Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: ÇUKA E TOMORIT, T’U BËFSHA BALTË!


(Fragmenti 35 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Kur për disa hyra në statusin e “dhëndërit të Skraparit”, pra pas martesës së ndodhur në verë 1978, familja jonë e kish një përvojë të mëparshme marrëdhëniesh me të ardhur në Berat nga kjo krahinë.
Motra e gjyshes time nga babai, Sanija, qe martuar me skraparlliun Rexhep. Ky kur qe vetëm tre vjeç, bashkë me dy vëllezër të tjerë, më të madhin, Myrton, dhe më të voglin, Arifin, djem të Sali Qafës nga fshati Qafë në shpinë të Tomorit, në motin 1911 patën zbritur përfundimisht në Berat, duke sjellë me vete pesëqind kokë dhi. Një strehë të përkohshme për familjen e kishin gjetur, deri sa të ngrinin banesën e tyre, por për tufën e madhe të bagëtisë hë për hë nuk kish vend, prandaj i lanë në Milet Bahçe, shesh të madh të qytetit, për t’i rimarë e risistemuar përshtatshëm të nesërmen.
Por kur dita u gdhi në milet Bahçe por i priste vetëm një dhi çalamane, që nuk lëvizte dot shpejt.
Tërë të tjerat ua patën grabitur. Familja Qafa u pikëllua shumë jo vetëm se u morën gjithë pasurinë e tyre, por edhe sepse mësuan që këtë akt përbuzjeje ua kishin bërë “kaurët”.
Në atë mot 191, ndërsa shumë andartë grekë lëviznin në kufi për ta gllabëritur Shqipërinë e jugut në ato çaste kur tërë vendi po shkëputej nga Turqia për t‘u pavarësuar, mosdashja reciproke mes muslimanëve dhe të krishterëve ortodoksë në Berat qe e madhe.
Saliu do të vdiste shpejt dhe e shoqja, Vezirja, do të rriste jo vetëm tre bijtë e saj, por edhe një të katërt, jetim e bonjak, që e patën marë për ta shpëtuar nga uria dhe braktisja.
Duke qenë se Rexhepi e kishte shumë dëshirë të lexuarën, Myrto rregullin e rreptë dhe Arifi duart flori për të mbathur kuajt, ato kohë zanat i shumë kërkuar, të parin Vezirja e dërgoi në 1934 në Milano për t’u shkolluar në inxhinieri mekanike, të dytin, pasi e kishte futur në xhandarmëri si tetar, e dërgoi në Romë në një akademi ushtarake. Të tretin e mbajti pranë vetes, sepse profesionin e nallbanit Arifi mund ta mësonte edhe në Berat.
Rexhepi u rikthye në 1936, 23 vjeç, dhe u martua, punoi shumë kohë, me gradën kapiten, si përgjegjës ofiçine në Durrës, ku riparoheshin makina të zyrtarëve të lartë mbretërorë, përfshi edhe të Ahmet Zogut. Duke qenë se ishte shumë i matur nuk e përfshi jetën e vet nëpër labirinthe hakmarrjesh të të tjerëve. Myrto rihyri në xhandarmërinë shqiptare dhe atje kaloi edhe Luftën e Dytë Botërore, deri sa në 1945 komunistët e arrestuan dhe e dënuan me vdekje në një proces gjyqësor të politizuar në Kinema Kosova në Tiranë. Por më në fund masa e dënimit u ul në dymbëdhjetë vite.
Nga ajo skëterrë qelish e pati nxjerrë Mehmet Shehu, ministër i Brendshëm pas pushkatimit të Koçi Xoxes. Ishte ky që i zbuloi të vërtetën përse i patën hedhur prangat. Kur Myrto qe në akademinë ushtarake të Romës, një student tjetër, me mbiemrin Kosova, italianët e përdornin seksualisht, me pëlqimin e tij, si gej dhe ky bashkë me një shok tjetër, prej këtij poshtërimi të një shqiptari, i bënë bashkëkombësit pritë natën dhe e rrahën mirë.
Mirëpo i biri i të rrahurit paq, S. Kosova, u bë partizan dhe pas lufte prokuror i rreptë. Qe ky që e mori në dorë hakmarrjen ndaj Myrtos, i cili nga natyra qe edhe ca gjaknxehtë.
Shumë interesante është vendosja e emrave në familjen e Rexhep Qafës, më të lexuarit prej tre vëllezërve. Të parin e quajti Tomor. Shpjegimi: jemi bektashinj dhe ai është mali ynë i shenjtë.
