|
Foto: .jpg | RAMIZ ALIA NË ROMË, MEHMET SHEHU NË NJU JORK, ENVER HOXHA NË MOSKË
Botuar në gazetën “Fjala” në 28 qershor 2022
Ngjarje befasuese
Ditën e hënë të 12 shtatorit 1960, kur tensionet e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike po shtoheshin me shpejtësi dhe tashmë tërhoqën vëmendjen e opinionit publik të Perëndimit, ndodhën dy ngjarje të papritura, të cilat historiografia e regjimit dhe ciklet e librave të kujtimeve të udhëheqësve komunistë, i censuruan krejtësisht.
E para ngjarje sipas rrjedhës kronologjike, kishte të bënte me Ramiz Alinë, e dyta me Mehmet Shehun.
Ajo me Ramiz Alinë ndodhi në 27 janar 1960.
Në ditarin e vet Enver Hoxha shkruan se pikërisht këtë ditë Alia në krye të një delegacioni u nis për në Romë, ku do të merrte pjesë në punimet e Kongresit të 9-të të Partisë Komuniste të Italisë.
Ky kongres do t’i zhvillonte punimet në datat 30 janar deri 4 shkurt 1960. Kongresi i mëparshëm i PKI, i 8-ti, kishte ndodhur katër mote të shkuara, në dhjetor 1956 dhe qe drejtpërsëdrejti reflektim mbi Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, ku Nikita Hrushovi denoncoi krimet e Stalinit.
Atëherë italianët qenë sfiduesit kryesorë ndaj vartësisë së plotë, si parti satelite, e PKBS: ata zgjodhën rrugën e tyre specifike të shkuarjes në shoqërinë komuniste.
Gazeta “l\'Unità” e Partisë Komuniste Italiane e 30 janarit 1960, spikaste faqen e parë të saj me disa tituj dhe foto, mes tyre ishte pamja e mbërritjes në orën 13.00, në aeroportin roman të Çampinos, të delegacionit sovjetik të përbërë nga katër vetë.
Prihej prej Mihail Susllovit, sekretar i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik.
“l\'Unità” e të nesërmes, e 31 janarit, ka kryeartikull të faqes së parë shkrimin “Toliati skicon për Italinë rrugën për demokraci dhe socializëm nëpërmjet fitores së paqes, rinovimit të shoqërisë dhe krijimit të një shumice qeverisëse të frymëzuar prej një lëvizjeje të fuqishme punëtore”.
Në këtë faqe të parë është shumë e dukshme edhe një foto të ilustruar me fjalët “Mbërritja e delegacionit kinez”.
Faqja e dytë e të përditshmes komuniste italiane boton po ashtu një reportazh nga Moska të titulluar “U përcaktua përfundimisht programi i vizitës së Xhovani Gronkit”.
Gronki qe presidenti italian.
Raportimi nga Moska i gazetarit Mauricio Ferrara konfirmonte të gjitha hallkat e veprimtarive kushtuar kësaj vizite, punë e kryer mes ambasadorit italian në Moskë Luka Petromarki dhe shefit ceremonial të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bashkimit Sovjetik.
I vetmi ndryshim pati ndodhur për vizitën e presidentit italian në Leningrad, e parashikuar në 8 dhjetor, por që do të bëhej në datën dhjetë.
Me Nikita Hrushovin Xhovani Gronki do të takohej në datën shtatë, sepse më pas udhëheqësi sovjetik do të nisej për një vizitë në Indi.
Mes të dy shteteve, sovjetik dhe italian, do të firmosej një marrëveshje e gjerë kulturore si edhe do të nxitej edhe më shumë bashkëpunimi ekonomik. Ky për vitin e shkuar 1958 pati pasur rritje të dukshme deri në shkëmbim mallrash me vlerë 150 milion dollarë.
Shkrimi i “l\'Unità” nxirrte në pah se mes Italisë dhe BRSS nuk kishte asnjë mosmarrëveshje apo pikëpamje të kundërt për çështje ndërkombëtare.
