Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: XHIRIMET E FILMIT “SKËNDERBEU” NË BERAT, SI U MBAJT SEKRET VDEKJA NGA DJEGIA ME ZIFT E DY USHTARËVE FIGURANTË


(Fragmenti 58 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Shkëlqim Stërmasi është një nga ata që Skënderbeun e madh, por si aktor të filmit, e ka parë në Berat, madje jo nga larg, si vetëm siluetë,por nga fare afër.
Në kullën e madhe rrethore, e cila shfaqet si një gjysmë cilindër sapo hyn në portën e Kalasë, ndodhej dhoma e xhveshjes së aktorëve.
Këtu aktori rus qè luan Gjergj Kastritin, Akaki Horava, disa herë e refuzoi veshjen që i sugjeronin.
“Vetëm në fund ra dakord me atë që paraqitet në film”, na shkruan Stërmasi.
Tregon po ashtu edhe një të pathënë të jetës së tij: “Nga roli episodik që luajta, pata edhe një lajm të hidhur. Pas nja dy muajsh u takova me një gazetare të së përditshmes “Bashkimi”, e cila më vonë do të qe e vetmja që shkoi në paralelin 37 kur zhvillohej lufta e Vietnamit.
Ajo më tha se më kishin planifikuar për të shkuar në Bashkimin Sovjetik për aktrim, por u kishte prishur punë biografia e familjes time”.
Ndèrkaq nè vijim tè plotèsimit tè pèrshkrimit tè ditève tè paharuara kur nè Berat u xhiruan skena tè tèra tè filmit “Skènderbeu, luftètari i madh i Shqipèrisè”, ju paraqesim njè protagonist tjetèr tè ngjarjes. Ky èshtè dajua im.
Sali Dardha èshtè violinist i njohur në Berat, bashkë me gruan e tij Aferdita. Jeta e tij e mèsuesit pèrherè u lidh e ka mbetur pranè artit.
Saliu do të më pohonte në 2018, kur nisa të mblidhja sa më shumë hollësi rreth xhirimeve në Berat, se “Kam pasur fatin të jem në rreshtin e parë i pari djathtas në grupin e fëmijëve të marë peng. Kam qenë shumë afër vëllezërve të Gjergj Kastriotit që luheshin nga Teki Luari e Asllan Çeço, ndërsa Skënderbeu luhej nga Shkëlqim Ngurëza”.
Saktëson ai, atè kohè 11 vjeçar: “Kam qenë në klasën e katërt Ushtrimore”.
Sipas Saliut, për nevojat e figurantëve fëmijë, shumica e të cilëve do të qenë nè film pengje apo robër, në klasën e katërt të Ushtrimores zgjodhën në bazë të tipareve shtatë apo tetë fëmijë. Ai saktëson se pas kësaj përzgjedhjeje atë dhe disa të tjerë tè sè njèjtès moshè i çuan në hotelin më të mirë e më me emër të Beratit: “Kolombo”.
Në vitet kur zhvillohen ngjarjet e mësipëme ai thirrej zyrtarisht “Moska”.
Aty u dhanë rroba dhe i nisën për në vendxhirim, tek porta e Kalasë.
Prej andej ai, si edhe të tjerët, të veshur me rrobat e filmit, u kthyen në shtëpitë e tyre. Kjo u përsërit për disa ditë. Sali Dardha e ka identifikuar në film pamjen e tij të vetëtimtë në rreshtin e parë të fëmijëve peng, në skajin e djathtë, ndërsa afër ka Kamjen.
Nga kjo prani kinematografike atij i ka bërë përshtypje se jo rrallë shkak për rikthimin e xhirimeve bëheshin fëmijë nga turma e madhe e shikuesve, të cilët herë pas here i qëllonin me gurë ushtarët turq. Nuk bindeshin aq lehtë të hiqnin dorë edhe pse drejtuesit e regjistrimeve filmike, të cilët sapo kishin stopuar kamerat, u shpjegonin se ata që shihnin nuk qenë turq të vërtetë, por shqiptarë që luanin.
Njëmbëdhjetë vjeçarit Sali i ka lënë mbresë edhe hedhja e serës së nxehtë nga muret e kalasë, e cila mbrohej prej pushtimit osman duke i djegur e përvëluar ushtarët turq. Gjatë filmimeve u shkaktua posaçërisht, për efekte të forta artistike, por edhe emotive, shumë flakë. Përballimi i kësaj gjendjeje nuk mund të bëhej duke mobilizuar figurantë nga profile civile. Prandaj për të luajtur rolet e jeniçerëve turq në sulm për të marrë kështjellën skënderbegase, u caktuan ushtarë të repartit që ndodhej në Uznovë.
