Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

jpeg
Foto: jpeg
“IK I QETË PARTIZANI IM!”


Cili e dëshiron ta ketë këtë libër me format elektronik, gratis, t’i shkruajë autorit në adresën email yllipolovvina@gmail.com

PASQYRA E LENDËS

“Të lindësh në komunizëm”, botuar në gazetën “Shqip” më 14 dhe 15 gusht 2008.

“Ik i qetë, partizani im!”, kushtuar im ati, botuar në gazetën “Shqip” më 5 maj 2010.

“Festimet e 28 Nëntorit 1944, një ballo me maska”, botuar në “Gazeta Shqiptare” më 30 dhe 31 gusht 2014.

“Superbunkeri i Tiranës ribën histori”, botuar në gazetën “Illyria” në 2 janar dhe tek “Shqiptarja.com” më 6 janar 2015.

“22 Tetori 1944, Berat: Qeveria e parë komuniste e Shqipërisë dhe dy të pavërteta”, botuar në gazetën “Panorama” nga 26 deri në 28 tetor 2016.

“Partizan-Komunizmi i Jaup Lilës, botuar në gazetën “Dita” më 30 korrik 2017.

Ik i qetë, partizani im!

Kushtuar im ati, botuar në gazetën “Shqip” më 5 maj 2010.