Në raportin e kryetarit të Partisë Komuniste Italiane, Palmiro Toliatit, në kongres, çështjet kryesore të analizës qenë “Epërsia e sistemit socialist”, “Një perspektivë e re historike”, “Lufta për një rend të ri botëror”, “Prapambetja dhe kontradiktat e strukturës ekonomike”, “Për një demokraci të tipit të ri”, “Për një zhvillim të ri ekonomik demokratik”, “Reaksioni dhe progresi, kultura dhe shoqëria”, “Demokracia dhe socializmi”, “Për një mazhorancë të re” dhe “Një hap përpara i partisë”.
Në pesë faqet e gazetës së 31 janarit, ku botohet fjala e Toliatit, ka edhe shumë foto, mes tyre edhe pamje të delegacionit sovjetik, madje edhe të një pjese të dërgatave nga partitë e tjera, ndërkohë në këtë botim thuhet se në Kongresin e 9-të të PKI qenë edhe korrespodentë nga Radio Moska, nga gazetat sovjetike “Pravda” dhe “Izvestia”, nga Radio Berlini, prej gazetës së Partisë Komuniste Austriake, nga dy të përditshme polake etj.
Përshëndetin Partitë Komuniste të botës
“l\'Unità” e 1 shkurtit i hapte vend shumë të gjerë fjalës së drejtuesit të delegacionit sovjetik, duke i dhënë edhe vendin e kryeartikullit të faqes së parë.
Titullohej: “Susllov: Paqe dhe miqësi mes popujve, unitet i forcave demokratike dhe punëtore”.
Në këtë edicion ndodhet i botuar jo vetëm teksti në italisht i përshëndetjes së PKBS për Partinë Komuniste Italiane, por edhe origjinali në rusisht.
Gjithashtu ka një shkrim të shkurtër, ku sipas një burimi të marrë nga Uashingtoni, Bashkimi Sovjetik sapo kishte bërë një provë hedhjeje rakete në Oqeanin Paqësor. Lajmi megjithatë mbetej i pakonfirmuar prej BRSS dhe ishte i përhapur vetëm nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“l\'Unità” e 2 shkurtit publikonte si kryeartikull të dytë të faqes së parë shkrimin me nëntitullin “Përshëndetja e Partisë Komuniste Kineze prej Liu Çan Shen dhe ajo e Partisë Komuniste Franceze nga Guyot...”
Menjëherë poshtë këtij artikulli ndodhej një i dytë, shumë i dukshëm, me titullin “Ja doli krejtësisht lëshimi i një rakete sovjetike në Paqësor”.
Në të shpjegohej se kjo raketë e kishte shpejtësinë 16.156 metra në sekondë si edhe largësinë e hedhjes 7.776 milje.
Në faqen e dytë shoqëruar me një foto të madhe, ndodhet shkrimi për fjalën e politikanit Shen si edhe deklarata e tij se Kina brenda dhjetë vjetësh do t’ia kalonte në zhvillim Anglisë. Veças dhe dukshëm botohet edhe mesazhi i Partisë Komuniste Kineze për PKI.
Po në këtë faqe vend të dukshëm ka marrë edhe mesazhi i përshendetjes nga Partia Komuniste Franceze (Raymond Guyot).
Në edicionin e 3 shkurtit “l\'Unità”, në faqen e dytë publikon artikullin e gjatë “Përshëndetjet e partive motra nga të gjithë pesë kontinentet”. Tekstet janë nga delegacioni i Indonezisë, i Islandës, i Australisë, i Hungarisë, i Britanisë së Madhe, i Bullgarisë, nga udhëheqësi i Partisë Komuniste Gjermane Valter Ulbriht, prej Partisë Komuniste të SHBA, nga Austria, Iraku, Japonia.
Në këtë botim të gazetës një artikull thotë se gjatë vizitës së presidentit italian Xhovani Gronki në Bashkimin Sovjetik janë parashikuar të mbahen prej tij nëntë fjalime.
Në 4 shkurt “l\'Unità” publikon përshëndetjet nga Partitë Komuniste të Çekosllovakisë, Finlandës, Vietnamit, Suedisë, Danimarkës, Belgjikës, Argjentinës, Kanadasë, Rumanisë, Koresë, Kubës, Marokut, Zvicrës dhe Luksemburgut.
Një foto e madhe ilustron vizitën e delegacionit sovjetik në redaksinë e gazetës “l\'Unità”.
