Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: “DITA E UJIT TE BEKUAR TE URA E GORICËS, SPEKTAKLI MADHËSHTOR I ÇDO 6 JANARI”


(Fragmenti 43 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Në 8 nëntor 1990, përvjetor i 49-të i Partisë Komuniste shqiptare, në Berat jo vetëm që nuk pati asnjë festim, por as referim zyrtar të ngjarjes. Nuk u bëza. Tregu qe më bosh se kurrë dhe për ta furnizuar atë as që u mendua.
Në fakt magazinat ushqimore qenë bosh.
Pas orës 14.00 qyteti mbeti edhe pa bukë.
Sidoqoftë njerëz të shumtë qëndronin në rradhë, duke shpresuar se ndonjë kamioçinë apo karrocë do të sillte disa thasë me bukë.
Por në atë pasdite të 8 nëntorit 1991 nëpër dyqane qenë pa këtë ushqim bazë jetik edhe qytetet e Lushnjës e të Durrësit. Flitej edhe për të tjerë.
Në 12 dhjetor u hap, në prani të dymijë vetëve, kisha në Goricë dhe në 13 u vendos shpallja për hapjen e xhamisë së qendër të qytetit, asaj Mbret. Kjo u çel në 14 dhjetor.
Në të dy ngjarjet të krishterë ortodoksë dhe besimtarë myslimanë rrinin bashkë dhe secili bënte një punë të dobishme. U rishfaq edhe dhjaku Vangjel Xoxe, një nga beratasit më të sjellshëm. Mua më ranë në sy edhe dy miqtë e mi fotografë të talentuar, Eshref Vrioni, mysliman, dhe Dhimitër Topi, ortodoks.
12-14 dhjetori 1990 qenë tre ditët e stuhishme kur në dy pjesë të hollit të hotelit të Turizmit, në zemër të Beratit, u panë afishe të shkruara me dorë: “Vdiq Oris Sheqeri. Ngushëllime!”
Oris Sheqeri ishte emri metaforik i komunizmit dhe i krizës së tij të plotë, me ushqim të racionuar në triska.
Studiuesi i Krishtërimit Andrea Llukani sapo ka botuar këtë vit librin “Metropolia e Beratit, nga vitet apostolike deri në ditët tona” dhe ne tani do të ndjekim këshillimin me të, sepse tema e këtij kapitulli është “Dita e Ujit të Bekuar”, rit i cili çdo 6 janar festohet tek Ura e Goricës.
Duke u bërë tashmë më i bukuri në të tërat trojet shqiptare.
Në rast se mali i Tomorit ka pelegrinazhin e përvitshëm të gjysmës së dytë të gushtit, ata të nderimit të të shenjtit të Bektashizmit, Abaz Aliut, më së shumti me pjesëmarrje të skraparllinjve dhe banorëve përreth, beratasit i grumbullon në “pelegrinazhin” e vet Epifania e 6 janarit.
Ky është një spektakël i vërtetë artistik. I gjithë mjedisi i buzë Osumit e deri tek ura në të tërë gjatësinë e saj, mbushur me shikues, nuk është gjë tjetër veç dekori i magjishëm i një teatri të vërtetë antik.
Është një ringjallje e tij.
Referuar Andrea Llukanit, Uji i Bekuar shënon ditën kur Jezu Krishti është pagëzuar në ujrat e lumit Jordan. Emërtimi Epifani i këtij akti do të thotë Shfaqje e Perëndisë.
Sipas traditës beratase, provuar kjo nga Llukani edhe me foto të kësaj ceremonie të vitit 1931 dhe 1944, “procesioni i besimtarëve i paraprirë nga priftërinjtë dhe psaltët nisej nga kisha e Shën Mërisë, rrëzë kodrës së kalasë dhe i drejtohej urës së Goricës për të shkuar në kishën e Shën Spiridhonit ku celebrohej liturgjia hyjnore.
Pas përfundimit të liturgjisë procesioni i paraprirë nga kryqet, eksapterët etj., drejtohej për te ura e Goricës ku hidhet kryqi në lumin Osum.
Besimtarët të paraprirë nga priftërinjtë, shkojnë duke kënduar “O Zot shpëtoje popullin tënd...
dhe ruaje shtetin tonë
me anën e kryqit tend!”
Ndërkohë psaltët këndonin himnin kryesor të së kremtes”.
Këto çaste të rinj besimtarë zhyten në ujërat e ftohta të Osumit për të kapur kryqin e porsahedhur.
Ai që e merrte i pari qe edhe fitimtari. Me kryqin në dorë ky shkonte shtëpi më shtëpi.
