Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: UFO MBI MALIN E TOMORIT?!


(Fragmenti 28 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Mund që lexuesi këto çaste të pyesë përse u çelëm kaq shumë vend alpinistëve, përvojave dhe të dhënave të tyre për Tomorin, majat e emrat e kreshtave të tij, pllakat përkujtimore të mermerta të ushtrisë italianë gjatë luftës në 1940 me Greqinë apo ceremonisë në maj 1950 për të kryer emërtimin më të ri me “Partizani”, e cili për mendësinë e regjimit të kohës qe pothuaj i barabartë me “Komunisti”.
Lexuesit me të drejtë po ashtu mund t’i jetë gjallëruar ngasja përse në këtë libër, “Qyteti pranë qiellit”, i cili është pjesa e parë e një trologjia për Beratin, autori ka lënë në dispozicion të Skraparit dhe banorëve të tij hapësira dukshëm të gjëra. Le të bënte për ta, po të donte, një libër me vete.
Sepse, hamendësojnë jo pak, të dy popullsitë nuk ngjajnë aq shumë me njëra-tjetrën. Kanë pak pika bashkimi.
Do të përpiqemi t’i shpjegojmë këto dy “hatëre”.
Në përparësinë që në kapituj e fundit u kushtuam alpinistëve, përveç informacionit të madh e të pamundur për të tjerët që na sollën, sepse ata janë të paktën përvit dhjetë herë më shumë të pranishëm përkohësisht në lartësitë qiellore të Tomorit se kushdo tjetër, ka edhe një fakt të rëndësisë ekstra.
Këtë na e thotë kryealpinisti shqiptar, Aleksandër Bojaxhi.
Sipas tij (dhe patjetër të vërtetës), “Tomori është djepi i alpinizmit shqiptar”.
Kjo do të thotë se ky mal është vetë një tempull. Koncepti djep dhe tempull përbëjnë pothuaj të njëjtën gjë.
Dhe inteligjenti Bojaxhi na sjell të rrëfyer një fakt të ndodhur në verën e vitit 1927. Disa të rinj të apasionuar pas natyrës, nën drejtimin e Avni Zajmit, nga maja e Çukës Tomori, të porsambërritur, nisën të këndonin për herë të parë thirrjen (himnin) e porsakrijuar të alpinistëve shqiptarë, i mbetur i tillë edhe tani: “Zigzag, zigzag, alpinistë jemi ne”.
Për këtë ngjarje të veçantë, rekordmene edhe në histori, pra hipjen e parë në majë të malit të Tomorit dhe për këngën-kredo të alpinistëve shqiptarë, Aleksandër Bojaxhi i referohet librit “Kronikë e një jete shekullore”, kushtuar tiranasit guximtar në kapje majmalesh, Avni Zajmi.
Mes të tjerash në këtë botim paraqitet edhe ky fragment nga kapitulli “Udhëtimi turistik në Shqipërinë Qëndrore; 15 Korrik - 1 Gusht 1927”: ...në mesditë arritën në Çorovodë, ndërsa natën e kaluan në Bargullas. Të nesërmen arritën në teqenë e Kulmakut, ku pushuan dhe folën mbi qëllimin e udhëtimit të tyre. Ngjitja në majën e malit të Tomorrit, përveç vështirësive, shoqërohej edhe nga emocione. Ishte hera e parë që ngjiteshin në këtë mal të shenjtë.
Gjatë ngjitjes (21 korrik) filloi një mjegull e dendur që hera-herës jo vetëm i pengonte të shihnin shoku-shokun, por i jepte edhe më shumë madhështi këtij mali. Pas një pushimi të shkurtër vendosën që ngjitjen ta bënin në një shteg shkëmbor, duke vënë në përdorim litarët dhe pajimet alpinistike që kishin marrë me vehte.
Kjo do të ishte ngjitja e parë alpinistike në vendin tonë. Përsëri një pushim i shkurtër. Sa më lart ngjiteshin aq më tepër u shtohej kureshtja për të parë majën e këtij mali, të lartë 2.416 m dhe të njohur në tërë Shqipërinë si mal i shenjtë. Si do të jetë vallë maja e malit?! Kur më në fund të gjithë nxënësit arritën në majë, kujtuan se me të vërtetë ndodheshin në prag të qiellit”.
Vazhdon më tej rrëfimi: “Për çudi edhe mjegulla ishte fashitur nga rrezet e forta të diellit. Prej këtej çdo gjë shikohej me një qartësi të çuditëshme deri larg, sa të hante syri. Duhet ta keshë provuar që ta besosh këtë ndjesi të pushtetit ndaj natyrës”.