Në këtë numër gazete, në krye të faqes së parë, bëhet e ditur përmbajtja e mesazhit të këtij kongresi për presidentin italian Xhovani Gronki, ku PKI e uron që “takimet e tij me udhëheqësit dhe popullin sovjetik të kenë rezultate të mbara për Italinë dhe paqen”.
Flet edhe Ramiz Alia
Në 5 shkurt, e premte, në faqen 7 të gazetës, e tërë hapësira e saj ka për titull “Përshëndetjet e partive motra për Kongresin e 9-të”.
Në nëntitull thuhet se në kongres “patën folur shokët Kliszko, Alija, Annie Averink, Papayoannoi, Chaoni, Harmel, Adilbis, Pedino e Kurela në emër të partive motra të Polonisë, Shqipërisë, Hollandës, Qipros, Libanit, Tunizisë, Mongolisë, San Marinos dhe Republikës Demokratike Gjermane.
Në faqen 7 publikohen të theksuara dukshëm edhe përshëndetjet nga partitë komuniste spanjolle, algjeriane dhe greke.
Në hapësirën për fjalën e mbajtur nga Ramiz Alia, vendosur në krye të faqes, thuhet se ai e përshëndet Kongresin e 9-të të Partisë Komuniste Italiane si kandidat i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë, se në Shqipëri e çmojnë shumë popullin italian dhe se gjatë Luftës së Dytë botërore qenë kundër fashizmit italian, por jo popullit.
Alia, sipas “l\'Unità”, vuri në dukje se sukseset e PPSH dhe të partive të tjera komuniste të botës, si edhe vizita e Nikita Hrushovit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kishin shërbyer shumë për të spikatur vlerën dhe epërsinë e sistemit socialist.
Ramiz Alia gjithashtu vuri në dukje se marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë duhet të forcoheshin edhe më shumë në fushën ekonomike dhe kulturore. “Nuk mund të mos shprehim keqardhjen tonë, tha ai, për vendimin e qeverisë italiane që të vendosen në territorin tuaj të Puljes raketa bërthamore amerikane...”
Pasi shprehu këtë keqardhje “l\'Unità” spikati me fjalët se Ramiz Alia në fund të diskutimit iu rikthye edhe njëherë tjetër miqësisë së fortë mes popullit shqiptar dhe atij italian.
Në faqen 8 të gazetës së 5 shkurtit 1960, u botuan edhe përshëndetjet e partive komuniste të Izraelit dhe Portugalisë, si edhe u vendos një foto e madhe me pamje nga prania e delegacionit të Partisë Komuniste të Rumanisë në redaksinë e gazetës l\'Unità”.
Kjo e përditshme këtë ditë njoftonte se vizita e presidentit italian në BS niste të nesërmen, e diel.
Kur katër vite të shkuara, në 1956, u mbajt kongresi i 8-të i Partisë Komuniste Italiane, “l\'Unità” i hapte shumë vend delegacionit jugosllav, çfarë mungon në fundjanar-fillim shkurt 1960. Kjo përmendje do të ndodhte shumë shprehëse dy vite më vonë, në 1962, kur PKI mbajti kongresin e 10-të saj.
Ramiz Alia e kishte fatin e popullaritetit të tij ndërkombëtar në fillim shkurt 1960, por e ka fshirë nga memoriet e veta dhe të PPSH.
Po të shkruhej dhe regjistrohej në histori, do të bënte të binte shumë në sy niveli dogmatik dhe stalinist i partisë së Enver Hoxhës dhe do të kuptohej se mosmarrëveshjet Moskë-Tiranë nuk qenë për arsye ideologjike apo doktrine teorike reale, por thjesht për pushtetin e tij.
“22 ditët e Mehmet Shehut në Nju Jork”
Në 12 shtator 1960, ditë e hënë, në krye të një delegacioni, kryeministri shqiptar Mehmet Shehu u nis për në Nju-Jork. Do të merrte pjesë në punimet e Sesionit të 15-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Në aeroportin e Rinasit e përcolli vetë Enver Hoxha.
Shehu u rikthye në 22 tetor. Në aeroport sërish e priste Enver Hoxha.
Për herë të parë në historishkrimin shqiptar ngjarjen e mësipërme të plotë dhe të provuar hollësisht me dokumente të arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme e kam rrëfyer unë me anë të librit “Amerika, Mehmet Shehu dhe Ramiz Alia”, botim i vitit 2011.
