|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: GORICA, KËSHTJELLA E BESNIKËRISË SË KRISHTËRIMIT BERATAS
(Fragmenti 47 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Secili ruan të drejtën të mendojë se prej lagjeve të vjetra formuese të Beratit, cila është me historinë më të veçantë, më origjinale, më të çuditshme.
Jemi mësuar që këtë epërsi ta ketë lagja Kala, e cila përfaqëson vetë historinë e lashtë të qytetit.
Pastaj vjen Mangalemi, lagja spektakël, “grataçieli” (“qiellgërvishësi”) i Beratit, asambli tërësisht artistik i banesave, ku secila prej tyre ka mezatarisht nga tetë dritare që shohin diellin e Tomorit.
Si rregull i përgjithshëm e treta në rreshtim vjen Lagja e Goricës.
Do më lejoni të them se për të mendoj disi më ndryshe, një rradhë të paktën më lart. Sepse ajo ruan një cilësi të mahnitshme: është krijuar prej ndjenjës (dhe veprimit të vetëdijshëm) të ruajtjes shumë vendosmëriaht të Krishtërimit, konkretisht besimit të krishterë ortodoks.
Kjo donte të thoshte jo fanatizëm fetar, por rezistencë për të mos humbur kombësinë shqiptare, arbëre, ilire e më tej.
Kjo besnikëri e jashtëzakonshme nuk kishte shtrat të vetëm këtë lagje, por tërë Beratin në periudhën e pushtimit osman, i cili megjithatë duhet pohuar, se qe shumë pak represiv në këtë qytet, shpesh edhe mjaft tolerant.
Gjithsesi të krishterët, ndërsa një pjesë konvertoheshin, të tjerët rezistonin. Në Kala apo në Mangalem, dy “kështjellat” e tyre deri sa u pavarësua Shqipëria dhe raporti ndërfetar në Berat, si edhe në qytete të tjera, nuk pësoi deformim shtetëror.
Por Gorica u shndërrua në qëndresën më kulmore të krishtërimit beratas.
Duhet thënë se fillimisht, që prej mbi njëmijë vitesh, matanë lumit Osum ka pasur thjesht Goricë. Ishte një kodër pa lagje, e pabanuar që prej çastit kur pushtuesit romakë shuan me dhunë jetën në kështjellën e saj.
Fjalës “Gorica” shpesh i interpretohet domethënia sikur vjen prej “dheut të kuq”. Toka e kësaj kodre vërtet është relativisht e tillë. Ky emërtim madje është i përhapur në territore të tëra të vendit tonë: tokë goricë.
Megjithatë mendojmë se në rastin e kodër-lagjes së mësipërme të Beratit thelbi i saj etimologjikisht vjen prej gjuhës sllave: mal i vogël. Beligradi (Qyteti i Bardhë, Berati) dhe Gorica u emërtuan në të njëjtën periudhë të pushtimit bullgar.
Në këtë kodër banorët u vendosën jo në dy shekujt e fillimit të sundimit osman, kur nuk bënë trysni të madhe për myslimanizimin e vendasve, por kur këtë shtrëngim e forcuan shumë.
Berati me Kalanë e tërë lagjet e poshtme përreth, ishte qyteti me kushtet më të mira të mundshme të jetesës. Gorica bënte përjashtim flagrant: vetëm kushte normale jetese nuk kishte.
Më së pari, aty nuk binte dielli tërë vjeshtën, dimrin dhe madje gjithë pranverën. Mjaft kohëshkurtër qe dhe është kjo prani gjatë verës.
Për këtë shkak turqit e quajtën Goricën “Gjon Gjorm” (lagjja që nuk sheh dritë).
Mes banorëve të qytetit të vjetër dhe të ri, nga që është shumë ftohtë, duke përdorur humorin, thuhet shprehja “Aty rri kaposhi me një këmbë”.
Gorica është quajtur edhe “Lagja e Varroshit të Thatë”, sepse kodra qe pa burime uji.
Ishte sakrificë shumë e madhe të zgjidhje jetesën më këtë pjesë të matanë Osumit, por qëndrestarët e krishtërimit beratas nuk u tutën.
