Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

GJYMTIMI I HISTORISË SË LËVIZJES KOMUNISTE SHQIPTARE


Mënjanimi për dekada të tëra i gjyqit politik të Ahmet Zogut kundër komunistëve, shkurt 1939

(Botuar në “Gazeta Shqiptare” në 4 shtator 2020)

Duke filluar nga mesi i viteve tridhjetë të shekullit të shkuar në Shqipëri nisi të pulsojë e pak nga pak të gjallërohet një Lëvizje Komuniste lokale. Ajo qe organizuar në formë të grupeve territoriale, kryesisht në dy nga qytetet më të emancipuar të vendit: në Shkodër dhe në Korçë.
Sigurisht kjo Lëvizje bëri jetë fillestare edhe në Elbasan apo në Kuçovë, në Durrës nga pak dhe deri në Gjirokastër.
Ishte një fuqi politike fare e dobët, por edhe e përçarë, veç tepër këmbëngulëse për të bërë protagonizëm dhe ndikuar në zhvillimet e vendit. Ahmet Zogu dhe administrata e tij, po ashtu edhe policia e fshehtë, e mbanin një sy të hapët mbi ta dhe më në fund kryen gjestin e parë të rëndësishëm kundër tyre: ndaluan futjen dhe shpërndarjen e letërsisë marksiste, leniniste dhe staliniste.
Ndoshta kjo luftë ndaj Lëvizjes Komuniste Shqiptare do të përfundonte e ushtruar deri në këtë nivel, pa pasur nevojë për burgosje dhe internime, sikur të mos ndodhnin ngjarje që Zogut ia kërcënonin rëndë pushtetin personal. Kanosja nuk vinte prej komunistëve, por nga fashistët italianë.
Që të justifikonte kundërveprimin ndaj këtyre të fundit monarkut i nevojitej patjetër që, duke dëshmuar gjoja baraspeshim dhe sens drejtësie, të godiste fillimisht Lëvizjen Komuniste. Kjo duke mos pasur një parti, pra me qenë se ishte shumëkokëshe, qe më e lehtë për t’u trembur dhe shtypur, të paktën paralizuar.
Kështu nisi ky operacion i sofistikuar politik me dy faza, gjoja me pikësynim komunistët, por në të vërtetë fashistët italianë.
Pas një furie arrestimesh të shumta të kryera në fund të vitit 1938 dhe në fillim të motit pasardhës (në mbyllje të janarit, në datën 24, u krye edhe prangosja finale, ajo e Qemal Stafës), në 4 shkurt nisi gjyqi i posaçëm politik ndaj plot 73 të akuzuarve nga Lëvizja Komuniste, shumica prej grupit të Shkodrës.
Gjyqi u zhvillua në sallën më të madhe të ndërtesës së bashkisë së Tiranës. Çfarë thuhej brenda dëgjohej jashtë. Këtë punë e kryenin altoparlantë të fuqishëm.
Ahmet Zogu dëshironte sa më tepër vëmendje të përqendruar tek këta kanosës të rendit publik dhe të shoqërisë me epërsi të pronës private, sepse kjo do t’i justifikonte goditjen e dytë, e cila qe kryesorja.
Gjyqi i bujshëm u mbyll me dhënien e vendimeve, në 11 shkurt. Pesëdhjetë e tre u ndëshkuan. Që të gjithë këta të fundit brenda muajit shkurt u dërguan në kampin e punës në fshatin Mbreshtan të Beratit, ku po ndërtohej një rrugë.
Pas pak javësh ndodhi agresioni fashist italian dhe ata duke përfituar prej gjendjes së anarkisë së përgjithshme u liruan.
Italianët e porsaardhur çuditërisht nuk iu rikthyen punës për rivendosjen e tyre në kushtet e dënimit prej gjyqit të Zogut, madje as u kujtuan për pjesëmarrësit e kësaj ngjarjeje. Listat e internimit i mbushën me emra të tjerë, shumica përgjithësisht të njohur si nacionanistë.
Por heshtja ose përpjekja për të mos e spikatur këtë gjyq special politik, i cili e bëri mjaft popullore Lëvizjen Komuniste Shqiptare e sidomos të riun ende pa mbushur 18 vjeç, Qemal Stafën, do të vijonte për dekada të tëra, deri sa në vitin 1991, kur Shqipëria hyri në pasdiktaturë staliniste, pothuaj asnjë nuk u kujtua për rehabilitimin e saj, renditjen e duhur në historinë kombëtare.
Kjo periudhë apatie vazhdon edhe tani, përderi sa edhe një nga protagonistët më aktivë të kësaj Lëvizjeje, njëkohësisht edhe historiani kryesor i periudhës së quajtur “socialiste”, profesori i shquar Kristo Frashëri, në librin e tij “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së, 1878-1941”, publikuar në 2006, nuk i përkushton as edhe një rresht ngjarjes së mësipërme.
Profesori ka qenë, bashkë me kolegë të tij, autor i dy edicioneve të Historisë së Shqipërisë, fillimisht në dy vëllime (në 1965) dhe më pas në tri (1984). Në të dy këto botime zhvillimi i Gjyqit Special kundër Lëvizjes Komuniste të vendit u përfshi në vetëm 16 radhë, të shkruara njëlloj, pra pa ndryshuar e shtuar asgjë edhe dy dekada më pas.
Gjatë gjysmë shekullit të periudhës enveriste vepruan shumë faktorë që e detyruan këtë qëndrim.
Gjithsesi fillimisht le të rikthehemi në shkurt 1939 për t’i kendvështruar rrethanat përtej sallës së bashkisë së Tiranës, ku u zhvillua gjyqi. Një shfletim i dokumentave diplomatike të qeverisë italiane të Benito Musolinit do të na ndihmonte për të kuptuar më shumë.

