Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
Libri “Shqiptarët me dy Hoxha”


Botuar në gazetën online “Orakujt e Tomorit” në 25 qershor 2022

Libri më i ri i Ylli Polovinës “Shqiptarët me dy Hoxha” në mbi njëqind e pesëdhjetë faqet e tij thyen rutinën e heshtjes dhe të censurimit nga historia jonë kombëtare të një fakti mjaft të veçantë: për dyzetë vite gjatë periudhës së komunizmit shqiptarët në të dy anët e kufirit me Jugosllavinë, i kanë udhëhequr dy bashkëkombës me të njëjtin mbiemër, Hoxha.
Enveri, që është jo vetëm më i njohuri, por edhe më i rëndësishmi i kësaj epoke, sigurisht me fajet por edhe me realizimet e veta, do të ketë në krah apo edhe rivalitet, si pikë bllokimi, por edhe bashkëpunimi me Titon, Fadil Hoxhën.
Ky i fundit për katër dekada do të udhëhiqte Kosovën, patjetër i ngarkuar me gabimet, por edhe me meritat e tij.
Libri, i shoqëruar me analiza plot interes me të cilat lexuesi njihet për herë të parë, është gjithashtu mjaft i pasur me episode të jashtëzakonshme, ku secili prej tyre vlen sa një libër më vete.
“Orakujt e Tomorit” me këtë rast po i njohim me një fragment nga “Shqiptarët me dy Hoxha”.



Beograd, takimi i mbrapsht në katin e tretë të Hotel “Madera”

Do të përfundonte beteja çlirimtare në të dy vendet, Jugosllavi dhe Shqipëri, dhe komunistët do të fitonin tërë pushtetin.
E para gjë që u kuptua menjëherë ishte se pas shuarjes së krismave të fundit të luftës perdja e ndarjes së trojeve shqiptare nga Konferenca e Londrës nuk do të ngrihej, por do të binte sërish.
Ai që do të ringrihej ishte vetëm muri i mosbashkimit.
Kjo e vërtetë e hidhur për të gjithë ata që shpresuan se Lufta e Dytë Botërore me fitimtarë sovjetikët, por mbi të gjitha anglo-amerikanët, e kishte të gjithë të drejtën dhe autoritetin t’i vinte disa gjëra në vend, mes tyre edhe Shqipërinë e plotësuar, do të bëhej e qartë në 8 shkurt 1945.
Ishte çliruar Jugosllavia, shumica e eurokontinentit po ashtu, por Hitleri qe gjallë dhe shteti i tij nazist do të mundej vetëm tre muaj më vonë, në 4 maj.
Në Beograd nguteshin të mos e zinte fitorja përfundimtare e aleancës antifashiste çështjen e Kosovës si një mundësi shkëputjeje nga Jugosllavia. Mos ikja e saj duhej bërë fakt.
Sipas librit me kujtime “Fadil Hoxha në vetën e parë” të Veton Surroit në 8 shkurt atë dhe Miladin Popoviçin (ato kohë sekretar i Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë e Rrafshin e Dukagjinit) e thirrën të vinin në kryeqytetin e Federatës.
Selia e Komitetit Qendror të PKJ në Beograd ndodhej në hotelin “Madera”.
Fadili dhe Miladini u ngjitën në katin e tretë dhe në fillim qenë Aleksandër Rankoviçi që u doli përpara dhe i priti.
Pastaj u bashkuan me ta edhe Milovan Gjilas, Zvetozar Vukmanoviç Tempo si edhe dy funksionarë të tjerë të lartë.
Kur dikush nga pjesëmarrësit pyeti çfarë po prisnin përderisa ende nuk kishin filluar bisedimet, u tha se pritej të vinte Eduard Kardeli.
Ky pati shkuar tek Tito për t’u marrë vesh për çështjen që do të diskutohej në atë takim.
