Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

ARRATISJA E KOMITETIT QENDROR TË BALLIT KOMBËTAR
HANA E KËLCYRËS QË DEL NË VJENË
NË BURG, 1996
AEROPORT LUFTARAK 1997
ARBËRESHËT, MONUMENTI I LOTIT
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
VRASJA E NJË LEJLEKU Sepse rrinte me të burgosurit politikë


PASQYRA E LËNDËS

Provo të dashurosh një gjermane!
Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 20 qershor 2010

Një nga ata, borgjezët
Botuar në gazetën “Shqip”, më 23 dhjetor 2010

Si Enver Hoxha u sponsorizua të krijonte një parti nacionalsocialiste jo komuniste
Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 29 nëntor 2018

Si nuk u takuan kurrë Eqrem Vlora, gruaja dhe dy vajzat e tij
Botuar në “Gazeta Shqiptare” më 21 mars 2014

Vrasja e lejlekut
Botuar në gazetën “Shqip” më 25 dhe 26 tetor 2015

Shtator 1943, vrasja në Berat e deputetit Hysni Toska nga një mafie lokale komunisto-balliste
Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 2 dhe 3 korrik 2018

Historia e një persekutimi politik absurd, në tre breza
Botuar në “Shqiptarja.com në 8, 9 dhe 10 shtator 2018

17 shtator 1947, Bedri Spahiu e vrau me shkelma, pastaj i zhdukën trupin dhe i nxinë biografinë
Botuar në “Shqiptarja.com” në 22 shtator 2019

Provo të dashurosh një gjermane!

Në Berlin apo në Mynih, në Dresden apo Laipcig, kupton që femrat gjermane kanë një adhurim të posaçëm për shqiptarët.
Kjo do të thotë se ato i pëlqejnë veçanërisht edhe si meshkuj, jo vetëm sepse për një traditë të vjetër të atij populli, në Ballkan ata duan më shumë etninë tonë të arbërve.
Për një femër gjermanike shqiptari është një mesdhetar me shtat të fortë, me lëkurë të rrahur e thekur nga dielli, plot temperament dhe me një burrëri që e përzierë me ca vrazhdësi e bën joshës para seksit tjetër.
Kështu ka ndodhur që martesat më të shumta të shqiptarëve me të huajat nuk janë ato me francezet, anglezet apo edhe kanadezet, madje as me italianet e greket, por me gjermanet.
Kjo ka ndodhur edhe në vitet njëzetë e tridhjetë të shekullit të shkuar, por edhe në pesëmbëdhjetë vitet e para të diktaturës, deri në çastin e ndarjes ideologjike që regjimi i Tiranës kreu me të gjithë të quajturin “kamp socialist” të Evropës Lindore.
Kur pas rënies së atij sistemi politik letërsia artistike apo dokumentare u ndje më shumë e vëmendshme në rrëfimin e historive të dashurive dhe martesave të shqiptarëve me ruset, kjo ndodhi jo thjesht sepse për një periudhë të ngushtë të asaj dekade e gjysme miqësie zyrtare ato qenë numerikisht më të shumtat, por edhe nga që ishte krijuar përshtypja se ato lidhje shpirtërore prej “arsyeve shtetërore” në Tiranë e Moskë qenë prishur më dhunshëm.
Kështu pa dashje dhe pa asnjë paragjykim u harruan gjermanet, dashuritë e tyre nga më prekëset dhe më të sinqertat me shqiptarët.
Rikthimi tek rrëfimi i tyre mbase nuk është një punë e kotë.
Ca më shumë që për hir edhe të lidhjeve kohëgjata të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë dhe të Malit të Zi, që prej shtatë dekadash emigrues në Gjermani, tanimë janë me qindra këto martesa dhe me mijëra fëmijë gjermano-shqiptarë.
Madje në disa raste bashkëkombës nga Kosova ja kanë dalë të kenë një bashkëshorte të etnisë së vet të lënë në vendlindje dhe në tokën e famshme të gotëve një tjetër, gjermane, në krah apo në dhomën e gjumit.


