Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: MEMECI I DINES


(Fragmenti 55 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Studiuesi Ajet Nallbani në librin e tij për emërtimet e mjediseve më karakteristike të Beratit paraqet edhe zërin “Shpella e Memecit”.
Shkruan për të: “Gjendet në shkëmbin e thepisur (rrasa Çek Beni sipas Çelebiut). Quhet kështu, sepse ishte vendstrehim i nje banori nga Delibega i quajtur Hysen, i cili ishte memec dhe bënte jeten e asketit, duke jetuar me qentë e tij besnikë. Ishte me intelekt dhe dinte të shkruante. Kur ishte në humor, bënte dhe shaka duke vënë në lojë të tjerët. Ishte shumë i sjellshëm me familjet autoktone dhe me zanatçinjtë dhe u bënte vizita të shpeshta sidomos në ditën e Bajramit. Acarohej dhe bëhej agresiv, kur e ngacmonin ose kuptonte që po e tallnin. Në shpellën e tij gjendej çdo gjë e nevojshme për jetën dhe për qentë e tij. Bënte spektakël me bicikletë në rrugën kryesore, duke e shoqëruar me të qeshura dhe ulërima prej memeci. Nga këto spetakle pësoi dhe vdekjen”.
Studiuesi tjetër beratas, njëkohësisht edhe shkrimtar, Agim Mehqemeja, në librin e vet “Rrëfenjat e qytetit B”, njërën prej tyre e titullon “Njeriu i shpellave”. E ka shkruar në 29 nëntor 2004.
Mes të tjerash në të autori thotë “E pati edhe një emër, po njerëzit e njihnin si njeriu i pagojë. Si njeriu i shpellave”.
Në të vërtetë dhe për hir të saj, ai e kishte një emër dhe njihej dhe thirrej nga të gjithë si Memeci i Dines.
E kam detyrim ta këmbëngul këtë, të paktën si historishkrues. Gjithashtu edhe për një shkak e rrethanë personale: Memecin e Dines e kisha kushëri.
Vijon tregimin e tij Agim Mehqemeja: “Si vendstrehim kishte guvat e Kishës së Shen Mëhillit, guva që, sipas rrëfimeve gojore, në thellësi të shekujve, kishin qenë vendstrehime eremitësh. Atje jetonte bashkë me qentë e tij besnikë. Ata i ushqente më mirë edhe se veten, qëllonte që u blinte edhe petulla”.
Më pas: “Mbahej me lëmosha. Kurrë nuk vinte dorë në mallin e tjetrit. Bridhte me një trastë në krah. Në ditë festash fetare shkonte për vizita ndër dashamirë që nuk e nxirrnin pa gjë”.
Më tej Mehqemeja spikat: “Ishte njeri i qetë. Pranonte dhe bisedonte me njerëzit. Dinte edhe të shkruante. Kur donte ta shprehte ndonjë mendim, merrte një shkop të hollë dhe gërryente shkronjat në tokë.
Duke e plotësuar këtë portret njeriu shumë të çuditshëm Mehqemeja shkruan: “Vetëm kur e shqetësonin, bëhej nevrik. Në veçanti kur i cënonin bindjet fetare. Atëherë egërsohej dhe e ndiqte fajtorin.
Ishte ky shkaku që ishte bërë i frikshëm për fëmijët. Po në të vërtetë kishte një zemër të madhe. Nevriku i binte menjëherë kur shihte ndonjë njeri që ai e njihte dhe e nderonte. Fëmijëve, kur ishte me të mira, u buzëqeshte dhe mundohej t’i kënaqte me ndonjë frut që i ndodhej në trastën që e mbante gjithmonë me vete.
Njëherë në kohën e krizës së bukës së pas Luftës së Dytë Botërore kisha shkuar me një njeriun tim në një fshat pranë qytetit për të mbledhur mëna që të shuanim urinë. Kur morëm rrugën e kthimit na doli përpara njeriu i shpellave. U trembëm shumë se ishin hapur fjalë që mbante një thikë me vete dhe mund të na vriste. E vazhdam rrugën me hapa të ngadalësuar. Kur u gjendëm ballë për ballë, na qëndroi. Sa nuk na pushoi zemra. Uli trastën, mori dy kokra mollë dhe na i zgjati. Ne e pamë në sy disi të çuditur. Ai vuri buzën në gaz dhe ngulmoi që t’i merrnim. Nuk kishim si t’ja prishnim. Në këmbim i zgjatëm shportën me mëna. Na e bëri me shenjë që t’i çonim në shtëpi. Ai na e kuptoi përse i kishim mbledhur. E njihte urinë që na kishte mbirë në sy. U ndamë duke ndjekur secili rrugën e vet”.