Sipas rrëfimit të vetë Fadil Hoxhës, deri sa erdhi Kardeli, Gjilasi shqiptoi plot ironi fjalët “Jemi takuar këtu që të mashtrojmë dikë për Kosovën, siç ka bërë pushteti i vjetër jugosllav”.
“Të gjithë filluan të qeshnim, shkruan Fadili, kurse unë e ndjeva veten të fyer rëndë”.
Më pas vijon: “Erdhi Kardeli dhe tha: “Kam biseduar me Titon. Duhet ta përcaktojmë statusin e Kosovës. Kosova ka qenë e lidhur me KQ të PKJ-së.
Kemi marrë vendim që Komiteti Krahinor të lidhet me Komitetin Qendror të Serbisë.
Thotë: “Kosova e Metohi ka qenë e ndarë në tre banovina: Banovina e Moravës, Banovina e Zetës dhe Banovina e Vardarit.
Tash Kos-Met.
Nuk mund të mbetet kështu, ose t’i bashkohet ndonjërës prej republikave ose të ndahet në tri pjesë si në Jugosllavinë e vjetër.
Në fakt kjo nuk është zgjidhje për Kosovën. Kosova është e banuar me shqiptarë, është gjë normale që t’i bashkohet Shqipërisë, por në këtë situatë që jemi, forcat reaksionare në Qeverinë e Londrës, me çetnikë të shumtë në Serbi e Bosnjë, një veprim i tillë do t’i mobilizonte serbët kundër Jugosllavisë, prandaj tash për tash është e pamundur të bëhet kjo pa e rrezikuar vetë ekzistencën e Jugosllavisë.
Duhet të shikojmë si është më së miri ta zgjidhim këtë”.
Sipas rrëfimit në vetë të parë të Fadil Hoxhës, Kardeli paska thënë, në vazhdim të direktivës që mori tek zyra e Josip Broz Titos se “shumë po më interesojnë çfarë mendojnë shokët e Kosovës për këtë çështje”.
E kishte marrë fjalën dhe në reagimin e tij Miladini ishte shprehur se Kosova më parë administrativisht qe lidhur me Malin e Zi e me Sanxhakun.
Por kishte shtuar: “Lidhjet me Malin e Zi kanë qenë të dobta, prandaj edhe komiteti ynë krahinor u lidh me KQ të PKJ”.
Popoviç më pas pati argumentuar që Kosova të mos i bashkohej as Malit të Zi dhe as Maqedonisë, sepse këto dy territore republikane kishin shqiptarë.
Konkretisht ai u shpreh: “Në Kosovë, përveç shqiptarëve, më së shumti ka serbë. Nga ana tjetër, për nga tradita e së kaluarës, kishat me mitin e Kosovës.
Serbia është vendi më i zhvilluar i Jugosllavisë. Ndoshta është më mirë të lidhet me të”.
Pas kësaj Eduard Kardeli i qe drejtuar Fadil Hoxhës, i cili heshtëte: “Çfarë po mendon ti?”
Fadili, gjithnjë sipas pohimit të tij të shkruar në librin e kujtimeve, qenka përgjigjur me fjalët “Në qoftë se ka vendosur KQ i PKJ-së që të lidhemi me njërën nga komittet e këtyre republikave, dakord.
Por ne gjatë luftës e kemi shtruar, edhe tani shtrohet çështja se çfarë do të bëhet me Kosovën.
Kemi thënë se Kosova është e banuar me shumicën shqiptare, duhet t’i bashkohet Shqipërisë.
Edhe gjatë luftës, edhe tani, nuk i kemi dhënë rëndësi kufijve.
Në qoftë se fitojnë forcat revolucionare në Shqipëri, në bazë të parimit të vetëvendosjes Kosova t’i bashkohet Shqipërisë.
Në qoftë se fitojnë forcat reaksionare, atëherë jemi aty ku kanë fituar forcat revolucionare”.
Reagimi i Kardelit ishte ky: “As nuk dihet se si do të bëhet puna e Shqipërisë.