Quhet Waltraud. Mbiemrin e prindërve e ka Tunger.
Qenë familje punëtore nga Khemnitz, qytet i atëherë Gjermanisë Lindore.
Në shkollën tetëvjeçare kishte ëndërruar të bëhej kopshtare ose laborante në uzinën Fettchemie të lagjes së saj në Kappel.
Pasi pati bërë një vit shkolle të mesme në Leipzig e dërguan për studime të mëtejshme në Institutin Ekonomik Shtetëror të Moskës, në Fakultetin e Ekonomisë Bujqësore. Po i afrohej realizimit të ëndrrës së saj dhe pasi të mbaronte vitet e shkollimit moskovit menjëherë do të rikthehej në atdhe.
Mirëpo i doli përpara një student nga Shqipëria.
Ishte nga krahina me emrin Skrapar dhe djalë simpatik. Vazhdonte në Moskë studimet në të njëjtin institut.
Të vetëm përballë njëri-tjetrit qenë takuar afër daljes së metrosë “Sokolniki” një mbrëmje dimri dhjetori, viti 1953.
Në një nga librat e saj me kujtime Waltraud shkruan: “Me etje thitha ajrin e freskët. Në bibliotekën e Institutit kisha ndenjur gjatë mbi libra. Qëndrova e pavendosur me çantën plot libra dhe mendova: të hipi në tramvaj apo më mirë të shkoj më këmbë në konviktin tonë “Stromynka Nr. 32”.
Në atë çast u dha Ilmiu, që më përshëndeti dhe më ofroi të më mbante çantën.
Dëbora kishte shtruar goxha dhe vazhdonte të binte ngadalë.
Ishte një bukuri e vërtetë!”
Gjashtë vite më vonë prej këtij çasti, në 26 gusht 1959, ndërsa Waltraud Tunger qe rikthyer të punonte në vendlindjen e vet, i ati e shoqëroi deri në Berlin, ku prej aeroportit Schönefeld do të niste fluturimin drejt të panjohurës, Shqipërisë.
Ndërsa hipi në avion nuk mund ta dinte se për arsye ideologjike Shqipëria do të vetëmbyllej hermetikisht edhe me “kampin socialist” dhe ajo nuk do të komunikonte dhe as nuk do t’i shihte dot prindërit e vet deri sa ata të ndërronin jetë.
Shenja që po hynte në një pjesë të trazuar të jetës së saj iu paratha që atë ditë.
Kishte pothuaj gjashtëdhjetë minuta që po fluturonin, ishte ora 14.00, kur befas avioni filloi të bënte një kthesë të fortë. Për shkak të ndryshimit të shpejtë të drejtimit të fluturimit pasagjerëve iu morën mendtë dhe nga zhurma e sforcuar e motorëve nisën t’u buçitnin veshët.
Në bord u shfaq stjuardesa që u kërkoi ndjesë.
Tha se u duhej te ktheheshim për në Budapest.
Duke qenë se po fluturonin drejt Tiranës Jugosllavia nuk u kishte dhënë lejen për të kaluar mbi territorin e saj. Tensioni i marrëdhënieve Beograd-Tiranë kishte rënë si shkreptimë e parë politike mbi martesën e saj, ngjarjen më të bukur që deri atëherë pati ëndërruar.
Mundi të vijë tek bashkëshorti i ardhshëm vetëm të nesërmen, më 27 gusht, dhe pas fare pak kohësh qëndrimi në Tiranë puna e saj e parë që do ta priste, ishte transferimi në Fier.
Shkolla ku të dy që do qenë mësues gjendej në periferi të qytetit.
Makina nuk kishte, ca më pak nuk funksiononte në atë drejtim ndonjë shërbim urban. Kështu përdorën një biçikletë që kishin.