Rreshtat e fundit të rrëfenjës shkrimtari Agim Mehqemeja e ka me këto fjalë: “Të vinte keq kur e dëgjoje ndonjëherë të ulërinte nga gryka e shpellës. Kjo ndodhte kur ndonjë keqbërës, në mungesë të tij, ngjitej deri te shpella, ia merrte ushqimet që gjente, ose ia shkatërronte strehimin.
Nga dëshpërimi, në shenjë proteste, rrokulliste gurë drejt rrugës.
Duhej ndërhyrja e të njohurve që ai u besonte, që t’ia kthenin sërish qetësinë.
Fundin e pati të dhimbshëm si të çdo njeriu të vetmuar”.
Si vdiq Hyseni, siç e kish emrin e vërtetë Memeci i Dines, do ta rrëfej më poshtë, por më së pari cila qe lidhja ime familjare me të?
Gjyshja ime nga nëna, Shyqyria, nënën e Memecit e kishte motër të ftohtë. Pra patën të njëjtin baba, Ahmet Kurteshin, me origjinë nga Prizreni i Kosovës, oficer i lartë i perandorisë turke, në Berat me detyrë bimbashi. Me këtë gradë pati qenë stërgjyshi im Ahmet dhe kur shkoi me transferim në Lindjen e Afërme.
Gruja e dytë e bimbash Ahmetit, pra nëna e gjyshes time, quhej Mahmude dhe e thërritnin Noçe. Hyseni bashkë me të vëllanë, Dinen, qenë njëlloj fëmijë të Ahmetit, por me gruan e tij të parë.
Hyseni kishte lindur memec dhe me të vëllanë e ngrohtë, nga i njëjti baba dhe po ajo nënë, Dinen, nuk shkonte fare. Njëherë madje një nip me emrin Ismail, Hyseni, alias Memeci i Dines, në zemërim e sipër e goditi me thikë.
Të gjitha këto rrethana bënë aë ai ta braktiste strehën familjare, e cila nuk ishte aspak një kolibe, por një shtëpi e madhe me të gjitha dhomat e mjaftueshme dhe orenditë e nevojshme.
Disa veteranë të Luftës Nacionalçllrimtare të qytetit të Beratit kanë ngulur këmbë (ma kanë thënë atë kohë edhe mua), se Memeci i Dines ishte marrë me spiunllëqe në favor pushtuesve italianë. Pak shumë akuza qe kjo: Luan Qafëzeai, Orhan Frashëri, Myqerem Fuga, Ajet Xhindoli, të cilët qenë antifashistë të lagjes Murat Çelebi, nga qe edhe Hysen memeci, kishin fshehur trakte në disa bidona qumështi dhe këto vendosur tek një tregtar. Kur pati ngjarë kjo fshehje Memeci i Dines i kishte parë dhe menjëherë kallzuar tek italianët.
Para se të kryhej operacioni i kontrollit tek tregtati i lidhur me Lëvizjen, erdhi me të shpejtë një nënoficer dhe i paralajmëroi për traktet në bidonat e qumështit. Kështu këto i hoqën dhe kur mbërritën ata të Karabinierisë nuk gjetën asgjë.
Sipas veteranëve akuzonjës pas kësaj italianët e rrahën Memecin.
Në Berat kishte edhe një mjek të njohur, i cili përpiqej të argumentonte se memecët nga natyra, nga që nuk arrijnë dot të shprehen, përdorin shenjat dhe me këtë rast pëlqejnë shumë spiunimet.
Me që i doli ky nam Memecin e Dines e arrestuan edhe pas lufte sepse iu gjet në shpellë një vizatim siluetën e një qeni dhe pastaj shenjat e disa pikave. Ato kohë kishte mbaruar zgjerimi i fushës së aviacionit në Kuçovë, për t’iu përshtatur aeroplanëve të parë ushtarakë sovjetikë Mig 15, prandaj skica e Memecit u interpretua si raport informativ spiunazhi për një vend armik borgjez.