Edhe anglezët po kqyrin të zbarkojnë në Shqipëri. Duhet të jemi mjaft të kujdesshëm.
Pastaj, në qoftë se është puna e copëtimit, do të krijojmë një pakënaqësi të madhe te shqiptarët, por edhe te serbët.
Edhe malazestë nuk besoj se dëshirojnë t’i bashkohen Maqedonisë, duke e pasur Serbinë.
Në anën tjetër, me qenë se shumica e popullsisë në Kosovë, pas shqiptarëve, janë serbë, jam dakord me Miladinin që tash për tash, ndonëse zgjidhje e përkohshme, të jemi të lidhur me Serbinë”.
Kështu fitoi në Beograd teza e Miladin Popoviçit.
Ajo pati triumfuar në Shqipëri për tri vite rresht, deri në prag të çlirimit.
Me të, Miladinin, ishte dhe mbeti mik i ngushtë i deklaruar deri në fund të jetës së tij, Enver Hoxha.
Atëherë përse na qenka Fadil Hoxha bashkëpunëtori i Enverit dhe dhe jo, më parë se të pohohet kjo gjë, ishte Hoxha i Tiranës krahu i djathtë i Miladinit?
Mirëpo në superdosjen e shërbimit të fshehtë jugosllav të vitit 1984 me akuza për Fadilin ngulet këmbë se Enver Hoxha pati bashkëpunuar me të për vrasjen e Popoviçit në 13 mars 1945 në Prishtinë, as më shumë se një muaj më vonë nga takimi në selinë e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Jugosllavisë në Hotelin “Madera”!?

Telegrami i fshehtë i Koçi Xoxes për Aleksandër Rankoviçin

Duke treguar takimin e 8 shkurtit 1945, bërë në hotelin “Madera”, ku ndodhej atë kohë në Beograd selia e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave, Fadil Hoxha shkruan se aty iu caktuan detyrat për të bindur, për vendimin e bashkimit të Kosovës me Serbinë, fillimisht kuadrot shqiptare dhe vetëm më pas të shkohej në popull.
I ndodhur ende nën trysninë psikologjike të asaj që ndodhi papritur në katin e tretë të Hotel “Madera”, shkruan më tej: “Sa i përket statusit për Kosovën republikë nuk kemi pasur mendim jo vetëm ne, por as ata.
Tash për tash kështu e më vonë Kosova mund të bashkohet me Shqipërinë.
Shumë kohë kemi menduar dhe kemi pasur iluzione.
Kemi menduar për federatën ballkanike dhe se në kuadër të saj do të zgjidhej edhe çështja e Kosovës”.
Pohon po ashtu: “...nuk kemi besuar se mund të ketë kufij të fortë ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë.
Në fillim kufij nuk kemi pasur.
Kalonim kufirin pa dokumente, por më vonë kufiri u forcua”.
Pastaj Fadil Hoxha tregon se kur mbaroi mbledhja në katin e tretë të Hotel “Madera”, atë dhe Miladinin krerët e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Jugosllave e kanë ndalur dhe u kanë thënë se do t’u jepnin disa dekorata shokëve të Kosovës.
Ndërkohë u vunë edhe një kusht: ata dy nuk duhej vetë të mbushnin biografitë e tyre.
Të rikthyer në Prizren, sapo i shkruan jetëshkrimet e të tjerëve dhe ua dërguan, nga Beogradi erdhi edhe tufa e “Dekorata e çlirimit popullor”.
Kishte dy edhe për ta.
Në qershor eprorët e Beogradit i propozuan Fadil Hoxhës që të ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ky institucion i ri i kreu punimet themeltare në datat 8-18 korrik 1945.
U mbajt në Prizren, sepse ende Prishtina nuk qe caktuar kryeqyteti i krahinës.
Shkruan Fadili tek libri i tij i kujtimeve: “Në mbledhje kam folur. Ajo që ka qenë karakteristike ka qenë se të gjitha gjërat janë pranuar njëzëri.
