Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

.jpg
Foto: .jpg
NJOHA NJË BALLIST


Cili e dëshiron ta ketë këtë libër me format elektronik, gratis, t’i shkruajë autorit në adresën email yllipolovvina@gmail.com


PASQYRA E LËNDËS


Komploti i heshtjes ndaj disidencës shqiptare
Botuar në revistën “Shqip”, janar 2008

Pashë një hero ballist
Botuar në gazetën “Shqip”, 12 mars 2008

Werner Daum, përse fole kaq vonë?
Botuar në shtojcën kulturore “Milosao”, “Gazeta Shqiptare”, 11 korrik 2010

Himni kombëtar i thyen prangat
Botuar në numrin special të 28 Nëntorit 2010 të gazetës “Illyria”, Nju Jork

Rrëfimet e ballistit të kuq
Botuar në gazetën “Shqip” më 14 dhe 15 mars 2015









Komploti i heshtjes ndaj disidencës shqiptare

Botuar në revistën “Shqip”, janar 2008

-Na ke dashur ti neve, i pandehur?! – pyeti jo pa ironi kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, pasi e kish marrë veten.
-Po ju më keni dashur mua ?!...-nuk e di se nga më doli ajo përgjigje.
-Si!!! Ne të të duam ty!!?...Po ne jemi Perëndi, mor qen!...
Desha t’i them që Perëndia i do njerëzit pa dallim, por... vetëm shtova:
-Unë nuk jam marrë fare me ju, zotërí!
-Pse?!
-Sepse kisha vendosur të mbijetoja! Kurse arsye për t’ju urryer kam pasur!- vijova si i çakërdisur.
-Pa na i thuaj?!-kuisi kryetari.
-Na latë jetimë me prindërit gjallë. Babanë na e vdiqët në Burrel, nënën në psikiatri! Dhe kur, të uritur, ju kërkova punë, më propozuat të bëhesha spiun! Jetim-spiun! Turp! (Dhe dola nga vetja, kur m’u kujtua nëna, që na e sollën në shtëpi të lidhur, pasi e kishin çmendur) Na morët shtëpinë. Na grabitët pronën. Na latë të jetonim në bodrumin e vilës sonë, pa bukë, pa ngrohje!..Pa... Po dhe këto s’ju mjaftuan!Na deshët... spiunë! Turp të kini!...Shqiptarë jeni ju!?
Dhe, padashur, më dolën lotë pikëllimi.
-Mjaft!-ulëriti bisha.
Dhe iu drejtua shokëve:
-“Për këtë më thoni ju ta dënojmë vetëm dhjetë vjet burg?!... Për ideal! Lutu, more këlysh armiku, që ke në krye shokun (deshi të thoshte “Enver”), se ne, ta hapim kafkën me bisturinë e operacionit dhe t’i hamë trutë me lugën e kafesë!
-Pa bërë asgjë?!-bëlbëzova.
-Pse, kur të bësh, të të arrestojmë ne ty!!? Përse jemi Sigurimi i Shtetit? Që të presim sa të na bësh “zotrote” ndonjë “proçkë”?!...
-Pa bërë asgjë?!-më mbeti në gojë.
-Ta pret mendja! Pse, djemtë tanë, që këndojnë kanconeta italiane, do të marrim ne!?
-Dmth.... unë... si ...bedel?!
-Jo! Si mish i therrur në frigorifer, që do të të hamë, kur të duam ne!
Dhe m’u afrua te hunda.
Nuk mbaj mend se ç’bënë pastaj më tej me mua!...


