Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: BUZË OSUMIT, TEK GJIRI KU DËGJOHET ZËRI I NJË ZANE


(Fragmenti 52 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Lumi Osum, para se të rrjedhë mes për mes Beratit, kalon anash fshatit Bilçë dhe, në kufirin ndarës midis tij dhe fshatit Drobonik, në fund të kodrave krijon një vend të hapur me ujë, mjaft të thellë, ku fshatarët përreth dhe beratasit shkonin dhe shkojnë për peshkim, por edhe për t’u larë.
Ajo buzëlumi quhet Gjiri i Zarizanit (vendasit e quajnë më shumë Ingjiri i Zarizanit), dhe a e dini pse?
Në fshatin Bilçë jetonte një vajzë e bukur si Zanë. Aq e bukur ishte vajza sa njerëzit jo vetëm e krahasonin me një Zanë por edhe e thërrisnin shpesh Zanë sa, një ditë, emri i saj i vërtetë u harrua dhe i ngeli Zanë.
Për të ndërhyri një lajmës që ta fejonte dhe ta martonte me një djalë në Berat, megjithëse fshatit nuk i mungonin djemtë e zotë, të mirë dhe të pashëm, të cilët do të dëshironin të lidheshin me të.
Ditën e dasmës shkuan krushqit për ta marrë hipur mbi një karrocë dhe u kthyen gjithë gëzim me nusen. I tërë fshati, sipas zakonit, e përcolli nusen që ndrinte si yll, edhe pse djemtë e rinj ndiheshin të pezmatuar dhe me një peng në zemër.
Rrugës në kthim, e cila kalon e gjitha anës lumit, krushqit këndonin e këndonin pa pushim, pothuaj të trallisur prej gëzimit.
Kur karroca arriti tek vendi ku ndodhet Gjiri, diçka lëvizi në një ferrë aty pranë. Kali u tremb dhe u lëshua më vrap, doli nga rruga dhe ra drejt e në lumë duke marrë me vete karrocën dhe gjithë njerëzit hipur mbi të.
Lumi ishte plot me ujë, i thellë gjithashtu shumë.
Sa hap e mbyll sytë, u fundosën të gjithë.
Dasmorët arritën të dilnin, vetëm kali, karroca dhe nusja nuk po dilte. Sa ishin, të trembur dhe të shqetësuar, filluan ta kërkonin, por nuk po gjenin gjë.
Kur kishin humbur çdo shpresë, nga thellësia e ujit dëgjuan një zë që thërriste për ndihmë, zë që bëhej gjithmonë e më i fuqishëm. Zëri i Zanës që kërkonte ndihmë arriti deri në fshat dhe, menjëherë djemtë u lëshuan me vrap, u futën në ujë dhe filluan të kërkonin.
Nuk lanë vend pa kërkuar. Karrocën dhe kalin i nxorën, Zanën e bukur jo.
Të lodhur u bënë gati të dilnin, kur një zë nga thellësia e ujit u dëgjua përsëri për ndihmë. U futën dhe kërkuan përsëri, por përsëri nuk e gjetën bashkëfshataren e tyre të bukur si hyjni.
Vazhduan deri sa u err dhe atëherë vendosën ta ndërprisnin kërkimin. Dolën nga uji, por nga pas i ndiqte zëri i Zanës që dëgjohej edhe më dhimbshëm.
Ishte e pamundur të kërkoje përsëri në lumë sepse errësira qe si pus dhe nuk dukej asgjë.
U larguan për në fshat, në Bilçë, por zëri i Zanës i shoqëroi deri sa u futën nëpër shtëpi.
Të nesërmen u kthyen që në mëngjes, kërkuan dhe kërkuan gjithë ditën dhe, sa herë dilnin nga uji, zëri i Zanës dëgjohej për ndihmë. Tashmë zëri i Zanës ishte bërë për djemtë një lutje këmbëngulëse për ta nxjerrë nga uji dhe për ta vënë të prehej përjetësisht në dhe.