Është interesante se të gjithë delegatëve që kanë qenë në Konferencë, ua kemi dërguar edhe materialet e Bujanit dhe materialet-raportin se çfarë është punuar prej Bujanit deri në Konferencë, çfarë ka punuar Këshilli Nacionalçlirimtar dhe konkluzionet që të aprovohet puna e deriatëhershme.
Diskutimi është zhvilluar dhe është miratuar raporti i Pavlit.
Pavli (Joviçeviç-shënimi ynë) është zgjedhur sekretar i Këshillit.
Japim në diskutim deklaratën se do t’i bashkohemi Republikës së Serbisë.
Njëzëri pranohen të gjitha dokumentet”.
Menjëherë pas kësaj: “Të gjithë anëtarët e Bujanit kanë qenë aty e të gjithë janë pajtuar”.
Shpjegimi i tij për këtë: “Kjo domethënë se nuk kemi qenë të ngarkuar me çështjen e kufijve, as në Bujan dhe as në Prizren.
Kemi menduar pa rezervë për çështjen nacionale dhe ndërshtetërore.
Kemi pasur bindje të thellë se marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë kurrë nuk do të prishen, por, përkundrazi.
Në Prizren, në Konferencë, jemi shumica shqiptarë”.
Pohimi tjetër i Fadil Hoxhës: “As Shqipëria nuk bëri ndonjë reagim”.


Takimi sekret në Tiranë

Do të duhej të rridhnin jo më tepër se ditët e dy muajve që ky qëndrim i Shqipërisë së pasçlirimit t’i bëhej fare i qartë, Fadil Hoxha ta shihte me sytë e tij.
Dosja sekrete e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe e Sekretariatit për Punët e Brendshme të Republikës Socialiste të Serbisë me titullin “Inspiratorët dhe bartësit e nacionalizmit dhe të irredentizmit shqiptar”, duke e akuzuar se ishte njeriu i Enver Hoxhës, ngul këmbë që Fadili “I ka shkruar, por pas luftës edhe gojarisht e ka informuar se shqiptarët po vuajnë nën pushtetin e ri më keq se në kohën e Jugosllavisë së vjetër...le të vijë kushdo qoftë, vetëm të na hiqet nga qafa Jugosllavia...etj”.
Po ashtu raporti i spiunazhit serb përsërit se “Në këtë periudhë të lëvizjeve të ndërlikuara politike në Jugosllavi (Rezolutës së Byrosë Informative, presionet mbi Jugosllavinë, Kriza e Triestes, ndërprerja e marrëdhënieve me Shqipërinë etj.) për shkak të informimit të pautorizuar të Enver Hoxhës mbi “vuajtjet” e shqiptarëve në Jugosllavi, Fadil Hoxha sërish u ndodh para kritikave të Partisë.
Në mënyrë të pakontestueshme është konstatuar se Fadil Hoxha, sipas marrëveshjes me Enverin, në mënyrë të vazhdueshme “nga kthimi nga Shqipëria” e ka informuar atë për të gjitha ngjarjet e rëndësishme në Kosmet”.
Ajo “provë” që e bën raportin i shërbimit të fshehtë jugosllav të mburret se i vjen prej burimesh të sigurta ka të bëjë me takimin e Fadilit me Enverin në shtator 1945.
E konsideron atë të mirëfilltë si një kontakt agjenturor.
Si e tregon këtë ngjarje vetë Fadil Hoxha?
Në librin e tij të kujtimeve ai dëshmon se pas zgjedhjes së kryesisë dhe Këshillit Ekzekutiv të Kosovës, pra në korrik 1945, nisi rindërtimi i krahinës.
Shkruan se për rregullimin e rrugëve dhe të urave të saj u dha ndihmë të madhe Republika e Serbisë e sidomos ushtria dhe rinia e saj.
