Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
“ME APO PA AMERIKËN”


(Botuar në gazetën “Illyria” në 28 korrik 2022)

Është libri më i ri i Ylli Polovinës, i cili u botua me rastin e 28 Korrikut, përvjetorit të njëqindtë të lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA dhe Shqipërisë.
Ky botim analizon të gjitha rrethanat dhe dilemat nëse ky raport shtetesh ka ardhur prej nevojave politike dhe gjeostrategjike apo është një rrjedhim i thellë, i të gjitha përmasave, jo vetëm historike dhe sociale, por mbi të gjitha shpirtërore.
Nga shqyrtimi i kësaj teme, pra të jesh apo jo me Amerikën, autorit iu është krijuar bindja se këto marrëdhënie nuk i trondit apo ndryshon dot asnjë administratë e veçantë në Shqipëri apo SHBA.
Po veçojmë disa tituj nga pasqyra e lëndës:
Përballë me carin rus
Shkolla Teknike
Pranga për gazetën “Shqiptari i Amerikës”
Bollsheviqizma
Sejfulla Malëshova në veprim për komunistizimin e shqiptarëve në Amerikë
Mit’hat Frashëri
PKSH, një parti vendosmërisht antiamerikane
Noli, rreziku i dytë anglo-amerikan
“Historia e Deklasifikuar e Operacioneve të Inteligjencës Amerikane në Evropë: 1945-2001”
Plani R-7
Operacioni diversionit i CIA-s për Rumaninë
Deklarata e Ajzenhauerit
Hasan Spata vritet në Beograd
Rruga e Tiranës me emrin popullor Broduej
Etj.
Ylli Polovina është autor i mbi gjashtëdhjetë librave me tematikë ngjarjet më kryesore kombëtare të censuruara deri tani apo të keqshkruara qëllimisht prej pushtetit politik të radhës.

Fragment nga libri “Me apo pa Amerikën”


PKSH, një parti vendosmërisht antiamerikane

Në ditët 8-14 nëntor 1941, siç del nga mënyra se si është formuluar Rezolucioni i Partisë Komuniste Shqiptare, duhet të jetë folur edhe për aleancën e bllokut antifashist, pra, përveç Bashkimit Sovjetik, edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.
Por procesverbali i mbledhjes nuk ekziston.
Në 4 maj 1942 u krye bastisja e shtëpisë arkivë të PKSH-së
Mes dokumenteve të rëna në dorë të karabinierisë sidomos me rëndësi të jashtëzakonshme qenë 300 fletët e tre fletoreve të mbushura nga Qemal Stafa me gjithçka ishte thënë e cilët qenë ata që i patën shprehur.
Aty ndodhej vetë “kodi” i mendësisë së themeluesve, prej ku edhe analiza e atyre momenteve mund të bëhej sa më e plotë.
Deri në pranverën e vitit 1943, kur fashistët mbi bazën e tyre dhe duke i pasur ato si provë gjyqësore, përgatitën një aktpadi kundër 204 komunistëve shqiptarë, dokumentet ndodheshin në kasafortat e prokurorisë fashiste.
Kjo gjendje zgjati deri në kapitullimin e Italisë dhe hyrjen e shpejtë të gjermanëve. Nuk u ndoq dot fati i tyre gjatë këtij pushtimi të fundit, por me t’u çliruar vendi nisi një kërkim i etshëm për t’i gjetur.
“Në fillim, siç shkruan historiani Kristo Frashëri, u mendua se ato ishin tërhequr në Romë, në kohën e kapitullimit të Italisë”.
Pastaj shton: “Por edhe hetimet që u ndërmorën nga aparati i Komitetit Qendror të PPSH-së në Itali me ndihmën e disa komunistëve italianë, nuk dhanë rezultat”.
Ky kërkim i ethshëm, non stop, përfundoi me asgjë në vitin 1952 dhe pak nga pak nisi të bëhej i besueshëm zyrtarisht një variant tjetër. Profesor Frashëri këtë zhvillim të ri e shpjegon kështu: “Në vitin 1953, në bazë të disa indikacioneve të tërthorta, u formua bindja se defterët me procesverbalet në shqip dhe shkrimet në sllavisht, së bashku me dokumente të tjerë, ishin djegur në nëntor 1944, gjatë ditëve kur zhvilloheshin luftimet për çlirimin e Tiranës”.
