|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: FASHISTËT ITALIANË PËRDORIN TOMORIN PËR TË SULMUAR GREQINË
(Fragmenti 29 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Një dekadë para se komunistët, pas një lufte të ashpër kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, të merrnin pushtetin dhe t’i vendosnin majës së lartë të Tomorit emrin “Partizani”, qe Benito Musolini që kreu të njëjtën gjë.
Për t’i zotëruar me demagogji (dhe forcë armësh) trojet e shqiptarëve ai shfrytëzoi dy mite kryesore të tyre.
I pari qe Skënderbeu.
I dyti mali i Tomorit.
Fashistët italianë, të shumënjohur në përdorimin politik të vetë historisë së tyre imperiale, por edhe me famë botërore qytetëruese, bënë të njëjtën gjë edhe me popujt që sulmuan veças apo bashkë me nazigjermanët.
Sigurisht duhet rikujtuar se Musolini është njëri prej politikanëve më rufjanë të botës. Ushtria e tij e agresoi Shqipërinë ditën e një feste të krishterë mjaft të shënuar, çfarë e kopjoi Hitleri një mot më pas kur sulmoi egërsisht Beogradin dhe Jugosllavinë.
Ne shqiptarët e dimë tashmë që udhëheqësi i fashistëve italianë me të futur nën kontroll të gjithë territorin e vendit tonë, me hir dhe me pahir mori një trumbë krerësh dhe këta, me një ceremoni poshtëruese, i dorëzuan në Romë mbretit Viktor Emanueli III kurorën e Gjergj Kastriotit.
Bëhet fjalë për përkrenaren e tij, një kopje e origjinalit të ruajtur në Vjenë dhe të cilën e pat kryer Ahmet Zogu.
Prestigji gjithevropian i Skënderbeut do të përdorej nga Musolini, por edhe vetë prej monarkut Emanuel deri edhe stema, dekorata apo titujsh.
Ndërkohë paralelisht me shfrytëzimin që i bënë veprës ndërkombëtare të Gjergj Kastriotit veçanërisht në dy muajt e parë të pushtimit, fashistët italianë kryen të njëjtën gjë edhe me prestigjin mitik dhe hyjnor të malit të Tomorit.
Ky u zgjodh posaçërisht, sepse fqinjët e njohur për kërkime dhe zbulime historike në vendin e vet, por edhe në Ballkan e më tej, e dinin fare mirë faktin që ky mal ishte tempull e perëndi mbajtës, krejtësisht i shenjtë.
Me një betim tek ky supermal ata mund t’ja dilnin të mobilizonin dhe t’i hidhnin në lojrat e tyre zaptuese shumë nga shqiptarët.
Dhe a e dini ç’bënë?
Emrin “Tomori” ia vendosën gazetës së Partisë Fashiste Shqiptare, filiale e përrunjur e asaj italiane, pra e vetë Musolinit.
Kjo “E përditshme Shqiptare Fashiste”, prodhoi edhe një bijë të saj: “Tomorin e vogël”, e cila u përpoq të kishte profil kulturor, më së pari letrar, në inkurajim të të rinjve, madje edhe fëmijëve.
Pra qe seksion i grupeve të balilëve fashistë.
Në fund të vitit 1940 Benito Musolini do t’u kthehej njëherësh shfrytëzimit demagogjik të dy miteve: Skënderbeut dhe malit të Tomorit.
Për t’i vërsulur që të dy kundër Greqisë dhe popullit të saj.
Ata e dinin në majë të gishtave që mes dy popujve kishte një mosmarrëveshje për faktin se ku pati qëndruar në tempullin e saj të famshëm botërisht, Dodona.
Kështu Tomori i Shqiptarëve do të ndeshej me Tomaros të helenëve, Berati me Janinën.
Kur ndodhën ngjarjet që do t’ju rrëfejmë më pas Berati ishte shndërruar në një qytet të madh ushtarak, ku grumbulloheshin e niseshin drejt kufirit grek me dhjetra mijë ushtarë, kamionë, blinde dhe në ajër që prej aeroportit të Kuçovës ngriheshin në ajër duzina të tëra me avionë luftarakë.
Nuk ka libra, për këtë temë e rrethanë të jashtëzakonshme, më të saktë e të vërtetë se ato të profesor Asllan Sulos.
Ndërkohë ne do tua grishim interesin tuaj dituror më së pari si ngjau që Benito Musolini e përdori kundër Greqisë prestigjin e Skënderbeut dhe të Malit të Shenjtë të Tomorit, duke emërtuar me të njërin prej batalioneve shqiptarë që e shtrënguan të sulmonte me armë popullin e nderuar fqinj.
Në 26 tetor 1940, ditë e shtunë, në Romë, fillimisht radio shtetërore italiane bashkë me ndonjë gazetë të mbrëmjes, njoftuan se një bandë e armatosur greke pati sulmuar postat kufitare shqiptare me numrat 30 dhe 31, të cilat ndodheshin afër Korçës dhe në jug të pikës doganore të Kapshticës.
Të nesërmen, më 27 tetor, e diel, shkrimet për këtë ngjarje mbulonin faqet e para të gazetave italiane.
Në 28 tetor, do të kryhej në përvjetorin e Marshimit Fashist mbi Romë, vendosja e një përmendoreje të Skënderbeut.
Gjergj Kastrioti mbi kalë qe vepër e skulptorit, Akademik i Italisë, pesëdhjetë e tetë vjeçarit Romano Romaneli, nga Firence, nip i skulptorit Paskuale dhe bir i sërish një skulptori, Rafaelos. Ky monument ishte porositur tek ai prej qeverisë shqiptare me një vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave nr. 1306 që në 5 nëntor 1938.
Ndërsa pati përfunduar, sipas kontratës, në fund të marsit 1939, të paguhej dhe të transportohej për t’u vendosur në sheshin qendror të kryeqytetit shqiptar, Musolini urdhëroi pushtimin ushtarak mbi Shqipërinë dhe procesi vendosjes së statujës në Tiranë u ndërpre.
Një vit më parë nga moti 1940 një sheshi në qendër të Romës i qe dhenë emri “Albania”.
Atje, urdhëroi Benito Musolini, do të vendosej statuja 35 tonëshe e Gjergj Kastriotit.
Përurimi u krye në paraditen e vonë të 27 tetorit 1940. Qe një ditë plot re të zeza dhe mbi Romë binte një shi i dendur dhe i papushuar.
Statuja e Skënderbeut mbi kal qe mbuluar me flamurin italian dhe atë shqiptar. Përveç ministrit të Jashtëm italian dhe njëkohësisht dhendër i Musolinit, Kontit Çiano, i pranishëm ndodhej edhe një delegacion i qeverisë së Tiranës, i kryesuar nga Xhemil Dino.
Qe e rreshtuar edhe Roja Mbretërore Shqiptare, një trupë e veshur me kostume kombëtare që banonte në Romë dhe shërbente si Gardë pranë mbretit Viktor Emanueli.
Pas gjashtëmbëdhjetë orësh nga ky çast, ndaj të pagdhirë të 28 tetorit 1940, në orën tre të natës Italia i shpalli ultimatum dhe njëherësh luftë Greqisë. Pastaj menjëherë nga tërë vija e kufirit shqiptar hynë në territorin e saj trupat ushtarake.
Qenë 105 mijë njerëz të rreshtuar në divizionet Siena, Ferrara, Piemonte, Parma, Venezia, Arezzo, ai i blinduar Centauro, ai alpin Julia...
Kishte përmidis edhe disa batalione shqiptarësh.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|