Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: JAM, POR EDHE NUK JAM DHËNDËR SKRAPARI


(Fragmenti 33 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Në biblioteken time, për pasurimin e të cilës si jo pak të tjerë, kam punuar tërë jetën, ndodhet edhe një libër që nuk e kam sjellë unë.
Prurëse është bashkëshortja ime.
Titullohet “Skrapari, gjurmë në harresë”.
Autore është Ëngjëllushe Braçellari, studiuese dhe punonjëse e spikatur e muzeut të Skraparit.
Botimi është kryer në 2002. Në të shënohet se është vëllimi i parë.
Nga shfletimi kupton se nëpër 362 faqet e tij rrëfehet biografia e Skraparit që prej lashtësisë antike deri në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Botimi është serioz jo vetëm prej brendisë, por edhe kujdesit që tekste përmbledhës dhe shpjegues të përmbajtjes së tij janë të përkthyer në fund të librit në gjuhët angleze, franceze, gjermane dhe italiane.
Sigurisht që ai publikim ka qenë i sponsorizuar, çfarë do të thotë edhe i nxitur, i mbështetur financiarisht dhe i mbrojtur dashamirësisht, pse jo edhe propaganduar, prej disa skraparllinjve me emër publik, mes të cilëve dy vëllezërit Pipero, Pëllumb e Gani.
Ndërkohë në pjesën e mbrapme të ballinës, faqe krejt e bardhë, ime shoqe ka bërë këtë shënim: “Me dëshirën e teta Liljanës (Liljana është bashkëshortja e ve e xhaxhait të saj Syrja Hysi-shënimi im) unë zgjodha këtë libër, si dhuratë të saj, nga biblioteka e xhaxhi Syrjait, në kujtim të tij.
E zgjodha këtë libër në respekt të babit tim Skënderit, i cili deri në fund e deshi vendlindjen e tij sinqerisht e i pabujshëm, me vetmohim.
Bardha Hysi (Polovina)
Tiranë, 20.08.2011”.
Syrja Hysi, një nga katër djemtë e veprimtarit të njohur shoqëror Pasho Hysi, me studime të larta të plota të kryera në Bullgari, por edhe në Poloni, gjatë periudhës së komunizmit me karierë politike deri zevendësministër i Bujqësisë dhe ecuri profesionale rektor i Universitetit Agrar të Kamzës, në gjendje pensionimi pas rënies së diktaturës, ndërroi jetë prej një aksidenti.
Në fakt ajo që i ndodhi, nuk qe një aksident, por pothuaj vrasje.
Ai ecte me biçikletë, mjaft kujdesshëm, sepse e kish bërë atë tërë jetën e tij si pjesë të trupit. Por me sa dukej kjo nuk e ruajti dot prej një veture që brenda kabinës kishte dy të rinj të çakërdisur.
Edhe pse i moshuari Syrja po e ngiste biçikletën puthitur me trotuarin, ata e goditën nga pas dhe ai ra përtokë. Nuk e ndalën makinën që ta ndihmonin, të paktën për ta çuar deri në spital, sepse viktima tashmë qe pa ndjenja. Ikën nga sytë këmbët dhe nuk u ndjenë kurrë më.
Nuk pipëtiu as Policia e Shtetit, edhe pse Syrja Hysi kishte thyer mesin, copëtuar eshtrat e legenit, dhe kjo, siç dihet është fatale. Ndërroi jetë pas një duzine ditësh, mes vuajtjesh të mëdha.
Këto detaje i përshkrova edhe për të dalë në një problem, në një “titull” që më kanë vënë miqësisht: Qenkësha dhendër Skrapari!
Kjo do të thotë se këtë krahinë, për aq sa shkruaj, e kam detyrim, madje të justifikueshëm, ta mbaj me hatër. Kjo ndjesi është rigjallëruar këto kohë kur në këtë libër të parë të trologjisë time për Beratin, kësaj krahine dhe popullit të saj, i kam treguar jo vetëm vëmendje, por edhe vlerësim si territor shumë antik, aspak më të prapambetur se mjedisi i qytetit të Beratit, ku kam lindur dhe i përkas.
