|
Foto: .JPG | “SHQIPTARËT ME DY HOXHA”
Enver dhe Fadil
Botuar në gazetën “Fjala” në 19 korrik 2022
Fragmente nga libri
Heshtja e Tiranës
Historiografia zyrtare e Tiranës për një gjysmë shekulli ka pasur dy botime kryesore shumëvëllimëshe të historisë së Shqipërisë.
I pari, në tre libra, është publikuar në 1965 dhe ka për autor Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë.
Në vëllimin e tretë, ku është përshkruar edhe Lufta, në 896 faqet e tij emri Fadil Hoxha nuk përmendet asnjëherë.
Në fund të librit, në pjesën shpjeguese “Treguesi i emrave”, tek zëri Hoxha është i gjithëfuqishëm Enveri. Ai citohet 29 herë.
Përfshihen edhe katër Hoxha të tjerë (Dine, Kadri, Nel dhe Sali).
Në botimin e riplotësuar të kësaj historie të Shqipërisë, këtë herë në katër vëllime, me vit publikimi 1984, duke mbetur si autor po i mëparshmi autoritet i lartë shkencor, Instituti i Historisë, sërish Fadil Hoxha nuk pipëtin i futur në ndonjë rresht.
Tek “Indeksi i emrave”, zëri Hoxha ka Enverin me afro trefishin e mëparshëm: 76 citime.
Kadri Hoxha është zhdukur.
Kanë mbetur Dine dhe Neli (të cituar dy herë, si në 1965).
Ndërkohë është shtuar një Hoxhë tjetër: Nexhmija.
Bashkëshortja e Enverit, veprimtare e vjetër komuniste, citohet edhe ajo vetëm në dy raste.
Heshtja e Tiranës së Hoxhë Enverit për Hoxhë Fadilin e Prishtinës do të jetë fort e dukshme në të gjitha botimet e shumta të të parit, ku përfshihen afro njëqind e pesëdhjetë vëllime të trasha me “Vepra”, “Kujtime”, “Përmbledhje dokumentesh”, “Ditare”, libra teorikë apo me tematikë të specializuar për fusha të shumta të qeverisjes komuniste të vendit etj.
Kështu censura publike ndaj Fadil Hoxhës në dekadat e enverizmit në Shqipëri do të qe tepër totale, tërësisht me përmasat e një personi që atëherë cilësohej si armik ideologjik apo tradhtar kombëtar.
Sigurisht për të shumëfortin e Tiranës staliniste Ballkani duhej të kishte vetëm një Hoxhë.
Të gjithë shqiptarët, kudo ku ndodheshin, këtej dhe përtej kufirit, nuk duhej të njihnin tjetër udhëheqës të tyre veç tij.
Po kështu historia, shtëpia kaq e dëshiruar për politikanët, patjetër duhej të mbante të regjistruar në faqet e saj vetëm Hoxhën e Tiranës.
Me këtë vetëgjymtim gjatë gjithë periudhës së Luftës së Ftohtë rezultatet e pritshme të zgjidhjes së çështjes shqiptare, përparësia numër një e të cilës qe bashkimi i trojeve, doemos do të qenë shumë më të vogla nga sa mund të kishte prej një sjelljeje tjetër: në Tiranë të mos censurohej informacioni, për mirë dhe për keq, rreth Hoxhës së Kosovës.
Apo gjithçka e censuruar rreth Fadil Hoxhës më shumë se xhelozi e Enverit për homologun e tij me të njëjtin mbiemër qe pjesë e “baletit” që kryhej me Josip Broz Titon?
Pra, ai nuk duhej të zbulonte që kishte një feeling me Fadil Hoxhën?
Jetët e tyre në një krahasim
Jetët e dy Hoxhave në kohë janë pak a shumë paralele, herë shumë të ngjashme dhe herë aspak të tilla.
Nuk janë bërë të jenë të njëllojta, por të afërta.
Nëpërmjet njërit mund të “lexosh” tjetrin.
Thua duhej të kishte dy Hoxha që të mund të kuptohet fati i shqiptarëve gjatë luftës (së nxehtë) dhe asaj të Ftohtë.
Enveri lindi në Gjirokastër më 16 tetor 1909.
Xhaxhai i tij, i cili për të qe pothuaj një baba shpirtëror, pati qenë kryetar bashkie i qytetit.
Ishte po ashtu pjesëmarrës dhe firmosës i Deklaratës së Pavarësisë.
Fadili doli në jetë shtatë mote më vonë.
