Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: FËMIJA JETIM QË LUANTE I VETËM TËRË FILMIN “SKËNDERBEU”


(Fragmenti 61 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Kur në kinemanë e qytetit të Beratit filloi seanca e parë e shfaqjes së filmit “Skënderbeu”, fillimdhjetor 1953, te punonjësi që rrinte para derës dhe lejonte hyrjen e shikuesve vetëm kundrejt një bilete të blerë, xha Hali, u afrua një fëmijë i vogël sapombushur të tetë vjeçët.
Pa e fshehur sikletin se po i kërkonte një gjë të “turpshme”, hyrjen pa biletë, i vogli lutjen ia bëri gjithsesi duke e parë kurajshëm në sy.
Xha Hali qe mësuar me bashkëqytetës që i ndërhynin të shihnin ndonjë film pa lekë dhe në këtë punë nuk ishte fort dorëlëshuar, por vorrcaku i atyre çasteve me vështrimin e tij e preku në zemër. Ai njihej si një fëmijë pa shtëpi, pa familje siç kishin gjithë të tjerët. Nëna e vërtetë jetonte në Berat, kurse njerka në Tiranë. I jati, pas divorcit, pati shkuar tek gruaja e dytë në kryeqytet, por duke qenë jo fort i zot për ta mbrojtur të birin e tij, ia kishte lënë fatin në duart e njerkës.
Kjo sytë i pati vetëm për dy djemtë e vet nga martesa e mëparshme dhe i vogli, duke e ndjerë veten se po trajtohej si jetim, u largua nga Tirana pa marrë leje as nga i jati.
Udhëtoi fillikat.
U rikthye në Berat me shpresë që nëna e vërtetë, që banonte aty, do të gjente brenda vetes pak dashuri për të, por pësoi zhgënjim të rëndë. Ajo u tregua e ftohtë.
Kështu vogëlushi, që duhet thënë se qe kokë më vete, mbeti në rrugë dhe flinte ku të mundte, jo rrallë edhe brenda karrocave me kuaj, të cilët nga lagjia “Çlirim”, “Murat Çelebi” e dikurshme, transportonin pasagjerë për në “Pazar”, çfarë donte të thoshte qendra e qytetit. Pajtonët bënin edhe rrugën e anasjelltë.
Natën të zotët çmprehnin kuajt dhe deri në mëngjesin e herët ndenjëset e meshinta qenë më të buta nga sa vocrraku mund t’i fantazonte. Mbi to flinte i qetë, ca më shumë që karrocat qenë të mbuluara nga lart dhe në të dy anët, duke penguar të hynte jo vetëm shiun por edhe erën.
“Futu shejtan!” i tha menjëherë xha Hali dhe tetëvjeçari rrëshqiti mes njerëzve me bileta dhe sa hap e mbyll sytë u gjend në rradhën e parë, në këmbë, në një kënd ku nuk binte në sy. Vështrimin e treti tek bezja e bardhë ku do të shfaqej, si të qe një ëndërr me ngjyra, filmi për Skënderbeun, heroin e madh të të gjithë shqiptarëve, emrin e të cilit ata e mësonin që sapo dilnin në jetë dhe për të lexonin sapo mësonin shkrim-këndimin në klasën e parë fillore.
Vocrraku i rritur me të keq, pa dashuri prindërore dhe mbetur pa shtëpi e kishte ndërkaq një sekret pse e donte Skënderbeun pak më shumë se të tjerët: edhe ai e kishte emrin Skënder. Madje të dy prindërit, kur ishin të dashuruar me njeri-tjetrin e të lumturuar nga kjo lindje emrin krijesës së tyre ia patën vënë pikërisht në nderim të Gjergj Kastriotit.
Në atë fillim dhjetor 1953 seanca e parë e filmit sovjeto-shqiptar filloi duke i lënë spektatorët gojëhapur. Kishte edhe pamje tè qytetit tè tyre, ku disa muaj mè parè qenè bèrè xhirime. Ishte mahnitèse ta kishe Beratin, Kalanè dhe Drobonikun, nè ekran. Ndèrkohè vetè filmi qe një krijim gjenial në çdo sekuencë të tij, në çdo pamje dhe aktor, tingull muzike dhe hap i hedhur në valle, marramendès në të gjitha pejsazhet dhe skenat e luftës. Aty qenë shumë vende të botës, që nga Stambolli deri në Venedik.
