|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: “MU TE URA ME ZINXHIRA, ATJE NDIZEN DYZETË KANDILA”
(Fragmenti 42 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Koleksionisti dhe studiuesi Artan Lame ka bërë publike para disa vitesh një pamje të Urës së Goricës, të goditur me artileri në korrik 1918 prej trupave pushtuese austro-hungareze në tërheqje drejt veriut. U pritnin rrugën e sulmit ushtrisë pushtuese italiane, të cilët po i ndiqnin.
Ishte ky momenti kur ndodhi e jashtëzakonshmja: Ura u shndërrua në një medalion i të gjithë divizionit 36 të kësaj armate në Shqipëri.
Lufta kundër austrohungarezëve në këto çaste qe pjesë e një aleance të italianëve me francezët dhe operacionet e tyre të përbashkëta ushtarake patën filluar në mes të muajit maj 1918. Drejtimi operativ: territori midis lumenjve Devoll dhe Osum. Trupat italiane depërtuan deri në thellësi të Çorovodës, duke kthyer mbrapsht kundërsulmet e shpeshta dhe të forta të austrohungarezëve.
Një operacion i dytë për t’a dëbuar ushtrinë e Vjenës nga kjo hapësirë italianët dhe francezët e filluan në mes të korrikut. U qendërzuan në Vlorë dhe në Berat. Në 6 korrik trupat italiane sulmuan në sektorin e malit Tomor, por u blokuan prej kundërveprimit të vendosur të austrohungarezëve.
Ndërsa në këtë drejtim nuk ja dolën dot kjo armatë përparoi në kahun e lumit Vjosa dhe pasi e kapërceu këtë lumë filluan t’i afrohen qytetit të Beratit.
Kjo epërsi i ndihmoi trupat italiane që mësynin vazhdimisht malin e Tomorit dhe territorin përreth tij, ta marrin nën kontroll në 8 korrik. Kjo gjendje e re i detyroi austrohungarezët ta braktisnin sa më shpejt Beratin.
Duke shkatërruar dhe Urën e Goricës.
Por italianët qëndruan fare pak në qytet. Pasi austrohungarezët grumbulluan forca, kundërsulmuan dhe e morën Beratin në 26 gusht.
Kjo është periudha kur kjo urë është pothuaj e pakalueshme. Austrohungarezëve nuk u interesonte një riparim i saj, sepse rreziku italian për ta marë qytetin qe i përhershëm.
Ndërkohë paralelisht, duke nisur nga vitet 1920, Ura e Goricës filloi të rindërtohej përkohësisht nga pushteti vendor deri sa më në fund, në 1927, edhe me një vendim ndihmëtar qeverie nisi të ringritej plotësisht, duke u rikthyer në aftësinë e mëparshme të kalimit normal mbi të jo vetëm të njerëzve dhe kafshëve, por edhe të mjeteve me rrota, veturave dhe automobilave të vegjël.
Gjatë procesit të ringritjes së përkohshme, një nga momentet që ruhet shumë fort në kujtesën e banorëve dhe sidomos në këngën qytetare beratase, është kur ajo u thirr me emrin “Ura me dërrasa”.
Ishte një vendas, krijues melodish dhe vargjesh, Hamit Vokopola, i cili e thurri këtë bukuri vargjesh, ndoshta edhe i magjepsur prej pamjes së veçantë që kishte marrë kjo urë e goditur nga fatkeqësia e bombave të të huajve.
Ajo, si të ishte qenie njerëzore, pra një e plagosur e vërtetë, ndoshta e përfytyruar nga vendasit si një femër e fashuar në gjoks, varej në zinxhirë hekuri dhe ishte e ndriçuar natën me kandila, të gjithë të vendosur nëpër kafazë metalikë e të shpërndarë në të tërë qytetin.
Këta kandila, thotë kënga, vetëm tek ura kanë qenë dyzetë.
Nuk dihet nëse vërtetë ishin kaq shumë, pra nga njëzetë për çdo krah, por dyzeta në Berat është një shifër magjike, e mbushur me mesazh: tregon madhësi zhvillimi, pothuaj shenjtëri. Jo më kot këmbëngulet përherë, pa pasur prova dokumentare, edhe për praninë e dyzetë kishave vetëm në kala.