Ndërkohë besimtarët mbushnin nga një shishe të vogël me ujë të bekuar të asaj dite. E ruanin atë në banesën e tyre deri në 6 janarin e ardhshëm.
Me rënien e komunizmit Berati, ndryshe prej qyteteve fitoi këtë perlë ceremonie tradicionale fetare, e cila përvit e më shumë po gjen vendin e saj si ngjarje shumë e shënuar, e përshtatshme për t’u popullarizuar jo vetëm në të gjithë Ballkanin, por edhe nëpër Eurokontinent.
“Dita e Ujit të Bekuar” mund të shndërrohet edhe në një institucion të përkryer kulturor dhe turistik.
Por edhe studimor, sepse për ta mohuar atë në Berat janë kryer jo vetëm marrëzi të mëdha, por edhe gjeste barbare.
Zbehja e këtij riti nisi që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ai binte ndesh me doktrinën ateiste të Partisë Komuniste Shqiptare.
Por goditjen e rëndë e mori në janar të vitit 1967, kur organizata e rinisë së shkollës së mesme “Naim Frashëri” në qytetin e Durrësit shpalli nismën e komanduar nga lart: “Të luftojmë deri në fund ideologjinë fetare, besytnitë dhe zakonet prapanike”. Menjëherë në 6 shkurt hyri në veprim vetë nismëtari i fshehtë, Enver Hoxha. Në mbledhjen e përbashkët të disa organizatave të partisë në Tiranë ai mbajti fjalimin me temë: “Revolucionarizimi i mëtejshëm i partisë dhe pushtetit”. Të nesërmen gazeta “Zëri i popullit” botoi artikullin: “Me shpatën e mprehtë të ideologjisë së partisë, kundër ideologjisë fetare, paragjykimeve, besytnive dhe zakoneve prapanike”.
Më 27 shkurt Enver Hoxha u rishfaq përsëri dhe në emër të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, u drejtoi një letër komiteteve të partisë në rrethe “Mbi luftën kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare”, ku jepte direktivën, në fakt urdhrin politik, pjesë e shplarjes së përgjithshme të trurit të popullit, për ta zhveshur atë nga çdo lloj besimi fetar dhe në vendin e zbrazur të ngjeshte dogmën marksiste-leniniste.
Më 11 prill 1967, spikat Andrea Llukani, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxorri dekretin nr. 4263 “Për bashkësitë fetare”, me anën e së cilit u hiqte atyre çdo siguri ligjore dhe i shpronësonte krejtësisht. Çdo pasuri e tyre e tundshme ose e patundshme, duhet tu shpërndahej organizatave socialiste.
Makina e madhe e shtypjes së fesë, e cila në thelb qe vetë një shtypje e re e shqiptarëve, nuk u ndal deri në ditën kur Tirana zyrtare u mburr se përfaqësonte tani një kampion të ri botëror: shtetin e vetëm ateist në glob.
Pasojat në Berat qenë të rënda: Kisha madhështore e Shën Spiridhonit në lagjen Goricë, edhe për ironi, u shndërrua në depo të Ateliesë së Degës të Monumenteve të Kulturës; Kisha e Shën Gjergjit në kala u kthye në shtëpi pritjeje në varësi të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare; Kisha e Shëndëllisë u kthye në stallë për kuajt e ushtrisë.
Studiuesi i Krishtërimit Shqiptar Andrea Llukani në librin e tij për Metropolinë e Beratit, duke iu referuar kujtimeve të Ilia Zakës, shënon se kisha e Shën Thomait në lagjen Goricë u dogj në vitin 1982 gjatë xhirimit të filmit \"Tomka dhe shokët e tij\".
Na qënkej dashur që për të krijuar imazhin e shkatërrimeve të luftës disa punonjës të Kinostudios \"Shqipëria e Re\" të organizonin këtë zjarrvënie!
E cila nuk do të qe e vetmja.
Mbështetur mbi dëshminë e Xhovani Kajanës flakëvënia e Kishës së Shën Thomait u përsërit një dekadë më pas.
Po xhirohej filmi “Gjeneral Granafoni”. U duhej treguar shikuesve se si pushtuesit fashistë kishin djegur qytetin e Beratit.
Por edhe pse regjisori nguli këmbë që kishës së djegur njëherë për një film, t’i rivihej zjarri sërish për film, asnjë nga banorët e krishterë të lagjes Goricë nuk pranoi.
Por si gjithnjë një i pazemër dhe i pa tru gjendet.
Ishte një i ardhur nga fshati: Xh. O.


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com