|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: BERATI ËSHTË ME DY KALA, NJËRA GJALLË, TJETRA SHUAR
(Fragmenti 46 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Në librin “Berati, historia dhe arkitektura” autorët e saj Apollon Baçe, Aleksandër Meksi dhe Emin Riza, kanë një kapitull të vogël me titullin “Kështjella e Goricës”.
Ky formulim përbën objekt vëmendjeje për studiuesit e arkeologjisë, ndonjëherë edhe të historisë, por për masën e madhe të njerëzve jo. Këta të fundit i përjetojnë ditët me një ide të palëkundur: në Berat ka vetëm një kala.
Vizitat bëhen atje, faltoret ndodhen po atje, muret rrethues e kullat roje gjithashtu, portat e hyrjes e të daljes, gjurmët e majë heshtave apo mbetjet e qeramikave, ndonjë copë çekani prej guri patjetër.
Në Kala, dinë njerëzit e thjeshtë vendas, por edhe turistët ardhës, para se në shekullin e IV p.e.sonë të krijohej qyteti, për qindravjeçarë ekzistonte një vendbanim, një katund.
Tjetër fshat fare afër nuk e kanë menduar se ka gjalluar.
Ja pse e rikthejmë në kujtesë këtë emërtim plot autoritet shkencor: “Kështjella (Kalaja) e Goricës”.
Shkruajnë Baçe, Meksi dhe Riza: “Nga veriu kodra e njohur me emrin Goricë, rrëzohet thikë drejt Osumit, duke ia lënë mbrojtjen për 110 m humnerës. Në lindje atë e mbron një mur po kaq i gjatë, i përforcuar nga një dhëmbëzim, një kullë mesi dhe një kullë skaji...nga jugu kodra ulet butë për 20-25 m mbi një pllajë disa hektarëshe të mirë për banim e jetesë.
Kjo është edhe ana më e dobët.
Muri këtu nuk vijon i drejtë, por dhëmbëzohet dhe përveç kullës së këndit, përforcohet nga një kullë tjetër, e cila ka për detyrë edhe mbrojtjen e hyrjes...”
Në një çast tjetër autorët e mësipërm vënë në dukje se kështjella e Goricës muret i ka të gjëra si Kalaja, 3.10 metra.
Pra, është binjake me të, rritur së bashku, në harmoni bashkëpunimi, çfarë ia detyronte pozicionimi mjaft strategjik për ta kontrolluar plotësisht hyrjen në grykën e ngushtë të rrjedhës së Apsit (Osumit).
Ndërkohë që duhej mbajtur nën roje edhe lugina tjetër, ajo më e gjerë, e cila kishte në të djathtë masën e kodrinave të mbështetura mbi malin e Shpiragut.
Po ashtu Baçe, Meksi dhe Riza shkruajnë: “Në brendi të rrethimit veçanërisht në faqen perëndimore, shihen rrënoja të shumta banesash me planimetri drejtkëndëshe, me brinjët e ngushta përpendikulare me pjerrësinë e terrenit”.
Me pak fjalë kalaja e Goricës është si ajo vetë Kalasë: e banuar.
Është qytet.
Më i vogël sigurisht, por gjithsesi qytet.
Ka ekzistuar një mendim se kjo qendër banimi qe aq fort me prestigj sa emërtimi Antipatrea për qytetin kryesor, Kalanë, vinte prej togfjalëshit Anti Patrea (Përballë Gurit (të Bardhë).
Pra kalaja e Goricës nuk është karakoll, strehues garnizoni, vetëm qytezë ushtarake. Është vendbanim i plotë civil.
Ndërkohë kjo histori e Beratit me dy kala ka edhe një studiues posaçërisht të marë me këtë çështje: Shuaip Manen. Ai për shumë vite ka drejtuar degën e Ruajtjes së Monumenteve të Kulturës në Berat.
Në shkrimin e tij të botuar tek revista “Monumentet”, numri 2, viti 1987 dhe përsëritur në edicionin e dytë të saj të motit 1990, mes të tjerash Mane spikat se qyteti i Beratit në të dy anët e Osumit ka dy kështjella.