Njeriu i fortë që para syve tanë po kalon orët e fundme i jetoi tetëdhjetë e shtatë vite dhe tani vdekja është këmbëngulëse ta marrë me vete.
Ai e pati sfiduar shumë herë, duke triumfuar.
Këtë herë është radha e saj ta mundë. Vdekja për shkaqe natyrale nuk bën asgjë zgjedhje politike. Ndërkohë e di që mes atyre, të cilëve po u ndërpret jetën, janë edhe ish-partizanët e paktë të mbetur gjallë.
Shumica tashmë gjenden në shtëpizat e vogla, sa një kuti, nën tokë. Kanë mbetur mbi tokë vetëm disa të rrallë, ata që kanë kapur tetëdhjetë e pesë vite e më tepër. Shumë shpejt, si nëpër një re të depërtuar e ngjyrosur nga mugu i mbrëmjes, do të na thonë lamtumirë edhe ata.
“Kushtrimi i brezave”, një e përjavshme e veteranëve të Luftës Antifashiste, boton një faqe me nekrologji. Janë përshëndetjet e tyre postume, fjalët e ndarjes.
Në to citohen emra çetash, batalionesh, brigadash. Nëpër rreshta vazhdon e ndodhet e gjithgjendura shprehje “luftoi me armë në dorë”.
Bëhet fjalë për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit e huaj. Për një pakicë nuk mungojnë edhe detyrat që patën pas çlirimit, janë të radhitura më kryesoret.
Shpesh në ato kronika vdekjesh kohët para dhe pas fundnëntorit 1944 duken të njëllojta, të njëtrajtshme, si të jenë pjesë të zgjatura të njëra-tjetrës. Sikur lufta për çlirim duhej të sillte patjetër vetëm atë sistem shoqëror, i cili u quajt “socializëm”.
Sikur nuk kishte vend për asnjë tjetër.
Partizani që po ndahet nga kjo jetë në ato orë të fundit të saj ndihet i qetë, i pa frikësuar. Vdekja le ta marrë, ka rënë dakord. Që njëzetë vite të shkuara pati porositur vajzën e tij t’i blinte rrobat e ikjes. Asaj i kishte bërë përshtypje se i ati pati këmbëngulur jo vetëm për një kostum të bukur, për një këmishë të bardhë e kravatë, por edhe për një palë këpucë të forta, me gomë të trashë.
“Pse?” e kishte pyetur ajo me zë pothuaj të shuar dhe u mek më shumë nga përgjigja: “Në botën tjetër do të vazhdoj të eci, të shëtis çdo ditë”.
Kur rrobat e vdekjes u blenë dhe u vendosën në këndin e tyre në dollapin-gardërobë, “socializmi” akoma nuk pati rënë, madje dukej sikur mbahej i fortë. Të bijës i bëri përshtypje se si i ati, i cili bashkë me idetë komuniste qe shndërruar në ateist të patundur, besonte në ekzistencën e një bote tjetër.
Nuk i pati ngjarë për herë të parë që ai kryente herezi ideologjike.
Njëherë ndërsa diku pati propaganduar idenë leniniste se edhe prona e vogël, pra një copë tokë sa një e dhjeta e hektarit, pillte kapitalizëm, vetë para shtëpisë së vet bleu tokë sa trefishi i një dynymi dhe një instruktori partie që i kaloi afër dhe i bëri të njëjtën vërejtje, ia ktheu me arsyetimin se prona e vogël kur bëhet sa për të mbajtur një familje nuk krijon as kapitalizëm dhe as shfrytëzim të njeriut nga njeriu.
Qe kohë dyzimi.
Nga jo pak njerëz mendohej ndryshe dhe flitej e kundërta. Bëheshin mbledhje pa pushim për të mos parë në televizion stacionet e huaja, sidomos ato italiane, e megjithatë si kudo në shtëpinë e tyre shihej pa pushim RAI.
Qenë përhapur fjalë se edhe në rezidencat e tyre në Tiranë, në lagjen e quajtur “Bllok”, bënin të njëjtën gjë edhe ideatorët e sistemit.
Tani janë orët e fundit të partizanit.
Që kur ishte fare i ri, pa mbushur të nëntëmbëdhjetat, vendosi të bëhej komunist. Në qytetin e tij të bëheshe ithtar i këtij besimi politik, edhe pse gjë e rrallë, nuk qe aq shumë çudi. Komunistët kishin qenë aty që në kohën e monarkisë, por pushtimi fashist italian i pati gjallëruar, po ashtu shtuar.
Në fund të viteve tridhjetë Ahmet Zogu kishte internuar në një fshat malor të rrethinave disa të njohur prej tyre, qe edhe Qemal Stafa.