Pamja mjaft origjinale, shumë spektakolare, e urës e ndriçuar natën me dyzetë kandila, ngjason me dekorin e një skene teatri dramatik, makbethian madje.
Shfaqet si një mjedis ku kryhen rite lutjesh, përshpirtjesh.
Mes viteve 1982-1984 studiuesi Agim Mehqemeja ka mbledhur, tek ende gjallonin nëpër qytet, tre variante të këngës dhe që të gjitha nuk e thërresin “ura me dërrasa”, por “ura me zinxhira”.
Kjo do të thotë se secila, ajo me dërrasa dhe tjetra me zinxhira, në thelb e njëjta, është zgjedhur si skenë për dy motive të ndryshme.
Njëra për një shprehje dashurie e tjetra për një vrasje të tmerrshme, krim të papërfytyruar në historinë e qytetit paqësor dhe mjaft nderues për klerikët: nè 31 maj është vrarë një hoxhë, madje ky ato çaste kur u bë krimi mbi të, qe duke larë duart për të nisur pastaj lutjen.
Nga e njëjta dorë nuk iu mor jeta vetëm atij, por edhe një femre me emrin Zyhra.
Kjo qe e shoqja apo thjesht e dashura dhe për këtë arsye të fundit iu dha ndëshkimi?
Çdo kërkim i deritanishëm për të gjetur gjurmë identifikimi të personit hoxhë dhe të femrës me emrin Zyhra, edhe pse kanë ekzistuar realisht, rënë viktimë krimi për çështje dashuria, deri tani kanë ndeshur në boshllëk.
Ndërkohë shumë pak e mundur është që kjo ngjarje të jetë e sajuar dhe subjekti të jetë thjesht artistik.
Kënga qytetare beratase është tërësisht dhe seriozisht kronikë reale.
Janë fragmente në vargje të historisë së qytetit.
Në variantin më të vjetër tekst dhe melodi, të ruajtur deri tani, paraqitur në “Muzika popullore në qytetin muze të Beratit” i Fatbardh Dervishit, botim i vitit 2011, kënga ka formën më të afërt me çastin e lindjes. Kompozitori, dirigjenti më jetëgjatë i Beratit, por edhe njëkohësisht studiues Dervishi, e rreshton atë, mes 117 këngëve që i paraqet lexuesit si më të zgjedhurat.
E prazanton me titullin “Mu te ura me dërrasa” dhe në botim ka numrin 33.
Vargjet e saj thonë “Mu tek ura me dërrasa, fol me gojë o njëherë se plasa”.
Po ashtu: “Mu tek ura me zinxhira, atje ndizen dyzetë kandila”.
Dy variantet dhe imazhet e saj, me zinxhira dhe me dërrasa, janë bërë bashkë në një harmoni të habitshme.
Këto mote ajo tërheq fantazinë e ndezur të beratasve, keqardhjen e tyre, dashurinë që kanë për këtë visar arkitektonik. Lëngimi i saj i pikëllon.
Autori i këngës, Hamit Vokopola, ka ndërruar jetë në 1920, prandaj edhe për një logjikë të thjeshtë krimi detyrimisht është para këtij momenti.
Duke iu referuar përmbledhjes së Agim Mehqemesë për këngën qytetare beratase, pra burimit më të plotë, gjen tre variante.
I pari është regjistruar në 18 shkurt 1982 dhe ka titullin “Mu tek Ura, moj, me zinxhira!” Strofa e parë thotë: “Mu te ura, moj, me zinxhira,/Atje ndizen dyzetë kandila”.
Pastaj vijon refreni pikëllues “Vaj-vaj-vaj!”
Strofa e dytë rreshton fjalët “Mu te ura, moj, me dërrasa,/Më jep pak ujë, aman, se plasa!” Pas refrenit pothuaj vajtues, por që ndonjëherë shitet si gazmor, ndodhet strofa e tretë: “Qelepir, more i pabesë,/Vrave njerkun, more, në mëngjes!”
Strofa e katërt, sapo mbaron psherëtima e vaj-vajit, përmend edhe vrasjen tjetër: “Qelepir, more, gjeç belanë,/ Vrave njerkun me gjithë Zyhranë!”
