|
QYTETI PRANË QIELLIT: PLEPI I BUHARASË
(Fragmenti 48 i librit Qyteti pranë qiellit, vijon nga dje)
Në oborrin e gjelbëruar të familjes Buharaja, mes shumë pemëve frutore ka qenë edhe një plep, i cili falë ujrave të bollshme të nëntokës si edhe farës së vet të shendetshme, u rrit me shpejtësi, duke u bërë më në fund druri më i lartë në tërë pjesën fushore të lagjes Murat Çelebi.
Për disa dhjetra dekada të hershme për shkak të lartësisë si pikë referimi kishte qenë Kulla e Sahatit, por në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të shkuar e pati përfituar këtë cilësi plepi i oborrit tek shtëpia e dijetarit dhe orientalistit shumë të spikatur në tërë Ballkanin, Vexhi Buharasë.
Mirëpo një ditë erdhi plani.
Kjo donte të thoshte se në një territor të caktuar do të kryheshin nga shteti ndërtime të reja, si rrugë, fabrika apo pallate banimi.
Për shkak se atje ku ndodhej pjesa më e madhe e oborrit do të ndërtohej një bërryl apo rrethrrotullim rruge të re, në oborrin Buharaja nisi fillimisht prerja e pemëve frutore.
Pastaj i erdhi radha plepit shumë të gjatë e plot gjethe dridhëse nën erë, prej të cilit shumë vendas dhe udhëtarë orientoheshin për të gjetur një pikë mbërritjeje në Murat Çelebi.
Kur nën krismat e sëpatave ai ra në brinjë dhe degët, tek prekën tokën, rënkuan lehtë me një zë që u duk si njerëzor (Of!), në dritare, pas xhamave, Vexhi Buharasë që po e ndiqte i heshtur këtë skenë, filluan ti rridhnin lotë.
Ish-partizani dhe poeti Luan Qafëzezi, shok në vitet e luftës me Vexhinë, për këtë plep ka bërë një poezi.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|