Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: SI URA GORICËS SHPETOI NGA BOMBARDIMI ANGLEZ DHE DINAMITI I NAZIGJERMANËVE


(Fragmenti 38 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Historiani Asllan Sulo tek libri i tij “Dy pashallarët e Beratit” provon se në një farë mënyre pati ndodhur ajo për të cilën qe lutur dhe pati uruar me tërë zemër Evlia Çelebiu: “E ruajtë Perëndia!”
Ai kishte thirrur në ndihmë një forcë hyjnore që të ndalonte shkatërimin e Urës së Goricës.
Në libër ai u bën të ditur bashkëqytetësve të tij një fakt fare pak të ditur nga brezat e rinj të pas Luftës së Dytë: “Duke dashur të dëmtojnë seriozisht transportin e trupave ushtarake italiane për në frontin me Greqinë, aviacioni luftarak anglez (Anglia i kishte afruar ndihmë Greqisë) ndërmori disa herë sulme kundër urës duke e bombarduar atë me këmbëngulje për t’ia arritur qëllimit”.
Më tej: “Qytetarët e Beratit dëshmitarë okularë në distancë shikonin kolonat e ujit që ngriheshin lart si shatërvan gjigand nga Osumi që po e pësonte keq për shkak të urës. Por asnjë nga bombat nuk e goditi urën!”
Sipas historianit Sulo, ka ngjarë edhe një atentat i dytë ndaj Urës së Goricës. Ai shkruan se ky “u përgatit kundër urës në mars të vitit 1944”.
Shpjegimi i studiuesit të njohur të historisë së Beratit: “Trupat xhenjere të ushtrisë gjermane, që kishte pushtuar vendin, nisën punën që vazhdoi disa ditë për minimin e urës. Në këmbën e dytë të saj, mbi kurriz, hapën dy gropa të thella në formë cilindrike, që i afroheshin çarëses”.
Më poshtë: “Ndërsa në pjesën tjetër më të madhe të saj, hapën një gropë të thellë e të gjatë”.
Vijon: “Në gropat u futën arka të tëra të mbushura me dinamit”.
Historiani Asllan Sulo në librin e vet i shkon gjer në fund kësaj teme tronditëse: “Xhenierët u larguan.
Muajt kaluan, ndërsa vdekja për urën, që flinte aty te këmba e saj, priste ditën që ta zgjonin”.
Plotësimi i tablosë së ankthshme: “13 shtator 1944. Kolona e makinave me garnizonin e ushtrisë gjermane, i cili nga tetori i vitit 1943 kishte pushtuar qytetin, nisi lëvizjen me destinacion përqëndrimi të përkohshëm në fushën e aviacionit tek Ura e Hasan Beut.
Qyteti u çlirua por, asnjë shpërthim, që do e kish tronditur atë, nuk ndodhi.
Ura e Beratit jetoi, jeton edhe sot e kësaj dite. Atentati i dytë kundër saj nuk u realizua. Pse?”
Por një përgjigje për këtë “Pse?” të autorit nuk është e lehtë. Ndërkaq secili prej nesh, të paktën beratasve, duhet ta kërkojë në mundësi që të pikaset dhe fiksohet e vërteta e jashtëzakonshme në historinë e qytetit tonë, por edhe të të gjithë Shqipërisë dhe Ballkanit.
Ura e Goricës është një monument i tërë siudhesës ballkanase.
Sipas përvojës së episodeve të ngjashme, gjithçka mund të ketë ndodhur.
Ndonjëherë këto mrekulli vareshin edhe nga komanduesit e territorit, si në Romë, kur gjatë Luftës së Dytë Botërore njëri prej tyre, ndryshe nga dëshira e një homologu, ndaloi hedhjen në erë të urave të qytetit, edhe pse ato të pashëmbura tashmë do të lehtësonin marshimin drejt veriut të Italisë dhe forcave gjermane në ikje, të trupave të shumta anglo-amerikane.
Në Berat, kur pas kapitullimit të italianëve gjermanët hynë në të, në 10 shtator 1943, pushtuesit e rinj e pranuan një kompromis me numrin një të Lëvizjes Nacionalçlirimtare për qytetin, Gjin Markun.
Ardhësit e Reich-ut e kishin direktivë eprore përplasjen sa më të paktë me forcat e armatosura vendase, por arsyetimi i komisarit partizan Marku, se Berati ishte qytet muzeal dhe për rrjedhojë duhej trajtuar si “qytet i hapur”, u përputhej me interesat ushtarake të momentit.
Pas pothuaj dy muajve në këtë gjendje të Beratit si “qytet i hapur”, me urdhër të Enver Hoxhës shpërthyen luftimet e partizanëve më së pari kundër ballistëve, me të cilët deri ato çaste bashkëjetonin në qytet dhe më pas mes nacionalçlirimtarëve me gjermanët të mbështetur nga ballistët.
Pas pushtimit të ri nazist për ruajtjen e rendit të brendshëm në qytetin e vjetër (kala) dhe në qytetin e ri poshtë saj qenë ngarkuar nga qeveria shqiptare në Tiranë trupa të xhandarmërisë.
Në kështjellë ishte vendosur batalioni‟Runja”me afërsisht 150 forca, në qytet për sigurinë publike merreshin 120 xhandarë.
Këta mbanin nën roje dhe kontroll disa objekte me vlera muzeale, ku e para qe Ura e Goricës

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com