|
Libri “BERAT, O ZEMËR”
Libri “BERAT, O ZEMËR”
Fragment nga libri
KODI I MUZAKËS
Emri i fushës më të madhe shqiptare dhe
njërës më të spikaturat në Ballkan,
Myzeqesë, u krijua dhe mbeti në sajë të mbiemrit të
pronarëve të saj në Mesjetë, të Muzakajve, familjes
princërore të Beratit.
Ky qe momenti më kulmor i lidhjes fizike, por
edhe shpirtërore të banorëve myzeqarë dhe të
beratasve.
Duke e kuptuar kështu e kemi më të lehtë të
vëmë në pah një dukuri të veçantë të këtij raporti
bashkëjetese të ngushtë: dekalogun e Gjon
Muzakës.
Në 1510, i ndjekur nga turqit për t’u kapur
rob dhe vrarë bashkë me familjen e tij, mes
shumë rreziqesh më në fund i emigruar në Napoli
të Italisë, princi i Beratit dhe i Myzeqesë, me
shtrirje pronësore nga afër Korçës (Opar) dhe deri
në Kostur, Gjon Muzaka, hartoi një përkujtesë
testament për fëmijtë e tij.
E nisi me këtë fjali, e cila duket mirëfilli filozofi:
“Gjithçka nën këtë diell është e kotë”.
Fjalia e dytë: “Ejani bijtë e mi e mbani vesh:
do t’ju mësoj si të druani Zotin”.
Fjalia pasardhëse është akoma më shumë
filozofike: “Zoti e mban vështrimin nga njerëzit e
mirë dhe veshët nga lutjet e tyre”.
Më tej plotëson: “Ndërsa fytyrën e kthen nga
keqbërësit, që t’i zhdukë nga faqja e dheut”.
Në vijim: “Kur të mirët iu drejtuan zotit, ai i
dëgjoi ata dhe i çliroi nga të gjitha vuajtjet”.
Pas kësaj Gjon Muzaka rrëfen një episod, i
cili është më shumë se një mesazh thelbësor për
sjelljen e kujtdo në jetë: “Pirrua, mbret i Epirotëve,
mbante një unazë me këtë mbishkrim: të fortin
nuk e shpërblen sa duhet edhe sikur botën mbarë
t’i japësh, të dobëtin nuk e ndëshkon sa duhet,
edhe sikur jetën t’ia marrësh”.
Gjon Muzaka tashmë, pas këtyre urtësive të tij
që i përbëjnë botëkuptimin filozofik si person dhe
jo patjetër të ngjashëm me atë të të tjerëve, nis
paraqitjen e dhjetë parimeve konkrete të veprimit
të individit në shoqëri.
I pari paraqitet ky: “Është më i nderuari ndër
të nderuarit ai që goditet prej fatit, pa patur
faj, dhe është më i poshtri ndër të poshtër ai që
përkëdhelet nga fati pa e merituar”.
I dyti parim: “Atë çka mund ta bëni me të mirë,
mos e bëni me të keq”.
I treti: “Dhe atë që mund ta arrini me paqe,
mos e kërkoni me luftë”.
I katërti parim që Gjon Muzaka i Beratit ua
përcjell bijve të vet si kod të detyrueshëm sjelljeje
në jetë është: “Atë ç’ka mund ta fitoni duke e
kërkuar, mos e humbni duke kërcënuar”.
I pesti: “Atë ç’ka mund ta ndreqësh pa bërë
zhurrmë, mos e ekspozo në publik”.
I gjashti kod sjelljeje shoqërore në rrafsh
publik: “E ka bërë mirë detyrën ai prind që lë pas
një fëmijë të ditur, por të varfër, dhe nuk e ka
bërë detyrën ai tjetri që lë pas një fëmijë të pasur,
por budalla”.
I shtati: “Ka më shumë vlerë një ndihmë e
vogël, por e ardhur në kohë, se sa një e madhe,
por që mbërrin me vonesë”.
I teti: “Njeriu që arrin të bëhet tiran i madh me
forcë, meriton të kthehet në skllav me drejtësi”.
I nënti parim: “Nuk mjafton që një person të
jetë i mirë, është e domosdoshme që ai të ndreqë
gjërat që kanë marrë për keq”.
I dhjeti kod i dekalogut të princit Gjon
Muzaka, lënë në testamentin pronësor fëmijëve
të tij, është: “Në këtë jetë njeriu duhet të vërë në
punë mendjen, sepse lumturia është një mall
hua, kurse fatkeqësia është pasuria e natyrshme
e tij”.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|