Por në të vërtetë akuzuesit nuk e mbajtën shumë në burg dhe e lanë të rikthehej tek shpella e tij pranë Kishës së Shën Mëhillit, në atë rrëpirë të faqes shkëmbore të Kalasë.
Memeci i Dines sillej me shumë dashuri me gjyshen tonë nga nëna dhe vazhdimisht i sillte zarzavate dhe fruta prej bostanit të Dines, i cili në parim qe edhe i tij. Kur i zbraste trastën e mbushur plot dhe niste pinte kafenë e përgatitur nga e kushërira e ngushtë, pyeste atë nëse i shoqi, gjyshi ynë Sadiku, sipërmarrës i njohur para dhe gjatë Luftës, sillej mirë me të, pra nuk e godiste me pëllëmbë.
Kur gjyshja, Shyqyria, i betohej se ai as e kish qëlluar ndonjëherë, Memeci i thoshte me shenja: Jam gjallë unë, po të preku ka punë me mua.
Memeci i Dines vinte shpesh edhe në shtëpinë tonë, të Shaban Polovinës, në fillim të viteve gjashtëdhjetë një banesë e stilit elbasanas, me një oborr ku nuk mungonin të gjitha pemët me fruta. E shkarkonte trastën e tij të mbushur plot, sepse vërtet im at qe drejtues ndërmarrjeje tregtare, por ishim gjashtë fëmijë.
Nuk e harroj kurrë sa gëzohej mamaja jonë, Nizaheti, kur ai në krye të kopshtit buzë rrugës kryesore, tek dera e hekurt dykanatëshe, e shtynte atë dhe me zë të fortë, gati klithma gëzimi, si edhe shenja me duar, thërriste kushërirën, e cila me ta ndjerë vraponte. Patjetër ndërkohë ndonjë ushqim e kishte marrë për t’ja dhënë Memecit, sheqer, copa buke apo djath, a diçka tjetër.
E donte Memecin, i dhimbej fati i tij.
Frutat dhe zarzavatet që i sillte nga bostani nëna jonë përpiqej të mos ja merrte, duke i bërë edhe ajo shenja se i duheshin vetë atij.
Kur Memeci vdiq u mor vesh shumë vonë, pasi u ndje mungesa e tij e gjatë. Ishim mësuar me akrobacitë që bënte në biçikletë, të mahnitshme, si mjeshtër cirku.
Në një nga këto lodra ra, u godit rëndë dhe mezi u ngjit tek shpella e tij, ku e pritnin besnikët, qentë.
I pandihmuar dhe i pakuruar prej kurkujt Memeci i Dines dha shpirt.
Dhe siç ndodh në qytet me shtëpi shumë të ngjitura me njëra-tjetrën e ku thashethemet lulëzojnë nga mëngjesi deri në mbrëmje, u hapën fjalë se Memecin e Dines e kishte vrarë fshehurisht Dega e Punëve të Brendshme, saktësisht jo ata të Sigurimit, por të Policisë. Fjalënaja thoshte se qe zbatuar një urdhër zyrtar nga lart për të zhdukur të gjithë budallenjtë apo të metët fizikisht.
Vërtet pati ngjarë një rastësi: kishte vdekur papritur në një aksident të paqartë Telhai, një nga këta të sëmurët mendorë dhe menjëherë pas tij memeci i Dines.
Vite më pas unë do të martohesha me të bijën e shefit të Policisë vendore, Skënder Hysin, dhe do të merrja vesh një episod: ishin ata të policisë që e patën hetuar zhdukjen e papritur të Memecit dhe vetë ai, shefi, ishte ngjitur i shqetësuar deri tek shpella e kish parë kufomën e dekompozuar.
Natën, kur erdhi në shtëpi, e shoqja, vjehra ime e paharuar, i qe lutur të ndërrohej sa më shpejt që t’i lante kostumin. Ai vinte erë kufomë.
Ishte e Memecit të Dines.
Qe mesazhi i tij i fundit që më la dy dekada pas jetëhumbjes së tij, për të më kujtuar se unë nuk duhej të largohesha nga kjo jetë pa e kujtuar atë kushëri të habitshëm dhe beratas si gjithë të tjerët.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com