Siç lexuesi tashmë e di unë në këtë libërshkrim po ndjek dy fanarë udhërrëfyes: I pari është “Nuk është Tomori tek Berati, por Berati tek ndodhet Tomori” dhe “Skrapari dhe Berati bashkohen tek mali i Tomorit”.
Me pak fjalë unë besoj në një trinitet të shenjtë: Tomor-Berat-Skrapar.
Të tre këta bëhen një. Në historinë e shkruar apo në pasurinë e madhe arkeologjike. Janë krijuar sëbashku, qytetërim vazhdues, plotësues i njëri-tjetrit.
Kjo e vërtetë nuk ka nevojë të hyjë në mes ndonjë “dhendër”. Ky lloj ndërmjetësi vetëm do të prishte punë dhe shtrembëronte historinë.
Një Skrapar i ngjashëm në vlera historike me Beratin, tokë e popullsi me të njëjtin intensitet kulturimi, dëshmohet me raste të pafund. Mes Kalasë së Skraparit dhe lashtësisë së saj që zgjodhëm kapitullin e mëparshëm, lexuesit këtë herë do t’i paraqitim një shkrim të Zylyftar Hoxhës, i cili është prej fshatit të vogël Qafa të kësaj krahine. Këtu janë gjetur prej arkeologëve dhe ruajtur dy çekanë bronzi që i përkasin shekullit të 7-të p.e.s.
Domethënë tre shekuj më parë se Berati të bëhej qytet.
Rrëfen Zylyftari: “Qafa është edhe me një histori shumë të lashtë. E dëshmon këtë qeramika dhe gjetje të tjera arkeologjike në lagjen e sipërme të fshatit në arat e quajtura Evgjitkat, Qafa e Stanit, Ara e Malos, por veçanërisht në Dunckë, që janë me shumë interes.
Dunckat, arat tona të Qafës, që fshihnin nën tokë plot mistere antike.
Të vendosura rreth një orë larg nga fshati, në një gropë midis përrenjve që zbrisnin nga Gora e Potomit, këto ara jo vetëm kanë qenë hambari që mbante me bukë një fshat të tërë, por ato fshihnin poshtë tyre një thesar të vërtetë arkeogjik të një vendbanimi të lashtë, fshat apo qytezë, i cili, për fat të keq, u zhduk rreth viteve ’80, pasi aty dikujt i ra ndërmend të ndërtohej një ujëmbledhës që do të vadiste tokat e Qafës, Visockës, Gjergjovës dhe Potomit”.
Thekson studiuesi Hoxha: “Punimet vazhduan gati dy vjet dhe u ndërprenë, pasi erdhi koha e ndërrimit të sistemeve, kohë kur po prisheshin edhe ato që ishin ndërtuar, jo më të pyeste njeri për ato që ishin në ndërtim e sipër. Skrepa e buldozerë s’lanë asnjë gjurmë nga ky vendbanim i vjetër, rrethuar nga kisha të shumta, mbi të gjitha dhe më interesantja, ajo në majë të Gorës së Potomit”.
Saktëson më tej Zylyftari: “Kur ishim fëmijë, aty gjenim monedha antike, ca si çibukë balte, copa enësh balte të pikturuara e të pa pikturuara, qeramidhe pa hesap, qypa të mëdhenj të pa prishur me grykë e fund të ngushtë, që i merrnim nëpër shtëpira dhe hidhnim në ta zahiren e bagëtive, okërr, përcel, tërshërë apo hime. Sa për gjetjet, pasi ne shuanim kuriozitetin e çastit, i flaknim, se aq dinim në atë kohë. Ndërsa pleqtë, duke i rrotulluar këto objekte nëpër duar, i krahasonin me enët dhe veglat që përdornin vetë dhe flisnin me respekt për të parët që kishin jetuar në këtë vend, që dukeshin se kishin qenë punëtorë. Ata hamendësonin shpesh se shtatë burimet, që ishin në fund të arave, mund të kishin qenë dikur çezma dhe aty pranë punishtet e poçerisë. Në kodrat rreth arave të Dunckës kish varre, disave u kishin dalë edhe rrasat e mëdha të gurëve, por që asnjeri nuk i prekte se ishte gjynah.
Tani në këtë vend s’gjen asgjë, dheu i arave u hoq dhe u hodh në përrua...”

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com