Në fillim hipte mbi të Waltraud dhe pasi bënte një copë udhë e linte buzë rrugës, duke vijuar më tej më këmbë. Ndërkaq i nisur me këmbë pas pak Ilmiu merrte biçikletën dhe e arrinte Waltraud duke kryer edhe njëqind metra më tutje.
Pastaj e linte biçikletën buzë rruge dhe vijonte pa të.
ur gjermanka mbërrinte deri tek dyrrotëshi, i hipte dhe vraponte me të përpara.
Kështu deri sa mbërrinin në shkollë.
Ndihej e gëzuar gjithsesi. Shkonte shumë mirë me shqiptarët. Ata e thërritnin miqësisht Vala!
Shumë më pas gjermania Waltraud do të punonte në Radio-Tirana, në redaksinë për të dëgjuesit e huaj. Në 16 janar 1976 bashkë me të shoqin, të larguar nga Komisioni i Planit të Shtetit dhe të emëruar papritmas në një degë banke në qytetin e Kukësit, do të niseshim për në veri.
Do të shkruante në një nga botimet e saj: “Arritëm në Kukës në errësirë...Rruga s’kishte të sosur. Herë pas here zbrisnim nga makina për të shpirë këmbët, po futeshim përsëri me vrap se nuk duronim dot të ftohtit....Në Kukësin e Ri...ulërinte një furtunë e tmerrshme.
Ajo na hapte rrobat, pallton, sikur donte të na zhvishte.
Ne kruspulloseshim, mbështilleshim, thuaj në atë çast përlesheshim me të....
Kur hapëm spondin e makinës nga të ftohtit gjethet e të gjitha luleve u zgërlaqën. Unë s’kisha kohë t’i qaja lulet e mia. Tani nevojiteshin krahë të fortë, që të ngrinin plaçkat në apartamentin tonë, në katin e dytë.
...Orenditë tona ishin të thjeshta....
Ne s’kishim komplet kolltukësh, por kishim një televizor, një frigorifer dhe një lavatriçe gjysmë automatike. Kishim një krevat dopio dhe një dollap rrobash si dhe një etazher dhe shumë libra.
Kisha edhe një makinë qepëse të sjellë nga Moska, një makinë shkrimi, mjeti më i çmuar për mua, që ma kishin sjellë prindërit.
Përveç këtyre kishim edhe një bufe të fortë që u mbijetoi 7 transportimeve...
Nga korrenti që u krijua prej dyerve të hapura, u thye xhami i derës së dhomës së tharjes. Kjo e bëri tepër të ftohtë shtëpinë dhe të vështirë për të kaluar natën këtu...fqinjët na ofruan për të bujtur në shtëpitë e tyre”.
Në këto çaste njëri vëlla i të shoqit, atë kohë Hero i Punës Socialiste, i cili i pati shoqëruar për ndihmë deri aty, kur pa me sytë e tij kushtet e reja të jetës i pati thënë: “Si ua punuan kështu, më keq se sa një armiku!”
Pastaj Waltraud ndërhyn për ta shpjeguar atë cinizëm që u kishte rënë mbi shpinë: “Për familjen e Ilmiut dhe tërë fisin e tij, ky transferim i detyruar, në palcën e dimrit, në skajin verior të Shqipërisë, ishte një goditje e fortë në sytë e njerëzve. Shumë nuk e shpjegonin dot ndryshe. Ata dyshonin, se unë isha agjente”.
Këtë fjalë, “agjente”, Waltraud e përdor vetëm njëherë në të tre librat e saj të kujtimeve nga Shqipëria. Është një fjalë shumë fyese. Gjermania ndjen turp edhe ta shkruajë.
Ajo e citon njëherë ndoshta që vetëm ta flakë nga trupi i saj, ku ia kishin ngjitur fshehurisht.