Fragmenti i mësipërmë është veçuar nga një libër rrënqethës i Luan Myftiut, njërit prej të persekutuarve të shumtë të regjimit komunist.
E vendosëm në fillim të këtij shkrimi, sepse brenda tij gjendet në formën më tronditëse, por edhe më të lakuriqtë, i gjithë mekanizmi që funksiononte për shtypjen e shkatërrimin e atyre që nuk ishin dakort me të.
Thuhet shpesh që Shqipëria ka përjetuar formën më të egër të bolshevizmit. Në një farë mënyre në rast se pranohet që revolucioni komunist u eksperimentua në Francë apo në Gjermani, u realizua më pas në Rusi, u përhap në Kinë e nga Evropa Lindore deri në Kubë, përjashto variantin polpotist të Kamboxhias (një krim biblik me asgjësim fizik të gjysmës së popullsisë), kur erdhi në Shqipëri ai mori formën e variantit më brutal në Evropë.
Vetë diktatori kishte studjuar e jetuar në Francë e Belgjikë, vishej me shije e lexonte shumë letërsi, por kjo nuk e ndihmoi regjimin të ishte përshembëll në formën sovjetike, jo hrushoviane, por minimalisht atë brezhnjeviane.
Ky i fundit lejonte tek të rinjtë flokët e gjata dhe minifundet (të paktën). Ishte
Moska që kishte mbjellë gjithkund farën e egër të bolshevizmit, por në Shqipëri asaj ja kaluan disa herë.
Kjo që ndodhi, nuk shpjegohet aq lehtë me tezën se realkomunizmi shqiptar u bë varianti më i dhunshëm dhe më i palogjiktë sepse jemi një popull akoma jo në një shkallë të lartë qytetërimi.
Po ashtu në formën gati vetëvrasëse, që mori sistemi ynë i quajtur “socialist”, nuk mund të përjashtohet edhe faktori i ndërhyrjes së hapët dhe të fshehtë të Beogradit, i cili kishte për platformë aktive shkatërrimin nga brenda dhe dobësimin total të etnisë së shqiptarëve.
Ajo që duam të theksojmë nuk ka të bëjë me këtë paradoks: pra Moska e shpiku realkomunizmin dhe variantin stalinist e Tirana u bë e para e vënies në jetë më zellshëm nga të gjithë.
Ka një paradoks tjetër, akoma më të madh.
Ky ka të bëjë me disidencën.
Në rast se në ish-Bashkimin Sovjetik, “babanë” famëkeq të realkomunizmit, njihen botërisht me dhjetra disidentë, nuk gjendet asnjë në Shqipëri?!
Libri “Doktor Zhivago” i Boris Pastërnakut mbahet një nga veprat disidente më të shquara kundërkomuniste. Me të autori u bë i famshëm në të gjithë Perëndimin, romani i tij është ekranizuar në disa variante e shumë gjuhë.
Mirëpo te “Doktor Zhivago” nuk ka aspak më shumë kundërshtim të stalinizmit, sa përshembëll, gjendet në Promemorjen e Kasëm Trebeshinës drejtuar diktatorit shqiptar më 5 tetor 1953.
Kur u formulua kjo, në mpikun e vitit stalinist në të gjithë eurolindjen e ca më tepër në vendin tonë, Boris Pasternaku mbase ende nuk e kishte projektuar në mendje veprën e tij të dëgjuar.
Romani i tij tronditës u botua jashtë Bashkimit Sovjetik në vitin 1957.
Ishte në Shqipërinë e vogël, në Tiranën me jo më shumë se pesëdhjetë mijë banorë, një ish-partizan si Kasëm Trebeshina, Promemorja e të cilit kundër metodës zyrtare të realizmit socialist përbën gjestin më të bujshëm kundërbolshevik të kryer këtë kohë në të gjithë eurolindjen komuniste.
Në Poloni apo Hungari ata që dolën kundër realizmit socialist vinin nga rradhët e inteligjencies të para Luftës së Dytë Botërore apo nga kundërshtarët ideologjikë të komunizmit. Në Shqipërinë rebeli e kryengritësi më i madh erdhi prej vetë atyre që luftuan me vetmohim për të çliruar vendin e ndërtuar një shoqëri më të mirë.