Vendlindjen e kishte në pjesën tjetër të trojeve kombëtare, në verilindje, në Gjakovë.
Ishte 15 maj 1916 kur e nisi ekzistencën.
Në 1929, për shkak të mbylljes së gjimnazit të qytetit, në të cilin sapo pati mbaruar një klasë, u gjet pa asnjë të ardhme, prandaj pëlqeu hë për hë të merrej me tregti të vogël.
Këto kohë Hoxha tjetër, Enveri, pasi në 1924 pati përfunduar në Gjirokastër shkollën fillestare “Drita” dhe prej këtij viti deri në 1927 edhe liceun francez të vendlindjes, në vjeshtë shkoi në Korçë.
Nisi të studionte në Liceun Francez të këtij qyteti e njëkohësisht në një nga shkollat më të mira të vendit.
Në librin e tij me kujtime “Vite të rinisë”, botuar në 1988, tregon se për herë të parë “Manifestin” e kishte lexuar fshehtas në vitin 1928.
Kjo do të thoshte, gjithnjë sipas tij, se u njoh me dokumentin themeltar të marksizmit dhe të platformës ideologjike të tij për një shoqëri të ardhme socialiste, kur qe vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç.
Libërthin ilegal ia kishte dhënë një simpatizant i komunizmit, pastiçieri i thjeshtë korçar Koçi Bako.
Pasi e përfundoi liceun në verë 1930, në tetor fitoi një bursë studimi për në universitetin e Montpeljesë në Francë.
Do të ndiqte degën e botanikës, çfarë, siç shkruan vetë ai, nuk qe aspak dëshirë e tij. Ai pasionohej pas filozofisë dhe shkencave politike.
Në 1932, ngul këmbë Enver Hoxha tek “Vite të rinisë”, “Isha kthyer nga Franca për pushimet e verës, kur morëm vesh se ishte zbuluar e ishte arrestuar një grup i fshehtë që përgatitej të rrëzonte Ahmet Zogun.
Në Gjirokastër ne shkruam në mure: “Në rast se ata pushkatohen, atëherë populli do të ngrejë krye, do të pëlcasë revolucioni”.
Me këtë rast mua, Enver Zazanin, Selahudin Kokonën, Selami Xhaxhiun dhe disa shokë të tjerë, që njerëzit e regjimit na kishin halë në sy, na arrestuan dhe na mbyllën në burgun e prefekturës.
Kur na morën në pyetje, ne i refuzuam akuzat, duke u thënë se këto janë shpifjet tuaja, na provuan shkrimet dhe, në mungesë provash, na liruan”.
Pikërisht këtë vit, 1932, kur Enver Hoxha qe 23 vjeç, me qëllim arsimimin në shqip dhe jo më në gjuhën serbe, siç u bëhej shqiptarëve në Kosovë, Fadil Hoxha bashkë me shokun e tij Emin Duraku kaluan ilegalisht kufirin.
Në fillim u vendosën në Tiranë dhe prej andej, nëpërmjet ndihmës së ministrit Hil Mosi, u sistemuan në gjimnazin shtetëror të Shkodrës.
Tek kujtimet e tij të botuara në librin e Veton Surroit “Fadil Hoxha në vetën e parë”, pasi thotë se nga Kosova në atë shkollë qenë 30 nxënës, Fadili shkruan: “Lexonim libra, sidomos Tolstojin, ato libra që kishim mundësi t’i blinim.
Tajar Zavalani e ka përkthyer “Nënën” e Gorkit: Nuk ka qenë libri në tërësi, por si revistë, dilte pjesë-pjesë, njëherë në dy javë.
Atë e blinim fare lirë dhe e lexonim”.
Në 1933, siç shkruan nga ana e vet Hoxha tjetër, Enveri, ardhja e nazistëve në pushtet në Gjermani e shtyu atë edhe më shumë drejt simpatisë për komunizmin: “Në Francë, dhe konkretisht për mua në Montpelje, kishte një fushë të gjerë dhe të lirë për të mësuar marksizëm-leninizmin, për t’u njohur më mirë me luftën dhe me jetën në Bashkimin Sovjetik të Leninit dhe të Stalinit.
Seksioni i Partisë Komuniste Franceze për Montpeljen kishte një kiosk të veçantë ku shiste libra dhe broshura mbi Marksin, Engelsin, Leninin, fjalime të Stalinit etj.
Atje shiteshin të shtypura në broshura komente që i bënte vetë partia shumë të kuptueshme, pse i përgatiste për punëtorët e për komunistët e thjeshtë dhe, doemos, ato ishin aq të nevojshme dhe të domosdoshme edhe për mua, studentin e ri me zemër komuniste”.