Ndërkohë ishte problem i mprehtë kuadri arsimor dhe tekstet mësimore, të cilat duhej të qenë në gjuhën shqipe.
“Vendosëm të dërgonim një delegacion në Tiranë, shkruan, dhe atje të kërkonim që të na jepnin libra, mësues e shkronja për shtypshkronjën “Rilindja”, sepse në vendin tonë asesi nuk mund t’i gjenim shkronjat e nevojshme shqipe.
Në Komitetin Krahinor dhe në Këshillin Ekzekutiv Krahinor u morëm vesh që në delegacionin për në Tiranë të shkonim unë dhe Zeqeria Rexha, i besuari i Arsimit dhe i Kulturës në Këshillin Ekzekutiv Krahinor”.
Vijon dëshminë e tij Fadil Hoxha: “Për në Tiranë u nisëm nga fundi i shtatorit 1945, data e saktë nuk më kujtohet. Më parë shkuam në ambasadën jugosllave. Të ngarkuarin me punë Velimir Stojniq dhe sekretarin Nijazi Dizdareviq e informuam për qëllimin e vizitës sonë dhe iu lutëm të na ndihmonin të vinim në kontakt me kompetentët për të.
Shokët nga ambasada na organizuan takime me përfaqësuesit e pushtetit dhe të Partisë.
Atëherë marrëdhëniet mes vendit dhe Shqipërisë ishin të shkëlqyeshme.
Na pritën, pos ministrit të Arsimit, edhe shokë më përgjegjës nga pushteti e Partia dhe vetë Enver Hoxha. Ishin dashamirës”.
Pastaj Fadili saktëson: “Ndërkaq, Zeqiriai dhe Enveri e njihnin njëri-tjetrin, sepse bashkë kishin mësuar në Liceun e Korçës.
Me mua u takua atëherë për herë të parë, mirëpo nëpërmjet bashkëpunimit të PKJ-së me PKSH-në në luftën e përbashkët NÇ mjaft e njihnim njëri-tjetrin”.
Pasi të dërguarit e lartë nga Kosova e kishin informuar për nevojat për tekste dhe nevojën për të paktën dyqind mësues, Enver Hoxha u qe përgjigjur se edhe atyre u mungonin mësues, po gjithsesi do t’i ndihmonin.
Zeqiria pati shpjeguar se cilat lloje tekstesh u mungonin në Kosovë dhe i kujtoi se në depon e Ministrisë së Arsimit që në kohën e Italisë, kur pati punuar aty, ndodhej edhe një shtypshkronjë jashtë përdorimit, e vjetër, por që kompletin e shkronjave të plumbta e kishte të patrazuar.
Enver Hoxha, shkruan Fadil Hoxha, “U ngrit, mori telefonin dhe bisedoi me ministrin e Arsimit, duke i thënë tërë ato që duhet të na ndihmonte.
Pas bisedës u kthye nga ne dhe dhe na tha se çdo gjë do të jetë në rregull...”.

Dy orë pa pushim, por çfarë i thanë njëri-tjetrit?

Kur u duk sikur takimi përfundoi dhe dy bashkëkombësit e lartë nga Kosova do të largoheshin, Enveri shqiptoi fjalët “Por ti Fadil ulu dhe pak të bisedojmë”.
“Porositi edhe nga një kafe, shkruan ky, dhe filloi të pyeste për shëndetin e Salo Muratit (pseudonimin e Dushan Mugoshës)), Palokës (nofkë e Pavle Joviçeviçit), Stapit (i Ismet Shaqirit), u zhvillua biseda për luftën dhe ndihmën e madhe të cilën u kishin ofruar Miladin Popoviqi dhe Dushan Mugosha gjatë LNÇ-së, për bashkëpunimin jashtëzakonisht të mirë të udhëheqjes shqiptare me KQ të PKJ-së, posaçërisht theksoi rolin e shokut Tito.
Për të foli me fjalë të zgjedhura, si për një komunist të madh, për komandant të famshëm luftarak dhe për një burrë shteti të kalibrit botëror”.