Në atë Promemorje, një denoncim total i socialrealizmit, gjendet edhe fraza “Në përfundim të këtij proçesi historik ju do të detyroheni të vrisni njëri-tjetrin dhe populli do të mbytet në gjak”.
Profetike!
E gjitha u provua.
Kurajua e Kasëm Trebeshinës nuk është thjesht guxim. Të tillë dhunti jo rrallë kanë edhe kokëkrisurit, vetpëlqyesit, njerëzit e etur për protagonizëm, zëmërakët, utopistët, të pakënaqurit personalë.
Shqiptari Trebeshina në aktin e tij shtysë të parë pati vetëdijën e lartë të gjestit që bënte, si edhe nivelin e ngritur të analizës.
Në rast se Maksim Gorki në fazën e komunizmit të tij romantik shkruajti pjesën “Zgalemi”, duke parandjerë, parathënë e dëshiruar kohën e revolucionit popullor, Promemorja e Kasëm Trebeshinës përbën një prozë tjetër poetike, po aq madhështore, por për të kundërtën.
Ajo ishte një thirrje për të ndalur tashmë dallgën e madhe të tërbuar që ishte ngritur mbi fatet e njerëzve dhe po i mbyste si një cunami.
Në të gjithë botën njihet “Zgalemi”, akoma me miliona nxënës e mësojnë përmendësh nëpër shkolla. Pothuaj askund përtej trojeve shqiptare nuk dihet denoncimi e parashikimi profetik i Trebeshinës, madje mirë nuk e dinë edhe shumë nga bashkëkombësit tanë.
Arsyeja e kësaj mosnjohjeje duket e thjeshtë ose të paktën nuk është e ndërlikuar.
Nuk ka të bëjë aq shumë me peshën e vogël të vendit tonë në kontinent e botë, gjë që pasqyrohet edhe me botimet tona akoma modeste jashtë vendit, por me një sjellje të gabuar që kemi.
Është provuar që në të gjitha rastet kur lajmet kanë mbushur faqet e para të gazetave të huaja me përshembëll trafikimin e fëmijëve, prostitucionin apo grindjet ndërpartiake, ato kanë dalë që nga Tirana.
Nuk kanë ardhur të huajt t’i marrin, jemi “kujdesur” ne t’i shpërndajmë nëpër botë, zyrë më zyrë, agjensi lajmesh më agjensi, redaksi më redaksi.
Prej nesh dalin me një bollëk naiv të gjitha të këqijat, nderen jashtë oborrit të gjitha llojet e “çarçafëve”, por nuk ka aspak një të njëqindtën e këtij zelli për të përcjellë përtej kufijve, edhe pse popull i vogël, vlerat e mëdha që kemi.
Jemi akoma popull i vlerave të vetë mohuara.
Nuk na mjafton që na mohojnë të tjerët, i japim një dorë boshatisjes sonë edhe vetë.
Një nga vlerat e mëdha që kemi, është pikërisht disidenca kundër diktaturës bolshevike. Por ne kemi shkuar tepër larg në mosnjohjen e kësa disidence. I kemi mbushur mendjen vetes apo më mirë kemi pranuar të na i mbushin mendjen të tjerët se, për shkak të regjimit shumë të ashpër, kontrollit kapilar dhe dhunës së egër të tij, ishte pothuaj e pamundur të kishte disidencë në Shqipëri.
Kjo është e pavërteta më e madhe që mbajmë në mendje dhe në krahëror.
Kjo miopi e gënjeshtër duhet hedhur poshtë me forcë, madje para syve të të gjithë botës.
Para vetes e të gjithëve ne duhet të ndërrojmë mendim. Pikërisht se ishte një diktaturë mjaft represive shqiptarët kanë bërë më shumë disidencë se popujt e tjerë të eurolindjes, shoqëri që përjetuan regjime më të buta, për aq sa i butë në fund të fundit mund të jetë një realkomunizëm.
Ndryshimi e keqkuptimi qendron në format e kësaj disidence.
