Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: 187 METRA SHKALLË OSE GALERIA E UJIT E KALASË


(Fragmenti 53 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

“O Berat, o Beribat, bukë shumë dhe ujë pak!”
Ky është një refren i një çudie tjetër të jetës së qytetit të Beratit, pse jo edhe i periudhës kur ende nuk i kish ngritur muret e lartë rrethues dhe qe një vendbanim në përmasa katundi.
Qindra breza janë rritur, moshuar dhe zëvendësuar me këtë kujë: bukë plot për të ngrënë, ujë as sa për të njomur fytin.
Mungesën tronditëse të ujit të pijshëm për shkak të territorit gëlqeror ku u ngrit Kalaja, përfshi më pas edhe lagjet që u shtrinë në faqet e saj të poshtme, Mangalemin sidomos, bënë që paraberatasit dhe më pas vetë këta të fundit, të qenë të shtrënguar në gjendje anomalie etjeje, ekzistencë nga më të pabesueshmet dhe kontradiktoret për një vendbanim pjellor.
Kishte ujë me bollëk për bimësinë (lumi Osum), çfarë e lulëzonte prodhimin ushqimor dhe ndërkohë vetëm pak curila uji të pijshëm, duke i lënë banorët në gjendje të vazhdueshme të sigurimit deri me përpjekje ekstreme, të ankshshme, të ujit për trupin e tyre.
Qe edhe dramë psikologjike, mbijetesë në rrethana të larta sëmundshmërie.
Qenë këtë kushte, të cilat megjithatë i shtuan arkitekturës së qytetit një objekt mjaft të veçantë, krejt një fantazi sureale e kthyer në realitet.
Kjo krijesë speciale lufte për të mbijetuar jo rrallë ka krijuar përshtypjen se është një dy pjesëshe. E para ndodhet në Kështjellën e Sipërme, e dyta në Kështjellën e Poshtme. E para emërtohet “Galeria e marrjes së ujit në lumin Osum”, e dyta Kulla e Ujit.
Kjo e fundit gjendet pranë Urës së Goricës, ku më parë ka qenë edhe porta e Tregut të Kazanxhinjve. Shkallët e kësaj kulle i kanë themelet në lumë dhe ngjiten në formë spirale, duke i përngjarë shkallëve të minaresë. Kështu shkruan studiuesi Ajet Nallbani.
Kulla buzë lumit Osum thirret edhe Shkallarja e Kalasë.
Sipas Miltiadh Veveçkës dhe librit të tij “Kalaja e Beratit”, “Në të shkuarën e largët dhe të afërt uji i pijshëm ka qenë problem për banorët e Kalasë. Gërmimi dhe ndërtimi i puseve ka qenë i pavlerë, jo efiçient, sepse nëntoka shkëmbore e Kalasë nuk përmban ujë”.
Më tej Veveçka thekson: “Udhëtarë mesjetarë të huaj shkruajnë që banorët detyroheshin të merrnin ujë në lumë, në periudha rrethimesh, duke zbritur fshehurazi poshtë tabjes së Shën Gjergjit deri në lumë nëpërmjet në rruge shkallë të ngurtë...”
Ndërkaq Ajet Nallbani shpjegon: “Ajo është ndërtuar në shpatin jugor të saj, në një terren mjaft të thyer. Pozicioni i vendosjes së kullave ndihmon për vrojtim nga të gjitha anët”.
Më tej saktëson: “Ndërtimi është bërë i gjithë me gurë, kështu mund të punoje pa rrezikun e jashtëm. Gjatë mureve të trasha janë lënë kamare të vogla të cilat kanë shërbyer si frëngji për t’u mbrojtur nga kërcënimet e papritura si dhe për të lehtësuar komunikimin duke krijuar një ndriçim minimal në rrugën e errët. Mbulimi i saj është bërë me qemere guri të punuar mirë dhe që vijnë në formë të shkallëzuar në drejtim të pjerrësisë së vendit. Kalimi bëhet në shkallë guri me një gjerësi të atillë që kalojnë lirisht dy vetë dhe lartësinë sa një bojë njeriu”.
Plotëson po ashtu studiuesi Nallbani: “Po të shëtisësh rrugëkalimin, te kulla e parafundit duhet të ndalosh. Ky fund të jep të kuptosh se shkallët këtu përfundojnë dhe fillojnë poshtë saj për t’u bashkuar me kullën tjetër. Ky disnivel krijon vështirësi për t’u ngjitur dhe për të zbritur pa ndihmën e një shkalle portative. Kjo duket se ka qenë dhe zgjidhja e mëparshme. Me heqjen e shkallës portative pengohej kalimi nga poshtë lart për çdo eventualitet”.
Larg syve të armiqve rrethues dhe e fortifikuar që nëpër të të të mos depërtonin shigjetat e tyre, jeta e transportuesve të ujit, të caktuar posaçërisht për këtë punë dhe të specializuar për të lëvizur lehtë në tërë atë pjerrësi marramëndëse, nuk mund aspak të rrezikohej.
