoi “17 Nëntorin” një “organizatë konfuze”: “Unë nuk i marr shumë seriozisht objektivat politike të këtij grupi. Sigurisht që militantët e tij duhet të arrestohen, por ne do t\'ua lëmë këtë miqve tanë grekë.\'\'
Sipas dëshmitarëve okularë, dy raketa u qëlluan në rezidencën e diplomatit, një vilë dykatëshe në lagjen e Halandrit, por vetëm njëra shpërtheu, duke përfunduar në çatinë e ndërtesës dhe duke shkaktuar vetëm dëme të vogla.
Sulmi që pason atë të disa ditëve më parë kundër ambasadës holandeze në Athinë, sipas policisë greke, mund të jetë kryer në shenjë proteste kundër sulmeve të NATO-s në Federatën Jugosllave.
Një anije e dytë spiune ruse
Sipas “Washington Times” të 19 majit, një anije e dytë spiune ruse ka mbërritur në teatrin ballkanik të operacioneve për të monitoruar në mënyrë elektronike sulmet e NATO-s kundër Jugosllavisë.
Anija quhet “Kilden”.
Të premten e shkuar ajo u nis nga porti i Sevastopolit, në Detin e Zi. Tashmë ka mbërritur në detin Jon për të mbështetur anijen tjetër spiune “Limen”\', e cila ka qenë në këtë zonë që nga prilli.
Pentagoni thekson se kjo është hera e parë që nga viti 1991 që dy anije spiune ruse operojnë në të njëjtën zonë. Dy njësitë e klasës \"Moma\" të Marinës Ruse janë të afta të përgjojnë komunikime me frekuencë të lartë, shumë të lartë dhe ultra të lartë, por komunikimet e NATO-s janë kryesisht të koduara.
Uashingtoni nuk duket se beson që Moska synon t\'ia kalojë përgjimin Beogradit, por një raport nga \"Qendra Kombëtare e Kundërzbulimit\" të CIA-s paralajmëron se Rusia, nëpërmjet GRU (Drejtoria e Përgjithshme për Inteligjencën), po rekruton spiunë dhe po mbledh teknologji dhe informacion në pikëpamje e vendosjes në Kosovë të një force paqeruajtëse të udhëhequr nga NATO.
Ambasada suedeze është dëmtuar sot në mbrëmje edhe nga bombardimet masive të NATO-s në Beograd.
Rezidenca e ambasadorit suedez në Beograd është dëmtuar si pasojë e dy shpërthimeve shumë të forta të cilat kanë ndodhur 200 metra larg njëra-tjetrës.
Sipas raportimeve të diplomatit, Mats Staffansson, disa xhama të ndërtesës janë thyer, ndërsa dera e hyrjes është shkatërruar.
Fatmirësisht nuk pati të lënduar, por ministrja e jashtme Anna Lindh nga Stokholmi e quajti incidentin \"të papranueshëm\".
Po ashtu edhe kryeministri Goran Persson.
20 maj
Qeveria suedeze njoftoi sot se do të protestojë ndaj NATO-s për dëmet e shkaktuara në rezidencën e ambasadorit të saj në Beograd nga bombardimet e mbrëmshme.
\'\'Ne do të bëjmë një deklaratë shumë të qartë”, tha ambasadori suedez në Bruksel, Anders Oljelund.
“Kjo nuk duhej të ndodhte”, shtoi ai.
ooo
Nga një sondazh i kryer nga Washington Post-dhe Abc News në një kampion prej 761 të rriturish, doli se 58 për qind e amerikanëve tani do të dëshironin të shihnin një marrëveshje për t\'i dhënë fund konfliktit me presidentin jugosllav, Sllobodan Millosheviç.
Sipas kësaj ankete 60 për qind theksojnë nevojën për një tërheqje të trupave nga Kosova, 40 për qind besojnë se tërheqja duhet të negociohet, 54 kundërshtojnë përfshirjen e kthimit të refugjatëve në Kosovë në mesin e pikave që i nënshtrohen negociatave, 55 për qind e hedhin poshtë hipotezën se dhënia e autonomisë Kosovës duhet të jetë kusht për paqen.
ooo
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan ka mbërritur në Shqipëri.