Filmi i jashtëzakonshëm dhe i paparë ndonjëherë në atë kinema, madje as në “kohën e Italisë”, Luftës së Dytë Botërore ku qytetin e tyre e patën frekuentuar filmat më të mirë të kinostudios “Luce”, ishte i gjatë dy orë e njëzetë minuta.
Pasi mbaroi shfaqja shikuesit dolën dhe karriget e tyre ende të ngrohta i zunë spektatorët e seancës së dytë.
Por Skënderi i vogël qëndroi tek vendi i tij i mënjantë në skajin e djathtë të rreshtit të parë. Duke e përpirë me vështrim të ngulmët ai e pa sërish filmin. Më në fund u larguan nga salla shikuesit e seancës së dytë, hynë ata të së tretës shfaqje dhe Skënderi përsëri ia nguli vështrimin dy orë e njëzetë minutave.
Atë ditë të fillim dhjetorit 1953 Skënderi, mbiemri i të cilit nga prindërit e vet të kohës së lumtur e kishte Mustafaj, pa edhe seancën e katërt të filmit, të fundit.
Të nesërmen nuk i erdhi fare turp t’i lutej sërish xha Halit që të hynte në kinema pa biletë dhe ky i fundit t’i binte shkurt miratimit me shprehjen “Futu shejtan!”
Kështu vocrraku e pa filmin njëzetë e katër herë dhe nga që ai e pati magjepsur truri i tij pavullnetshëm por me vetëdijën e një saktësie të habitshme sfiduese për çdo dituri shkencore, madje edhe enciklopedi të famshme botërore, kishte kryer një gjest shumë të habitshëm: e kishte mësuar atë përmendësh.
E rrëfente, madje e interpretonte, pa bërë asnjë gabim. Nuk harronte asgjë pa imituar, zë njeriu, fërkim shpatash, vrapim e hingëllima kuajsh, muzikë shoqëruese të çdo skene një për një, ujëra burimesh në gurgullim...
Kështu tetëvjeçari Skënder Mustafaj u bë papritur dhe pas e menduar as vetë “çuni-film”, pra djali-film ose njeriu-film. Nëpër qytet kushdo që e njihte, pasi i jepte një pesëlekëshe, i kërkonte të luante diçka nga filmi. Porositësit ndonjëherë i caktonin edhe fragmentin që dëshironin.
Rrodhën ngjarjet deri sa në Berat mbërriti Viktor Stratobërdha. Qe vjeshtë e motit 1956. Ishte emëruar drejtor i kinemasë së qytetit, çfarë pak nga pak iu bë pozicion i regjisorit të Estradës.
Viktori pati qenë ndihmësregjisori numër një i filmit për Skënderbeun, ndërsa flitej se realisht, me kontributin e dhënë për regjisorin sovjetik Sergej Jutkeviç, kishte luajtur rol shumë më të madh. Stratoberdha pati qenë kyç në krijimin artistik të mjedisit shqiptar në film, duke e shpëtuar atë, bashkë me kolegë të tjerë aktorë bashkatdhetarë, prej ndonjë rreziku sovjetizimi.
Populli i Beratit e dinte në vija të përgjithshme që tashmë Viktori, regjisori i parë i Kinostudios “Shqipëria e Re”, ishte dënuar pas asaj që ndodhi, në prill të atij moti, 1956, në Konferencën e Tretë të Partisë së Punës për Tiranën.
Me pak fjalë, edhe pse nuk kishin njohuri për shumë hollësira, fjalët e përhapura thoshin se qe “i dënuar politik”.
Me Viktor Stratoberdhën regjisor estrada e qytetit të Beratit pati ndjeshëm një hov suksesi, madje që me shfaqjen e parë nën drejtimin e tij artistik.
