Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: ÇIKRIKËT RROTULLOHEN ËMBËL


(Fragmenti 50 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Familja e autorit të këtij libri, banorë të qytetit, ka pasur bostan (kopsht bujqësor, një lloj ekonomie ndihmëse) pikërisht atje ku ndodheshin çikrikët, në hyrje të lagjes Murat Çelebi, në vazhdim të remës së ujit, që vinte nga diga në lumin Osum.
Njëri prej këtyre çikrikëve të shumtë vadiste edhe tokat e pemët e bostanit tonë, për të cilin kujdesej gjyshi nga babai, Isani, në vitet tridhjetë nënoficer prapavije në xhandarmërinë mbretërore të Ahmet Zogut.
Me pushtimin italian ai e kishte braktisur detyrën ushtarake dhe pas kësaj pati kaluar vite të vështirë ekonomikë, sidomos kur i biri, Shabani, u lidh me luftën kundër fashistëve dhe që nga 1943 doli në mal.
Pas lufte gjysh Isani u mor ca kohë me zbatimin e reformës agrare në krahinën e Tërpani, Temanit e deri në Vokopolë mal, pastaj iu përkushtua bostanit. Qe bujk shumë i mirë dhe i pafjalë, e ktheu atë në parajsë fiqsh, mollësh, pjeshkësh, rushi të llojeve të ardhur deri që prej Egjiptit.
Nuk i harroj dot stinët e pjekjes së fiqve, ndërsa hipja e zbrisja nëpër pemët e tyre dhe përherë sillja në shtëpi një trastë me to, sepse mamaja, nëna jonë, i kishte adhurim. Bukë e gjellë hante një kafshatë, por me fiq mezi ngopej.
Nuk harroj stinën e gjinkallave, koha kur mbi qytet binte një vapë e rëndë dhe ato strehoheshin në bostanet e dhjetra bashkëlagjasve. Unë, si fëmijë, çfarë mund të bëja më të gëzueshme veç një gjë që tani e quaj gabim: të hipja nëpër degë, t’i kapja, t’i vendosja mbi pëllëmbë e të dëgjoja këngën e tyre, e cila veç këngë qejfi nuk ishte. E bënin nga përvëlimi i vapës.
Nuk harroj edhe çastet kur në bostanin tonë, rreth drekës, vinte nëna, siç e thërritnim gjyshen tonë nga babai, Sabirenë, e cila i sillte, mbështjellë me një shami, drekën gjyshit. Qenë që të dy kampionë të punës dhe të kujdesit për familjen, me gjeste të heshtur më shumë se sa me fjalë. Mua edhe tani më vjen për të qarë (nga malli), kur rikujtoj çastet ndërsa gjysh Isani hante drekën dhe gjyshja e shihte vetëm në sy. Në fund e pyeste nëse i kishte pëlqyer gatimi.
Nga ato mote nuk harroj as momentet kur rritej misri, një krijesë bimore që e kam adhuruar përherë, por që edhe gjyshi e donte ta kishte përvitshëm, po të mundej.
Nuk harroj mbi të gjitha çikrikët mbi remë, masë jetëdhënëse uji që kalonte mes për mes bostaneve. Ngazëllimi im pas tyre ndodhte që në çastet e para kur në të majtë të Lagjes së Re, pra në hyrje-daljen veriore të Beratit, andej ku ndodhej Durrësi e Tirana, zbrisja poshtë dhe pas pak merrja kthesën djathtas.
Aty fillonte përralla: një rrugë e gjerë plot hije, me kanalin vaditës në mes dhe ata, të mrekullueshmit, të mahnitshmit, personazhe librash e filmash fantastikë: çikrikët.
Qenë rrota të mëdha prej druri, sa tre apo katër bojë njeriu, që rrinin të mbështetur në një aks rrotullues.
Ishin të pajisur gjatë tërë parametrit me kova (tetë apo dhjetë të tilla), të cilat nën shtytjen e ujit të kanalit mbusheshin dhe pastaj zbrazeshin një pas një sipër, me një kërcitje shumë karakteristike, të ëmbël, pothuaj si nëpër tinguj muzike.