Për Manen kjo kështjellë e fundit, me sipërfaqe brenda rrethimit prej 1,5 hektarësh, ka pozicion strategjik më të rëndësishëm se kodra e Kalasë.
Studiuesi Shuap Mane njëkohësisht parashtron faktin se zbulimi i kësaj kështjelle është tepër i vonë dhe nga harrimi shumë objekte i kanë humbur. Megjithatë deri tani në të janë gjetur 168 metra mure mbrojtës.
Vë në dukje Mane: “Duke u nisur nga teknika e ndërtimit si edhe nga qeramika ky mur rrethues i takon shek. IV-III p.e.sonë. Në gjithë sipërfaqen e kodrës ruhen gjurmë të shumta ndërtimesh. Banesat kanë qenë shumë afër me njëra-tjetrën, duke krijuar një asambël të ngjeshur me një jetë intensive”.
Më tej: “Deri më sot janë zbuluar elementë në gati 25 ndërtime”.
Në vijim: “Materiali arkeologjik që gjendet pranë këtyre ndërtimeve, është i periudhës qytetare. Kemi shfaqur mendimin tonë se kjo qendër u ngrit në një vendbanim që shkon deri në fund të neolitit”.
Shuaip Mane këmbëngul se gjatë kërkimeve të vitit 1990, të kryera në kështjellën e Goricës, materialet e gjetura janë të periudhës së bronxit dhe se “ato përbëhen nga qermikë me baltë të parrahur...ka mbetje veglash prej stralli, dy maja heshtash prej stralli, copëra stralli të punuara për vegla etj”. Mane është i bindur se “Banorët e lashtë, të fundit e broncit, nuk e braktisën këtë qendër banimi” dhe se këtu “periudha qytetare është zhvilluar normalisht”.
Sipas tij, në shekujt IV-III p.e.s. kjo qendër banimi fuqizohet, çfarë përfaqëson moment të njëjtë të këtij procesi me kështjellën përballë, Kalanë.
Ndërkohë Mane saktëson: “Kur popullsia e kësaj zone është rritur dhe është bërë sedentare, atëherë një pjesë e këtyre kalojnë në kodrën përballë, në kalanë e sotme të Beratit. Kjo duhet të ketë ndodhur nga shekulli VII p.e.s. Ne mendojmë se të dyja këto qendra kanë pasur mure rrethuese”.
Në vijim studiuesi me shumë kontribut në ruajtjen e zhvillimin e një Berati historik, thekson: “Ndërprerja e jetës në Kalanë e Goricës lidhet me pushtimin Romak. Pas shek. II p.e.s. këtu çdo gjë hesht. Jeta ndihet në këtë periudhë vetëm në Kalanë e Beratit ku vazhdon pa ndërprerje deri sot”.
Si për të patur një “fund të lumtur” në një farë mënyre të dy kështjellat u bashkuan. Në Kala ndodhen të dyja.
Veç formalisht, sepse Kalaja e Goricës gjendet në vendin e saj historik, e gremisur prej dendësisë së një pylli, i cili e ka zëvendësuar dhe fshehur atë që prej dymijë vjetësh.
Ka ardhur koha që kjo kështjellë të zbulohet për vështrimin e vizitorëve, pak nga pak muret e kullat të ringrihen dhe një rrugë makinash të ngjitet deri atje.
Sepse autori i këtyre rradhëve për një gjë është i sigurt: brezat që do të vijnë do ta ngrejnë një teleferik me stacion kryesor kalanë e Kalasë dhe të dytë Kalanë e Goricës.
Kështu ata që do të vizitojnë qytetin e vjetër mëmë, duke fluturuar në ajër të futur në kabina me ngjyrën e qiellit të kaltër karakteristik të Beratit, do të shkojnë tek qyteti i lashtë bijë.
Dhe anasjelltas.
Nuk ka përse të mos ndodhë kështu: Berati është qyteti pranë qiellit.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|