Ndërsa i gëzohej kësaj mbarësie, një ditë kur para tij u shfaq fare rastësisht fëmija tashmë afër të dhjetëvjedhjetave, një koleg i tërhoqi vëmendjen: Shihe mirë Viktor atë djalë! Ai e ka mësuar përmendësh të gjithë filmin “Skënderbeu”. Është fëmijë i braktisur nga familja”.
“Çfarëpo më thua!, u habit pa masë Stratobërdha, nuk është e mundur”.
E kishte fjalën për të dy të pazakonshmet: imitimin e filmit dhe lënien në rrugë të një vocrraku.
“Interpreton tërë filmin minutë pas minute”, saktësoi tjetri gjënë, që sipas tij, ishte më interesantja tek Skënderi. Atëherë Viktor Stratobërdha iu afrua vogëlushit dhe e ftoi të vinte pas tij. Shkuan në Shtëpinë e Kulturës, në një dhomë të saj dhe pasi u ul në një karrige dhe ndezi një cigare, i tha fëmijës së çuditshëm: “Pa na luaj njëherë filmin!”
Pastaj e ndoqi pa ja hequr sytë, me shumë vëmendje, të gjithë interpretimin, dy orë e njëzetë minuta pa pushim.
Kur spektakli mjaft i habitshëm mbaroi iu drejtua të voglit me fjalët e pakta dhe të paqarta: “Hajde me mua!”
Ndërsa Skënderi vuante nga meraku se ku do ta çonte regjisori i dytë i filmit sovjeto-shqiptar për Skënderbeun, Viktori i bëri një pyetje të drejtpërdrejtë: “Ke ngrënë bukë?”
“Jo”, iu përgjigj njëmbëdhjetëvjeçari.
Pa i thënë asnjë fjalë tjetër Viktori e mori me vete dhe e futi në ndërtesën e hotelit më të mirë të qytetit, “Kolombo”, duke e ulur në një nga tavolinat e restorantit.
I dha drekën. Pastaj i tha Skënderit: “Nesër po të pres në Shtëpinë e Kulturës”.
Skënderi shkoi sërish tek po ajo dhomë dhe, iulur në të njëjtën karrige, sërish me një cigare që e porsandezi, Viktor Stratobërdha i tha: “Vazhdo djalë!”
Pas dy orëve e njëzetë minutave e mori me vete dhjetëvjeçarin dhe e uli në një tavolinë të restorantit të hotel “Kolombo”. I dha drekën.
Pas disa ditësh Skënderin do ta thërritnin për të tretën herë në Shtëpinë e Kulturës, ku një person i ngarkuar nga Stratobërdha do t’i komunikonte vendimin që kishin marrë si trupë estrade: në premierën që po përgatitej ai do të kishte pesëmbëdhjetë minuta në dispozicion për të luajtur një fragment nga filmi “Skënderbeu”.
Kur shfaqja u dha në sallën e kinemasë dhe ai ishte i veshur me një kostum popullor të veriut, interpretimi i Skënderit u prit me brohorima të mëdha.
Disa duartrokitës u ngritën edhe në këmbë.
Pas këtij suksesi publik dhe kur emri i tij përcillej gojë më gojë si një çudi gjeniale truri, Skënder Mustafajin nisën ta aktivizojnë nëpër shfaqje jo vetëm Shtëpia e Pionierit, por edhe kolektiva mësuesish në qytet e veçanërisht në fshat, të cilët krahas mësimit kryenin edhe veprimtari kulturore.
É pikërisht në një rast të tillë, në festën e përvjetorit të çlirimit të Skraparit, e pa edhe Zylyftar Veleshnja, një luftëtar shumë i njohur antizogist dhe antifashist i krahinës. U prek shumë prej historisë së jetës së Skënderit dhe pas një bisede një gjysmë orëshe, e bindi “çunin-film” të jetonte në shtëpinë e tij.
Zylyftari dhe bashkëshortja kishin ato çaste dhjetë fëmijë.
I kishte thënë të shoqes, kur papritur ia solli në shtëpi: “Tek mija dhe qindi: merre, Bule, rregulloji kostumin tim, boll e kam këtë që e mbaj përditë. Laje, ndërroje, shto një lugë në tavolinë e quaje të njëmbëdhjetin”.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com