I dyti u thirr Meleq, që në turqisht do të thotë Ëngjëll. Shpjegimi lidhej jo vetëm me fenë, por edhe me praninë e tyre të madhe në krahinën shumë afër Tomorit.
Mirëpo kur Meleqi qe vetëm një mot, e zuri në formë shumë të rëndë sëmundja e tokës. Për motakun qe fundi i jetës dhe kur po jepte shpirt, e gjyshja Vezire, sipas një këshille të pashkruar, thirri “Flamur, zgjohu!”
Dhe i vogli u përmend. Flamur do të qe emri i tij i ri. I ka edhe tani të dy: Ëngjëll dhe Flamur.
Birit të tretë të tyre çifti Rexhep (nga Skrapari) dhe Sanije (nga Myzeqeja) i vunë emrin Bardhyl. Shpjegimi: në nderim të mbretit të famshëm ilir.
Bardhyl do të thotë që prej lashtësisë “yll i bardhë”.
Ky simbol qiellor pagan gjendet me një intensitet të madh në të gjithë perimetrin demografik përreth Tomorit, përfshi edhe qytetin e Beratit. Këtë përshtypje e kam apriori, prej një sondazhi që bëra në internet.
Bile një çast m’u duk sikur Skrapari qe vendi i yjebardhëve (bardhylëve) dhe hajde ta gjejmë, në një çast tjetër, përse një shumicë banorëve të tij jo vetëm gjatë luftës, por sidomos edhe pas saj, u bënë yjekuq.
Për ta mbyllur këtu thelbin e rrëfimit të mësipërm të familjes Qafa: Tomori me shenjtërinë që ka krijuar edhe në ritin jetësor të vendosjes së emrave të një familjeje, përbën një institucion me ndikim të thellë social. Kjo cilësi fitohet me shekuj.
Ndërkaq do ta zhvendosim kahjen tonë të këndvështrimit gjeografik në drejtimin tjetër të horizontit mbi Berat, në pas Shpirag, në Mallakastër, saktësisht në Mallakastrën e Sipërme.
Në fillim të shekullit të shkuar në lagjen Goras të fshatit Gjerbës, e cila ndodhej mbi një kodër të vogël me formë konike, shpesh të thirrur edhe Bregas, me këtë mbiemër ndodhej edhe një familje, pasardhës të të cilës sot janë me emër.
Poshtë në luginë ndodhej hambari i këtyre banorëve të kodrës, fusha pjellore e Leshnjës.
Gjerbësin nga Ballshi e ndan një kodër me emrin Goricë. Aty ndodhet edhe maja e Shëndëlliut, me pamje si të ketë mbajtur në lashtësi një tempull, e rrethuar me lisa të mëdhenj.
Nga Ballshi në Bylisin antik, edhe kjo e fundit një kodër që sheh kryelartë drejt gjirit të Vlorës dhe Sazanit, ndodhen katër apo pesë kilometra rrugë.
Nga fshati i Leshnjës Shpiragu gjendet në të majtë, kurse Tomori ndodhet krejt përballë. Aq i madh dhe afër sa duket sikur mund ta kapësh me dorë.
Doemos që ai shihet edhe nga lagja Goras (Bregas).
Në të gjithë këtë territor ai thirret Babë. Ose është Babë Tomor ose thjesht Babë. Me vetëm fjalën Tomor nuk quhet.
Këtu rriti i betimit para tij ka shprehjen urdhëruese: “Kthehu nga baba Tomori dhe bëj be!” Në këtë rit pagan është edhe ngritja lart, drejt tij dhe qiellit, e të dy duarve të betimtarit.
Thua përballë ka një tempull.
Në këtë territor të Mallakastrës së Sipërme kushti që të bëhet be para Baba Tomorit, më së shumti ka të bëjë me demoralizimin e gënjeshtrës, ves i shëmtuar, i shpeshtë në kohë të moçme dhe akoma më i mbrashtë në kohët tona.
Në rast se një njeri në Goras, Gjerbës, Leshnjë apo kudo përreth nuk thotë të vërtetën, atëherë atë e shtrëngojnë të kthejë trupin nga Tomori e të betohet se nuk po gënjen.