Rrëzimi i Zogut nga brenda

Në 6 shkurt 1939, pra në ditën e dytë të procesit gjyqësor kundër 73 të akuzuarve për veprimtari komuniste, ministri i Jashtëm italian konti Galeaco Çano (Galeazzo Ciano), i dërgoi ambasadorit të tyre në Berlin, Bernardo Atoliko, një radiogram të shkurtër.
Ishte saktësisht mesnatë.
Konti qe i shqetësuar për shkak se prej informatorëve në oborrin mbretëror në Tiranë kishin marrë të dhëna që ndihmësi i Ahmet Zogut, gjeneral Sereqi, pati mbërritur në Berlin për të zhvilluar aty bisedime sekrete me palën gjermane, me qëllim që të zëvendësohej në Shqipëri ndikimi italian me atë gjerman.
Çano e porosiste vartësin e tij ta vëzhgonte pa rënë në sy këtë vizitë dhe ta informonte menjëherë.
Dy ditë më herët, në 4 shkurt, në një mesazh për Musolinin, të shënuar prej këtij të fundit si i lexuar dhe i dakordësuar, ministri i Jashtëm italian vinte në dukje se gjeneral Sereqi qe një nazist i thekur.
Ndërkaq në 10 shkurt një mesazh i ambasadorit Atoliko nga Berlini ngulte këmbë se deri ato çaste nuk kishin zbuluar asnjë gjurmë të Sereqit në kryeqytetin gjerman, vetëm nëse ai ja kishte dalë të fshihej mirë.
Njëkohësisht me këtë pohim në ditarin e vet të 6 shkurtit 1939 Galeaco Çano do të shënonte se “U pashë me Duçen në Pallatin Venecia (selia e qeverisë, shënimi ynë)”.
Një paragraf më pas konti shkruante: “I parashtrova Duçes pikëpamjen time për çështjen shqiptare: duhen shpejtuar ritmet. Ishte dakord. Do të fillojmë sa më shpejt t’i grumbullojmë forcat e armatosura dhe të përqendrojmë mjetet ajrore. Të rrisim përgatitjen revolucionare lokale. Epoka e aksionit: Java e Pashkëve”.
Të nesërmen, në 7 shkurt, një telegram urgjent e urdhëroi Françesko Jakomonin të vinte në Romë dhe po atë pasdite si edhe njëzetë e katër orë më pas, në 8 shkurt, ai bëri bisedime shumë të rëndësishme me Çanon.
Sipas ditarit të ministrit të Jashtëm italian, Jakomoni i ka pohuar se duhet të veprojnë sa më shpejt. “Ajri është i elektrizuar në Shqipëri”, paska thënë i dërguari i tyre i fuqishëm në Tiranë.
Shënon në ditarin e tij të famshëm Çano: “Tashmë të gjithë krerët janë me ne: por për sa kohë do të mund të mbahet sekret kjo gjë? Na duhet të studjojmë me vëmendje hollësirat e operacionit”.
Më pas në ditar ministri i Jashtëm italian rreth bisedës së kryer me Françesko Jakomonin bën të ditur: “Nga njëra anë është një i quajtur Uriewicz, ebre polak, përfaqësues i Joint Committee for Jewis Help (“Rruga e Teheranit, nr. 19 Paris) i cili i ka premtuar qeverisë shqiptare një ndihmë të përvitshme prej 100 milion liretash në këmbim të së drejtës për t’u vendosur në Shqipëri dhjetë mijë hebrenj në vit.
Ky projekt është i favorizuar nga Mbretëresha si edhe nga Abdyl Aman Mati, kumbari i Mbretit. Zogu deri tani është i pasigurt, por gjendja financiare kritike mund ta shtyjë që të pranojë”.
Spikat po ashtu Konti Çano: “Në përcaktimin e datës së fillimit të aksionit duhet pasur parasysh se në ditët e para të prillit është parashikuar lindja e fëmijës nga Mbretëresha”.