Në 2020 këtë ngjarje të plotë e kam pasqyruar posaçërisht në 193 faqet librit me format elektronik “22 ditët e Mehmet Shehut në Nju Jork”.
Në libër ka faqe të tëra të qëndrimeve të kryeministrit shqiptar ndaj Nikita Hrushovit, i pranishëm edhe ai në Nju Jork.
Ato çaste kishte filluar piku i përkeqësimit.
Midis dy të dielave
Në 6 nëntor 1960, ditë e diel, në ditarin e tij Enver Hoxha do të mbante shënim: “Në orën 18.00, me orën e Moskës, arritëm në stacionin hekurudhor “Kievskaja” në Moskë.
U pritëm nga F. Kozlovi, sekretar i KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe anëtar i Byrosë Politike.
Në stacion pritja ishte zyrtare me rojë nderi, me bandë dhe me trupin diplomatik. Në stacion kishin dalë gjithashtu studentët shqiptarë, të cilët na pritën me entuziazëm të madh.
Pastaj Kozlovi na shoqëroi deri në vilën e zakonshme në Zareçie.
Pasdite morëm pjesë në mbledhjen solemne në pallatin e sportit “Lluzhniki”, me rastin e 43-vjetorit të Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit”.
Të dielën pas ardhëse, 13 nëntor 1960, Hoxha do të shkruante: “Informuam shokët në Tiranë se mund ta marrim fjalën ditën e martë, më 16 nëntor.
Fjalimit i shtuam të dhënat e fundit që mësuam këtu si dhe poshtërsitë që Hrushovi u ka thënë kinezëve kundër nesh. Lidhur me kthimin tonë në atdhe, i njoftuam shokët se do të nisemi së shpejti dhe se mendojmë të kthehemi me det. Porositëm që një vapor yni të niset për në Kostancë të Rumanisë”.
Në të vërtetë drejt Shqipërisë, për të qenë më të sigurt për jetët e tyre, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, bashkë me të tjerët, u nisën me rrugë tokësore, hipur mbi një tren të zakonshëm pasagjerësh.
Duke u gdhirë 28 nëntori ata bënë një ndalesë të shkurtër prej 4 orësh në Vjenë, ku shëtitën me një taksi, hëngrën mëngjes në një hotel dhe pastaj morën rrugën për në Itali.
Këtu mbërritën në aeroportin e Barit, ku i priste avioni qeveritar shqiptar, i ardhur më parë posaçërisht për ta e për t’i zbarkuar në Tiranë.
Ukrainasi Hrushov kërcënon shqiptarët me uri
Në 28 janar 1960 Enver Hoxha shkruan në ditarin e tij se “Sot u zhvillua mbledhja e Byrosë Politike, në të cilën u diskutua dhe u vendos qëndrimi që do të mbajë delegacioni ynë në mbledhjen e Moskës të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës mbi çështjet e zhvillimit të bujqësisë.
Pas dy ditësh ai shkruan sërish: “U nisëm si delegacion i Partisë së Punës të Shqipërisë për në Moskë, me TU-104, për të marrë pjesë në mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës mbi çështjen e zhvillimit të bujqësisë.
Gjatë rrugës ndaluam në Budapest për një orë.
Në aerodromin e Moskës na priti Muhitdinovi. Pastaj na çuan si zakonisht në Zareçie”.
Në 3 shkurt 1960 Hoxha shënon në ditar: “Në Kremlin u hap mbledhja e përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore të vendeve socialiste të Evropës mbi çështjen e zhvillimit të bujqësisë.
Përfaqësuesi kinez nuk mori pjesë as si vëzhgues. Nuk e dimë nëse e kishin ftuar Partinë Komuniste të Kinës apo jo. Pas një fjalimi të hapjes, shumë të shkurtër, të Hrushovit, mbledhjen e drejtova unë. Në këtë seancë fola edhe unë dhe po sot mbaruan së foluri përfaqësuesit e të gjitha partive.
Kjo ishte një mbledhje e shpëlarë dhe pa qëllime të caktuara e të qarta. Të gjithë paraqitëm nga një raport. Secili foli për rezultatet, sukseset e të metat dhe nevojat që ka çdo vend në fushën e bujqësisë. Ç\'do të dalë nga kjo? Të shohim e të presim”.
