|
QYTETI PRANË QIELLIT: DUKET SI LUAN APO SI QEN I NGORDHUR?
(Fragmenti 34 i librit Qyteti pranë qiellit, vijon nga dje)
Ishim në vitin e tretë të gjimnazit në Berat, me siguri viti 1965, kur në orën e letërsisë na ndodhi një e papritur fare e paparafytyruar ndonjëherë.
Ato muaj këtë lëndë, si zëvëndësues i përkohshëm (për shkak të biografisë politike) na e jepte i paharuari Luan Myftiu, orën e të cilit e pritnim me mjaft dëshirë. Komentonte shumë bukur, madje edhe luante personazhet e autorëve, të huajve veçanërisht.
Një interpretim i tij për një kurnac të Balzakut na pati lënë të pagojë.
Atë ditë të çuditshme profesor Luani po na kthente përgjigjet e hartimeve që kishim bërë një javë më parë. Tema pati qenë përshkrimi i natyrës. Do të vizatonim me fjalë një pejsazh.
Mësuesi ynë nuk kish gabuar duke na e dhënë këtë fat, sepse jo një pjesë, mal e luginë, fushë e lëndinë, por tërë Berati është një pejsazh mahnitës.
Një orë tipike për dhënien e notave të hartimeve, mes të tjerash, kishte (patjetër edhe tani duhet ta ketë) edhe momentin e leximit të hartimit më të bukur.
Por Luan Myftiu doli nga rutina e këtij kodi pedagogjik dhe na lexoi, duke interpretuar si aktor, veçanërisht me mimikë, hartimin e një prej shokëve tanë që nuk ecte mbarë në mësime.
Por gjithsesi kjo nuk donte të thoshte që patjetër edhe hartimi i tij duhej të qe i dobët. Madje mund të ngjante e kundërta. Prandaj edhe ne u kuriozuam, lamë pëshpërimet dhe tërë vesh u përqendruam tek çfarë po shqiptonte mësuesi ynë.
Hartimi nuk qe as i mirë, por as edhe i shplarë. Kishte ndjenjë dhe madje origjinalitet.
Por lepuri flinte gjetkë.
Luan Myftiu po e merrte ngadalë dhe synonte që surprizës ti jepte hapësirë dhe kohë e kështu efekt të madh.
Dhe kjo më në fund ndodhi. Mësuesi ynë bëri një pauzë, ngriti kokën mbi faqet e fletores, na pa një për një në të tre rradhët e bankave dhe pastaj i uli sytë mbi çfarë pati shkruar shoku ynë.
Nuk e di ku e gjeti tërë atë talent të foluri skenik kur nga hartimi lexoi këto pak fjalë: Tomori rri në horizont si një qen i ngordhur.
Kaq. Por ishte si tërmet.
Pastaj Luan Myftiu ngriti sytë. Nuk ishin më ato të dy-tre sekondave më parë. Qenë çakërdisur.
Ai ishte burrë shumë i urtë, i painatosur asnjëherë, por ato momente, po ta vështroje, ishe gati të besoje se do të ulërinte.
Ndërkaq nëpër bangat tona, ne të tjerët, nxënësit, nuk kishim fuqi të gëlltitnim pështymë për ti shpëtuar ndjenjës së vetëmbytjes që na kapi. Për të shqiptuar fjalë as që bëhej fjalë.
Dy-tri minuta shkuan kështu, në gjendje anormale.
Ishim vërtet të rinj, por kurrë nuk e patëm dëgjuar në qytetin tonë që malit të Tomorit ti vihej kjo nofkë: qen i ngordhur.
Ne e dinim për luan dhe nuk e dyshonim kurrë këtë. Ai atë pamje ka i parë nga Berati dhe për tërë Shqipërinë e Mesme. Prej të gjitha pozicioneve më të spikatura të një luani që kishim parë në foto e libra të ndryshëm gjeografie, në kinoditarë, me putrat lart dhe gati për sulm, me thonjtë e dhembët e gojës mbi mishin e një viktime, duke u përleshur me të ngjashëm, më e hijshmja ishte ajo kur ai rrinte ulur, i qetë, vështrimlarg, me kokën si krifë-kurorë mbretërore.
Ky qe Tomori. Më pas e kemi mësuar se këtë pamje të veçantë, që nuk e ka asnjë mal jo vetëm rreth e rrotull, por në tërë Ballkanin, e pikasi menjëherë piktori anglez Eduard Lir, ende pa ardhur në Berat, ku do të qëndronte disa ditë dhe vizatonte.
Ai po zbriste Qafën e Krrabës, kur në horizont iu shfaq mali i Tomorit dhe si një jerm shqiptoi: Monark, ky mal qenka një monark!
Mësues Luanin më pas nuk e kam pyetur si ndodhi që prindërit e tij, beratas të vjetër dhe fetarë myslimanë të ditur e të sinqertë, ia kishin vënë atë emër. Ndonjëherë, në mos më shpesh, mendtë të vijnë me shumë vonesë.
Por nuk e di përse jam i sigurt se emri Luan e ka të ardhur prej Tomorit, nga ngjashmëria e tij me mbretin e pyjeve e xhunglave në të tërë botën.
Dhe a e dini, që ka qarkulluar një legjendë sikur qindra e qindra vite të shkuara në malin e Tomorit kishte edhe luanë?
Nuk ka rëndësi nëse kjo është apo jo e vërtetë, por luani si shenjë supreme e fuqisë së një mbretërie, perandorie apo edhe qytet-shteti, është simbol i përhapur, i gjithëgjendshëm. Tre mijë e kusur vjet më parë dy luanë me krifë të artë, kanë qenë të gdhendur në portën hyrëse të qytetit të Mikenës, në Greqinë e Lashtë. Mikena është djepi më i parë i qytetërimit helen.
Nuk është larg një udhëtar apo korrier mesazhezh, orakull pse jo, të niset nga mali i Tomorit deri në Mikenë, në mes të gadishullit të Poleponezit. Dhe pastaj të rikthehet me në sy pamjen e luanit.
Bëjmë tani një lojë zhvendosjeje. Malin e Tomorit e lëmë me atë formë siluete, luanore, por ndërkohë i gjejmë vend në të kundërt të horizontit. Ose në njërin nga dy krahët anësorë.
Me pak fjalë i heqim mundësinë që mbi broncin e shkëmbinjve të tij të lindë çdo mëngjes dielli.
Lutem ta kini provuar me dhjetra e dhjetra herë zbardhjen e agimit të një dite dhe daljen pak nga pak të rruzullit diellor. Unë së fundi e kam provuar kur kisha të shtruar rëndë në spitalin e Beratit, goditur prej një ishemije, babanë tim 87 vjeçar. I ardhur nga Tirana, më shumë se një duzinë vitesh larguar nga qyteti im, për ta mundur sadopak pagjumësinë e shërbimit për të gjithë natën, me bashkë një vëlla, kur bëhej gati zbardhja e ditës dilja jashtë dhe fotografoja çast pas çasti si lindte dielli në Tomor.
Ishte një magji. Ishte veprim hyjnor.
Ja pse me pamje luani mbretëror dhe i vendosur atje ku lind dielli, ky mal i ka të gjitha fuqitë për të depërtuar jo vetëm në ndjenjat e vendasve, në dëshirat e endërrat e tyre, por edhe më thellë: në ndërgjegjen sociale të tyre.
Ja pse në kapitullin tjetër do të merremi me interpretimin e dollisë në krahinën e Tërpanit, por edhe më tej, në një zakon betimi në Mallkastër, në rregullin e vendosjes së emrave njerëzorë në fshatin Qafë të Skraparit.....
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|