Menjëherë më pas: “Materiale të tilla zakonisht i blija, pse partia i shiste lirë, ndërkohë, kur arrita të njihem me klubet e punëtorëve që drejtonte Partia Komuniste Franceze, shumë materiale të tjera të shkurtra më jepeshin pa pare dhe i studioja me zell. Kur kishte probleme që nuk i kuptoja, shkoja dhe kërkoja shpjegime tek kiosku.
Ai që shiste, s’kishte kohë për sqarime, po më jepte adresën e një kafeneje të humbur në periferi e më thoshte:
-Shko atje, gjej shokun Marsel dhe kërkoi atij që t’i shpjegojë, pse ai është propagandist i partisë!
Kështu arrita të bëhem frekuentues i rregullt i librarive, i klubeve punëtore, i diskutimeve që zhvilloheshin atje dhe nga të gjitha këto çdo ditë e më mirë mësoja atë shkencë që për mua u bë një qëllim i jetës dhe e vija mbi shkencat e tjera në universitet”.
Pak më pas, në po atë faqe 173 të librit “Vite të rinisë”, Hoxha i Shqipërisë shkruan se një ditë Marseli i paska thënë “Nesër do të shitet libri i Politzerit, filozofit të shquar të partisë sonë, ai është profesor në universitetin e natës të marksizëm-leninizmit në Paris, që ka hapur partia”.
Siç Enver Hoxha premton se thotë vetëm të vërtetën, librin e Politzerit ai e pati blerë që të nesërmen e bisedës së mësipërme: “Nisa ta lexoj dhe ta rilexoj kapitull më kapitull. Ç’mrekulli!”
Më pas ai shkruan se libri i Politzerit e kishte shtyrë të rilexonte “Manifestin” dhe “Luftën civile në Francë” të Karl Marksit dhe kështu “Veçanërisht në vitet 1932 e 1933 pasioni im për shkencat shoqërore u kthye në një nevojë e detyrë të përhershme”.
Në fillim të vitit 1934 Hoxhës së ardhshëm të Shqipërisë, për shkak të mosdhënies së disa provimeve, ç’ka do të thotë se kishte mbetur në klasë, iu pre bursa nga qeveria e tij në Tiranë.
Kështu u nis për në Paris.
“Të kthehesha në Shqipëri pa marrë ndonjë diplomë, shkruan ai, asnjë punë nuk të jepnin, do të vuaja për bukë”.
Ndërkohë Hoxha i Kosovës, Fadili, në kujtimet e veta spikat faktin se në gjimnazin e Shkodrës “lexonim gazeta e libra të ndryshëm. Ka qenë hapje e një dritareje të re.
Filluam ta ndienim veten komunistë.
Në atë kohë, në 1936, lëvizja ka qenë bukur e madhe në Gjimnazin e Shkodrës.
Në këtë vit filloi organizimi i komunistëve. Ishte Zef Mala, i cili nuk ishte ndonjë marksist i armatosur me dije, mbase nuk ishin as të tjerët.
Koço Tashko dhe Ali Kelmendi jetonin në Korçë. Këta ishin më të armatosur me dije.
Ata formuan grupin e vet.
Në grupin e tyre përfshinë edhe Qemal Stafën, i cili ishte një klasë para meje, por jashtëzakonisht i zgjuar dhe përparimtar”.
Ambasadori Lik Seiti
Në një bisedë të gjatë të daktilografuar në 23 faqe, kryer në 19 shtator 1970 mes Enver Hoxhës dhe ambasadorit shqiptar në Beograd Lik Seiti, ndodhet edhe ky fragment:
“Çfarë thotë Fadil Hoxha?”, pyet njeriu i fortë i Tiranës diplomatin e vet, ka ndonjë çik ndjenje shqiptarizmi te ky njeri, se sa për marksist-leninist është tjetër punë, është shumë larg që ai të jetë i tillë”.
Lik Seiti i përgjigjet: “Nga takimi që pata me të, më la përshtypjen e asaj që thatë më përpara, dmth. tek ai ekziston ndjenja e shqiptarizmit.
Të them të drejtën mua më bëri përshtypje preokupimi i tij i madh për rininë, lidhur me mbajtjen e fotografive. Këtu ai theksoi se për sa iu përket ndjenjave të njerëzve të moshuar, këtu ne jemi në gjendje t’i dominojmë.
