Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: PSE MUND TË BËHET NJE LIQEN I BERATIT.


(Fragmenti 44 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Pa lumin Osum nuk do të kishte Berat.
Ishte ai që shekull pas shekulli çau përmes Malin e Thatë, duke i hapur vend djathtas Kalasë së ardhshme dhe majtas Goricës.
Pa ujin e tij në këtë territor shumë gëlqeror mund të kishte çfarëdolloj pejsazhi të bukur, por kushte për jetë njerëzore intensive jo.
E megjithë këtë rol të jashtëzakonshëm në krijimin e qytetit administratat e tij nuk kanë dëshmuar ndonjë mirënjohje për të. Madje as respekt, çfarë është një vlerësim i pamerituar.
Nuk gjendet në vendet normale një lum që kalon përmes qytetit (çfarë fati!) dhe lihet i braktisur e i papërdorur për t’ja shtuar hijeshinë atij. Thjesht i ruhen përmbytjeve të tij. Prandaj ndodh që ndonjëherë në hënë gjysmëpastrohet shtrati i tij prej dherave që sjell ai kokëkrisur ujërrëmbyer dhe i depoziton si “dinamit” tek këmbët e vetë qendrës së Beratit.
Por edhe në këtë rast kjo punë kryhet nga ana pamore në mënyrë shumë të shëmtuar, çështje thjesht gërryerjesh me dhembë eskavatorësh. Duke thelluar një rrip të ngushtë të shtratit të tij historik, pastaj lënë në pjesën tjetër, kryesore, pirgun e depozitimeve.
Sigurisht kjo nuk mund të jetë çështje e vetëm një administrate apo fondi të pakët të saj. Ajo është punë projekti të zbatuar dekadë pas dekade, pak e nga pak. Prandaj kjo mungesë është çështje deficiti kronik largamësie. Ja pse është shumë e lemerishme.
Siç ka mbetur sot, pas njëmbëdhjetë dekadash shtet i pavarur, Osumin përgjatë tërë gjatësisë së kalimit nëpër Berat nuk e sodit dot. Vetëm piktorët këtë gropë imazhi e mbushin me një liqen të mahnitshëm, ku madje lëvizin edhe barka.
Është një liqen, i cili rrezëllin diellin e ditës dhe hënën e natës.
E sidomos dritat shumëkatëshe të Mangalemit.
Patjetër në këto pamje të ëndërrta të piktorëve (qofshin të bekuar për këtë mirësi shpirtërore që na krijojnë!) kam veçuar dhe pothuaj rënë në dashuri me çfarë mbi këtë temë artistike ka realizuar në vazhdimësi Vlash Droboniku.
Doemos që bashkë me fantazinë në këtë sprova ka edhe elementë të parealizueshëm teknikisht, por duke i mbajtur këmbët në tokë besojmë se liqeni i lumit Osum, me pak fjalë Liqeni i Beratit, mund të bëhet dhe qytetit t’i shtohet një hijeshi tjetër e rrallë. Magjepëse.
Këtë mungesë e ndjejmë të gjithë ne beratasit, pse jo edhe dashamirësit e vizitorët e tij të shumtë gjithkund në vend dhe në glob. Prandaj e dëshirojmë të realizohet, jo si projekt vizatimi të përdodur nga ndonjë politikan qendror si karem elektoral.
Mes bashkëqytetësve e këmbëngul këtë Liqen të Beratit, sepse e kam parë me sytë e mi gjatë tërë fëminisë time në lagjen Murat Çelebi. Kur moti ngrohej ne shkonim për t’u larë tek Diga. Nuk harroj asnjë moment të këtyre çasteve.
Diga qe ndërtuar në vitin 1947, në vend të një ledhi të lartë prej dheu. Ishte strukturë e vërtetë betoni, dërrase të fortë dhe hekuri, një mekanizëm i tërë i manovrueshëm lehtë me porta që hapeshin dhe mbylleshin sipas nevojave që kishte për të furnizuar me ujë Remën, një kanal vaditës të lagjes tonë të madhe, të lulëzuar nga bostanet dhe çikrikët.
Ky shkonte me kilometra larg, deri tek Ura e Hasan Beut (Ura Vajgurore).
Për shkak të kësaj dige (prite rregulluese) që prej Urës së Goricës deri aty, besoj dyqind metra gjatësi, kishte një liqen të vërtetë.
Prej rrugës kryesore nga qyteti ai shihej pjesërisht, por një digë (pritë) tjetër jo pas, por para Urës së Goricës, do ta përsëriste këtë fenomen magjik në mes të qytetit.
E them këtë sepse përjetoj me këtë rast edhe një emocion personal. Tek Diga punonte vëllai i gjyshit tim nga babai, Galo Polovina. Qe figurë shumë e veçantë për fisin tonë, njeri për t’u admiruar jo thjesht në përkushtimin ndaj Digës, mënyrës si e drejtonte, e hapte dhe e mbyllte atë, pjesë pjesë apo njëherësh, për një orë apo gjysmë dite (sikur i binte tasteve të një fizarmonike).
Galo Polovina ishte mbresëlënës sepse në vitet njëzetë të shekullit të shkuar shkoi dhe punoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në punë të rëndë, në shkrirje metalesh, në metalurgji. Pronari kryesor e çmonte shumë dhe më në fund e thirri në bisedë t’i ofronte një status më të lartë: të qe aksioner.
Por Polovinasi qendroi i heshtur.
Atëherë amerikani e pyeti mos pas kaq shumë vitesh ende nuk i qe mbushur mendja të mbetej përfundimisht në atë shtet që për zhvillimin e kish zili tërë bota.
“Dëshiron të rikthehesh në Shqipëri?”, e pyeti drejt për së drejti.
Galo Polovina sërish heshti, por pronari kryesor, që mesa dukej diçka parandjeu, u hodh menjëherë në sulm.
Nxorri një fletë gazete amerikane, ku kishte një artikull për Shqipërinë. Ai qe shoqëruar me një foto. Në fotografi dukej vetëm një fshatar me këmbët varur hipur mbi një gomar.
“Këtu do të kthehesh?”
Befas Galo Polovinën e mbuluan ngashërimat.
Padroni amerikan me tregimon e asaj fotoje kishte gabuar. E humbi menjëherë një nga punëtorët e tij më shëmbullorë.
Ato çaste Galo Polovina mori vendimin e parikthyeshëm të nisej për tek trojet e veta të lindjes.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com