Waltraud jetoi në viset tona 37 vite dhe u rikthye në tokën e vet vetëm në vitin 1996.
Që prej këtij çasti ajo nisi të shkruante dhe publikonte librat e rrëfimit për jetën e saj. Nisi me “Albanien – Mein Leben (1959 – 1996)”, të botuar fillimisht në Gjermani. Për publikun tonë ai erdhi vetëm në vitin 2000 nën titullin “Çapitjet e mia nëpër Shqipëri ” (1959 – 1996)”.
Pastaj Waltraud publikoi në të dy gjuhët “Shpirtra shtegtarë“, ku janë rrëfyer vitet e saj të kthimit në atdheun e vet të lindjes.
Në 2009 gjermania që kaloi në Shqipëri më shumë se gjysmën e jetës së vet botoi librin e tretë “Vjehrra ime Kolja”.
Por Waltraud Tunger ndërkohë kishte përkthyer në gjermanisht mbi njëzetë libra të autorëve tanë, në shumicën e tyre pa pasur të drejtën të kishte emrin e saj në faqen e parë të brendshme. Dhe nuk qenë libra dosido, por ndër më përfaqësuesit e identitetit dhe të vlerave tona kombëtare.
Ishte “Komisari Memo” i Dritëro Agollit, “Nëpër analet e diplomacisë angleze” i Arben Putos, “Skënderbeu” i Sabri Godos, botimi i Akademisë së Shkencave “Shqiptarët dhe trojet e tyre”, “Autobiografia e popullit tim në vargje” e Ismail Kadaresë, “Eqerem Çabej”, biografi e shkruar nga gjuhëtari Shaban Demiraj, “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, libra shkencorë të Myzafer Korkutit, Neritan Cekës...
“Mjerisht nuk e merrja vesh fatin e librave të përkthyera nga unë”, shkruan Waltraud, “Por një herë më ndodhi një ngjarje që më dha hov.
Në gusht 1979...takova për herë të parë Dritero Agollin me të shoqen e tij, Sadijen.
U gëzova shumë që pata rastin për të parë nga afër shkrimtarin, mendimet e të cilit i kisha njohur gjatë përkthimit të librit “Komisari Memo”.
Ai na tregoi se romani i tij ishte pëlqyer në Gjermani dhe se i kishin dhuruar një vëllim të lidhur bukur në gjermanisht. Me tej, ai tregoi se ky roman kishte marrë edhe një çmim si përkthimi më i mirë vjetor për letërsi të huaj.
Dritëroi shtoi se vlerat e romanit ishin rritur nga përkthimi im i mirë”.
Ja përse gjermania Waltraud thotë: “Jeta ime i ngjan një mozaiku të madh prej guriçkash, të bardha dhe të zeza, me ngjyra dhe pa ngjyra, të errëta e me shkëlqim...
Me këtë rast mu kujtua “Bukuroshja e Durrësit”, një mozaik, monument kulture i antikitetit shqiptar”.
Ajo kujdeset të sqarojë se me dashurinë e saj me një shqiptar “Nuk më vjen keq që e kam bërë këtë hap të rëndësishëm, se unë respektova jetën time, nuk isha martuar as me Ulbrihtin, as me Enver Hoxhën e as me Hrushovin, por me Ilmi Bejkon nga Sevrani i Skraparit, një student shqiptar që studioi bashkë me mua në Moskë”.
Tani prej afro dy vitesh bashkëshorti, studenti që takoi në atë mbrëmje të bukur të dhjetorit 1953 para metrosë “Sokolniki” në Moskë, ka ndërruar jetë.
Në Gjermani Waltraud, pra Vala, jeton me djalin Ilir dhe me vajzën Aneta.
Emrat shqiptarë vijojnë edhe tek nipërit e mbesat.