Me të mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, Anan ka hipur menjëherë në një helikopter që e ka çuar në qytetin e Kukësit, ku do të vizitojë një kamp refugjatësh.
30 maji është e diel
Rreth mbrëmjes në Romë duhet të ketë mbërritur Ismail Kadare së bashku me Elenën, gruan e tij.
Vjen drejt për së drejti nga Parisi, sepse është i ftuar të marrë pjesë në ceremoninë e çmimit ndërkombëtar për letërsinë \"Feronia\", që këtë edicion i jepet atij.
Flitet nëpër rrethe miqsh se do të marrë pjesë edhe në një debat për pakicat kombëtare, që do të mbahet në Kampidolio.
Duket si një e diel e bekuar.
Televizioni italian lajmëron me pamje se si Mis Albania 1999 në Tiranë është shpallur refugjatja kosovare 19 vjeçare Venera Mustafa.
Dhe shton fjalët e gëzuara të saj: \"Kjo tregon se Shqipëria dhe Kosova jemi një\".
Gjermani, Rugova në hotel zinte gjashtë dhoma plus një suitë
Lajmërohet se \"Rugova do të kthehet në Itali, Gjermania nuk i paguan më hotelin dhe i mohon eskortën\"
Hollësi të tjera: Ai vetë bashkë me 16 njerëzit që e shoqërojnë, sërish do të kthehet për të banuar në Itali. Sipas \"Der Spiegel\", që del nesër në botim, bëhet e ditur se qeveria gjermane nuk mund ta mbajë më mikun e vet në Hotel Kënishof, afër Bonit, sepse kushtonte dy milionë në ditë.
Revista thotë se qeveria gjermane ishte në dijeni vetëm të qëndrimit të tij për dy javë atje, por kur kuptoi se do të qëndronte përgjithnjë, atëherë gjeti këtë zgjidhje.
\"Der Spiegel\" ka shkruar se Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë gati t\'ia paguajë ajo shpenzimet, por Ibrahim Rugova ka vendosur megjithatë të kthehet në Itali.
Po ashtu njoftohet se shteti gjerman i ka hequr eskortën, duke i thënë se për raste rreziku mund t\'i drejtohej numrit 110 të policisë, si çdo qytetar tjetër.
Ka edhe një detaj: Rugova në hotel zinte gjashtë dhoma plus një suitë.
Shkrimtar kolos
Në fund të majit 1999 Ismail Kadare ishte në Itali një shkrimtar emërmadh.
Kolos.
E tërhiqte vëmendjen e medias dhe të opinionit publik pikërisht për këtë gjë.
Libri i parë i tij i përkthyer në gjuhën italiane dhe i shpërndarë në këtë vend nëpërmjet ambasadës shqiptare në Romë e veçanërisht sektorit të saj konsullor, qe “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur”.
Ishte viti 1974.
Ndërkohë emri i Kadaresë pati depërtuar tek lexuesi italian disa mote më parë, në 1968, prej librit “Poemi e poezie scelte” (“Poema dhe poezi të zgjedhura”) me një parathënie të kritikut letrar Adriatik Kallulli.
Në vitin 1981 në italisht u publikua libri “I tamburi della pioggia” (“Daullet e shiut”). U përkthye prej botimit në gjuhën franceze, nga Augusto Donaudy.
Në 1982 në Torino nga Società Editrice Internazionale, u publikua “Il crepuscolo degli dei della steppa” (“Muzgu i perëndive të stepës”).
Përkthimin nga frëngjishtja në italisht e pati kryer Mario Varca.
Po këtë vit, 1982, Ismail Kadare botoi nga Longanesi “Il generale dell’armata morta”. Përkthyes nga frëngjishtja qe Augusto Donaudy.
I të njëjtit vit, 1982, qe edhe “I tamburi della pioggia”, libri “Kështjella”. Përkthyes Augusto Donaudy.