Historiani i shumënjohur, edhe vetë protagonist i luftës dhe i PKSH-së, më tej nuk jep asnjë hollësi. Kështu që prej vitit 1953, ku u duk sikur triumfoi teza e djegies së qëllimtë prej pushtuesve, shpresë apo edhe vetëm fjalë për ndonjë mundësi të gjendjes së tyre nuk ka pasur.
Kështu kjo zhdukje fatale i ka hequr njëherë e përgjithmonë të gjitha mundësitë për të kuptuar si janë cituar dy shtetet e mëdhenj demokratikë anglishtfolës.
Kjo temë nuk trajtohet as në kujtimet e pjesshme të historianit jugosllav Vladimir Dedier.
Nuk e ndesh këtë subjekt të trajtuar edhe në të gjitha llojet e botimeve të historisë së kësaj partie, të publikuara zyrtarisht gjatë diktaturës.
Për fat të keq nuk e gjen edhe pas vitit 1990, kur censura mori të tatëpjetën.
Por aleanca midis BRSS dhe SHBA-së dhe Anglisë përmendet në Rezolucionin e PKSH-së jo një herë, por plot dy të tilla.
Kjo është prova më e sigurt se edhe për këtë temë në mbledhjen themeluese të saj është folur.
Nuk mund të hamendësojmë nëse është debatuar, përplasur ndonjë opinion i kundërt, kryer, përkrahur apo refuzuar.
Në Rezolucion herën e parë SHBA dhe Britania e Madhe janë cituar në formën “Më fort se kurrë influenca e Bashkimit Sovjetik është rritur si ndër sytë e popujve të robëruar, ashtu edhe përpara popujve të Anglisë dhe të Amerikës, të cilët dëshirojnë t’i japin fund kësaj lufte të imponuar si dhe fashizmit”.
Herën e dytë përmendja ka formën “nga njëra anë fronti i luftës së padrejtë, i luftës grabitëse, i errësirës, i skllavërisë, fronti i fashizmit, nga ana tjetër fronti i luftës së drejtë, i luftës çlirimtare për përparimin, kulturën dhe qytetërimin, front i përbërë rreth Bashkimit të madh Sovjetik, prej vendeve demokratike, Anglisë, Amerikës dhe Kinës e prej të gjithë popujve të robëruar e popujve liridashës të të gjithë botës”.
Citimi nuk mungon edhe në tekstin e Thirrjes së parë të PKSH-së. Në pjesën hyrëse të saj, drejtuar gjithë popullit shqiptar, shkruhet “Hitleri u përpoq të tërhiqte edhe demokracitë angleze e amerikane në një kryqëzatë kundër sovjetëve. Por edhe ky plan i dështoi. Popujt anglez dhe amerikan po e ndihmojnë me çdo mjet aleatin e tyre Bashkimin Sovjetik”.
Termi “vende demokratike” duket fillimisht sikur është një shprehje e ndërgjegjshme e komunistëve shqiptarë për modelet e shoqërive të lira të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, por në thelb është një formulim rutinë i asaj kohe.
Fashistët, Benito Musolini dhe Adolf Hitleri, këto dy vende, por edhe, për shembull, Francën, i quanin jo vetëm në propagandë, por edhe në dokumentacionin zyrtar si “vende demokratike”, por me një gjykim negativ e përbuzës, një mënyrë për të kallëzuar një zhvillim dhe qytetërim më të prapambetur se ai fashist.
Cili e kujton mirë edhe regjimin komunist të periudhën e pasluftës, kjo mendësi gjysmëtallëse me fjalën “demokraci borgjeze”, pra një vend ku mbretëron kaosi, padrejtësia dhe sidomos llafollogjia e zbrazët parlamentare, vepronte edhe mes bolshevikëve, deri sa më në fund, në vitet pesëdhjetë, e hoqën dhe vijuan ta përdorin, rralluar, vetëm për të karakterizuar sistemin e tyre politik e shoqëror, “demokracia proletare”, ku, ngulnin këmbë se ekzistonte një liri reale.
Aq i vërtetë është citimi “vend demokratik” për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe si një vlerë e rëndomtë, sa kur Partia e Punës e Shqipërisë botoi për herë të parë, në dy vëllime, në 1971, tufën e dokumenteve të saj kryesore, në citimin e dytë në Rezolucion të SHBA-së dhe të Anglisë e përmend këtë fjalë, në fund të faqes 13, me poshtë sqarimin “Vende demokratike ose demokraci të mëdha quheshin atëherë vendet kapitaliste-Anglia, SHBA-ja etj, që luftonin kundër shteteve fashiste, për të bërë dallimin e rendit të tyre të demokracisë borgjeze nga rendi politik fashist në Gjermani, Itali, Japoni, Spanjë e gjetkë”.
