|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: QERSHORËT E PAFAT TË SHKËLQIM NGURZËS, I CILI LUAJTI NË FILM SKËNDERBEUN E VOGËL
(Fragmenti 63 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Në titrat e filmit “Skënderbeu, luftëtari i madh i Shqipërisë”, nuk gjenden emrat e fëmijëve figurantë që në Berat patën fatin të luanin disa skena të shkurtëra, por mjaft të dukshme dhe shprehëse, me shqiptim fjalësh madje, siç qenë Kamja apo prej familjes Stërmasi, biri i tyre Shkëlqimi.
Mes fëmijëve figurantë beratas, ku janë regjistruar në sekuenca të dallueshme fëmijtë e Gjon Kastriotit, më i spikaturi për rëndësinë dhe kohën skenike që iu dha prej drejtuesve artistikë të filmit, qe Skënderbeu i vogël.
Në qershor 1953, menjëherë pasi Viktor Stratobërdha e zgjodhi në çast në kuadratin e të vegjëlve që po merreshin peng prej osmanëve, të gjithë në Berat e mësuan se ky aktor amator ishte Shkëlqim Ngurza.
Ky lajm u përhap shpejt dhe nuk u vu kurrë në dyshim as ato ditë dhe as më vonë.
Ai thjesht, për shkak të kalimit të viteve dhe ndërrimit jetë të disa dëshmitarëve konkretë, u zbeh. U vanit ky kujtim edhe sepse ngjau një gjë e shëmtuar, ves karakteristik për qytetet e vetëmbyllur në shpirtin e tyre lokalist, për pasojë edhe xheloz: ky kontribut i fëmijëve beratas nuk u promovua kurrë.
Ndërkohë procesi i fshirjes së ngadaltë nga kujtesa u shpejtua pas vitit 1961, ku hyri në mes prishja e madhe e Tiranës me Moskën. Një strategji e tërë mënjanimi dhe censure ra mbi filmin, madje disa aktorë shqiptarë që luajtën në të, ranë njëri pas tjetrit viktimë e luftës së klasave.
Kështu u krijua gropa e zezë e harresës, të cilën po të vazhdojmë ta lëmë grykëhapët, do ta përpijë dhe zhdukë ngjarjen e bukur të ditëxhirimeve në Berat të filmit të famshëm sovjeto-shqiptar për Skënderbeun, të vetmit që kemi për këtë kryehero nacional dhe njëkohësisht europian e ndërkombëtar.
Ja pse, pikërisht që humnerës së harresës apo të manipulimit të kujtesës, t’i shpëtojmë, do t’i paraqitim lexuesit të dhënat më kryesore të jetës së Shkëlqim Ngurzës.
Ai u lind më 8 shtator 1941 dhe u rrit me shumë dashuri për dijen dhe artin. I ati i tij, Isak Ngurza ose Kurti, qe mësues me mjaft pasion e talent. Kam qenë nxënës i tij.
Edhe shkollën shtatëvjeçare Shkëlqimi e kreu në Berat, moment i jetës së tij ku iu bë më shprehëse dashuria për letërsinë. Disave u dukej se ai që kish lozur në film Skënderbeun e vogël, do të bëhej një shkrimtar i vërtetë.
Shkollën e mesme Shkëlqimi e përfundoi tek ish “Hari Fultz”, ku doli me rezultate shumë të mira. Gjithsesi profili teknik që mori, nuk ja mënjanoi prirjen për letërsi, por i bëri më të dukshme edhe pasionin për muzikën, sidomos atë të këngës së lehtë italiane, e cila qe ato çaste ende e pandaluar tërësisht.
Kur mbaroi “Politeknikumin”, siç quhej ish-“Hari Fultz”, Shkëlqim Ngurza dalloi tek vetja prirjen se kish adhurim për poezinë, veçanërisht atë ruse.
E pëlqente mjaft Pushkimin, por mbi të gjitha Eseninin.