Sipas rrëfimit të Fadil Hoxhës, ky e ka dëgjuar me vëmendje Enverin dhe, kur ai fliste, e ka ndërhyrë tepër rrallë.
Kur i është dashur të komunikojë qëndrimin e tij për Josip Broz Titon është shprehur po kaq mirë.
Madje e përcaktoi fat të madh jo vetëm për popujt e Jugosllavisë, por edhe të Ballkanit.
Enver Hoxha, pasi qe pajtuar me konstatimin e Fadilit, tha “se për ta ishte shumë e rëndë të mbaheshin për shkak të presioneve të brendshme të reaksionit, posaçërisht për shkak të presionit të Anglisë dhe Amerikës, pa përkrahjen e sinqertë, të cilën u ka ofruar udhëheqja jugosllave. Foli edhe për situatën në Shqipëri, për atë çka bëjnë ata për t’i shëruar plagët, të cilat u ka shkaktuar lufta, për vështirësitë të cilat kishin me ushqimin e popullatës.
Foli gjatë edhe për rezistencën e organizuar që po bënin ballistët dhe armiqtë e tjerë, si edhe kleri katolik, i cili ishte lidhur me bajraktarët reaksionarë dhe me krerët e fiseve të tjera në Malësinë e Shkodrës dhe në Mirditë si edhe në disa vise të tjera të izoluara, ku PKSH nuk kishte arritur ende të depërtonte”.
Pasi i pati rrëfyer Fadil Hoxhës edhe pamje të tjera të gjendjes në Shqipëri Enveri e kishte pyetur: “Si po shkojnë punët tek ju, si po zhvillohet lufta juaj?”
Kjo që pasoi, përgjigja e Fadilit, është edhe pjesa më e akuzuar nga shërbimi i fshehtë jugosllav.
Për ta këtu ndodhet i shtrirë sa gjerë-gjatë edhe krimi kundër Federatës, prova e sigurt se Hoxha i Kosovës në mënyrë të ndërgjegjshme punonte për qëllimin e PKSH dhe të shefit të saj që të dy trojet të bashkoheshin.
Pasi pati folur shumë mirë për Jugosllavinë e re dhe atmosferën pozitive të bashkim-vëllazërimit, për raportet mjaft pozitive me Serbinë, Fadil Hoxha, gjithnjë sipas asaj që shkruan në librin e vet të kujtimeve, u shpreh se “tek ne armik janë edhe nacionalizmi dhe irredentizmi shqiptar, por janë mjaft aktivë edhe nacionalizmi dhe shovinizmi malazias e serb.
I thashë se te shqiptarët e Kosovës është i pranishëm irredentizmi”.
Gjatë bisedës të dy Hoxhat pranuan se në luftën me kundërshtarët janë bërë edhe gabime, madje qenë pushkatuar edhe të pafajshëm.
“Kështu edhe u mbyll biseda, e cila ka zgjatur afro dy orë”, shkruan Fadil Hoxha.
Duke u ndarë, Enveri përsëriti edhe njëherë se për tekstet shkollorë dhe mësuesit çdo gjë do ishte në rregull, pastaj u dërgoi të fala disa drejtuesve të Kosovës, mes tyre që në fillim Dushan Mugoshës si, edhe mes të tjerëve, edhe Bije Vokshit.
Në vijim Fadili pohon se Enver Hoxha “Edhe njëherë shfaqi simpati të madhe për Jugosllavinë, për KQ të PKJ-së dhe posaçërisht për shokun Tito”.
Pastaj ai jep këtë gjykim për çfarë i ndodhi në bisedën kokë më kokë me Enverin: “Pritja e këtillë e përzemërt dhe biseda e hapur ishin normale, sepse ajo ishte koha e marrëdhënieve shumë miqësore ndërmjet Jugosllavisë dhe Shqipërisë”.
