Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: ULLIRI I BERATIT, NJË KAMPION BOTËROR


(Fragmenti 51 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Në vitin 1926 një statistikë zyrtare bënte të ditur se në prodhimin e ullirit Berati mbante vend të parë në Shqipëri, me masën e tre të pestave.
Qyteti i dytë vinte Vlora, me dy të pestat.
Siç dihet, populli i ka bërë të dallueshëm këto dy lloje ullinjsh. Ka përdorur emërtime të thjeshta, por fort të qarta.
Ai i Vlorës quhet “kokërvogël” ose “vajës”. Me të prodhohet më së shumti vaj, sigurisht shumë i shijshëm.
Ulliri i Beratit thirret nga populli “kokërmadhi”. Ai është për t’u ngrënë.
Cili është prej këtij qyteti e di mirë që një kafshatë bukë mund ta hash kendshëm me vetëm një gjysmë kokre.
Ja pse autori i këtyre rradhëve, për kokëkrisje të tij, e thërret Ulliri Buçko.
Por amatorizmës tonë le t’i lëmë një vend më të mënjanuar e të nxjerrim në pah, në respekt të lexuesit që ka nevojë për sa më shumë saktësi shkencore, gjykimeve të një specialisti të dorës së parë: bashkëqytetësit Piro Bica.
Në gazetën “Agrobiznes”, Nr. 212, datë 9-22 nëntor 2012, ai botoi studimin “Ullinjtë shekullorë-një vlerë e çmuar kombëtare, e pa vlerësuar dhe në rrezik”.
Deklaron Bica në të: “Identifikimi i qytetit me Kalané, Goricën, Mangalemin, me Ikonat e Onufrit, Kodikët e famshëm etj, do ishte i mangët pa Ullirin e Beratit...”
Piro Bica shkruan se me këtë pemë qyteti dhe rrethinat e tij kanë 1,4 milion rrënjë të mbjella në 8.000 ha. Referuar tij, 60 për qind e kësaj sasie përbëhet nga lloji “Kokërrmadhi i Beratit”.
Ky (“buçko”, sipas meje) referuar studiuesit Bica është i vlerësuar si “Ulliri më i mirë i vendit për tavolinë”.
Gjithnjë sipas Piro Bicës, ai mbizotëron në tokat e kurorës së qytetit, por ndërkaq kultivohet gjerësisht në të gjithë hapësirën demografike fshatare që ka qenë e integruar historikisht me Beratin.
Në këtë territor, këmbëngul studiuesi, ndodhen edhe katër ekzemplarët më të vjetër të tij, me moshë rreth apo mbi pesëqind vjeçarë. Mes tyre rri në fshatin Velagosht edhe një “kokërmadh”: ka një perimetër trungu në metra prej 7.5, diametër 2.4, kurorë 4 dhe lartësi 6.
Ja një çudi: këto katër pemë më të vjetra të ullirit beratas nuk ndodhen në kurorën e qytetit.
Kjo do të thotë se këtë simbol të mirëqënies, të fitores, të pjellshmërisë dhe të paqes, nuk e ka shumuar dhe përhapur drejt rrethinave të tij banorët e qytetit, ata që vetëcilësohen si “beratas”.
Paskan pasur shumë merita, por këtë jo.
Ullirin e Beratit e kanë sjellë në qytet rrethinat, banorët e fshatrave përreth. Berati i ka dhënë emrin ose më saktë ia ka rrëmbyer.
Ndërkohë Piro Bica në një korrespodencë me të në 18 janar 2019 na ka shkruar jo pa ironi qëllimmirë se “Ullinjtë rreth kurorës së qytetit tonë besohet se janë rreth 200-250 vjeçarë”. Duket se qytetarët e kuptuan më vonë vlerën e kësaj kulture!!!”
Gjithsesi, sqaron ai, pema më e vjetër e ullirit të mbjellë në Berat dhe rrethinat e tij ndodhet në fshatin shumë të afërt me qytetin, në Palikësht, në komunën e Velabishtit.
Sipas kujtesës së banorëve, ai është gjysmë mijëvjeçar, ndërkohë që referuar Bicës “Ulliri i Palikështit, sipas ekspertëve të huaj, nisur nga përmasat, minimalisht duhet të jetë 1.000 vjeçar, por nga analizat me metodat moderne (shumë të kushtueshme), mendohet se mund të shkojë deri 2.000 vjeçar”.
Kjo çudi do të thotë se Ulliri i Palikështit i ka gjasat e jashtëzakonshme të ketë një moshë të përafërt me të vetë Beratit kur u bë qytet.
Shkruan Bica në studimin e vet: “I vendosur në një kodër të ëmbël dhe të bukur, ky ulli bie menjëherë në sy kur udhëton në rrugën Berat-Sinjë. Kur gjendesh para tij kupton menjëherë se ndodhesh para një qenie të rrallë, madhështore, imponuese sa që nuk të ngelet gjë tjetër veç t’i përulesh”.
Ky “patriark” ndoshta me moshë sa kështjella e Beratit, Kalaja, referuar studiuesit Piro Bica, ka një trung me perimetër mbi 21 metra, diametër 7, kurorë me diametër mbi 22 dhe lartësi të bimës mbi 13 metra.
Ai çdo vit prodhon 700-1000 kg ullinj.
Në vitin 2011 në bashkëpunim me ekspertin ekselent Dr. Dhimitër Panajoti, pasi kryen studimin “Identifikim/Skedimi i ullinjve shekullorë”, Piro Bica na shkruan se “prezantova këtë problem në Rrjetin Mesdhetar të Ullirit në Imperia (Itali)”.
Skeda nr.15, siç u regjistrua për pjesëmarrësit Ulliri i Palikështit, ishte befasia e madhe e atij takimi ndërkombëtar shkencor.
Ulliri më i vjetër në botë, informon Bica, i quajtur “Elia”, ndodhet në fshatin e vogël Pano Vouvus në perëndim të ishullit grek të Kretës. Ai ka një perimetër trungu 12.5 m dhe diametër të trungut 3.64 m.
Pra në përmasa fizike është pothuaj dy herë më i vogël se “Ulliri i Palikështit”.
Epërsinë mbi përfaqësuesin shqiptar nga Berati ai grek e ka me moshën e vet: 3.500-5000 vjet.
Gjithsesi patriarku ynë ka genin e lindur të pavdekësisë dhe nëse një ditë nga pakujdesi nuk e vdesim ne, mund të shpallet një kampion bote, të paktën nënkampion.
Në 1972 thuhet se mbi të ra një rrufe, e cila e dogji pjesërisht, por nuk e vrau dot.
Vëren Piro Bica: “Por nuk mjaftonin dëmtimet nga shkaqet madhore, njerëzit historikisht gjenin tek ky “kolos” një mundësi të pashtershme për të bërë dru për zjarr, duke i prerë herë pas here pjesë të tij.
Nga kjo masakër brenda trungut është krijuar një hapësirë, e cila duket si një shpellë gjigande, ku mund të mbrohen nga shiu mbi 15 vetë.
Ulliri i Palikështit të Beratit, kjo kryeçudi monumentale, e bën jetën e tij si të mundet, i braktisur nga shteti shqiptar, por për fat i mbrojtur nga natyra.
Kjo me sa duket i ka bërë magji përjetësie krijesës së saj të ngjashme me një hyjni.
Qoftë e nderuar! I jemi mirënjohës!

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com