Në 1988 Società Editrice Internazionale e Torinos botoi “Il crepuscolo degli dei della steppa” (“Muzgu i perëndive të stepës”). Përkthyes nga frëngjishtja Mario Varca.
Në 1989 nga Longanesi, Milano, u publikua “Chi ha riportato Doruntina?” (“Kush e solli Doruntinën?”). Përkthimi nga gjuha franceze i kryer prej Francesco Bruno. Në 1991 u botua nga Longanesi, në dy edicione, “La città di pietra” (“Kronikë në gur”).
Po gjatë këtij viti Longanesi botoi “Il palazzo dei sogni” (“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”).
Në 1993 “Aprile spezzato” (“Prilli i thyer”). Përkthimi prej frëngjishtes i realizuar nga Flavia Celotto.
Po këtë vit u publikua “Il crepuscolo degli dei della steppa” (“Muzgu i perëndive të stepës”) dhe po ashtu “I tamburi della pioggia”.
Në 1996 u botuan “La città di pietra” si edhe “La commissione delle feste” (“Komisioni i festës”).
Në 1997 u ribotuan “Il generale dell’armata morta”, “La piramide” si edhe “I tamburi della pioggia”.
Në 1998 u publikuan “Il palazzo dei sogni” dhe “La piramide”.
Në 1999 sërish u botua “La piramide”.
Studentja e bukur kosovare dhe mbretëresha Geraldinë
Në 31 maj Ibrahim Rugova ka bërë një vizitë mes refugjatëve kosovarë të vendosur në ish-bazën ushtarake të Komizos, në Siçili.
Televizioni Raiuno në mbrëmje theksoi se vizita \"rrufe\" e Ibrahim Rugovës ishte shoqëruar me entuziazëm në një pjese të refugjatëve, por edhe me thirrje për UÇK-në të një pjese tjetër, e cila e kundërshtonte politikën e tij.
Madje Raiuno shtoi se pati edhe momente tensioni mes njerëzve dhe shoqëruesve të Rugovës.
Raiuno përcolli nga goja e Rugovës vetëm fjalët e tij të falënderimit për qeverinë dhe popullin italian.
Asgjë tjetër.
Po këtë ditë është rishfaqur në tv dhe nëpër faqe gazetash studentja e bukur kosovare me emrin planetar Venera. Befasia dhe imazhi i saj mbushën pothuaj 24 orë që i rezistojnë ciklit shfarosës së ndërrimit të shpejtë të lajmit në një medie perëndimore.
ooo
Sipas një artikulli të gjatë në “Le Monde” të 31 majit 1999, Nëna Mbretëreshë, Madhëria e saj Geraldina, lutet për ish nënshtetasit e saj.
Ajo jeton në Afrikën e Jugut me djalin e saj Leka I që nga viti 1983.
“Tetëdhjetë e katër vjeç sot, e sprovuar nga sëmundja, shkruan “Le Monde”, ajo rikujton në një frëngjishte të përsosur ditën kur “trupat fashiste” pushtuan Shqipërinë...
Në atë kohë në Paris ndodhej Youssouf Vrioni, përkthyesi i veprave të Ismaïl Kadarésë...
I intervistuar nga Frédéric Chambon, Leka I, i vetëshpallur sundimtar i shqiptarëve pohon se “Edhe në formën e autonomisë, kthimi i Kosovës në duart e serbëve do të thotë përgatitje për luftën e ardhshme.
Përfundimisht, shqiptarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për vetëvendosje.
Por ne nuk jemi aty. Tani për tani po masakrohen nga serbët.
“Për mua është e qartë, ky është një gjenocid i popullit shqiptar.
Situata është katastrofike edhe në vetë Shqipërinë. Vendi duhet të përballet me një fluks të madh refugjatësh kur tashmë nuk është në gjendje të ushqehet.
Ndjej një ndjenjë zhgënjimi dhe trishtimi të madh”.
1 qershor, Hashim Thaçi deklaron
Në shtypin francez.
“Mendoj se koha e Sllobodan Millosheviçit ka mbaruar. Ai nuk ka më legjitimitet për të diskutuar zgjidhje politike me askënd.
