|
Foto: .jpg | KOMUNIZËM SHQIPTAR ME TELEVIZION ITALIAN
Fragment:
Beteja e valëve të transmetimit
Ngjarjet po i afroheshin vitit 1970, por ende nuk e kishin çekur ditën e parë të tij. Aparatet televizivë në Shqipëri po shtoheshin me një ritëm të tillë që, edhe llogaritja më e thjeshtë nxirrte rezultatin se në fundin e shekullit ajo do të kishte një ekran për njëmijë banorë të saj.
Si edhe më parë sasia tepër e pakët e tyre në fund të vitit 1969 ishte e përqendruar në kryeqytet dhe në portin më të madh të vendit, në Durrës. Kjo fashë hapësinore prej jo më shumë se dyzetë kilometrash në vijë ajrore, në të cilën ishte grumbulluar edhe sasia më e madhe e receptorëve të valëve televizive, qe edhe më e hapura ndaj tyre.
Ose korridori kryesor i hyrjes së RAI-t.
Korridore të tjerë, më anësorë, rrihnin gjithashtu territorin shqiptar.
Në veri vrapi i valëve televizive arrinte qytetin e madh të Shkodrës dhe rrethinat e tij, përfshinte disa dhjetëra kilometra më poshtë qytetin e vogël të Lezhës dhe vetëm një varg i pandërprerë kodrash të larta dhe malesh e bllokonte depërtimin e saj në përpjekjen për të hyrë në thellësi të vendit.
Në Shqipërinë e mesme në portën e madhe të Durrësit, pak dhjetëra kilometra më poshtë, një korridor tjetër e merrte valën e RAI-t, e kalonte lirisht mbi disa qytete të vegjël, vendosur buzë hekurudhës dhe mbi kodrina, dhe e hidhte, zakonisht tejet të dobësuar, në qytetin e Elbasanit, pikën e populluar më të largët nga bregdeti.
Qe krejtësisht e hapur në qyteti e Vlorës, pika më e afërt me Italinë, distancë minimale prej shtatëdhjetë e gjashtë kilometrash, quajtur ndryshe edhe kanali i Otrantos. Kaq i fuqishëm ishte sinjali këtu sa një vlonjat mund ta mbante televizorin vetëm me fytyrë nga deti dhe për RAI- n nuk kishte nevojë fare për antenë.
Kjo furi ishte e madhe, pak nga pak zbehej, fashitej prej majëmaleve që ngriheshin njëri pas tjetrit duke shkuar drejt kufirit lindor të shtetit.
Mes këtyre maleve ndodhej vetëm një luginë, atje ku ishte vendosur qyteti ynë i Beratit dhe më pas, shumë më larg, një rrafshnaltë, në të cilën qe ndërtuar qyteti i madh i Korçës.
Deri këtu ishte e pamundur të mbërrinte RAI.
Vala e tij e kishte më të lehtë depërtimin e saj më në veri të Vlorës, ku nëpër fushën e gjerë të Myzeqesë, duke kalur me një turravrap qytetin e madh të Fierit shkonte lehtësisht deri mbi dritaret e pallateve të Lushnjës, një qyteti të vogël, të cilit i mjaftonte një skelet i katrorë druri, i veshur me letër alumini, që ta kapte sinjalin sikur të ishte në bregdetin puliez.
Një korridor i fundit televiziv rrihte Sarandën, qytetin e bukur turistik dhe më skajorin në jug të vendit, në historinë e afërt të të cilit ishte edhe trilli i Musolinit për t\\\'i vënë atij emrin e vajzës së tij Eda, duke e shënuar në hartat që prodhonin tipografitë e tij ushtarake, Porta Eda.
Ky kanal përthithës i sinjalit nuk shkonte dot shumë larg, sepse i duhej të përballej me shpina të larta malesh, duke mos ja dalë dot ta çonte imazhin fluturues të televizionit italian deri në një qytet të madh, madje në kryeqendrën e jugut, në Gjirokastër.
Kështu në prag të vitit 1970 sinjali i RAI-t gjeografikisht mbulonte gjithë bregdetin shqiptar dhe qendrat e banuara në të apo afër tij dhe me shumë vështirësi arrinte të depërtonte deri në mes të saj.
Kësaj hapësire matematikisht i takonte vetëm një e treta e vendit. Por këtë terren të humbur në kilometra televizioni italian e fitonte në njerëz, sepse arrinte të zotëronte shumicën e qendrave më të mëdha qytetëse dhe kështu mbante nën efektin e vet më shumë se gjysmën e popullsisë së Shqipërisë.
Këto ishin edhe zonat më jetike të vendit, më të rëndësishmet e saj ekonomikisht dhe politikisht, atje ku edhe ishin përqendruar inteligjenca dhe mjediset e mëdha studentore.
Në një farë mënyre RAI hynte në Shqipëri nëpërmjet katër-pesë korridoreve horizontalë. Ai nuk ishte i qëndrueshëm dhe koha e vrenjtur e dobësonte atë gjer sa edhe e zhdukte për ditë e javë të tëra. Në kohë të kthjellët, edhe po të ishte ftohtë, sinjali arrinte të hynte nëpër këto rrugëkalime ajrore.