Më tej, në 4 shkurt: “Në vazhdim të mbledhjes së djeshme, sot seancat e mëngjesit iu kushtuan punës së ekspertëve. Pasdreke, në seancë plenare, foli Hrushovi, i cili në substancë na vuri në dijeni mbi punimet e plenumit të Komitetit të tyre Qendror për bujqësinë. Pasi foli për sukseset e arritura, ai tha se Bashkimi Sovjetik nuk do të blejë më nga vendet e demokracisë popullore as pije, as verë, as duhan.
Pastaj bëri një kërcënim në drejtimin e të gjithëve duke thënë se këto vende, domethënë demokracitë popullore, duhet ta prodhojnë vetë bukën dhe jo t\'i bien në qafë Bashkimit Sovjetik etj.
Në seancën e fundit, të cilën e drejtova përsëri unë, aprovuam me “unanimitet” komunikatën e përbashkët”.
Shtatë muaj më pas, pikërisht të shtunën e 10 shtatorit 1960, në ditarin e tij Enver Hoxha do të theksonte: “Hrushovi dhe kolegët e tij po e tregojnë çdo ditë e më shumë armiqësinë që ushqejnë prej kohësh ndaj nesh.
Për arsye të thatësirës katastrofale të sivjetme, me kohë u kemi kërkuar drithë sovjetikëve, bullgarëve, rumunëve. Sovjetikët na janë përgjigjur se do të na japin por një të pestën e sasisë së kërkuar, bile edhe këtë pas nëntorit.
Ky qëndrim i tyre do të thotë presion mbi ne.
Bullgarët na dhanë një të tretën e kërkesës, kurse rumunët, sido që sivjet eksportojnë drithë në Perëndim, nuk na dhanë asnjë kokërr”.
Pesë ditë më pas Enver Hoxha do të mbante shënim: “Kërkesa jonë për drithë u pranua nga Kina. Ajo na plotësoi gjithë sasinë e bukës që i kërkuam. Kurse Bashkimi Sovjetik e la popullin tonë pa bukë dhe këtë krim e bënë Nikita Hrushovi dhe Mikojani”.
Edhe kërcënim atomik
Në 16 nëntor 1960, në fjalën e tij në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë në mbledhjen e 81 partive komuniste dhe punëtore të botës, të mbajtur në Moskë, mes të tjerash Enver Hoxha tha: “Bile shoku Kozllov neve, shqiptarëve, na ka vënë këtë alternativë: ose bashkekzistencë, siç e kupton këtë ai, ose një bombë atomike nga imperialistët, e cila do ta bëjë hi Shqipërinë dhe asnjë shqiptar s\'do të mbetet i gjallë.
Një kërcënim të tillë atomik asnjë përfaqësues i imperializmit amerikan nuk ia ka bërë deri tani popullit shqiptar. Por ja që atë ia bën një anëtar i Presidiumit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”.
Disa kapituj më pas Hoxha vë në dukje: “Ne jemi të detyruar t\'i njoftojmë kësaj mbledhjeje se në fakt udhëheqja sovjetike nga kërcënimet për ta trajtuar Shqipërinë si Jugosllavinë titiste ka kaluar në veprime konkrete.
Sivjet në vendin tonë na kanë ngjarë shumë fatkeqësi të natyrës. Tërmet i madh ra te ne, në tetor pati përmbytje, por sidomos thatësira ka qenë e tmerrshme, 120 ditë vazhdimisht nuk ra një pikë shi. Gati i gjithë drithi u dogj. Popullin e kërcënonte uria. Rezervat shumë të pakta u konsuamuan. Qeveria jonë i kërkoi të blinte me urgjencë bukë Bashkimit Sovjetik, duke i shpjeguar situatën shumë të rëndë.
Kjo ngjau pas Mbledhjes së Bukureshtit.
Ne pritëm 45 ditë përgjigje nga qeveria sovjetike, kurse për popullin kishim vetëm 15 ditë bukë. Pas 45 ditësh dhe pas disa kërkesave të përsëritura zyrtare qeveria sovjetike, nga 50 mijë tonë që i kërkuam, na akordoi vetëm 10 mijë tonë, që do të thotë 15 ditë bukë, dhe këtë sasi do të na e livronte në muajt shtator-tetor.