Mesazhet e këtij, djalë fare i ri, por që kishte nisur të mitizohej, zbrisnin herë pas here deri në qytet dhe u trazonin pasionet politike banorëve. Në vend internim, të dënuar me punë të detyruar, kundërshtarët e mbretit por mbi të gjitha të sistemit shoqëror kapitalist hapnin një rrugë. Kur njëri prej kalimtarëve, tek e shihte që komunisti i njohur punonte me shumë përkushtim, ia shprehu habinë “Po ty Zogu të futi në burg, si punon për të?”
Qemal Stafa i qe përgjigjur pa lënë pas ndonjë mëdyshje: “Unë punoj sepse kjo rrugë do t’i mbesë Shqipërisë”.
Në qytetin e tij kishte edhe komunistë të cilët vinin nga radhët e studentëve që ndiqnin shkollat në Itali. Me këtë besim politik qenë bashkuar edhe dy fëmijët e një ish-ministri të viteve njëzetë, atdhetar i njohur.
Atyre që mendonin se me pushtuesit, duke qenë se patën bashkuar me Shqipërinë edhe një pjesë të Kosovës, nuk duhej zgjedhur forma e fortë e rezistencës, pra dëbimi me armë, ai u përgjigjej me një dëshmi reale: një mësues i spikatur i shkollës qytetëse, komunist shumë i flaktë, qe nga Kosova.
Celula të këtij besimi ideologjik vepronin edhe mes ushtarëve italianë të pushtimit. Kur për të siguruar jetesën shkonte të shiste vezë në një repart në periferi të qytetit disa prej tyre bashkë me monedhat i futnin mes pëllëmbëve trakte.
Kështu ndodhi që grupi i cili themeloi në Tiranë PKSh-në nuk ishte për të shtysa e parë, por njëra prej tyre, më e forta.
Partia e re shpalli luftë të rreptë kundër fashizmit dhe ai nuk donte më tepër. Edhe fashistët hapën luftë të ashpër kundër komunistëve dhe ai nuk dëshironte provë më autoritare që dëshmonte se më në fund tek ta pushtuesit patën gjetur shkatërruesin e tyre.
Prandaj pa me sy se si sapo i diktonin u hidhnin komunistëve prangat. Para se të delte partizan edhe ai u arrestua dhe u burgos disa herë.
Deri sa Shqipëria u çlirua katër vite të jetës ia kushtoi besimit të ri politik dhe të ardhmes që ai premtonte: do të ndërtonte një “Shqipëri pa padronë”.
Në të vërtetë nuk i pëlqente që shumica të kishin vetëm duart e zhveshura, të qenë në punë të mëditur tek disa të kamur dhe mjaft nga këta shumë të gjithëfuqishëm. Ajo qe një shoqëri e padrejtë. Duhej të merrte fund.
Nuk shpresonte se korrigjohej përveçse me shembje.
Partizani tashmë kalon orët e fundit të jetës. Ato që mendon nuk ka më fuqi t’i sendërtojë me fjalë. Vdekja ja ka marrë gojën, por trurin nuk ja lë. E mban fort deri sa të japë shpirt.
Njëzetë vite pasi ra sistemi shoqëror për të cilin luftoi pa kursyer as jetën, ndihet ende i dyzuar, i pakënaqur. Qe më mirë se më parë, por as këtë herë nuk e pa të realizuar të tërë ëndrrën e tij të rinisë, shoqërinë e drejtë.
Në asnjë ditë në të dy dekadat e pluralizmit nuk mbrojti dhe justifikoi të hidhurën luftë të klasave, as të dikurshmen mbyllje të kufijve, as tiranen parti që bëhej shtet, as delirin vetshkatërrues të luftës me të gjithë botën. Megjithatë donte përherë të shpëtonte gjithçka të mirë që periudha “socialiste”, sipas tij, pati bëri për popullin e vet. Këtu hynte në debat e ndodhte të kapej fort në rreshtimin e “pozitiveve”.
Nuk i rezistonte dot vetëm pyetjes se si sistemi politik për të cilin luftoi që nga viti 1940, pra për plot një gjysmë shekulli, e mori me triska shqiptarin dhe pas një periudhe të përkohshme përmirësimi e riktheu sërish në varfërinë e racionimit ushqimor.
Ishte e rëndë ta pranonte dështimin e ëndrrës politike dhe të sakrificës sublime që bëri. Për të ishin shumë të forta e të rënda gjykimet se “socializmi” jo vetëm i la të varfëruar dhe në izolim të plotë ndërkombëtar, por edhe se qe periudha më e rëndë politike për shqiptarët, më përçarësja, më dobësuesja kombëtarisht, më absurdja si organizim shoqëror, më e padrejta, më dhunuesja, më megalomania, më fyesja për njeriun, më poshtëruesja e qenies së tij.
Ishte gjoksshtypëse për të të binte dakord se për një gjysmë shekulli kishin luftuar kundër disa të metave të kapitalizmit dhe shoqëria e re e tyre që e zëvendësoi, mbarti me vete qindra herë më shumë vese.