Pushkë, mitraloza, bomba dore, fishekë, miliona franga ari për të organizuar një kryengritje e armatosur

Sipas ministrit të Jashtëm italian dhe bisedës së tij top sekret me të dërguarin e tyre në Tiranë, “brenda një muaji ose e shumta dyzetë ditësh aksioni në Shqipëri duhet të jetë gati. Veçse që më parë se të shpërthejë kryengritja duhet siguruar shuma e përgjithshme e kërkuar prej pesëmbëdhjetë milion frangash ari. Një pjesë e tyre duhet shpërndarë më parë (një milion të tilla i kemi ndarë gjatë shkurtit), të tjerat gjatë dhe pas lëvizjes”.
Shënon më poshtë Çano: “Rreth detyrimit për të përdorur këtë shumë duhet të kemi parasysh se përveç kompensimit të krerëve politikë shqiptarë që do të jenë pjesëmarrës në këtë lëvizje, duhen parashikuar edhe një muaj apo dy për t’u dhënë rroga grupeve me të armatosur”.
Saktëson ministri i Jashtëm italian: “Përveç parave është e domosdoshme që para se të fillojë aksioni kryengritës duhen siguruar një sasi armësh, edhe pse bandat janë pjesërisht me njerëz të armatosur, të parashikuar për të sulmuar depot ushtarake”.
Më tej: “Duhen e shumta gjashtë mijë pushkë, një mijë e pesëqind revolverë, dyqind pushkë automatike, katër mitraloza, dymijë bomba dore të llojit Thevenot, dhjetë pushkë që hedhin bomba me municionin përkatës, gjashtëqind mijë fishekë”.
Në vijim Çano shpjegon në ditarin e vet se i ka thënë Françesko Jakomonit: “Sigurisht shpërndarja e armëve nuk do të bëhet veçse kur kjo gjë do të duket tepër e nevojshme. Megjithatë këto armë duhet shumë shpejt të përqendrohen në një port të Adriatikut, për shembull në Taranto me qëllim që të mund të transportohen në Shqipëri pak çaste para se të shpërthejë kryengritja ose në nisje të saj, kur ta përcaktojmë ne”.
Vazhdon ministri i Jashtëm italian, duke pohuar se për ta justifikuar lëvizjen e armatosur nga brenda kundër Ahmet Zogut, do t’u duhet të vënë në lëvizje shoqatën e tyre të anijeve me vela që ajo të fillojë punën për t’i bërë të përdorshme piroskafet e vendosura në Vlorë si edhe në Shëngjin.
Vë në dukje gjithashtu Konti Çano se “Do të ishte e nevojshme që komanda e Ushtrisë të merrte, për zbarkim armësh në Kepin e Rodonit, urdhra të drejtpërdrejtë nga Legata Italiane në Tiranë”.
Mëshonte në të njëjtën kohë ministri i Jashtëm e po ashtu dhendri i Benito Musolinit: “Për eventualitet komunikimesh urgjente ose për të lehtësuar ikjen nga Shqipëria të ndonjë personaliteti të kompromentuar ose për futjen e ndonjë personi që ia kanë ndaluar të hyjë në vend, Legata jonë në Tiranë të ketë në dispozicion një avion. Është e domosdoshme që piloti të jetë një njeri me maksimum besueshmërie”.
Saktëson pastaj Çano: “Për sa i takon kryengritjes ajo duhet të kryhet si një veprim spontan i popullit shqiptar, prandaj edhe për këtë arsye domosdoshmërisht është e nevojshme parashikimi i mbërritjes në Shqipëri të trupave ushtarake, shumica të transportueshme nga ajri. Kur kryengritja të ndodhë duhet patjetër të nisë një ndihmë e gjerë materiale për grupet e armatosura dhe familjet e tyre, pjesa dërmuese shumë të varfra”.