Këta qenë që të gjithë në moshë të re, ndryshe nuk mund të realizonin dot skenat kur mbrojtësit shqiptarë nga muret e kalasë do të hidhnin mbi pushtuesit sulmues zift të nxehtë. Sipas skenarit dhe këmbëngulësisht prej regjisorit rus Sergej Jutkeviç, këto veprime do të ishin reale, jo të prodhuara në studio apo laborator.
Kush e risheh sot filmin “Skënderbeu, luftëtari i madh i Shqipërisë”, tek vështron ato pak sekonda veprimi të luftëtarëve mbrojtës që u hedhin turqve nga lart serë përvëluese, duhet të jetë i bindur se ata janë ushtarë të thjeshtë të garnizonit të Beratit, ku shumica qenë nga fshatrat apo qytetet fqinj.
Në repart ishin të vetëdijshëm se loja filmike me ziftin djegës ishte me rrezik të sigurt, prandaj ata në një farë mënyre qenë të vetëdijshëm se po shkonin në një luftë me kanosje jete.
Gjithsesi për jetën e të caktuarve të qenë ushtarë turq të goditur nga lënda e zjarrtë, u morën masa. Ata u veshën drejtpërsëdrejti në trup me një këmishë të plotë e të trashë gomine antidjegie, pastaj mbi të vunë rrobat e trupit, në këtë rast uniformën e ushtarit osman.
Kineasti Skënder Jaçe, vetë lindur dhe formuar me përvojë filmike në qytetin e Kuçovës, në tetor 2018 do të na tregonte të fshehtën e mëpasshme: ai nguli këmbë se në skenën e caktuar të “Skënderbeut”, e ka dalluar me sy se si, ndryshe nga masa e madhe e ushtarëve turq, pra në fakt ushtarëve shqiptarë, dy prej tyre, kur u ra mbi shpinë sera e nxehtë, shprehin një dhimbje shumë të madhe, dukshëm të vërtetë.
Kuptohet qartë që djegia u ka ndodhur realisht.
Pas vitit nëntëdhjetë, kur tashmë qe e lehtë të prishje çdo lloj sekreti të së shkuarës, një mik i Skënder Jaçes, oficeri me emrin e thirrur miqësisht Guçe, në momentet që të dy po shihnin filmin, i thotë se dy ushtarë nga reparti i tij, figurantë, qenë djegur vërtetë, madje në një shkallë të rëndë. Këtë të fshehtë zyrtare po ja thoshte për herë të parë vetëm atij dhe kurrkujt tjetër.
Zifti përvëlues, shpjegoi oficeri i garnizonit të Beratit, dreqi e di si kish mundur, u pati hyrë ushtarëve në qafë nga lart, zbritur pastaj nga poshtëkoka e mbrojtur, duke rrëshqitur si gjarpër vrastar deri edhe poshtë gominës.
Hyrja në atë hapësirë milimetrike, ku goditi sera e nxehtë, praktikisht nuk mund të ndodhte edhe sikur me shenjë të merrej.
Pas xhirimit të dy ushtarët e djegur në qafë, në pjesën e sipërme të shtyllë kurrizore, u shtruan menjëherë në spital dhe u bë gjithçka për tua shëruar plagën e kështu shpëtuar jetën. Për fat të keq dëmi qe i pariparueshëm.
Më në fund trupat e pajetë, të mbyllur në arkivole, iu dorëzuan familjeve me shpjegimin se ata ishin vrarë gjatë një stërvitjeje ushtarake.
Po të thoshin të vërtetën e asaj ngjarjeje tragjike gjithçka akuzuese, mendonin krerët e Shqipërisë së atyre çasteve, do të binte, të paktën në opinionin e brendshëm por edhe në atë të huaj, mbi rusët dhe Bashkimin Sovjetik. Kështu ato dy vdekje të dhimbshme do të kompromentonin miqësinë e fortë ideologjike të Kampit Socialist, do të përbënte pikë të pëlqyer goditjeje nga rivalët e Perëndimit.
Në motin 1952, filluar që në 1949, ende qe në vijim operacioni i madh i SHBA dhe aleatëve të saj për ta goditur dhe shkatërruar bllokun komunist duke përdorur si “thembër Akili” pushtimin paraprak të Shqipërisë.
Vdekja e dy të rinjve, arsyetohej, do të njolloste edhe biografinë e filmit, do ta ndiqte atë nga pas në çdo sallë kinemaje ku do të shfaqej, në çdo vend të botës të ndodhte kjo.
Nuk do të kursente edhe Festivalin e Kanës, ku ai fitoi çmim.
Ja pse dy ushtarët fatkeqë pak nga pak u harruan dhe as nuk u shpallën ndonjëherë dëshmorë, çfarë e meritonin.
Sepse kishin rënë për Skënderbeun.





Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com