Atje, në ato popuj ku diktaturat një kundërshtar të regjimit në vend që ta burgosnin apo pushkatonin, e dëbonin nga vendi, e largonin në emigracion të detyruar, sigurisht ishte më e lehtë të bëhej disidencë e hapët.
Në Shqipëri pasojat mund të ishin fatale, kështu që disidenca në masën më të madhe u krye jo hapët, por me mënyrat më të fshehta, më të tërthorta.
Përse akoma po u rrimë në sipërfaqe gjërave?
Vetë dështimi total dhe më i rendë që bëri i quajturi socializëm në Shqipëri, ku falimentuan bujshëm të gjitha format e organizimit social apo ekonomik, të gjitha strukturat dhe idetë politike, të tëra projektet e planet e zhvillimit, totalisht stimujt moralë, është disidenca më e madhe që i është bërë këtij sistemi në Evropë.
Në rast se jemi aq dritëshkurtër sa të mos e pranojmë këtë, mjerë ne!
Sabotimi (pra disidenca e fshehtë) që në vendin tonë iu bë komunizmit në rast se në të gjitha herët nuk ishte kthjellshëm i ndërgjegjshëm, vinte në mënyrë nga dy karateristika të patundshme të identitetit tonë kombëtar: shpirti individualist dhe toleranca ndaj të ndryshmes. Realkomunizmi si lloj diktature mbahej pikërisht në të kundërtën e këtyre tipareve.
Ai ishte kolektivist dhe dhunues ndaj asaj që shfaqej jo e njëllojtë.
Që shqiptarët ia kishin kthyer shpinën sistemit shoqëror që iu imponua, përjashto interesaxhinjtë e përfituesit e të gjithë kohrave, u dëshmua pas rënies së diktaturës.
Fakti që ata, të cilët në vendin tonë mbështesin akoma idetë e diktatorit janë fare pak dhe nëpër zgjedhje nuk kapin dot në shkallë vendi as një përqindëshin, këtë gjë provon.
Në Shqipëri strukturat partiake nostalgjike të së shkuarës janë me ndikim dhjetë herë më pak se në secilin vend ish-komunist të eurolindjes.
Kurse në Rusi një parti e tillë shkon afër pesëmbëdhjetë përqindëshit.
Shqiptarët nuk e kanë pasur me zemër komunizmin, thjesht i janë gjysmëpërshtatur, të dy palët kanë bashkëjetuar pa u dashur.
Aforizmin e saj kohe, ku thuhej se shqiptarët “bëjnë sikur punojnë dhe shteti bën sikur i paguan” mund fare natyrshëm të rimarë formën “shqiptarit bënin sikur besonin komunizmin dhe shteti bënte sikur nuk e dinte këtë gje”.
Pikërisht në këtë vetndjerje të diktaturës zë fill ajo që në librin e tij tregon Luan Myftiu. Represioni i sistemit nuk niste kur një mospajtues i tij vepronte, por kur thjesht e shkonte ndërmend, në më të shumtën e herëve pa ja thënë njeriu tjetër.
Kjo nuk ishte ndjenjë sigurie, por paniku dhe vinte se, duke mbledhur të dhëna të përditshme mbi jetët e njerëzve, ata shihnin sa të shumtë ishin mosdashësit e regjimit. Dendësimi i madh i informatorëve të atëhere Sigurimit të Shtetit, qindra mijrat e dosjeve të hapura për një popull që kapte vetëm tre milionët, ua kishte bërë të qartë kupolës bolshevike në krye të regjimit, se shumica nuk i donte. Autori i këtyre rradhëve mbeti i pagojë kur në një shtab brigade, ku atëhere bënte sborin ushtarak, oficeri i shërbimit të fshehtë në një plan stërvitor të sektorit të tij raportoi se në afro pesëqind pjesëtarë të njësisë, njëqind e shtatëdhjetë e pesë prej tyre ishin me “biografi të keqe”.
Shënojmë se ajo ishte një brigadë speciale artilerie, ku kishte mjaft seleksionim “biografik” mes sboristëve.
Ata “me njolla” vendoseshin në repartet e kembësorisë. Sa ishte vallë përqindja e tyre atje?