Ky ishte presion i hapët mbi Partinë tonë për t\'iu përulur vullnetit të shokëve sovjetikë. Në ato ditë të vështira ne provuam shumë gjëra. A s\'kishte Bashkimi Sovjetik, që i shet drithë gjithë botës, t\'i jepte popullit shqiptar, besnik e vëlla i popullit sovjetik, besnik i marksizëm-leninizmit dhe i kampit të socializmit, 50 mijë tonë drithë, në një kohë kur jo për fajin e tij e kërcënonte uria?
Shoku Hrushov na kishte thënë dikur: “Mos u bëni merak për bukë, atë që ju konsumoni në një vit, te ne e hanë minjtë”.
Minjtë në Bashkimin Sovjetik, pra, mund të hanin, por populli shqiptar le të vdiste nga uria, derisa udhëheqja e Partisë së Punës të Shqipërisë t\'i nënshtrohej vullnetit të udhëheqjes sovjetike.
Kjo është e tmerrshme, shokë, por kështu është. Populli sovjetik nuk do t\'ua falë këtë, në qoftë se e merr vesh, pse kjo s\'është as marksiste, as internacionaliste, as shoqërore. Nuk është as miqësore, gjithashtu, që të mos pranohet kleringu ynë për të blete bukë në Bashkimin Sovjetik dhe të detyroheshim të nxirrnim rezervën e vogël të floririt të Bankës sonë Kombëtare për të blerë misër për bukën e popullit në Bashkimin Sovjetik”.
Enver Hoxha nuk manipulonte asnjë fakt dhe nuk gënjente. Një tërmet i fortë e pati tundur tokën në Korçë dhe rrethinat e saj në 26 maj 1960. U shkatërruan 1479 ndërtesa.
Në 2017 Instituti i Epërm për Mbrojtjen dhe Kërkimin Mjedisor në Itali do ta përcaktonte këtë vit si më të thatin pas kulmit të mëparshëm: 1961.
Për motin Italia dhe Shqipëria janë krejtësishttë ngjashëm.
Ndërkohë Hoxha nuk e përmendi në fjalën e tij në mbledhjen e 81 partive komuniste të botës se Josif Visarionoviçi qe sjellë krejt ndryshe. Do të saktësonte më pas, kur prej Moskës qe kthyer në Shqipëri, se “Në 1945 kur njerëzit tanë i kërcënonte uria, shoku Stalin urdhëroi anijet e mbushura me grurë të destinuara për popullin sovjetik, të cilët ishin gjithashtu në nevojë të madhe për ushqim asokohe, ta shkonin në fillim në Shqipëri”.
Kur Nikita Hrushovi nga 25 maji deri në 6 qershor 1959, për plot dhjetë ditë, bëri vizitën e tij në Tiranë, mes të tjerash Enver Hoxhës i pati thënë: “Në Gjeorgji duhen zhvilluar agrumet, vreshtat, frutat etj., në Ukrainë duhen zhvilluar drithërat. Ne tash kemi marrë vendime të tjera dhe i kemi hequr ato kultura që nuk zhvillohen, si për Gjeorgjinë dhe për vendet e tjera.
Kështu edhe në Shqipëri duhet të përhapen ato kultura që zhvillohen më tepër dhe që japin më shumë prodhim, si pambuku, agrumet, ulliri etj.
Kështu Shqipëria do të bëhet një kopsht i bukur dhe do të plotësojmë edhe nevojat e njëri-tjetrit”.
Sipas kujtimeve të Hoxhës, “Për vendin tonë - i thashë - ndër drejtimet themelore të zhvillimit të bujqësisë është ai i shtimit të drithërave të bukës. Buka gjithmonë ka qenë dhe mbetet problem i madh për ne. Për kultivimin e drithërave të bukës mos u bëni merak - ndërhyri menjëherë Hrushovi. Bukë mund t\'ju japim ne dhe sa të doni. Një ditë tejkalim plani në Bashkimin Sovjetik mjafton për të jetuar tre vjet Shqipëria”.