Dhe Baba Tomorin nuk mund ta mashtrosh po qe se betohesh formalisht, për ta fshehur fajin apo gabimin. Nuk ja hedh dot. Sepse ai e kupton dhe të dënon. Në familjen e fisin e Hysni Bregasit e kanë një rast të tillë. Kur një grua e bëri fals benë e saj para malit të shenjtë, duke thënë “po qe se gënjen Ganiu (një kushëriri të saj që e kritikonte për një gënjeshtër të rëndë pronash), vdektë djali i tij, po qe se gënjej unë vdektë djali im!”
Në po atë ditë, në mbrëmje, një kamion i vjetër ku ndodhej i biri i saj, u përmbys dhe e zuri nën të. Po jepte shpirt dhe u desh shpejtësia e ndërhyrjes së të birit të Ganiut, traktorist, që ta shkëpuste nga pesha e rëndë e kamionit.
Në 1942 kur Hysniu 26 vjeçar, një vit i martuar, u sëmur rëndë dhe vuajti shumë prej një temperature të madhe, dervishi që e vizitoi, u tha të vëllezërve të tij se nga ajo e keqe e shpëtonte vetëm bora e Baba Tomorit. Ishte korrik. Dukej sikur mbi min e shenjtë nuk do të gjendej asnjë dorë bore, por ai që i hipi pelës dhe u ngjit pothuaj në majë, pas dy ditësh, e solli në shtëpi, mbuluar me degë fieri.
Hysniut të pashpresë iu vu pak borë në ballë dhe temperatura nisi t’i bjerë.
Sigurisht ky është veprimi i natyrshëm i një sugjestioni, ai thjesht dëshmon kultin hyjnor të malit të Tomorit tek njerëzit që banojnë në afërsi të tij. Ja përse e shoqja e Hysniut, Veziko, tërë jetën, deri sa u nda me këtë botë, kur kishte një hall të madh e donte ndihmë, dilte në oborr të shtëpisë, kthehej nga Tomori dhe thërriste “Çuka e Tomorit, t’u bëfsha baltë!”
Kjo lutje qe njëlloj si “Zot, na ruaj!”
Duke e zhvendosur edhe më këndvështrimin ndaj malit të Tomorit, këtë herë në krahinën e Tërpanit, studiuesi Ilir Cenollari, për të cilin kemi folur në fillim të këtij libri edhe si autor i botimit shumë profesional “Profecitë (thomuret) e zotit të Tomorit”, këmbëngul se riti i dollisë në këtë territor, prej të cilit vjen, nuk është gjë tjetër veç një rit institucioni social mirësie.
Sipas tij (dhe unë për shkak se në atë krahinë punova si mësues më tepër se shtatë mote, e kam përjetuar), dolli do të thotë Mirësi. Madje kjo thuhet: “Do të ngre një Mirësi për ju!”
Ky thelb vjen prej kultit bamirës të Tomorit, prej vetë thelbit të krijimit të tij si vend të mirash.
Dhe në këto radhë të fundit të ndarjes me temën e këtij mali të shenjtë që nuk po e vlerësojmë sa duhet për ta shpërndarë në të gjithë botën si kumt dhe pasuri kulturore të jashtëzakonshme të shqiptarëve, dhe rikthimit menjëherë në faqet për qytetin e Beratit, na u kujtua një episod i treguar nga Nikolla Ikonomi.
Ky mjeshtër i teknikës së përparuar, por edhe i lirisë së medias, njeriu që në kohën e vështirë të komunizmit rregullonte antenat për të parë të gjithë beratasit televizionin italian, thotë se në qytet ishte një Mirel Mitrushi (në mos gabohem), i cili ndryshe nga të tjerët kishte një cilësi të mahnitshme, gati prej magjistari.
Në pjesën qëndrore të qytetit mali i Tomorit trasmentonte drejt tij, me reflektim, sinjalin e RAI-t. Zëri i televizionit publik italian i përforcuar nga shtati gjigand e shkëmbor i malit dëgjohej shumë pastër, porse figurat, kokat e të filmuarve, qenë të përsëritura nga shtatë apo tetë herë.
Kështu që çdo emision ishte i pashikueshëm.
Por i habitshmi M.M. një ditë pati arritur ta shihte fare mirë koncertin e Sanremos dhe kur Nikolla e pati pyetur se si ia kishte dalë, mori përgjigjen: Ia ngula në ekran vështrimin vetëm një koke dhe e ndiqja atë.
Tru shumë i fuqishëm!
I vetmi që nuk u mund nga Tomori Perëndi.
Prej kësaj ngjarjeje vijnë edhe disa episode të tjera të çuditshme, por do të kemi rastin e kendshëm tua vëmë në dispozizion shumë shpejt.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com