Ata që mund ta zgjidhin këtë problem janë kosovarët dhe bashkësia ndërkombëtare.
Ai do të kapitullojë”.
Pyetjes “Ibrahim Rugova po viziton Parisin në të njëjtën kohë me ju. Jeni takuar?” Thaçi i përgjigjet “Kam ardhur për vizitë zyrtare, por jo për Rugovën.
I shkrova një letër dhjetë ditë më parë duke e ftuar të vinte të më takonte.
Desha që të flasim për përfaqësuesit e LDK-së (Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e z. Rugova) të cilët sipas kushteve të marrëveshjeve tona do të uleshin në qeverinë time.
Unë jam ende në pritje të një përgjigje”.
Pyetjes “Çfarë legjitimitet i jepni Ibrahim Rugovës?” Hashim Thaçi i dha si përgjigje fjalët “Ai i një grupi të LDK-së. Unë kam kontakte të drejtpërdrejta me organet e kësaj partie. Ata vetë pretendojnë se Rugova nuk i kontakton më.
Ai monopolizoi partinë.
Dhe ka kontakt vetëm me truprojat e tij”.
–“Megjithatë ai u vlerësua nga refugjatët në Maqedoni...”
Thaçi: “Përdorimi i refugjatëve për konkurrencë politike nuk është shumë korrekt. Rugova nuk e njeh popullin dhe as Kosovën. Në Prishtinë ai lëvizte vetëm ndërmjet zyrës dhe shtëpisë së tij.
Edhe mua më kanë brohoritur refugjatët, por nuk pretendoj se janë të gjithë me Thaçin. Unë jam kryeministër i Kosovës. Unë drejtova delegacionin në Rambuje. Kam shumë kontakte me perëndimorët. Ata e kuptojnë se Kosova tani ka institucione, të cilat duhet të respektohen, përtej personalitetit të një njeriu, klanit apo partisë së tij.
Gjithçka që thotë Rugova nuk është aq e rëndësishme sepse ai nuk e kontrollon më realitetin politik dhe ushtarak.
Nuk i takon më të ardhmes së Kosovës”.
Pasmesnatë e 1 qershorit
Ismail Kadare dha një intervistë në Raiuno.
Midis të tjerash ai deklaroi se Ibrahim Rugova mund të jetë i vlefshëm për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, por më së pari ai duhet të sqarojë para opinionit lidhjet që ka me Sllobodan Millosheviçin.
Kadare gjithashtu tha se Ibrahim Rugova gjer tani nuk e ka kritikuar fort regjimin serb dhe vetë Millosheviçin për të dënuar krimin e tij ndaj popullit kosovar.
Kadare në dy intervista të reja, po ashtu në RadioRai edhe një mesazh i tij i përmbledhur
2 qershor
Ora 23,30. Ismail Kadare jep një intervistë tjetër në Raidue.
Ai dënoi \"mbytjen\" që dhuna serbe po i bën një populli të tërë, i cili është popull i lashtë dhe si të gjithë popujt ka të drejtën e të jetuarit i lirë në këtë botë.
3 qershor
Njoftohet se Sllobodan Millosheviçi pranoi planin e paqes të bashkësisë ndërkombëtare.
Të gjithë thonë e shkruajnë se \"Millosheviçi u gjunjëzua\" dhe se \"ai është dorëzuar për të mbijetuar\".
Pasdite Ismail Kadare foli rreth një orë në RadioRai, kanali i parë.
Në shumicën e kohës programi ishte hartuar me përgjigje ndaj pyetjeve të dëgjuesve.
Në të gjithë këtë emision Kadare theksoi fjalët barbari për dhunën serbe.
Ai u shpreh vendosmërisht kundër pjesëmarrjes së ushtarëve rusë në kontingjentin e forcave paqeruajtëse ndërkombëtare.
Njëkohësisht nguli këmbë se bashkëjetesë brenda një shteti federativ nuk mund të ketë më mes shqiptarëve dhe serbëve.
Në fund të emisionit u lajmërua se të nesërmen do të kishte të transmetuar në RadioRai një mesazh të tij të përmbledhur.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|