Që goricarët historikë përfaqësojnë elitën e besnikërisë për besimin e tyre me identitet kombëtar, e provon tërthorazi një episot, të cilit në thelb do t’i referohemi më poshtë dhe është bërë publike pas viteve nëntëdhjetë të shekullit të shkuar prej studiuesit Andrea Llukanit.
Gorica ka një kishë themelore, e cila mund të thirret edhe si kryekisha e saj. Quhet e Shën Spiridhonit. Është e tipit bazilikë trenefëshe dhe mendohet të jetë ndërtuar në vitin 1864.
Në qemerin e harkuar të derës hyrëse është shkruar: “Kushdo që vjen këtu, unë do ta pranoj me shumë dashuri”.
Sipas studiuesit Theofan Popa në një diskos të madh me figurën e Shën Spiridhonit në reliev në mesin e kishës gjendet mbishkrimi: “Stergji Gogo 1875”.
Në ikonostas, në mbulesën prej argjendi të ikonës së madhe të Shën Spiridhonit, është shkruar: “Kjo ikonë u bë me kontribut të përbashkët me blerjen e argjendit, kurse punën grosh 300 e ka dhuruar zonja Agni, e shoqja e zotit Filip nga Lagja Goricë, në qytetin e Beratit, në kohën e peshkopimit të zotit Anthim Aleksudhit, nga Matidhi i Thrakisë, në kohën e kujdestarisë së zotit Naum Ajço. Prej dorës së argjendarit, Gabriel Dh. Buda viti 1883, qershor 28. Me nxitjen e papa Gjergj Varelit, nga katundi Kompot këtu. Er. Arta”.
E mbyllur që prej vitit 1968 dhe e kthyer në një depo ku magazinoheshin materiale ndërtimi, kazma, lopata, çimento, gëlqere, rërë, trarë (po ashtu në pjesët anësore qenë vendosur rafte, në të cilat kultivohej krimbi i mëndafshit), kjo kishë u rihap në 20 nëntor 1990.
Komisioni nismëtar përbëhej nga Lili Karabina, Zoi Samarxhiu, Palush Pushi, Petraq Thanasi, Petraq Simsia, Vangjush Mile dhe Mikela Oço.
Këta shkuan për të marrë leje tek sekretari i komitetit të partisë Stathi Kavaja.
Në vijim grupi nismëtar shkoi tek shtëpia e kryetares së këshillit popullor të lagjes Lediana Zhara, e cila pa hezitimin më të vogël ua dha çelësat e kishës.
Me të mbërritur nismëtarët e fillimit si edhe të tjerë që u bashkuan me ta, Pirro Angjeliu, Dhimitër Topi, Peçi Musha, Ilia Angjeliu, Vangjeli Bojaxhiu, Eftali Përroi, Pandi Shulla, Kela Baboçi, nisën pastrimin.
Afresket e kishës qenë dëmtuar.
Më pas u vendos që Kisha e Shën Spiridhonit të rihapej më 12 dhjetor, ditën kur kremtohej ky i shenjtë.
Besimtarët ofruan atë çka kishte shpëtuar nga përndjekja ateiste. Palush Pushi dhuroi ikonën e \"Darkës Mistike\", ndërsa Petraq Simsia kishte ruajtur kryqin e kishës së \"Shën Spiridhonit\".
U kontaktua me dhjakun Vangjel Xoxe, të cilit për ceremoninë prej besimtarëve iu blenë pëlhurat e duhura dhe rrobaqepësi Sotiraq Tapia qepi stolinë e dhjakut.
Por që të celebrohej Liturgjia Hyjnore nevojiteshin disko-potirët e shenjtë. Këto u siguruan nga besimtari Jorgji Naço, i cili i kishte ruajtur për vite me radhë, sepse babai i tij Fone Naço, kishte qenë epitrop i kishës së Shën Spiridhonit.
Ndërkohë duhej patjetër antimisi i shenjtë.
Mellani Naço e kishte fshehur antimisin e kishës së Shën Spiridhonit në sëndukun ku kishte rrobat e pajës së saj.
Dhjak Vangjeli me Zoi Samarxhiun shkuan në shtëpinë e psaltit Ilia Thimi Koçi, i cili u dhuroi ungjillin dhe apostullin.
Kështu rifillimi i jetës së kishës kryesore të lagjes Goricë u krye në ditën e paravendosur.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|