Në 11 prill të po atij viti studiuesi Mehqemeja ka kapur dhe fiksuar në letër një variant të dytë. Këtë herë titulli bashkon fjalët “Qelepir, gjeç belanë”. Strofa e parë ka këtë tekst: “Qelepir gjeç belanë/Vrave hoxhën me Zuhranë!” Refreni i plotë: “Vaj, vaj, jashikzana!/Vaj, vaj çfarë të bana!”
Strofa e dytë përmbledh fjalët tronditëse: “Hoxha po merrte avdesë,/Qelepir, o i pabesë!” Strofa e tretë: “Mu te ura me zinxhira/Ndezur-o dyzetë kandila”.
Refreni i vaj-vajit e mbyll menjëherë këngën tërësisht të përzishme.
Pas dy viteve, më 24 janar 1984, Agim Mehqemeja ka regjistruar variantin e tretë të këngës. Këtë herë denoncimi i krimit, qoftë ndaj njerkut apo hoxhës, është zhdukur krejt. Titulli është “O mu tek ura, moj, me zinxhira. Strofa e parë ndryn brenda saj vargjet “O mu tek ura, moj, me zinxhira,/Atje ndizen dyzetë kandila”. Pas refrenit me vaj-vaj-vaj, vendoset strofa e dytë: O mu tek ura, moj, me dërrasa,/O fol me gojë, o moj gocë, se plasa”. Strofimi i tretë bashkon fjalët “Qelepir, o gjeç belanë,/O që s’më le mua rehat!”
Strofa e katërt: “Nënë, bilbilat të shtatë po qajnë,/O mua s’po më lënë rehat!” E pesta: “Një nga bilbilat unë do ta marrë,/Më të bukurin s’do ta lë rehat”.
Siç e shihni këtë herë vrasësi Qelepir është bërë dashnor. Fantazia që u ngacmon beratasve kjo urë e plagosur nuk ka fund.
Por edhe kënga e ahengut në Berat ka dëshmuar forcë tiranie, presion qè të bëjë çdo motiv tjetër, shoqëror, historik, dramatik madje, të ngjashëm me modelin e vetes.
Në rrethana të tilla iu drejtova njohësit më të mirë të qytetit, autorit të librave të përkorë nga ana e të vërtetës, studiuesit Ajet Nallbani.
Përgjigja e tij e shkruar qe kjo: “Qelepiri ishte kushëri i hoxhës dhe Zyrasë. Rrinin në lagjen Breg me shtëpitë afër njëri tjetrit. Kishte probleme mendore (thonin i zaptuar nga xhindet). Mbante thëllëza, me të cilat kalonte ditën.
Kishte dhe një tip mandoline të vogël.
Filka e kishte vëlla hoxhën dhe i thoshte Qelepirit (Çelos, kështu i thërrisnin): “Hajdut, më vrave vëllanë dhe motrën”. Filka, Lutua, hoxha dhe Zyraja ishin motra dhe vëllezër. Shkaku i vrasjes nuk dihet por mendohet, zënka për hajdutllëqet e tij.
Mendohet gjithashtu se Çelo (Qelepiri) si me të meta mendore mund të jetë përdorur si vrasës me pagesë, sepse kjo familje kishte hasmëri dhe i trëmbeshin faktit. Disa thonë që Çelo ishte me vese, hajdut, vrasës, dhe japin gjykimin se mund të jetë paguar për këtë vrasje”.
Lutua!
Rikthimi në kujtesë i personazhit të Lutos, lopçarit publik të lagjes tonë “Murat Çelebi”, të cilës Ajet Nallbani dhe unë i takojmë, më krijoi një emocion shumë të madh.
Fama është shumë e paparashikuar: e fut në këngë një urë të magjishme ballkanike jo kur është në rregull, por kur e kanë gjymtuar, Qelepiri është një i mbrapësht i rëndomtë deri në krim dhe bëhet personazh arti që po jeton prej një shekulli, Lutua thjesht në lopar....
Dhe unë mezi prej të vij çasti kur të shkruaj për një tjetër të tillë: Memecin e Dines.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|