Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NĖ BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PĖR KOHĖN
”REPUBLIKA E SHTATĖ”
“AMBASADOR NĖ BALLKAN”
“LOTĖT E SORKADHES”, botimi i dytė
LOTĖT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: URA INTELIGJENTE E GORICËS


(Fragmenti 37 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Veçansinë e të qenit e rrallë në të gjithë gadishullin ballkanik, përfshi hijeshinë arkitektonike, por edhe rolin shumëfunksional në mbarëvajtjen e jetës së Beratit, e spikati tre shekuj më parë Evlia Çelebiu.
Fragmenti rrëfimtar për këtë magjepsje të tij është: “Në krye të tregut të Kazanxhinjëve gjendet mbi Osum një urë, nëpër të cilën kalohet në Lagjen Varoshi i Thatë. Ajo ka nëntë harqe druri dhe dhjetë këmbë guri, tetë prej të cilave të futura thellë në ujë dhe dy anash në ledh.
Sipër është shtruar me trarë të trashë dushku të prerë në Malin e Thatë. Kësaj ure i ngjan vetëm ajo e ndërtuar nga Sulltan Sulejmani mbi lumin Drina, afër qytetit Foca të Hercegovinës, 75 kilometra në lindje të Mostarit. Por ura e Beratit, e ruajtë perëndia, ka nëntë harqe, kurse ajo vetëm një”.
Me sa duket, siç është edhe urimi i çiltër i udhëtarit të madh turk, Zoti në një farë mënyre e ka ruajtur vërtetë këtë urë. Ajo i ka përballuar të gjitha vërshimet e Osumit, lumit që cilësohet si me shumë ujë dhe sidomos forcë rrëmbimi prej krejt të tjerëve në Shqipëri.
Dallgët e furishme e kanë kërcënuar, por jo shëmbur dhe rrafshuar përfundimisht. Kjo shpjegohet prej ndërtimit që i është bërë nga ustallarë shumë të zotë.
Për ngritjen e kësaj ure ka një gojëdhënë, sipas të cilës kur Ahmet Kurt Pasha vendosi ndërtimin e saj dhe thirri mjeshtrat lokalë këta e çmuan të vogël pagesën që ofronte. Duke mos ia thënë këtë drejtpërsëdrejti u justifikuan me shpjegimin se lumi qe mjaft i rrëmbyeshëm dhe një urë e qendrueshme mes dallgëve të tij shumë e pamundur.
Deklaruan se hiqnin dorë.
Pashai i vetëtimtë në të kuptuar edhe më të pathënën, në vend të fjalëve pëlqeu një gjest të qartë: nxorri një qese me florinj dhe e hodhi në lum.
Kur u bë gati të flakte në ujra edhe të dytën, ustallarët thanë se e pranonin sfidën me Osumin kokëkrisur. Doemos, përderisa Ahmet Kurti i paguante sa ata deshnin.
Në një farë mënyre ngritja e Urës së Goricës është larë me flori. Ishte ky metal i çmuar deri në marramendje, i cili bëri mbrojtjen e saj, sigurinë se do të ekzistonte në jetë të jetëve.
Si edhe përdorimin e shkencës së ndërtimit.
Shtatë nga këmbët e urës kanë përpara saj në krahun e ardhjes së ujrave një shtesë trikëndëshe, e cila, identike si bashet e anijve, luan rolin e çarjes së ujit. Për pasojë, edhe të thyerjes së furisë së tij, zbutjes së forcës goditëse.
Ndërkohë në ruajtjen e Urës së Goricës është zbatuar edhe një teknikë tjetër inteligjente: këmbët e saj nuk janë në një vijë të drejtë.
Kështu e dyta, ajo që përballon furinë kryesore të vërshimeve, është e vendosur një metër më përpara nga e para. E treta dhe e katërta janë baras të avancuara në pritjen e forcës së ujrave të rrëmbyera.
Duke filluar nga këmba e pestë manovra e përballjes me përparim i vërshimeve ndryshon kahje: nis tërheqja e formacioneve të basheve çarëse. E pesta bën më pas nga vija e të tretës dhe e së katërtës. E gjashta është edhe ajo e tërhequr praptas, por më pak e shvendosur në krahasim me të pestën.
Specialistët e plotësojnë këtë“fizarmonikë”, duke shpjeguar se këmba e shtatë e Urës së Goricës është shumë më e vogël dhe ka një karateristikë: ujëçarësen e ka nga pas, jo përballë ujrave.
Duket se kjo vetmitare e allasojtë luan rol të rëndësishëm në qëllimin kryesor që i është ngarkuar vijës së harkuar të këmbëve: mosshkaktimin e dridhjes së urës.
E dridhura e asaj mase të madhe fillimisht me dërrasë dhe gurë e më pas vetëm me këtë lëndë të fundit, grehinë 129.3 metra e gjatë, me gjerësi 5.3 dhe lartësi 10 metra mbi shtratin e Osumit, jo vetëm do t’i shqetësonte dhe do t’u krijonte pasiguri kalimtarëve mbi shpinën e saj, por edhe do të prodhonte hyrjen në rezonancë, atë dukuri fizike e cila do të provokonte shëmbjen e tërë e saj mase tëndërtuar.
Shtojmë edhe një detaj tjetër të kësaj ure inteligjente: në një nga harqet e mezit ajo ka një mbajtëse zileje. Nuk funksionon më, por dy shekuj më parë e kishte një mision.
Gryka e lumit ku ngrihet ura, është edhe pika me më shumë fryrje ere në tërë qytetin e Beratit. Në dimër këtu era e akullt të “than”.
Në fillimet e veta, kur qe në një formë tjetër, me kurrize dhe pa parmakët mbrojtës nëpër dy anët, erërat e forta mund ta shtynin dhe rrëzonin kalimtarin në ujë.
Për të mos ndodhur aksidente të tilla ura “e zgjuar” paralajmëronte: vinte në përdorim zilen.
Kur kishte erëra të forta kjo fillonte vetë të tingëllonte fort.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com