I hyrë plotësisht në jetë, madje edhe i martuar me një vajzë nga Vlora, Shkëlqimi poetin Sergej Eseninin e bëri idhull. Edhe në pamjen e fytyrës ngjanin. Do të qenë të ngjashëm edhe në pirjen e tepruar të rakisë, gjendjes ku dehja fizike nuk vjen nga pijanecllëku, por edhe prej frymëzimit të brendshëm letrar.
Ky pasion artistik për rusët do t’i kushtonte. Në qershor 1977 e arrestuan. I vunë si akuzë jo Pushkinin apo Eseninin, por se dëgjonte dhe këndonte fshehtas melodi italiane. Këtë kohë ato qenë të ndaluara nga shteti.
Nga hetuesi iu bë edhe një montazh: sikur kishte qenë bashkë me tre të tjerë të arrestuar dhe të burgosur më parë, të cilët qenë kuadro në Qytetin Stalin. Këta qenë ish shefi i shëndetësisë Thoma Grillo, inxhnierët Nuredin Skrapari dhe Guri Thanasi. Pasi patën pirë në mbrëmje në shoqërinë edhe të Shkëlqim Ngurzës, kur ky u largua, këta tre thyen një portret në mur të Enver Hoxhës.
Edhe pse Thoma Grillo që nga burgu i Spaçit u thirr tri herë në seancat e gjyqit të Ngurzës, ai nuk pranoi të fliste në favor të akuzës shtetërore.
Megjithatë Shkëlqimi u dënua shtatë vjet, por për shkak të disa amnistive, vuajti në burgun e Spaçit pesë prej tyre.
Sigurisht nga kjo ngjarje pasojat do të kërcënonin dhe vinin në vështirësi edhe rrethin e tij familjar. Qe vella i dy motrave: Rudit, librare e njohur në Berat, martuar me mësuesin e matematikës, autor i tekstit të analizës për shkollat e mesme, Kristofor Bamijes dhe Yllkës, martuar me Arbenin, inxhinier, djalin e Pirro Dodbibës. Vëllai tjetër i Shkëlqimit, Hektori, punonte si inxhinier në Kombinatin e Tekstileve.
Mbas burgut punoi si elektriçist në Ndërmarrjen e Ujrave.
Në mes të vitit 90-të dhe më pas Shkëlqim Ngurza do të qe i pranishëm mjaft aktiv né çdo tubim që bëhej për rrëzimin e komunizmit. Në 21 shtator 1991 dhe në 1994 do të merrte pjesë në grevat e urisë së të përndjekurve politikë, të cilët kërkonin për periudhën e vuajtjes së dënimit pafajësinë dhe zhdëmtimin material sipas normave ndërkombëtare.
Në 11 qershor 2013, i sëmurë prej një azotemie të rëndë, do t’i plotësonte një kërkesë kunatit të tij Kristofor: të recitonte nga Sergej Esenini poezinë e famshme “Letër nënës”.
Sytë iu mbushën me dritë, madje edhe fytyra u duk sikur mori ngjyrë të purpurt.
Shkëlqim Ngurza do t’i recitonte pa asnjë gabim të nëntë strofat:
“Gjallë je, nënoke? Edhe unë
Gjallë jam. Shëndet më paç, shëndet!
Dritë e bëftë krejt kjo mbrëmje e lume
Izbën tënde, që me mall më pret.
Thonë se je ligur e je tretur
Nga meraku im, po nuk ankon,
Se, pështjellë me një shall të vjetër,
Fillikate rrugës shpesh kalon.
Dhe kur mugëtirë e kaltër bie,
Një vegim i zi të kall ty frikë,
sikur në një sherr diku në pije,
Vjen dikush e ma këput me thikë.
Kot, e dashur, vuan kaq, besomë,
Brenga t\'i fanit këto ndër sy.
S\'jam aq pijanec i lig sa ç\'thonë,
Si do vdes pa të të parë ty?
…”
Të nesërmen, në 12 qershor, ai dha shpirt.
Qershorët nuk ishin fati i Shkëlqim Ngurzës.
FUNDI I LIBRIT TË PARË TË TRILOGJISË PËR BERATIN
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|