Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: PRILL 1997, FAQEZINJ TE ARMATOSUR QELLOJNE ME MORTAJE KALANE E SKRAPARIT


(Fragmenti 32 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Në prill të vitit 1997 një bandë e armatosur në Çorovodë, duke përfituar prej trazirave të njohura të atij moti dhe në mungesë të strukturave shtetërore, vendosën në sheshin qendror një mortajë të rrëmbyer prej depove ushtarake dhe nisën të qëllojnë Kalanë e Skraparit.
Deri ato çaste në mënyrë të përsëritur grupe të tilla kishin plaçkitur muzen e qytetit dhe të tërë krahinës, veçanërisht sektorin e tij të Luftës Nacionalçlirimtare.
Drejtori i institucionit, arkeologu Nuri Çuni, bëri gjithçka të mundur për ta ndalur këtë flamë të marrësh, por qe e vështirë jo pak. Grabitësit pëlqenin të merrnin armët e Luftës së Dytë Botërore, pushkë dhe motrolozë të qenë, revolverët e ekspozuar, gjithçka që mund të shitej me çmim të kripur. Ndodhte që një eksponat ku këto relike ruheshin, ta shkatërronin për të mos marrë asgjë prej hekuri apo çeliku, Veç thjesht të rrëmbenin copërat e mëdha të xhamave.
Drejtori Çuni më në fund vendosi një grup rojesh, të cilët në çdo tetë orë, ditënatë, me automatik “Kallashnikov” në duar dhe me dy-tri karikatore të mbushur, ruanin atë që kishte mbetur.
Sepse u shfarrosën armët, u boshatis lufta çlirimtare apo ajo e mëparshme, me fragmente nga kryengritja e Fierit ose revolucioni fannolist, por nuk mund të zbrazej periudha antike e krahinës së Skraparit, pasurinë e të cilës shumica e banorëve vendas e ca më shumë në tërë Shqipërinë, nuk e njihnin.
Në ditët e para të përdorimit të trupës së rojeve u duk sikur gjithçka e mëparshme u frenua, armët i patën xhvatur, copërat e enëve prej qeramike jo. Dukej sikur Skrapari i lashtë pati shpëtuar.
Ky ishte iluzion.
Goditja me mortajë e Kalasë së Skraparit në ditët e prillit 1997 dëshmoi se me turbullirën e përgjithshme të dëshpëruarve nga falimentimi i firmave huadhënëse piramidale, qenë aktivizuar edhe forca krejtësisht të errëta.
Përse kërkohej jo si nishan zbavitës, por si një objekt që duhej shkatërruar përfundimisht, Kalaja e Skraparit?
Që të jemi korrekt me të vërtetën historike, duhet të bëjmë të ditur se goditja e parë kundër kësaj kalaje qe kryer në vitin 1935, kur kishte vërtet shtet të fortë, edhe pse për skrapallinjtë aspak të pëlqyer nga që e drejtonte Ahmet Zogu.
Këtë mot nga muret rrethues dhe bedenat e kalasë së Skraparit u morën masivisht gurët për ndërtimin e shtëpive private.
Sipas një ligjërate të Nuri Çunit, “Kalaja është e njohur nga vendasit me emrin “Kala” ose “Kalaja e Gjenevizit”. Ajo është e vendosur mbi kodrën e lartë konike 721 m mbi nivelin e detit në bregun e majtë të Osumit. Ka një pozicion shumë të rendësishëm strategjik prej nga mund të kontrollohej kryqëzimi i rrugëve që të çonin nëpër luginën e Osumit drejt lindjes dhe juglindjes Korçë, Kolonjë dhe degëzimeve të saj në Tomorricë, Gramsh, Elbasan, në perëndim Përmet dhe veriperëndim Berat”.
Në vazhdim: “Burimet historike flasin për këtë kala në ngjarjet e viteve 1018, kur bie mbretëria bullgare dhe vitet 1336, lufta kundër qyteteve. Për të flet edhe udhëtari i njohur turk Evlia Çelebiu, të cilën e quan Kështjella e çuditshme e Skraparit”.
Më tej: “Të dhënat e para jepen për të në një ekspeditë informative të vitit 1964 nga arkeologët Skënder Anamali dhe Neritan Ceka dhe zbulimet arkeologjike të viteve 1987 - 1991 (të papërfunduara akoma). Nga gërmimi u përfitua një material arkeologjik i bollshëm, janë gjetur rreth saj vegla pune prehistorike: çekan guri, prerëse stralli, sopatë guri. Nga gërmimet e deritanishme veç mureve rrethues, dy sterave (një e antikitetit e tjetra mesjetare 150 m3 ujë) janë gjetur varreza ilire pranë saj dhe monedha argjëndi të Dyrrahut, Bylysit, shigjeta hekuri, monedha bizantine të perandorit Kostadinin i Parë (shek IV m.K.). Fragmente të shumta qeramike me vërnik të zi, enë balte të plota dhe jashtë mureve të fortesës, gjurmë banesash, qeramikë ilire dhe mesjetare janë gjithashtu dëshmi të prekshme”.
Studiuesi Nuri Çuni mëshon: “Kalaja tregon për vazhdimësinë iliro – arbërore”.
Kjo e fundit ishte edhe arsyeja përse goditej me predha në 1997.
Në ligjëratën e vet arkeologu që punoi për më shumë se një duzinë vitesh si drejtor i muzeut lokal, spikat se “Kalaja e Skraparit” përmendet në një shënim nga kodikët e Beratit bërë nga shkruesi e sekretari i zotit të Beratit, Theodhor Muzakës në vitin 1411: “Psalltiri u shkrua nga dora e të përvuajturit, Theodhorit, që ishte sekretar i Beratit pranë zotit Theodhor Muzaka dhe që qëndron prej tre vjet në kalanë e Skraparit. Kushdo që ta lexojë, të më kuptojë dhe të lutet për mua të mjerin, sepse e shkruajta me vuajtje të mëdha”.
Ja edhe surpriza më e madhe për të kuptuar përmasat e mëdha historike të Kalasë së Skraparit. I ka shkruar në 1670 Evlija Çelebiu: «Kështjella e çuditshme e Skraparit është në një kodër dominuese bërë nga romakët, 100 hapa, ka një hyrje, 45 shtëpi të mbuluara me tjegulla, xhami e Bajazit Hanit (ndërtuar rreth vitit 1402), është qyteti i Ibrahim Pashës, ka Varoshin me 100 shtëpi të mbuluara me tjegulla, klima e mirë e pemë frutore. Dizdari me një kompani ushtarësh».
Më tej ndodhet kulmi, apogjeo i famës së kësaj kalaje dhe për pasojë, si simbol që është, i tërë krahinës së Skraparit: «Admirali i madh i Perandorisë Osmane dhe kartograf i shquar - Piri Reis në veprën e tij “Kitab - i Bahriye” (“Libri i Detarisë”), shkruar në vitin 1525, jepen të dhëna e udhëzim për lundrim e detari, ku janë dhënë hartat e brigjeve të Mesdheut si dhe të Amerikës. Në një hartë të Shqipërisë ka kështjellën e Skraparit dhe të Gjirokastrës».
Pikërisht këtë thesar të historisë tonë kombëtare po qëllonin me predha mortaje katër-pesë faqezinjtë e asaj dite të prillit 1997.
Sepse ata të paturpshmit e tjerè, tè motit 1935, po i lëmë mënjanë. Thjesht qenë injorantë.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com