Që tema e aleancës së BRSS me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe është trajtuar në ditëmbledhjet e PKSH-së, këtë gjë tërthorazi e vërteton edhe Enver Hoxha.
Tek “Kur lindi Partia” ka dy dëshmi të tij.
Kur rrëfen për themelimin e Rinisë Komuniste, 23 nëntor 1941, thotë se atje ka mbajtur edhe një fjalim.
Sipas tij, në ligjëratën e vet, që e interpreton si me të drejtën e një udhëheqësi të paracaktuar, ai shkruan “Vura, po ashtu shkurtimisht, në dukje rëndësinë e aleancës së madhe antifashiste në mes Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se ne duhet të jemi pro kësaj aleance, pse që të tri janë në luftë kundër të njëjtëve armiq, që janë edhe armiqtë tanë”.
Pa u vonuar shumë, duke përshkruar atmosferën e ditëve të afërta të pas mbledhjes themeluese, ndërsa vetëlavdërohet se kishte hartuar të gjithë tekstin e Thirrjes së parë të PKSH-së, shënon këto fjalë: “Megjithatë, nuk munguan të depërtonin përsëri në parti parulla armiqësore që i mbillnin elementët trockistë, për të krijuar konfuzion politik në radhët e shokëve.
Njëra prej këtyre parullave ishte edhe kjo: “Aleanca e Bashkimit Sovjetik, e Anglisë dhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është për t’u besuar, nuk është e drejtë, ashtu siç nuk ishte e drejtë dhe pakti i Mossulmimit midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste.
Ky pakt i ri është me kapitalistët, me imperialistët”.
Këto pohime të Enver Hoxhës dhe qëndrimi kundër përfolësve negativë të kësaj aleance, e shkruar prej tij në një nga kulmet e antiamerikanizmit shqiptar, mesi i viteve shtatëdhjetë dhe e botuar më pas në 1981, në po të njëjtën atmosferë, konfirmon tezën se në 8-14 nëntor 1941, siç ndërmjet themeluesve të PKSH-së u fol jo pak për Kosovën dhe dëshirën e tyre për ta bashkuar një ditë me shtetin amë, po ashtu është shkëmbyer mendim për rolin e SHBA-së dhe Anglisë në luftën e përbashkët kundër fashizmit.
Në pamundësi t’i gjejmë këto gjurmë në procesverbalin e munguar, një shenjë e ndeshim tek fjala në serbisht, e mbajtur në fillim të mbledhjes, prej Miladin Popoviçit.
Mes të tjerash ai ka shqiptuar: “Vendet demokratike e kanë parë se lufta kundër Bashkimit Sovjetik është lufta për shkatërrimin e qytetërimit, përparimit dhe kulturës. Këtë e ka theksuar edhe Çurçilli në fjalimin e tij: Kam menduar më tepër se njëzetë vjet se armiku kryesor i njerëzimit është komunizmi, por sot jam krejtësisht i bindur se armiku kryesor nuk është më komunizmi (siç kam menduar më përpara), por fashizmi”.
Ndërkohë Dushan Mugosha në kujtimet e tij të botuara në 1972 shkruan edhe këtë frazë: “Në vlerësimin e gjendjes ndërkombëtare nuk ka pasur mendime të kundërta. Fashizmi gjerman dhe ai italian kërcënonin njerëzimin. Pjesa më e madhe e Evropës ishte pushtuar; fashizmi gjerman me forcën e vet depërtuan në vendin e parë të socializmit-Bashkimin Sovjetik. Me Bashkimin Sovjetik ishin Anglia dhe Amerika”.
Mugosha, ndërkaq, zotohet se për vlerësimin e situatës ndërkombëtare, sidomos për raportet mes BRSS, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, mes dy misionarëve jugosllavë të Josif Bros Titos dhe komunistëve shqiptarë nuk ka pasur asnjë moskuptim, çfarë nënkupton edhe kurrfarë debati.
Paskan qenë të gjithë unanimë!
Le të besojmë, sepse në fund të fundit këtë strategji e kishin vendosur sferat e larta të lëvizjes komuniste botërore, Kominterni dhe Josif Stalini. Ajo ishte, përveç se nevojë, direktivë, dhe nuk mund të diskutohej.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë pika referimi edhe në rezolucionin e Konsultës së Parë të Aktivit të PKSH-së, të mbajtur në ilegalitet, në Tiranë, në datat 8 deri 10 prill 1942.