Po ashtu kjo shkallare e lartë nuk duhej, në kushtet e luftës, të përbënte një pikë të dobët të saj. Mundësisht të qe pikë e fortë, çfarë rezultoi e tillë. Në historinë e qytetit-kala nuk dëshmohet asnjë rast kur prej shkallares pushtuesit ja kanë dalë të ngjiten e depërtojnë në brendësi të fortifikimit të tij.
Një interpretim më të plotë të këtij objekti arkitektonik shumë të veçantë dhe që shpesh anashkalohet nga kujtesa, e ka libri i Apollon Baçes, Aleksandër Meksit dhe e Emin Rizës, botuar së pari në vitin 1988, “Berati, historia dhe arkitektura”.
Mes të tjerash pasi fillimisht e quajnë murrnajë, në vijim, shumë faqe më pas, për të shkruhet: “Kullës në anën jugore i mbështetet një mur-galeri, i cili nis lart dhe përfundon në lumë. Sipas Çelebiut, mjeshtri krijues nga kalaja e poshtme ka ndërtuar një shkallë të prerë në trajtë minareje. Muri i kalasë gjendet pranë ujit. Në një vend mund të zbritet në ujë me anë të 78 këmbë shkallëve. Në fundin e portës së tregu të kazanxhinjve gjendet një kullë e madhe uji, e ndërtuar brenda në ujë. Prej shkëmbit “Çek Beni” e deri te kulla e ujit është ndërtuar një rrugë shkallë-shkallë me gurë të prerë me 1060 shkelje. Në këtë mënyrë të rrethuarit mbartin ujë nëpërmjet kësaj rruge, kështu që nuk vuajnë asnjëherë për ujë. Kjo rrugë është ndërtuar në një mënyrë të tillë që nuk shihet nga armiku”.
Siç kuptohet qartë nga rrëfimi i kronistit të njohur turk për në lumin Osum prej kështjellës niseshin dy rrugë. Njëra qe galeria, objekt i fortifikuar nga dora e njeriut, dhe tjetra e mbrojtur nga natyra, faqja tërësisht e pjerrët e greminës që niste nga maja e kalasë deri në sipërfaqe të ujit.
Ja pse shkallarja galeri, e lartë sa krejt kodra, pra 187 metra, edhe pse tani vijon të jetë pjesërisht grehinë e rrënuar dhe në disa vende disi e restauruar, përbën një vepër të jashtëzakonshme arkitektonike jo vetëm për Beratin e tërë trojet e shqiptarëve, por përtej tyre.
Aq tërheqëse ka qenë kjo galeri uji sa që rreth saj qarkullon edhe misteri i një kalimi të nëndheshëm, i cili paska ekzistuar pikërisht tek kulla, e cila rri mbi lumë. Por studiuesi Ajet Nallbani gjykon se “Asnjëherë nuk është i identifikuar ky objekt. Mendojmë se gojë pas goje është ngatërruar me galerinë e marrjes së ujit në lumë, e cila ka qenë e mbuluar me qemere dhe të jepte pamjen e një kalimi të nëndheshëm, por që ka qenë gjysmë i zhytur në tokë”.
Gjithsesi Galeria e Ujit ose Shkallarja e Ujit, nuk është gjë tjetër veç teleferiku që beratasit përherë e kanë ëndërruar t’i ngrinte njerëzit që nga breg Osumi në Kala dhe e anasjellta.
E kanë pasur shekuj më parë, madje si një kryevepër arkitektonike, si një çudi më vete, aspak më pak të magjishme nga Ura e Goricës apo Mangalemi.
Por në Kala furnizimi nëpërmjet Galerisë së Ujit, duke e përdorur Osumin më shumë të turbulluar se të kthjellët, nuk ishte alternativa e vetme. Në librin e tij, në kapitullin “furnizimi me ujë”, Miltiadh Veveçka këmbëngul se ndërtimi i puseve qe punë e padobishme. Toka gëlqerore e kështjellës nuk mbante ujë në të tërë volumin e saj.
Kështu banorët ngritën sternat, ujëmbledhësit e shiut. Dy sternat më të vjetra, shkruan Veveçka, i cili është mjek, quheshin “Saranxha”. I madhi ndodhet edhe tani tek Akropoli, është përdorur për nevojat e garnizonit ushtarak. Kurse ai në korridorin e Kishës së Shen Mërisë, me sa duket ka funksionuar për banorët. Fillimet e këtyre sternave mendohet të jenë në shekujt XII ose XIII, ndoshta edhe më pas.
Në njëqindvjeçarët XVIII, XIX, rezervuarë sterna ngritën edhe disa shtëpi në gjendje të mirë ekonomike dhe me kulturë jetese të lartë, një prej të cilave, më të parën, Miltiadh Veveçka cilëson familjen Haxhistasa.
Ja pse tani në trajtimin e temës së habitshme “O Berat, o Beribat, bukë shumë dhe ujë pak”, do të depërtojmë në jetën e ujarëve, beratasve të varfër që transportonin me kafshë dhe krahë ujë të pijshëm tërë ditës, kundrejt një pagese fare të vogël, nga ultësira e breglumit deri në majë të Kalasë dhe të shtëpive në krye të Mangalemit.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com