Censurë, pastaj sërish censurë

Në 9 shkurt 1939 procesi politik gjyqësor kundër komunistëve shqiptarë në Tiranë qe në mbyllje. Françesko Jakomoni ende në Romë, në takimin kokë më kokë të saj dite i raportonte shefit të vet të drejtpërdrejtë, Kontit Çano, se “Padurueshmëria e popullit shqiptar kundër regjimit aktual po mbërrin kulmin. Nisur nga rrethanat konkrete të vendit të tyre krerët lokalë të lëvizjes ngulin këmbë që punët të mos zgjaten më shumë. Në rast se e vonojmë aksionin ata do të humbasin besimin tek ne. Kështu do të kërkojnë rrugë të tjera për t’ia arritur qëllimit të tyre...”
Ministri i Jashtëm italian e kuptonte fare mirë çfarë donte të thoshte me këtë Jakomoni: të paktën krerët e veriut do t’i drejtoheshin për ndihmë në rrëzimin e Zogut rivales së Italisë, Jugosllavisë.
Ishte me të vërtetë shumë komplekse situata kur u zhvillua gjyqi kundër lëvizjes komuniste shqiptare dhe kjo jepte shumë arsye që ngjarja të zinte vend të dukshëm në historinë e Shqipërisë, e cila u shkrua zyrtarisht pas Luftës së Dytë Botërore, kur Enver Hoxha u bë i pari i fateve të vendit.
Nuk ka asgjë enigmatike që, sa ai personalisht qe gjallë dhe po ashtu regjimi i tij vijoi nën drejtimin e Ramiz Alisë, nuk u botua asnjë libër më vete për historinë e lëvizjes komuniste në Shqipëri, ndërsa veprat e tij politike dhe të kujtimeve kapërcyen dukshëm të njëqind titujt.
Tek “Historia e PPSH”, botim i dytë viti 1981, kjo tematikë përfshihet në më pak se pesëdhjetë faqe me titujt “Fillimet e lëvizjes punëtore”, “Lindja e lëvizjes komuniste” dhe “Zgjerimi i lëvizjes komuniste (1935-1939)”.
Për gjyqin politik të shkurtit 1939 ky tekst përfshin vetëm këto fjalë: “Xhandarmëria zogiste zbuloi dhe arrestoi pjesën më të madhe të anëtarëve të Grupit të Shkodrës. Udhëheqësit e këtij grupi, Zef Mala e Niko Xoxi, u gjunjëzuan përpara hetuesisë dhe gjyqit zogist, që u zhvillua në janar 1939, duke kallëzuar shokët e tyre, veprimtarinë e grupit dhe një pjesë të anëtarëve të Grupit të Korçës. Përpara gjyqit dolën 75 veta, të pandehur se donin të rrëzonin regjimin me anën e forcës. Komunisti 18-vjeçar Qemal Stafa, ashtu si mjaft shokë të tij, mbajti një qëndrim burrëror përpara gjyqit. Ai deklaroi se ishte e do të mbetej komunist i bindur dhe se komunizmi do ta shpëtonte masën e punëtorëve që ishin të shtypur. Gjyqi dha dënime të ndryshme për 52 veta. Lëvizja komuniste shqiptare pësoi një goditjc të rëndë. Kjo u shkaktua kryesisht nga konspiracioni i dobët dhe nga tradhtia e krerëve të Grupit Komunist të Shkodrës, të cilët nuk e quanin ndonjë gabim të rëndë kallëzimin e bashkëpunëtorëve të tyre përpara policisë dhe gjyqit. Këtë ata e vlerësonin si një mjet për të provuar shokët përpara torturave të armikut!”
Do të pritej viti 2006 që një përpjekje të tillë, botimin e posaçëm për lëvizjen komuniste shqiptare, ta kryente profesor Kristo Frashëri, por edhe dijetari i mësipërm, pjesëmarrës aktiv në këtë lëvizje para se atje të shkelte këmba e Hoxhës, heshti për gjyqin e shkurtit 1939.
Kjo censurë duket si një komplot i madh.
Megjithatë Kristo Frashëri e bëri një gjest pendimi në 17 tetor 2012 te “Gazeta Shqiptare”, ku përveç cilësive të jashtëzakonshme të Qemal Stafës (“çdo vit kalonte dy klasë menjëherë”, “Kur mori dëftesën e maturës në gjimnazin e Tiranës dinte 5 gjuhë”, “kishte përvetësuar...edhe latinishten”, “Ishte trim...edhe në fushën politike trim edhe në jetën sociale”, etj.), vuri në dukje: “Ai u bë i njohur për publikun në shkurt të vitit 1939. Ishte 19 vjeç kur doli para gjyqit politik së bashku me 70 të rinj të tjerë, të cilët akuzoheshin si komunistë...Gjatë seancave gjyqësore disa nga shokët e tij e kundërshtuan akuzën duke ngulur këmbë se nuk ishin komunistë. Kur u pyet nga prokurori Kiço Visha, nëse ishte apo jo komunist, Qemal Stafa u përgjigj në mënyrë dinjitoze: Kam qenë dhe jam komunist sepse kam bindje të thellë se komunizmi do të shpëtojë vendin tonë të varfër nga padituria dhe mjerimi...Fjalët e Qemal Stafës u pritën me simpati jo për idetë komuniste, por për kurajën që pati, të shpallte haptazi idetë e tij, të cilat e dinte mirë se do ta mbërthenin në burg”.