Për sa i përket rinisë që është një masë më e gjerë dhe që manifeston hapur dashurinë për Shqipërinë dhe shokun Enver, e kemi më vështirë ta frenojmë atë në këtë vrull, jo se unë jam kundër dashurisë ndaj shokut Enver dhe mbajtjes së fotografisë së tij nga ana e rinisë kosovare, përkundrazi jam unë i pari që e dua më shumë se kushdo shokun Enver, por se kjo na prish punë.
Ju e dini se unë edhe gjatë luftës, kur fotografia e shokut Enver filloi të hiqej tek ne, e vura në dijeni shokun Enver dhe ai më këshilloi me të drejtë që këtë çështje ta ngrija në komitetin krahinor të partisë së Kosovës”.
Enver Hoxha e pyet sërish ambasadorin: “Mos do të thotë Fadili me këtë se rinia nuk duhet të ekzaltohet shumë, prandaj ngriti çështjen që fotografinë e Enverit të mos e mbajnë të rinjtë e të rejat?”
Lik Seiti iu përgjigj: “Ai la të kuptohej që po të jetë puna për të mbajtur fotografinë e shokut Enver, atë do ta mbaj unë i pari, pastaj të tjerët.
Kur ra fjala lidhur me eventualitetin e një agresioni kundër Shqipërisë, Fadili theksoi se ai personalisht do të jetë ushtar besnik i shokut Enver dhe se Kosova kurrë nuk do t’i kundërvihet Republikës Popullore të Shqipërisë.
Pastaj më foli për përpjekjet që bën ai për të fituar Kosova, autonominë...”.
Çfarë raporton ambasadori Sokrat Plaka
Në 29 nëntor 1980 ambasadori shqiptar në Beograd, Sokrat Plaka, i dërgonte qendrës në Tiranë një raport rreth bisedës së bërë me Fadil Hoxhën në ceremoninë e përvjetorit të Jugosllavisë komuniste, festuar në Pallatin e Federatës një ditë më parë.
Mes të tjerash Plaka informonte: “Duke folur për zgjerimin e marrëdhënieve të Kosovës me Shqipërinë, Fadili tha se do të vijë koha kur ne në Kosovë do të këndojmë këngët e Enver Hoxhës dhe në Shqipëri këngët e Titos.
Unë i thashë se për të parën bashkohem me të, kurse në Shqipëri këngët e Titos nuk do të këndohen kurrë, as sot as nesër.
Ju jeni nga Kosova dhe i njihni më mirë gjërat. Ju i dini mendimet tona për Titon, ne i kemi thënë hapët. Shoku Enver ka botuar kujtimet e tija “Me Stalinin” dhe aty shtjellon qëndrimin e Titos në çështjen e bashkimit të Kosovës dhe të viseve shqiptare me Shqipërinë.
I përmenda hollësisht bisedën e shokut Enver me Titon.
Pastaj pieta nëse e kishte lexuar këtë vepër, dhe, Fadili u përgjigj “po, e kam lexuar”, por nuk bëri asnjë reagim tjetër, qoftë edhe sikur të mbronte Titon me ndonjë fare mënyre ose të thoshte ndonjë gjë tjetër”.
Në këtë raport informativ të ambasadorit shqiptar në Beograd ndodhet edhe ky fragment: “Fadilin e takoj për here të tretë nëpër pritje, dy herët e para bisedën na i kanë ndërprerë funksionarët e protokollit dhe praktikisht nuk na kanë lënë të bisedojmë.
Këtë radhë biseduam lirisht, në këmbë, në pritje dhe mbase kjo mund të jetë një arsye që Fadili foli më gjatë.
Biseda ishte e qetë dhe ai vet donte të fliste.
Kur vinte ndonjë personalitet për t`u takuar, bisedën e kalonte menjëherë nga temat e Kosovës në marrëdhëniet midis dy vendeve”.
Dosja e fshehtë
Në dhjetor 1984 Shërbimi i Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe konkretisht Sekretariati Republikan i Punëve të Brendshme i Republikës Socialiste të Serbisë përfundoi dosjen e fshehtë për Fadil Hoxhën, e cila do të qe edhe njëra prej lëndëve mbështetëse për ndëshkimin e tij politik me përjashtimin prej Lidhjes së Komunistëve dhe mosnjohjen e çdo vlerësimi të mëparshëm.
Materiali sekret titullohej “Inspiratorët dhe bartësit e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”.
Mes shumë akuzave njëra qe më kryesorja, e shtrirë në material që nga fillimi gjer në fund: Fadil Hoxha kishte bashkëpunuar sistematikisht me Enver Hoxhën për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|