Sezoni i ngrohtë, fundpranvera dhe e gjithë vera ishin periudha e bumit të tij.
Tamam kur shqiptarët po kërkonin me këmbëngulje, nëpërmjet aparateve shumë të pakët televizivë, të kapnin dhe ndiqnin imazhin me figurë të tij, ekranet e rrallë nisi t\\\'i rrahë fort një sinjal tjetër: \\\"Beogradskaja Radio-Televizija\\\", Radio-Televizioni i Beogradit.
Fuqinë e disafishuar të transmetimit shqiptarët nuk e kuptuan dot që në fillim. Të izoluar, siç edhe ishin prej dekadash, një kanal i ri televiziv qe një dritare e re. Vendi i tyre ende po eksperimentonte stacionin e vet televiziv dhe pritej me ditë që ai të niste transmentimin e programeve.
Sinjali i jugosllav ishte \\\"xham\\\", i qartë. Mund të dalloje edhe firomën që njerëzve u delte nga goja gjatë ditëve me borë dhe akull.
Ai imazh çante mes për mes qytetin e Shkodrës, hynte në luginën që të nxirrte në qytetin e Lezhës, arrinte në Tiranë po aq sinjalfort, hynte vrullshëm në qytetin e Elbasanit, të Lushnjës, Fierit, Beratit dhe bënte për më poshtë, në një përpjekje kokëfortë për të kapur edhe skajin më të largët të jugut.
Ndryshe nga televizioni italian, sinjali i të cilit binte mbi Shqipëri jo i dërguar posaçërisht, por thjesht kapërcente territorin e vendit të vet dhe, duke përfituar nga rrafshi i detit, arrinte bregun e përtejmë, televizioni beogradas depërtonte në mënyrë të organizuar.
Për të ushqyer depërtimin e tij të furishëm në Shqipëri, tamam sikur të ishte një pritë, \\\"Beogradskaja Radio-Televizija\\\" kishte ngritur një përforcues të fuqishëm në malin e quajtur Krajë, në periferinë jugore të Titogradit (Podgoricës) dhe shumë afër kufirit shqiptar.
Ky përsëritës ishte edhe gjeneratori i imazhit beogradas.
Jugosllavët kishin shpallur luftë mediatike.
Projekti i aneksimit të Shqipërisë si një republikë e ardhme e federatës së tyre, model i aplikuar në fillim të shekullit me Kosovën, kishte ndërruar mjet dhe metodë. Në vend të ushtarëve apo agjentëve, të cilët gjithnjë zbuloheshin e priteshin me breshëri zjarri nga kufitarët shqiptarë dhe nga struktura njerëzish të armatosur e mjaft vigjilentë, Beogradi e kalonte tanimë kufirin me sinjalin e tij televiziv, në të cilin përfshiheshin dhe alternoheshin gjatë ditës e deri më mesnatë edhe stacionet e Zagrebit, Lubjanës, Titogradit dhe më pas të Prishtinës e Shkupit.
Ky agresion i hapët nuk dukej, të paktën nuk mund të akuzohej. Ai nuk bënte gjak dhe nuk shkaktonte probleme me ligjet formale të botës. Ndërkohë ishte i përditshëm dhe gërryes, linte gjurmë në konstitucionin shpirtëror të shqiptarëve.
Të dhënat që ata mblidhnin nga informatorët e tyre brenda territorit të fqinjit, konfiguronin një tablo, sipas të cilës shqiptarët pëlqenin shumë kengët popullore sllave, veçanërisht ato kroate e boshnjake, ndiqnin të gjitha ndeshjet e futbollit, basketbollit, rrëshqitjes me ski, boksit dhe patinazhit artistik, pjesërisht tërhiqeshin edhe nga filmat e huaj me dialog të traskriptuar në alfabetin latin.
Fëmijët kishin interes përherë e më aktiv ndaj filmave vizatimorë, të cilët mbi ekran nisnin pa gërmat cirilike, por grishnin me figura gazmore dhe me fjalët \\\"Certanij film\\\".
Viti 1970 u duk se ishte viti i \\\"Beogradskaja Radiotelevizija\\\". I shkëlqimit të tij. Viti i epërsisë totale.
Por në të vërtetë gjithçka kishte qenë vetëm një efekt i fillimit. Një sugjestion. Krejtësisht iluzion.
RAI nuk lëshoi asnjë nga fansat e tij. Këngët sllave apo koncertet e festivalet e tyre rreshtoheshin të pëlqyera vetëm pas Sanremos e Kansonisimos, pas Teatro Dieçit, Hiparejtit, Disko per l\\\'estate.
Edhe testimi më i vogël mes shikuesve nxirrte në pah që shqiptarët rreshtonin pa marrë frymë njëzetë e tridhjetë emra këngëtarësh italianë, por mbeteshin me gisht në gojë e lëshonin vetëm një mërmërimë, kur u kërkohej kjo gjë për këngëtarët jugosllavë.
Ishte e habitshme, por italianët, me vetëm sinjal televiziv të rastësishëm dhe spontan, po e mbronin integritetin territorial të Shqipërisë.
Ishin rreshtuar në mbrojtje të lirisë së saj.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|