Pas vitit 1990, pra kur Shqipëria shpëtoi nga regjimi i mbyllur, nisi rrugën e vet edhe një letërsi autobiografike e një tipi të veçantë, për çka mund të thuhet se në përmasat që ka marrë mund të jetë fenomen i vetëm anëve tona.
Kjo gjini më tepër se letrare është dokumentare dhe tashmë përfshin me qindra e qindra autorë.
Bashkëkombësit të çliruar nga çdo lloj censure shteti, por edhe autokontrolli, çfarë jo përherë është gjë e gabuar, duke qenë se janë shqiptarë dhe si të tillë prej temperamentit dhe mendësisë na lëvron gjak protagonisti dhe të vetndjeri person “VIP”, shkruajnë histori të jetëve të tyre, por edhe të familjeve e fisit, përshkruajnë fshatin apo krahinën, tregojnë për shokë e miq, bashkëngjisin fotografi të xhaxhait e dajës, tezes e gjyshes, fqinjit e të rojtarit të pyllit, të këngëtarit popullor të nahijes dhe të furrxhiut të lagjes.
Mes këtyre botimeve gjen të tilla që nuk i çon dot deri në fund, aq vetëmburrje kanë.
Veç në jo pak raste tek u shfleton faqet e tyre të përmbytin emocionet, janë shumë të sinqertë dhe prej jetës së atij personi e familjes së tij, fshatit apo gjithë krahinës, mëson mjaft.
Zakonisht këto libra nuk botohen për t’u shpërndarë në rrjetin librar, nuk janë për të gjithë opinionin publik.
Autorët i shumëfishojnë në tirazhe të kufizuar.
Gjen që libra të tillë kujtimesh i botojnë deri edhe në pesëqind kopje, të rastis, si në një rast që njoh, vetëm në njëzetë copë.
Në këtë ndodhi të fundit ai tirazh shumë i cunguar na u duk i padrejtë, sepse libri autobiografik ishte shkruar me aq shumë ndjenjë dhe mbartte aq fort vlerë shoqërore sa meritonte, edhe pse i shpërndarë vetëm nëpër miq, më shumë njohje publike.
Për fat një triologji e Flamur Çanit, në realkomunizëm ish-kryetar i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës dhe me fillimin e pluralizmit deputet në Kuvendin Popullor të kohës, është botuar në pesëqind kopje dhe sipas rregullit të pashkruar të kësaj letërsie duke mos u gjendur nëpër librari, ndodhet i shpërndarë nëpër familjarë, miq e shokë të autorit.
Mes qindra episodeve që përshkruan në vëllimin e tretë, “Kënga e zemrave”, ish-politikani Flamur Çani përshkruan edhe historinë e një gjermaneje të quajtur Karola.
Në krahinën e tij të Labërisë (vendlindja e autorit është fshati i njohur i Mashkullorës) gjatë viteve të rezistencës kundër pushtimit fashist kishte bërë famë edhe një partizan, të cilin përveç emrit të vërtetë e thërritnin edhe me një nofkë përkëdhelëse: Xhaxhi.
Bënte pjesë në Brigadën e VIII Sulmuese.
Në një betejë të shtatorit 1944 ai u kap rob nga gjermanët dhe u çuan në kampin e përqendrimit në Bukenvald.
“Ishte 20 vjeç, i gjatë, i shëndoshë, biond dhe me një trup e fytyrë shumë të bukur”, shkruan Çani.
Në kampin e përqendrimit ai u tret e dobësua shumë.
Pas një viti e gjysmë mundi të arratisej dhe kërkoi strehim dhe mjekim në fshatin më të afërt. Në shtëpinë ku trokiti i dhanë rroba për t’u ndërruar dhe pas disa ditëve i ofruan punë: të ruante dhe ushqente pesë lopë race që kishin.
Para se të delte partizan Xhaxhi kishte qenë blegtor.
Shumë shpejt nga bujtësit e vet mori vesh që kishte hyrë në shtëpinë e një gjenerali të ushtrisë hitleriane, i cili ndodhej në frontin sovjetik.
Në këtë banesë dashamirëse përveç gjyshes dhe bashkëshortes së gjeneralit ndodhej edhe vajza e tyre, tetëmbëdhjetë vjeçarja Karola.
