|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: MALI I TOMORIT MBRON BERATIN NGA GREKËT
(Fragmenti 31 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Gjatë dy javëve të para të agresionit fashist italian kundër Greqisë Benito Musolinit iu raportua në Romë se tre diversione qenë kryer ndaj ushtrisë së tyre.
I pari qe një karabinier. Ky ishte arrestuar sepse u kap duke prerë një linjë telefonike të komunikimit mes reparteve. Karabinieri qe italian. Gjesti i tij vlerësohej shumë armiqësor. Hamendësohej si i agjent i fshehtë i grekëve.
I dyti diversion nga brenda armatës konsiderohej shpërndarja herë pas here mes ushtarëve i trakteve antiitalianë. Bëhet fjalë me siguri për trakte antifashistë. Ka të ngjarë që një veprimtari e tillë të kryhej prej celulash komuniste që vepronin në sekret nëpër njësitë ushtarake.
I treti qe dezertimi masiv i ushtarëve shqiptarë prej batalionit “Tomori”.
Që të jemi të drejtë duhet të saktësojmë: sjellja e këtij batalioni në shumë prej raporteve që i vinin Musolinit, nuk rreshtohej si faktor i tretë diversioni, por disa herë i parë dhe më pas i dytë.
Kur rrëshqiti në rol të tretë pati kaluar muaji nëntor i luftimeve, pastaj edhe dhjetori.
Në janar alarmi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Italiane për këtë çështje zbehet dhe fiton epërsi vëmendjeje qyteti i Beratit.
Kështu ndodh që në 1 janar 1941 në një raport informativ për Duçen nënvizohet se “gjendja në drejtim të Beratit vazhdon të jetë mjaft delikate”, prandaj u urdhërua që pas dy apo e shumta tre ditësh në këtë qytet të dërgoheshin divizioni “Lupi” (”Ujqërit”) dhe një regjiment artilerie dhe kavalerie.
Këta të fundit të bënin një manovër në krahinën e Tomoricës, nëpër luginën e Osumit dhe të Vjosës.
Në raport më tej bëhej fjalë për një aksion ushtarak që kishte për qëllim ruajtjen e të gjithë atij territori, i cili kishte për shtyllë qëndrueshmërie strategjike malin e Tomorit.
Në 17 janar në duart e Benito Musolinit erdhi një telegram i gjatë i shefit të Shtabit Madhor të Aviacionit, Prikolo, rreth një vizite të tij pune në Tiranë.
Pati shkuar për të parë nga afër gjendjen e zhvillimeve luftarake të italianëve kundër grekëve.
Ai theksonte se “forcat armike përbëhen nga 14 ose 15 divizione”, ose rreth 300 apo 350 mijë njerëz, por këta janë me disa mungesa armatimi. Po ashtu Prikolo thotë se ndihmat angleze për Greqinë janë shumë të vogla, ndryshe nga fillimi i luftimeve ku ngjau e anasjella: bollëk ndihme sidomos me avionë e pilotë.
Sipas kryeushtarakut të Aviacionit, grekët gjithsesi kishin dëshmuar aftësi taktike, disiplinë të hekurt dhe moral të lartë.
Sërish në këtë raport (të 17 janarit) del qartë shqetësimi i komandës italiane për të mbrojtur “drejtimin e Beratit”, për shkak se “grekët në këtë kahje po përpiqen t’i ndajnë në dy pjesë trupat tona”.
Musolinit tashmë po i theksohej nga vartësit se mbrojtja e drejtimit të Beratit, e malit të Tomorit dhe e krahinës së Tomoricës qe tepër e nevojshme sepse “armiku”, pra grekët, mund të depërtoninno vetëm deri në Devoll, por madje edhe më sipër, në Elbasan.
Në po këtë raport vihej në dukje se bashkë me armatën italiane ndodheshin edhe 11 mijë shqiptarë, që të tërë këta të angazhuar në vijë të parë të luftimeve.
Për ta nuk ka asnjë ankesë.
Gjithashtu në raportet e mëpasshme informativë për Duçen nuk ka asnjë rresht për batalionit “Tomori”, i cili në dy muajt e fundit të vitit 1940 u kish futur frikën.
Çfarë pati ndodhur?
E thjeshtë.
Grekët i patën thyer italianët dhe në një kundërsulm energjik kishin pushtuar tokat e Shqipërisë së jugut dhe po nguteshin të kapnin vijën e malit të Tomorit dhe prej andej t’i suleshin qytetit të Beratit, i cili ishte baza e armatës fashiste të mobilizuar kundër Greqisë.
Sepse dinakëria musoliniane qe kjo: ishte Shqipëria dhe jo Italia që e pati sulmuar Greqinë.
Greqia qe sulmuar jo nga qyteti i Tiranë, por prej Beratit.
Ja pse Tomori, i cili që në fillim ishte me grekët, viktimë e agresionit, kur këta vetë u bënë agresorë, qëndroi afër të keqes më të vogël, Italisë.
Rëndësi kishte të mbrohej atdheu nga kërcënimi më i madh. Këta qenë grekët e hyrë në tokën e tyre.
E theksojmë këtë sepse mali i Tomorit në të gjithë mitin e vet shumë mijravjeçar qe mëmëdhe. Të jesh fron i Perëndive ilire do të thotë po këtë gjë. Atdhe je kur të thërrasin Baba Mal.
Tomori po mbronte edhe Beratin Ishte pjesë e tij e pandarë.
E tij dhe e Skraparit.
Sipas veprimtarit të ditur sportiv Aleksandë Bojaxhi, mali i Tomorit “shtrihet në krahinat e Beratit e të Skraparit”.
Ai nuk i ndan, por i bashkon të dy këto territore dhe popullsi vendase. Ja përse është e nevojshme të dalim në temën që ende shkakton debat e në mos polemika: jemi të ngjashëm apo të krejt një mendësie tjetër ne beratasit me skraparllinjtë?
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|