Më tej: “Të gjithë nxënësve gjurmues iu krijua një ndjesi krenarie dhe kënaqësie, sikur i gjithë trupi i tyre çlodhet dhe këtë e ndjen më tepër syri i njeriut. Këtë ndjesi vërtet të bukur së bashku me profesorin e tyre e shprehën duke thirrur: “Zigzag, zigzag, alpinistë jemi ne”, që buçiti fuqishëm nga maja e Tomorit. U mblodhën të gjithë tok rreth mësuesit të tyre dhe sejcili filloi të meditojë dhe të flasë për llogari të vet.
Avniu fillon t’i tregojë nxënësve të tij: “Nxanës të dashur, shikoni me kujdes dhe mos harroni çfarë po shikoni! Që këtu soditet pothuajse e gjithë Shqipëria”…
Kjo ngjarje shumë mbresëlënëse, ngjitja e parë alpinistike në malin e shenjtë të Tomorit, edhe pse jo e kryer si nismë e vetë beratasve, nuk i lë ata në pozicion të prapambetur.
Sipas studiueses Marela Guga dhe librit të saj “Prefektura e Beratit 1920-1939”, botim i prillit 2012, faqja 224, “Duke pasur parasysh klimën dhe relievin e prefekturës, u zhvillua sporti dimëror. Federata Sportive nxorri edhe një qarkore për organizimin e sporteve dimërore. Veprimtari e rëndësishme e sporteve dimërore ishte pjesëmarrja e sportistëve beratas në veprimtaritë ndërkombëtare të alpinistikës, të zhvilluar në Mançester (Angli), në vitin 1929. Nga Berati morën pjesë Ali Orizaj dhe Sali Merkulasi”.
Më tej Guga spikat: “Shoqëria “Puna” organizoi aktivitete sportive në disa disiplina sportive: not, atletikë, çiklizëm, hipizëm dhe alpinizëm”.
Historiania Marela Guga tregon po ashtu se shoqëria “Tomori” e Beratit, pati luajtur një rol të madh në qytet, gjatë periudhës 1936-1940, për gjallërimin e jetës sportive. Si sportistë e veprimtarë të dalluar ajo rreshton Vaid Karaferën, Gani Tozharin, Adem Shehun, Kostaq Stefën, Gaqi Kajanën, Shyqyri Lakrën e të tjerë.
Siç dihet lëvizja alpinistike shqiptare nuk u organizua dot në nivel kombëtar, veç kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore dhe pushtetin politik e morën komunistët.
Me kaq e mbyllim këtë temë, por para se të shkojmë tek historia nderuese kombëtarisht si batalioni shqiptar “Tomori” i mobilizuar nga italianët për të marrë pjesë në agresionin e tyre kundër Greqisë, e refuzoi këtë gjest, le të shplodhemi me një kuriozitet.
A ka qëlluar në historinë e malit të Tomorit që të jetë shfaqur ndonjë shenjë që mund të interpretohej si UFO (Unidentified Flying Object)?
Sipas një ufologu shqiptar, Përparim Zaimi, “Unë di saktësisht nga dëshmi të sigurta dhe disa burimesh se pranë malit të Tomorrit, në fshatin shumë pranë tij, janë vërejtur fenomene dhe ndodhi reale të çuditshme dhe misterioze deri tani. Që mali i Tomorrit është mali ku qëndrojnë Perënditë, mendoj se nuk qëndron më në kufijtë e legjendave dhe hipotezave, por fatmirësisht po konfigurohet si një realitet objektiv. Mali i Tomorit dhe mjedisi përreth është i njohur për mbajtjen e vlerave ideale, jashtë tokësore, mistike, vendi i perëndive. Të gjitha këto etiketime dhe vlerësime të bëra në kohë të ndryshme nuk mund të jenë thjeshtë pjellë e fantazisë popullore, e legjendave e besëtytnive dhe e riteve dhe traditave që rrjedhin nga mosnjohja e fenomeneve në të kaluarën historike, ato përmbajnë diçka të vërtetë që lidhet me konstatime dhe vrojtime në kohë të ndryshme të zhvillimit të shoqërisë dhe që njerëzit me nivelin e zhvillimit të shkencës dhe mendimit nuk kanë qenë në gjendje me interpretimet e tyre të shpalosin realitetin e mirëfilltë që fshihet pas tyre. Por ata i kanë ruajtur e transmetuar mjaft mirë brez pas brezi”.
Në studimin e vet Përparim Zaimi paraqet edhe këtë fragment nga ditari i rilindasit Mihal Grameno, viti 1907: “Një natë teksa luftëtarët e Çerçizit kishin ngritur një limer majë një bjeshke të lartë, na fluturoi përpara një objekt shkëlqyes që qëndroi disa minuta pezull në ajër dhe pastaj u zhduk”.

Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com