Vjen në Tiranë ambasadori i ri Moskës, nis largimi i specialistëve sovjetikë
Me fillimin e vitit 1961, në 12 janar, Enver Hoxha do të spikaste: “Sot u nënshkruan në Berlin marrëveshjet për zhvilhmin e marrëdhënieve tregtare në mes RP të Shqipërisë dhe RD Gjermane, protokolli vjetor për vitin 1961, marrëveshja me afat të gjatë për vitet 1961-1965 si dhe marrëveshja e kredisë për pesëvjeçarin e tretë”.
Në 18 janar: “Me anë të ambasadorit tonë në Moskë, shokut Nesti Nase, Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik iu dorëzua letra e Komitetit Qendror të Partisë sonë, në përgjigje të notës së qeverisë sovjetike disa ditë më parë mbi çështjen e marrëdhënieve ekonomike.
Letra jonë bën fjalë për presionin e paturpshëm që qeveria sovjetike po ushtron mbi Partinë dhe Qeverinë tonë, duke kërkuar që ne dërgojmë në Moskë një delegacion partie dhe qeverie të nivelit më të lartë, për të rregulluar çështjet e kredive sipas marrëveshjeve që janë vendosur dhe nënshkruar më parë nga delegacioni ynë i po atij niveli partie dhe qeverie.
...Duke kërkuar që ne të vemi në Moskë, Hrushovi synon të na bëjë presione ekonomike dhe të na diktojë vullnetin e pikëpamjet e tij antimarksiste. Me fjalë të tjera, ai, me kërkesën që bën, do të thotë “ose Kongresi juaj i 4-t duhet të zhvillohet në harmoni të plotë me ato që do t\'ju diktoj unë, ose marrëveshjet ekonomike që kemi nënshkruar më parë, nuk vlejnë më”...
Dy ditë më pas, në 20 janar, ditari i Hoxhës thotë: “Shokët e Partisë Socialiste Punëtore të Hungarisë vazhdojnë të tregojnë më hapët solidaritetin e tyre me qëndrimin e drejtë të Partisë sonë. Dje qeveria hungareze na njoftoi se për pesëvjeçarin e tretë do të na japë falas mallra të konsumit të gjerë në një vleftë prej 15 milionë rublash. Disa ditë më parë, kryeministri Ferenc Mynih, në mes të tjerash, i tha ambasadorit tonë në Budapest, se ne respektojmë shumë Shqipërinë dhe udhëheqjen e saj...
Sot erdhi ambasadori i ri sovjetik në Shqipëri, J.V. Shikin. Bashkë me të erdhi edhe këshilltari i parë i ambasadës që ka rangun e ministrit fuqiplotë”.
Të nesërmen, 21 janar 1961, Enver Hoxha shënon: “Sot qeveria sovjetike, nëpërmjet një nëpunësi e njoftoi ministrin tonë të Industrisë, Adil Çarçanin, se tërheq 20-25 specialistët sovjetikë që punojnë në sektorin e naftës, nën pretekstin se “u mbaroi afati i qëndrimit”.
... E njëjta gjë ngjet edhe rne një grup teknikësh ushtarakë në bazën e Vlorës...”
Shkarkim dhe pastaj ringarkim i vaporit rus në portin e Durrësit
Në 7 shkurt 1960, ndërsa ndodhej në Moskë, Enver Hoxha pohon se patën shkuar në ambasadën shqiptare “për të parë maketin dhe planet e Pallatit të Kulturës që do të ndërtohet në Tiranë.
Atje ishin dhe projektuesit sovjetikë.
Maketi i ekspozuar dhe projekti i Pallatit nuk na pëlqeu, prandaj i bëmë shumë vërejtje dhe dhamë porosi që të na sjellin në Tiranë projekte të tjera”.
Katërmbëdhjetë muaj më pas, në ditën e premte të 21 prillit 1961, Hoxha do të shkruante në ditarin e tij se “Më lajmëruan një veprim të poshtër. dhe paturpshëm të sovjetikëve.
Ata i dhanë urdhër vaporit që po shkarkonte në Durrës hekur e materiale të tjera për Pallatin e Kulturës në Tiranë t\'i ngarkojë ato përsëri dhe t\'i kthejë në Bashkimin Sovjetik...”
Ylli Polovina
Tiranë, më 8 qershor 2022
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|