Ndërkaq Riza Deliallisi ka pohuar këto hollësi të mbajtura fshehur nga historiografia zyrtare për dekada të tëra: “Ne, 73 personat që ishim arrestuar nën akuzën për veprimtari komuniste, na kishin vendosur në një korridor të madh e të veçantë, duke na krijuar kushte shumë të mira. Që ditën e parë na dhanë: rroba, çarçafë, batanije, hastra (rrogoza) të reja dhe ushqimi që na jepnin ishte jashtëzakonisht i mirë dhe i bollshëm. Autoritetet e burgut na thanë se për krijimin e atyre kushteve kishte dhënë urdhër vetë Mbreti Zog, i cili thuhej se interesohej direkt çdo ditë për zhvillimin e hetimeve që bëheshin aty.
Deri ditën që dolëm në gjyq, ne nuk na linin të takoheshim me familjet tona, por familjarët ishin krejt të qetë, pasi jo vetëm që ne ndodheshim në kushte të mira, por nuk na preku njeri me dorë gjatë gjithë asaj kohe që ishim aty. Kryesori i grupit pa dyshim që ishte dhe vlerësohej Zef Mala, pas tij vinin Vojo Kushi, Qemal Stafa, Qemal Draçini, Ndoc Mazi etj. Por autoritet më të madh kishte Qemal Stafa, sepse në atë kohë thuhej se pasi ishte arrestuar, Zef Mala kishte treguar të gjithë pjesëtarët e grupit. Unë u takova me Qemalin që ditën e parë që më dërguan në atë burg, pasi siç thashë, ne na kishin vendosur në një korridor të madh”.
Deliallisi për periudhën e para procesit gjyqësor, atë të hetimeve menjëherë pas arrestimeve, do të pranonte se në qytetin ku ishte vendosur, Elbasan, për t’i detyruar të tregonin shokët qenë përdorur rrahje të rënda dhe tortura. Lojën demagogjike të Zogut me “kushtet e mira” ai e paraqet kur ndërkohë të gjitha të dhënat e domosdoshme qenë marrë dhe monarkut i interesonte që gjyqi të bëhej sa më tepër model juridik, fat të cilin, linte të nënkuptohej, do ta kishin edhe fashistët italianë të rinisë, të udhëhequr agresivisht nga Xhovani Xhiro (Giovanni Giro), të cilët parashikonte t’i godiste shumë shpejt. Por i dolën blof.
Duke saktësuar se “Gjatë kohës së qëndrimit tonë në burg nuk bëhej propagandë komuniste, pasi ne ishim nën survejim, por Qemal Stafa e ndonjë tjetër na udhëzonin dhe na jepnin kurajë për qëndrimin që duhej të mbanim si gjatë pyetjeve në hetuesi, ashtu dhe kur të dilnim në gjyq”, Riza Deliallisi vë në dukje, si shumë karakteristike, thelbin e trajtimit me heshtje të kësaj ngjarjeve mjaft të rëndësishme të lëvizjes komuniste shqiptare.
Ai thotë: “Ndërsa për Qemal Stafën dhe gjyqin ndaj nesh nuk më ftuan kurrë të flisja në asnjë rast. Ai gjyq si duket u la në harresë, pasi pjesa më e madhe e atyre që ishin aty dhe morën dënime të lehta nga regjimi i Zogut, më pas u shpallën tradhtarë e armiq edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, dhe kështu që s’mund të flitej më për ta”.
Mistere të tjera të mbajtjes fshehur të ngjarjeve të kësaj periudhe, shkurt-mars 1939, do të vijonin, veç çfarë i ka ndodhur Shqipërisë asnjëherë nuk mund të shkruhet në përputhje me interesa politike, partiake, madje edhe nacionaliste.

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 shtator 2020


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com