Partizani im!
Nuk ka çfarë e shpëton atë që u instalua menjëherë pas çlirimit, me ngut të madh dhe me një ngazëllim ideologjik aq të marrë sa dukej sikur po vihej në jetë shpikja më e madhe progresive e njerëzimit.
Ndërkohë ishte vetë rrënimi, regresi.
Mirëpo kjo gjeratore, kjo vorbull me fate të rrëmbyera njerëzish, ai zullum, nuk ka përse merr me vete edhe besuesit e saj të sinqertë, ata që i doktrinuan t’i jepnin besë një të ardhmeje pa të ardhme.
Partizani im, në se këto çaste të fundit të jetës tënde të përkushtuar për një ideal politik duhet të na lësh një amanet dhe ne duhet të të bëjmë një premtim, nuk ta marrim dot përsipër shpëtimin e pas vitit 1944.
Në rast se duhet nga jeta tende e dhimbshme (dhe tona njëkohësisht) të bëjmë diçka për ta shpëtuar kjo është lufta për çlirim.
Për fat të keq diktatura erdhi në pushtet prej saj, që në fillesë, me yllin e kuq që vuri në ballë.
Në programin e PKSh-së qe shkruar urdhëresa e Internacionales bolshevike se lufta çlirimtare kundër fashizmit do të shndërrohej në një revolucion popullor për përmbysje sociale. Por ju këto nuk e dinit, të paktën nuk i kuptonit.
Në këtë mashtrim të madh hyri gjysma e globit, jo vetëm shqiptarët në një kënd të Ballkanit.
Sidoqoftë lufta për të dëbuar pushtuesit ishte një vepër e vyer tuaja. Ajo qe një kapital i madh politik për të ardhmen, por që u shpërdorua.
Sikur nacionalistët, ata që u rreshtuan me Ballin Kombëtar, ta bënin këtë gjest, pra të luftonin kundër fashistëve sa ju, madje edhe më tepër se ju, Shqipëria do të kishte një histori tjetër.
Në rast se raporti i forcave do të qe ndryshe që gjatë viteve të rezistencës antifashiste mund të ngjante të kryheshin të tjera llogari në Jaltë, në hartën që u skicua për zonat e reja të ndikimit.
Partizani im, lufta për çlirim mbrohet, e meriton.
Prej saj mund të shpëtohet shumë.
Ajo kthehet në një kapital të madh për demokracinë jo duke e mohuar, por duke e pranuar, pa i falur defektet. Ajo shndërrohet në një rezervë të madhe inkurajuese për ditët e mëpastajme duke kryer edhe një akt pohimi: duhet pranuar publikisht se jo pak nacionalistë, dikur kundërshtarët tuaj ideologjikë, projektin e tyre politik e kishin për një Shqipëri të mbrodhësuar, të fortë e të begatë. Porse sa e padrejtë që u quajtën të gjithë tradhtarë, që u goditën, u dhunuan dhe u shtypën politikisht.
Partizani im, ju me siguri nuk kishit luftuar që menjëherë pas largimit të pushtuesit të fundit të nisnin pogromet e mëdha kundër tyre. Shumica nuk u arratisën, nuk kapërcyen kufirin me kamionët e fundit ushtarakë të të mundurve nga aleanca e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik.
Nuk ikën sepse ndiheshin të pafajshëm, nuk patën bërë asnjë krim. Ndenjën në shtëpi bashkë me fëmijët e tyre, me shpresë se Shqipëria e re kishte vend edhe për kontributin e tyre, atdhedashurinë që vlonin në zemër.
Por u ndodhi hataja.
Partizani im, po a vritet bashkëkombësi që kur e vënë para skuadrës së pushkatimit të shtetit thërret “Rroftë Shqipëria!”
Kundërshtarët tuaj nuk gabonin aq shumë kur menduan se para komunizmit që pritej të vinte, pushtimi fashist ishte e keqja më e mirë.
Sepse pasoja të lemerishme pushtimi shkaktoi edhe diktatura ideologjike e pas vitit 1944. Mbase qe më e helmët sepse ta bënte tëndi.
Megjithatë pikërisht sepse e parashikonin këtë gjë, pra që fati i Shqipërisë ishte gremisur në mënyrë dramatike mes dy të këqijave, ballistët nuk ditën e nuk dëshiruan të bënin manovrën e duhur. Edhe ata vuanin nga ngarkesa e tyre ideologjike, nga forca e saj shtytëse në të kundërt të logjikës dhe nevojës reale.
Partizani im, o jetë e paqetë!
Ik i qetë!


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com