“Vajza kishte një trup të gjatë, të mbushur dhe me flokë bionde. Bënte vazhdimisht tualet”, e përshkruan autori.
Duke qenë se punonte mirë e hoqën nga plevica, ku banonte më parë dhe e futën brenda në shtëpi.
Kështu Karola ra në dashuri me shqiptarin.
Në shtator 1946 Xhaxhi i rregulloi dokumentet të kthehej në Shqipëri dhe me gjithë lutjet e familjes gjermane të qëndronte aty nuk e ktheu mendjen.
Ditën që u bë gati të nisej, Karola i tha se do të vinte edhe ajo me të.
Kështu erdhën të dy në Labëri dhe ajo u bë nusja e tij.
Mirëpo jo vetëm nuk dinte shqip, por edhe as kishte dëshirë ta mësonte këtë gjuhë. Po ashtu ajo nuk dinte as të bënte punë shtëpie.
Megjithatë edhe pse kaq fort e përkëdhelur në shtëpinë fshatare të Labërisë e trajtuan mirë.
Mosdurimi ndodhi kur pas disa vitesh jete bashkëshortore dhe një vizite mjekësore doli që gjermania Karola nuk lindte fëmijë.
Ishte viti 1958 dhe më në fund Xhaxhi e ndau.
Këtë histori në librin e tij “Kënga e zëmrave” Flamur Çani e vijon: “Ajo u nis në këmbë për në Gjirokastër. Pas dy orë rrugë në xhade takoi fshatarin tonë, Neshetin. Atij i kishte vdekur gruaja dhe vendosi ta marrë gjermanen. Ai ishte në gjendje të mirë ekonomike. Karola aty trajtohej mirë. Por Nesheti ishte familje e lidhur ngushtë me LANÇ.
Kishte dy vëllezër dhe pesë kushërinj dëshmorë të luftës.
Kundër vendimit të tij dhe nuses gjermane u ngrit një opinion i tërë jo vetëm në familje e fis, por edhe në të gjithë veteranët e Luftës.
Nëna dhe gratë e dëshmorëve në fshat, rreth njëzetë, nuk mund të pranonin një gjë të tillë.
Nesheti nuk e përballoi dot opinionin shoqëror dhe u detyrua pas një viti ta ndante”.
Në këtë martesë të dytë Karola, duke pasur fqinjë familjen Çani, ishte përpjekur shumë të mësonte nga e ëma e autorit të librit të gatuante gjellë e bënte bukë.
Sa herë që këto punë i bënte mirë gjermania i hidhej në qafë nënës shqiptare dhe e mbulonte me të puthura e falënderime.
Në një nga këto çaste Karola e pafat kishte psherëtirë: “S’ma ka njeri fajin, fatin tim kështu e ndërtova vetë”.
“Mbeti sërish rrugëve”, vijon Çani rrëfimin e historisë së Karolës, “Me një boçë në dorë doli te baxhua e Mashkullorës. Dikur ndali një makinë e parkut të Sarandës, duket një vagabond, e mori si pasagjere dhe e zbriti në të hyrë të Delvinës.
Nën Rusan, pranë Delvinës, ishin vendosur nja pesëdhjetë familje arixhinjsh. Aty u njoh me njërin prej tyre, që më vonë u bë kryetar i lagjes së arixhinjve.
Ai kishte një trup e fytyrë të plotë, zeshkan, me mustaqe dhe në pamje nuk të jepte aq përshtypjen se ishte arixhi”.
Në 1988 si kryetar i komitetit ekzekutiv të Gjirokastrës Flamur Çani shkoi në lagjen e tyre sepse i ishte dhënë detyrë të ngriheshin aty dyzetë apartamente, shtëpi që do të ishin me katër hyrje gjithsecila.
Aty takoi për herë të fundit Karolën.
“Ruante bukurinë e dikurshme”, shkruan, “sikur të ishte e re. Më njohu sa më pa dhe erdhi e më takoi. Si dukej qe e pakënaqur që ishte katandisur e marrë një arixhi, për më tepër që ai e trajtonte keq”.
Ndërkohë familja e saj në Gjermani po mbushte dekadën që e kërkonte ta gjente, por kryearixhiu e mbante fshehur.


Në vitin 1989 më në fund në Tiranë funksiononte ambasada e Republikës Federale dhe ajo e zbuloi ku gjendej.
Këta e morën dhe me shpejtësi e dërguan në atdheun e saj.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com