Shkrimtari Faruk Myrtaj, prej vitesh mërguar në Kanada, ka një tregim të titulluar “Shëtitje e detyruar”.
Në të rrëfen se si familja e tij, e konsideruar si “kulake”, çdo fundjavë bënte një gjest: fëmijët me në mes të atin e tyre “shëtitnin”.
Ky ishte akti i mundshëm i disidencës së tyre.
Thelbi i saj ishte mbajtja e kokës lart, mospranimi i gjendjes së përuljes, të nënshtrimit.
Grupi i vogël familjar e bënte këtë manifestim qendrese nëpërmjet një shëtitjeje të detyruar në një trekedësh të qytetit të tyre të vogël, ku gjendeshin tre objekte referuese: ndërtesa e zyrave të Pushtetit, zyra e të Plotfuqishmit dhe Shtëpia te Plepat.
Kështu ishin disidencat atëhere, duke e thirrur hapët një rrugë në mes të Tiranës me emrin e lagjes më të pasur të Nju Jorkut, Broduej.
Kjo ishte disidencë me humorin shkodran, një nga përtalljet më inteligjente, më të tërthorta e nga më elegantet, bërë ndonjëherë sistemit komunist.


Duke mos pranuar një disidencë të denjë të shqiptarëve (kujtoni po ashtu sa masivisht, me të gjitha mjetet e mënyrat ndiqej fshehurisht televizioni italian RAI) ne i kemi bërë vetes një padrejtësi.
Jemi vetëvlerësuar si një popull frikacak.
E kemi shpallur veten më të paguximshëm se hungarezët, çekët apo rumunët e bullgarët.
Stil i njohur ky që prej çasteve kur komunistët e manipuluan imazhin real të nacionalistëve si njerëz që nuk dinin gjë tjetër veç të ngrinin, duke u dridhur nga frika, duart lart.
Ndërkohë që ka qenë krejtësisht e kundërta.
Nacionalistët shqiptarë mund të krenohen, dhe bashkë me ta duhet të reflektojmë edhe ne që dikur e besuam këtë mashtrim politik.
Nacionalistët kanë qenë e mbeten ndër më trimat e popullit tonë.
Këtu nuk e kemi fjalën për nacionalistët e sajuar, por për nacionalistët e vërtetë.
Ka patur dje me bollëk si komunistë të sajuar ashtu edhe sot demokratë të sajuar.
Madje puna e shëmtuar e mohimit të disidencës së vërtetë në Shqipëri është vepër të sajuarve.
Por duke pranuar se format e heshtura të mospajtimit me regjimin enverist ishin masive dhe është punë e shëmtuar mohimi i kësaj të vërtete, nuk duhet të mos ngrejmë mbi piedestal ata që i bënë qendresë dhe disidencë të hapët e mjaft aktive diktaturës.
Po mohuam disidencën e përgjithshme të heshtur do të na duken fare të paktë ata që kundërshtuan hapët.
Është iluzion ideja se kështu duken më të mëdhenj.
Ngjajnë realisht më të vegjël, më kuturisës dhe ideologjikisht më patologjikë.
...
Për fat të keq janë më të shpejtët e më “të shkathëtit”ata që ende përhapin fjalë se gjatë diktaturës shqiptarët kanë qenë një popull i tromaksur dhe pa asnjë grimë shpirti lirie.
Më të ngadaltët kemi qenë e mbetemi ne, opinioni publik, administrata e shtetit, media.

























Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com