Në këtë këshillim, përveç se veprimtaria e partisë që nga themelimi deri në ato çaste, çështja e fraksionistëve, gjendja organizative, lufta e armatosur, puna me rininë dhe problemet financiare, si temë e parë mori në shqyrtim edhe situatën ndërkombëtare.
Citimi i parë i aleancës antifashiste ka një formë të përafërt me atë të rezolucionit të themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare: “Me luftën e drejtë që po bën URSS janë bashkuar demokracitë e mëdha, Amerika dhe Anglia, me ekonomitë dhe industritë e tyre të fuqishme”.
Në një rast të dytë thuhet: “Po formohet dhe po forcohet ideja për kryengritjen e përgjithshme dhe populli fillon të kuptojë se vetëm me forcat e veta duhet dhe mund të fitojë çlirimin duke e lidhur luftën e vet me atë të Bashkimit Sovjetik, të Amerikës, Anglisë dhe të Kinës...”.
Ja edhe një rast i tretë, mjaft interesant.
Kur konsulta shpall tetë vendimet e saj kryesore, pasi në të parin rreshton “Të mobilizojmë turmat e gjera të qytetit e të fshatit në Luftën Nacional-çlirimtare për një Shqipëri të lirë demokratike popullore”, tek i dyti deklaron “Të popullarizojmë luftën e drejtë që ndjekin Bashkimi Sovjetik, Anglia dhe Shtetet e Bashkuara (të Amerikës) bashkë me të gjithë popujt e shtypur nga thundra e fashizmit”.
Dy herë citohet kjo aleancë edhe në thirrjen që Konsulta i bëri popullit shqiptar. Pikërisht këtu, në përmendjen e dytë, kur u drejtohet nacionalistëve, thirrja rreshton fjalët me plot nëntekst të qartë për një frymë të dukshme gjithëkombëtariste edhe brenda PKSH-së: “Garancia për kufitë e Shqipërisë nuk është tek gjakpirësit fashistë. Ku do të mundë zaptuesi të japë garanci për vendin tonë nesër, kur ai vetë do të jetë i thyer dhe ta ketë humbur luftën? Garancia për kufitë e Shqipërisë është lufta jonë e lidhur me atë të Bashkimit Sovjetik, Anglisë dhe Amerikës....”.
Kur në 28-29 qershor Partia Komuniste Shqiptare zhvilloi konferencën e saj të jashtëzakonshme, në të cilën kryesisht u shqyrtua puna fraksioniste e Anastas Lulës dhe Sadik Premtes, në qarkoren që shpërndau më pas shkruhet se “Bashkimi Sovjetik ka me vete edhe demokracitë e mëdha: Ingliterrën, Amerikën”.
Ndërkohë në thirrjen e shpërndarë posaçërisht pas kësaj konference, që në fillim thuhet “forcat e lirisë, të udhëhequra prej popujve kreshnikë të Bashkimit Sovjetik, duke pasur përkrahë popujt demokratikë të Ingliterës dhe të Amerikës....”.
Në 25 gusht 1942, kur doli numri i parë i gazetës së PKSH-së, “Zëri i popullit”, kryeartikulli i gjatë i saj në fund shkruante: “Me ne janë gjithë popujt liridahës të botës, që nga Kina heroike gjer tek popujt heroikë të Jugosllavisë dhe të Francës.
Mes tyre aleatë të mëdhenj luftojnë sot për një qëllim: të dërmojmë fashizmin. Bashkimi Sovjetik, me Ushtrinë e Kuqe të katundarëve dhe të punëtorëve, me shoku Stalin në krye, shkon në ballë porsi dash me këmborë.
Pas tij vijnë dy demokracitë e mëdha: Ingliterra dhe Amerika, dy fuqi të mëdha me ekonomi kolose, që po përgatiten për një front të dytë në Evropë”.
Këtu po e ndalim rreshtimin disi lodhës, por të nevojshëm, të masës së referimeve që Partia Komuniste Shqiptare në dhjetë muajt e parë u bën demokracive antifashiste, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Pesë brohoritje, asnjë për SHBA

Tek shtatë “Detyrat politike” të rezolucionit të PKSH-së, pasi numri dy përmban objektivin “Të luftohet për pavarësinë kombëtare të popullit shqiptar dhe për qeverinë popullore demokratike, në një Shqipëri të lirë prej fashizmit”, pika e tretë shpall se “Duhet të zhvillohet dashuria për Bashkimin Sovjetik, duke popullarizuar realizimet e popujve sovjetikë dhe rolin e pararojës së URSS në luftën çlirimtare kundër fashizmit”.