Më tej (ndiqeni me vëmendje) thuhet: “Gjithashtu përzemërsisht më pritën të gjithë udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë nga Koçi Xoxe e Mehmet Shehu e deri tek shokët e mi të paraluftës...
Kjo ishte hera e parë që jam takuar dhe kam biseduar me Enver Hoxhën dhe Koçi Xoxen. Më erdhi mirë që Enveri aq gjatë bisedoi me mua dhe që Koçi Xoxe më shtroi drekë”.
Pasi pohon se në Tiranë, pas bisedës me Enver Hoxhën, qëndruan edhe dy apo tri ditë, i ngarkuan tekstet mësimore dhe arkat me shkronja në kamionë dhe u kthyen në Prizren.
Këtu e njohën Këshillin Ekzekutiv Krahinor dhe Byronë e Komitetit Krahinor të PKJ-së për Kosovë e Metohi për çfarë patën kryer në Shqipëri.
E papritura ndodhi shumë shpejt, ndërsa ndërkohë nga Tirana dhe qytetet e tjera filluan të vinin në grupe të vogla mësuesit vullnetarë që i patën kërkuar Enver Hoxhës.
Shkruan Fadili: “Pas disa ditësh, diku nga fillimi i tetorit 1945, Gjoka Pajkoviqi, Sekretar i Komitetit Krahinor, më informoi me telefon dhe më tha që nëse kisha kohë të shkoja tek ai që të bisedonim diçka”.

Spiunim më anë të librit “Titistët”

Në librin e tij me kujtime “Fadil Hoxha në vetën e parë” ky i fundit ngulmon se në fillim të tetorit, pasi e ftoi Gjoka Pajkoviçi t’i vinte në zyrë, shkoi menjëherë.
Aty gjeti edhe Spasoje Gjakoviçin, shefin e shërbimit të fshehtë jugosllav në Kosovë.
Gjoka në thelb i komunikoi këto fjalë: “Fadil, Spasoja ka marrë një farë telegrami nga Tirana, në të cilin thuhet se shokut Enver Hoxha i je ankuar për gjendjen në Kosovë dhe Metohi”.
Fadil Hoxha tregon më pas se e kundërshtoi këtë akuzë si të pavërtetë.
Në fund pati shqiptuar: “Nga kushdo që ka arritur ai telegram, nuk mund të ketë vërejtje, biseda ka qenë e hapur e informuese dhe shoqërore.
Bisedë të ngjashme, por më të shkurtër kam pasur edhe me Koçi Xoxen, Mehmet Shehun dhe Kristo Themelkon në drekat dhe darkat, të cilat na i shtruan.
Ata hollësisht më kanë njoftuar për gjendjen në Shqipëri.
Të gjitha ato takime kanë qenë miqësore, ndërsa bisedat të hapura”.
Po Spasoja menjëherë i paska thënë: “E po, megjithatë nuk është dashur që me të të bisedoje për dobësitë dhe gabimet tona.
Ai është udhëheqës i një shteti tjetër”.
Këtë çast Gjoka Pajkoviçi ka ndërhyrë: “Më duket se mirë bëri që Spasoja na njohu me atë telegram, sesa ta kishte mbajtur për vete, e të mbetej enigmë për atë bisedë në Tiranë.
Për këto gjëra më mirë është të bisedohet dhe të sqarohen, sesa të errësohen”. Pa ia kërkuar njeri, një çast shefi i shërbimit të fshehtë jugosllav në Kosovë, ka pohuar: “Nuk mund t’jua tregoj burimin e atij telegrami, por edhe unë kam menduar se më mirë është që të dyve t’ju njoftoj për përmbajtjen e tij, sesa të mbeten paqartësi lidhur me të”.
Kështu kjo çështje u mbyll me kaq.
Për t’u rizgjuar në dhjetor 1984 në raportin konfidencial të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe të Sekretariatit Republikan i Punëve të Brendshme i Republikës Socialiste të Serbisë.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com