Në rresht njëra pas tjetrës ato e derdhnin ujin në një govatë të drunjtë dhe prej këtej ai rrëshqiste vrullshëm në një ulluk të gjerë duke u lëshuar në një kanal anësor vaditjeje.
Pastaj uji begatues rridhte drejt bostanit.
Kjo kopshtije e madhe me çikrikë dhe me në mes një rrugë të madhe ndërbostanore të mbushur me shelgje dhe zogj, ishte pa dyshim vendi më romantik i Beratit.
Në këtë parajsë të vogël e të patrazuar nga zhurrmat e qytetit, mbillej deri edhe pjeshka shefteli, ftonjtë dhe shegët bishtdallëndyshe, kumbullat dhe dardhët.
Por edhe fryti më i pëlqyer për beratasit: fiku.
Shumëllojësh: fik i lashtë, stambolli, çardhakës, cipull...
Territori i bostaneve vijonte deri thellë, afër fshatit të parë në të majtë të luginës lumore. Aty nisnin orizoret, tokat e mbjella me oris, të cilat vazhdonin deri në Urën Vajgurore.
Qe një hapësirë e madhe dhe kur parcelat mbusheshin deng me ujë Osumi dukej me shtrat të gjerë dhjetëfish.
Prodhimi i kësaj orizoreje kishte qenë shumë më i bollshëm më herët atij shekulli ku nisa fëmininë. E pohojnë këtë kujtimet e bashkëqytetësve, por sidomos shënimet e udhëtarëve të huaj.
Kjo orizore gjigande pati furnizuar jo vetëm Beratin dhe rrethinat e tij, por edhe eksportohej.
Prej kësaj historie nisur që përtej tre shekujve, fshatit të parë të luginës i ka mbetur edhe sot emri Orizaj.
Nuk e kisha përfytyruar kurrë që periudha e jetës me këta çikrikë e bostane të lulëzuar do të mbaronte shpejt.
Ajo që ndodhi, duke zhdukur nga gjeografia e lagjes Murat Çelebi dhe krejt të qytetit të Beratit një çudi, qe një shkatërrim i tmerrshëm.
Nuk e kreu shteti komunist, i cili nuk do të vononte më pas në marrëzinë e tij të zhdukjes së pronës private.
Krimin e tmerrshëm e kreu lumi Osum.
Befas, në fund të viteve pesëdhjetë, pikërisht tek ai kend i rrjedhës së tij, tek bostanet me çikrikë, nisi ta lëvizte shtratin djathtas.
Dhe nuk e mori ngadalë, por me një zell të frikshëm.
Duke na lënë në kujtesë ne të gjithëve që kishim aty bostanet, skena të dhimbshme. Vije në mëngjes e shihje se ujrat e atij lumi kishin marrë me vete pemë mollësh, fiqsh, pjeshkësh...
Kur i marri Osum hyri në bostanin tonë gjyshi e kish mbjellë me misër e ai qe ende i vogël, i brishtë.
Nën vrullin e ujit rënkonte gjethet ende të imta.
E kam para syve këtë vuajtje edhe tani.
Kështu bostanit tonë dhe të të tjerëve pothuaj përditë u ikte nga një copë, duke i ardhur rradha më pas çikrikëve.
Këta kishin pushuar me kohë rrotullimet e tyre melodiozë, sepse nuk kishin më toka për të vaditur.
Nuk e di as tani nëse ka qenë një ngushëllim hyjnor ajo që më ndodhi në vitet tetëdhjetë, kur kisha krijuar familje e qemë bashkë katër shpirt (bashkë me gruan dhe dy vajzat).
Mora për herë të parë një apartament dhomë e kuzhinë.
Dhe çuditërisht pallati ku m’u dha kjo kthinë e domosdoshme jete ishte ndërtuar në sheshin me shtrat lumor ku saktësisht tre dekada më parë kishte qenë, si tokë pjellore e vaditur nga çikrikët, bostani ynë.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com