Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: ILIA XHIMITIKU, APARATI AMERIKAN “KODAK” DHE FOTO E TIJ KRYEVEPËR E URËS SË GORICËS


(Fragmenti 41 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Ilia Xhimitiku,aparati i tij amerikan “Kodak”

Sipas fotografit dhe studiuesit të këtij zhanri artistik dhe dokumentar, Qerim Vrioni, “Ura e Goricës mbahet nga shumë studiues, përfshirë edhe autorin e këtyre rreshtave, si ura më e bukur në Shqipëri”.
Është pikërisht Vrioni ai që ka pikasur diçka, e cila nuk u ka rënë në sy të tjerëve: një pamje që i ka bërë Urës së Goricës Ilia Xhimitiku, përfaqësuesi kryesor i familjes më të shkëlqyer të fotografëve të Beratit.
E vizatuar qysh nga shekulli XIX, nga artistë të huaj si piktorët anglezë Edward Lear dhe Charles Cocrell, madje në 1927 edhe prej piktorit dhe grafistit gjerman Moritz Bauernfeind, ajo edhe u fotografua, sidomos nga italianë.
Koleksionisti dhe studiuesi Artan Lame së fundi i paraqiti opinionit publik edhe një pamje të saj të korrikut 1918, të goditur pjesërisht prej trupave austro-hungareze në tërheqje drejt veriut.
Ajo qe aq përveç se mjaft e dobishme për të djallëzuar armikun e tyre ushtarak, por edhe në pamje shumë përshtypjendjellëse, tepër e veçantë, sa ishte bërë medalion i divizionit 36 të armatës italiane në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore.
Foto e Ilia Xhimitikut, siç për fat e risolli në vëmendjen tonë më të madhe Qerim Vrioni, është mahnitëse, një pejsazh i vërtetë artistik që ja kalon gjithë pikturave të bëra për të.
Prej vetë autorit ajo quhet “Ura e Goricës”, edhe pse, referuar analizës së Vrionit, “vet ky objekt zë një pjesë fare të vogël në të gjithë sipërfaqen e fotos”.
Qerim Vrioni mendon se “Fotografi Xhimitiku ka vendosur mbi trekëmbësh aparatin e tij në ndonjë shtëpi në pjesën e sipërme të lagjes në mënyrë që të mos ta kapi urën as vertikalisht dhe as ballas dhe që lumi ta presi urën brinjas, jo ashtu siç kryqëzohen në të vërtetë të dy, vertikalisht”.
“Xhimitiku, shkruan Vrioni, ka zgjedhur një kuadrim të tillë që të fuste në objektiv një pamje ortogonale, me kënd thuajse 120 gradë i gjeri dhe 60 gradë i ngushti, ndërmjet lumit dhe urës. Në të vërtetë, këndi i prerjes së lumit me urën është 90 gradë”.
Ky konsiderohet, sipas studiuesit të mësipërm, fotografim i pjerrët.
“Çuditërisht, spikat ai, në foto nuk vërehet ndonjë njeri, aq më tepër mbi urë, përveç një karroce të vogël me kalë dhe me dy rrota (edhe kjo jo mbi urë), që mesa dallohet, ecën drejtë daljes nga qyteti. Ajo është kapur fare pranë një turbe të vogël bektashiane, që sot nuk ekziston”.
“Vet urën, thekson Qerim Vrioni, mjeshtri e ka kapur në një pozicion të atillë që ajo të shfaqi hijeshi, veçanërisht me tegelin e rregulltë të parmakëve si dhe 10 kamaret e vogla e pesë të mëdhat”.
Gjithnjë sipas tij, “Koha e realizimit të fotos mendohet të jetë rreth mbasdites, gjë që kuptohet nga drejtimi i hijeve të këmbëve të urës, por pa diell të fortë. Stina, mesa rrezatohet nga ndriçimi, hijet e objekteve, gjelbërimi i pemëve si dhe sasia ujit të lumit, duhet të ketë qenë pranverë e vonë ose fillimvjeshte. Gjithsesi, fotoja me gjithë linjat grafike të thyera, indukton qetësi e mbahet jo pak para syve duke e kundruar me kënaqësi”.
Pikërisht kjo karakteristikë e fundit e kësaj fotoje, marrja nga mjedisi dhe trasmentimi prej tij i pamjeve qetësuese tek gjithkush që e sheh, është shtysa, motivi dhe qëllimi kryesor i krijimit të saj. Një banor i këtyre anëve nuk e përshkruan dot bukurinë nëpërmjet trazimit.
Xhimitikët kanë banuar në lagjen e Goricës fare afër Urës së magjishme, pothuaj tek këmbët e saj. Vetë Ilia pati lindur po aty në 20 korrik 1907 dhe u shua 70 vite më vonë. “Fëmijë i vogël, shpjegon Qerim Vrioni, ai e ka kaluar këtë urë me qindra mijëra herë, zbathur, me vrap, në shi, vapë, është hedhur nga ura dhe nga ndarëset e ujit në lum si të gjithë goricarët, që ishin notarë të shkathët”.
Vrioni shpjegon se studion e tij Ilia e hapi në 1929 pranë Hotel “Colombo” dhe një pjesë e fotove të tij me pamje të Kalasë, lagjes Mangalem, të Urës, të lagjes së Goricës, të Osumit e thellë drejt malit të Tomorit, u shtypën edhe si kartolina postare.
Aparati që fotografonte më së shumti Xhimitiku, ishte një “Kodak” amerikan me filma 6X9. Ilia përdorte mbi fotografitë e tij kryesisht dy vula, njëra e thatë (me reliev), që e vendoste në anën e djathtë të pjesës së përparme të fotos (Foto Xhimitiku-Berat (Albania)), tjetra e njomë (Ilia Xhimitiku-Fotograf-Berat) me ngjyrë mellani, që përgjithësisht vihej në anën e pasme të fotografisë.
Të dyja vulat ishin në formë vezake, me vija elipsodiale shumë të buta.
Siç ishte i butè vetè shpirti i Ilias, i tèrè Xhimitikève, i bijve tè tij Kristaq dhe Xhorxhi, qè vijuan traditèn e fotografit.
Duke bèrè veprèn e vyer e tè paçmuar tè dokumentimit tè historisè sè Beratit.



Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com