Pas kësaj pret të përmendet aleanca antifashiste edhe me SHBA dhe Anglinë, por gjer në fund, tek pika e shtatë, për to heshtet.
Nuk mungon (pika numër pesë) qëllimi “Të zhvillojmë dashurinë dhe bashkëpunimin luftarak me të gjithë popujt e Ballkanit, sidomos me popujt serb, grek, malazez dhe maqedonas, që luftojnë heroikisht për çlirimin e vet nacional”.
Bëhet çmos për mënjanim të SHBA-së dhe të Britanisë së Madhe edhe në pesë brohoritjet “Rroftë” në fund të thirrjes së PKSH-së, e cila duke qenë se i drejtohej opinionit publik dhe jo si rezolucioni vetëm komunistëve, paraqiste një rast me rëndësi të madhe për mobilizimin e njerëzve të thjeshtë në luftën çlirimtare.
Por në të pesta, e para është një “rroftë” për bashkimin e popullit shqiptar, e dyta shkon për bashkimin e popujve ballkanikë, e treta brohorit në kujtim të dëshmorëve, e katërta shpërthen për “Unionin Sovjetik, pararojë e luftës kundër fashizmit”, e pesta dhe e fundit i kushtohet vetë PKSH-së.
Kur Komiteti Central i PKSH-së në fund të muajit nëntor 1941 përshëndeti formimin e Rinisë Komuniste Shqiptare, porositi që ajo duhet të jetë “e frymëzuar nga shembulli heroik i Rinisë Komuniste Sovjetike”.
Në janar, kur iu dërgua komiteteve qarkore udhëzimi për organizimin, nga 19 deri 26 janar, i “Javës së Partisë”, u porositën “të popullarizohet lufta e Bashkimit sovjetik”.
Madje në fund të tekstit të direktivës ka këtë shënim: “Ju vëmë në dijeni si më 21 kallnor është dita e vdekjes së Leninit. Duhet të mbani konferenca mbi rëndësinë e ditës dhe mbi jetën e Leninit, punën dhe rolin e tij”.
Kur Komiteti Central i PKSH-së u drejtoi një komunikatë ushtarëve, nënoficerëve dhe oficerëve shqiptarë, mes nëntë thirrjeve të saj, ku dy janë “poshtë” dhe katër “rroftë”, sërish nuk ka asnjë për aleancën.
Veç ndodhet aty brohoritja “Rroftë Bashkimi Sovjetik dhe Ushtria e Kuqe e pathyeshme!”
Në shkurt 1942 një letër e këtij forumi drejtuar komiteteve qarkore përmban shpjegime dhe udhëzime për ta festuar, në lidhje me 23 shkurtin, njëzetë e katër vjetorin e ushtrisë sovjetike.
Në mars direktivat e Komitetit Central të PKSH-së përfshijnë organizimin e aksioneve dhe të luftës së armatosur, vendosjen në njësitë luftarake të komisarit politik, thuhet se komisari e zëvendësi i tij bëjnë pjesë në shtabin e batalionit dhe se që patjetër duhet të jenë anëtar partie.
Aty gjendet i shkruar kushti që komisari politik është edhe përgjegjës i celulës së PKSH-së në njësinë e armatosur.
Ndërkohë nuk bëhet fjalë për ndonjë simbol të veçantë që luftëtarët duhet të mbajnë patjetër.
Do të ndodhë Konferenca e Pezës, ku për herë të parë do të shfaqet dhe debatohet shenja e yllit të kuq.

Koço Tashko

Në 8 nëntor 1941 më i njohuri ndërkombëtarisht si edhe mes bolshevikëve shqiptarë më i autoritetshmi, në një farë mënyre qe “amerikan”.
Kur në Moskë ishte si mësimdhënës në shkollën e lartë të filozofisë, qe atje njëkohësisht edhe kryetar i seksionit anglo-amerikan për Kominternin.
Kjo përzgjedhje i ishte bërë sepse në vitet 1923-1924 punoi dy herë si konsull i Shqipërisë në Nju-Jork.
Më pas, po ashtu, jetoi e veproi në SHBA si redaktor në gazetat patriotike “Idealisti” apo “Emigranti”.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com