Djemtë nuk u lodhën dhe vazhduan ta kërkonin për ditë me radhë, madje jo vetëm në ditë me diell por edhe në kohë me shi kur lumi vinte i rrëmbyer dhe shtjella tek Gjiri bëhej shumë e rrezikshme. Thonë se për atë Zanë të bukur djemtë kërkuan pa ndërprerje deri kur, një ditë, pasi e pleqëruan atë punë, shkuan te një njeri i ditur, të cilin e pyetën se cila ishte arsyeja që po ndodhte ashtu me ta.
I dituri i dëgjoi me vëmendje dhe, pasi u mendua pak, tha: “Vajza që u mbyt ishte e re dhe e bukur si një zanë dhe u mbyt ditën kur do të bëhej nuse. Asaj i ngeli peng që iku pa u gëzuar nga kjo botë dhe tani thërret dhe do të vazhdojë të thërrasë derisa të marrë me vete aty në lumë një djalë të ri për ta pasur përjetësisht në botën tjetër”.
Kaq tha plaku i ditur. Fjalët e tij morën dhenë dhe jo vetëm që nuk i trembën të rinjtë për ta kërkuar, por i bënë ata edhe më këmbëngulës për ta gjetur nusen e mbytur.
Kaloi pranvera, vera dhe erdhi vjeshta, e bashkë me të u shtuan edhe shirat e ujët në lumë. Një ditë me shumë shi dhe me ujë të rrëmbyeshëm, kur qe mjaft e rrezikshme të futeshe në lumë, një djalë që po kalonte aty afër, dëgjoi zërin e Zanës sikur doli nga poshtë shkëmbit dhe e thirri për ndihmë.
Atëherë djaloshi u hodh në mes të ujërave të rrëmbyera, kërkoi e kërkoi, por nuk gjeti gjë, madje as ai vetë nuk doli dot më nga lumi sepse e rrëmbyen ujërat e shumta. Si duket e kishte takuar nusen e bukur dhe pati pranuar të mos ndahej më prej saj.
Që nga ajo ditë zëri i Zanës nuk u dëgjua më, megjithatë, më pas, njerëzve, sa herë që kalonin aty, u dukej sikur dëgjonin zërin e Zanës që thërriste për ndihmë dhe të gjithë thoshin: “Ja, tani po kalojmë këtu ku dëgjohet zëri i Zanës, ky është gjiri ku zëri i Zanës kërkon ndihmë, zëri i Zanës vinte nga lumi”.
Pra, zëri i Zanës njëri, zëri i Zanës tjetri, zëri i Zanës sot, zëri i Zanës nesër, derisa ngeli Zërizan, Zarizan.
Dhe që nga ajo kohë vendit i ngeli emri Gjiri (Ingjiri) i Zarizanit. Sepse të thithte në ujra të thella, të përpinte e nuk të nxirrte.
Autori i këtyre rradhëve nuk mund ta mbyllë historinë e kësaj Zane të Beratit, pa shtuar një episod tjetër, edhe ai mjaft i dhimbshëm.
Qe viti 1968.
Me dëshirën e tyre një grup gurskalitësh të vegjël të qytetit, të pasionuar pas rregullimit të rrugëve të kalldrëmta, i dërgoi një letër Enver Hoxhës dhe ky iu përgjigj me një mesazh të tij të shkruar, ku ua mbështeste nismën.
Pas kësaj Beratin e përfshiu mobilizimi i nxënësve të shkollave për shtrimin, nën drejtimin e ustallarëve të posaçëm, të kalldrëmeve në lagjet e vjetra të Mangalemit dhe të Kalasë.
Gurët (zajet) i mblidhnin buzë lumit Osum.
Ishte verë, pushim mësimesh, por nga shkollat puna për grumbullimin e gurëve shtrues vijonte gjatë tërë breglumit.
Nxënës të shumtë gurskalitësh po e bënin këtë punë edhe pothuaj pikërisht aty ku qe Zarizani.
Por një ditë ndodhi hataja. Njërës nga vajzat i rrëshqiti këmba dhe ra në ujë, jo në cektinë, por në vendin më të thellë. Drejt saj për ta shpëtuar u lëshuan disa notarë, por çuditërisht gurskalitësja e vogël nuk rezistoi dot, gëlltiti ujë shpejt dhe u mbyt.
Që të mos harrohet kjo Zanë po ja shkruaj edhe emrin.
Me germa të mëdha: POLIKSENI CILIVRIQI.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com