Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: LEGJENDA E UJIT TË PIJSHËM NË BERAT SI AJO E MALËSORIT TË MIGJENIT PËR MISRIN


(Fragmenti 54 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Ju kujtohet me siguri që tek skica e Millosh Gjergj Nikollës “Legjenda e misrit”, me subjekt jetën e malësorit të veriut, gjendet edhe kjo frazë: “Ndodh që njërit i derdhen kokrrat e misrit nëpër birë të vogël të thesit, shoku nga mbrapa, pa i pa, i shkel; i treti shok as një as dy, por ia hedh mallkimin e pamëshirëshëm: \"Mos shkel, he të shitoftë zana!\"
Në të dhënat rreth firmave tregtare të qytetit të Beratit regjistruar në vitet 1937-1938, krahas pronarëve të dyqaneve të mëdha që merreshin me manifakturë, hotele dhe shitje masive mallrash të ndryshme, përfshi edhe lëndë ndërtimi e lëkurë, i gjen edhe të gjitha zanatet e thjeshta, individuale: pijeshitës, këpucëbërës, xhokaxhi, opingar, rrobaqepës, kallajxhi, teneqexhi, bakall, pemëshitës, bukëpjekës, kapistërbërës, furxhi, marangos, berber, deri edhe matrapaz, por jo ujar.
Ndërkohë ky profesion qe i përhapur dhe merrej me një shërbim mjaft jetik për qytetin: furnizimin me ujë të pijshëm.
Kështu kjo shtresë punëtorësh, i barabartë me çirakët, “proletarë” jo në kendvështrimin marksist, por realisht beratas pa asnjë pronë, dolën nga vëmendja e historishkrimit të qytetit.
Tek ky bënin emër të gjithë, madje mjaftonte vetëm të shkonte nga një dasëm në tjetrën dhe atje të përfshihej në aheng.
Ja pse, mbështetur mbi burime të sigurta, do t’i përmendim ujarët e Beratit, me sa mundim, në nderim të tyre, emër për emër.
Në Kala uji sillej nga lagja poshtë, Murat Çelebi. Disa herë në ditë ndodhte kjo ngjitje e ngadaltë shumë e mundimshme dhe zbritje e shpejtë për të zënë rradhën tek çesma.
Në kështjellë ujarë qenë Ngjel Cimbidhi, Pilo Çapi dhe xha Kozi, një i vobekët sa s’kishte më keq, por qe i ndershëm. Sipas historishkruesit të një libri për Kalanë, mjekut Miltiadh Veveçka, ai “banonte në një banesë të ulët pranë Tabjes së Kotorrit”.
Ujarët e shitnin mallin e tyre të siguruar me shumë lodhje dhe disa kilometra larg. Ai qe atëherë, edhe pse mjaft i pakët, më i lirë nga sa blihet sot në tregun e bollëkut të ujrave mineralë.
Gjithsesi as lagja furnizuese, “ujëmbajtëse”, Murat Çelebi, nuk qe e pasur me çesma. Vuante edhe ajo. Kur stina bëhej e thatë dhe rradha e njerëzve me gjyma për t’u mbushur rritej gjer në paimagjinim, të rinjtë e Murat Çelebisë hapnin një burim në rërën e buzë Osumit, tek Diga.
Kur vërshente lumi ai doemos që zhdukej dhe për ta rihapur duhej pritur vera.
Ndërkaq “industria” e ujëmarrjes dhe e transportimit me kafshë e krahë për disa qindra metra larg, në lagjen Murat Çelebi funksiononte nëpërmjet çesmës tek shtëpia e Hanko Lalos, banesë ku pas Luftës së Dytë Botërore u vendosën vëllazëria Nuri.
E dyta çesmë qe pranë familjes Vokopola.
Këto dy ishin moderne dhe binin në sy sepse qenë pajisur nga ndërtuesit e tyre, italianët, pas vitit 1940, kur ata ia ndërtuan Beratit një ujësjellës (atë të Breshtanit afër malit të Shpiragut), me rubineta speciale.
Ato qenë një buton me sustë.
Duhej ta shtypje fort butonin që të hapej lëfyti i çesmës dhe të nxirrte ujë. Dhe përsa kohë përpiqeshe të shuaje etjen duhej ta mbaje të shtypur atë rubinet-buton.
Ne që lindëm në fund të viteve dyzetë e më tej të shekullit të shkuar, i kemi parë këto çesma dhe duke shtypur sustën e fortë ja kemi dalë të pijmë ujin falas.
Në Berat që prej thellësisë së shekujve vinte rregull i fortë që të mos harxhohej kot asnjë pikë uji i pijshëm.
Ky regjim sjelljeje ndaj tij vijoi edhe në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, sepse numri i banorëve të Beratit u rrit, por furnizimi me ujë aspak. Mbeti ai i kohës së fashistëve italianë. Deri në motin 1985, kur me mbështetjen e Ramiz Alisë, politikan që kishte marrë pjesë në rezistencën kundër pushtimit në Berat, u ngrit ujësjellësi i Bogovës (afër malit të Tomorit).
Prej kësaj ngushtice të vazhdueshme furnizimi me ujë të pijshëm dhe ironisë së përhershme të banorëve “O Berat, Beribat, bukë shumë dhe ujë pak”, qe një pamje e zakonshme shitja e ujit me gota.
Kushtonte një lekë.
Kjo shitje uji në Berat ndodhte gjatë ditës së përjavshme të pazarit, sidomos atij të gjësë së gjallë. Por edhe në veprimtari të mëdha zyrtare, siç ishte panairi i përvitshëm tregtar i 13 shtatorit, ditëçlirimi i qytetit, i cili bëhej tek Parku (Lulishtja) i lagjes Murat Çelebi.
Ndërkohë në Mangalem dy ujarët e tij qenë Todi Boçe dhe sërish Pilo Çapi, që bënte edhe furnizimin në Kala. Ata e mbushnin ujin në çesmën kryesore të Murat Çelebisë dhe tek ajo që ndodhej tek Kisha e Shën Mërisë, në rrugëkalimin afër Urës së Goricës.
Transportimi i këtij uji (i qypave dhe i shtëmbave) nuk ishte në lagjen e Mangalemit më i lehtë se në Kala. Ngjitje dhe zbritje e fortë qe në të dy rastet.
Saktësojmë se Mangalemi me 129 familje dhe mbi 600 banorë, kishte për shuarjen e etjes vetëm tre puse: pusi i skolisë te shkolla e femrave e Mangalemit, pusi i Kozares tek hyrja në Mangalem nga ana e Perëndimit, Gjogollarëve dhe pusi i Xhamisë tek Xhamia e Beqarëve.
Kur më në fund filloi punën ujësjellësi i Mbreshtanit në Mangalem u ndërtuan tre çesma publike, një për dyqind frymë, siç pati qenë përmasa e puseve.
Ja pse mosngopja me ujë të pijshëm vazhdonte për shumicën e banorëve mangalemas, më të mirëqënës ekonomikisht. Përjashtoheshin nga ky fat i hidhur të pasurit.
Këta porositnin përditë nga të paktën një ngarkesë ujari me kafshë.
Kështu për këta pak kishte edhe shumë bukë, por edhe shumë ujë.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com