|
“QYTETI PRANË QIELLIT”: “ÇUKA “PARTIZANI”, SI LINDI EMRI PREJ NJË DREKE ATY AFËR
(Fragmenti 27 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)
Vullnet Zylyftari është një bashkëmoshatar, shok gjimnazi dhe klase, mes nesh miqësi e vazhduar ngrohtësisht deri sot. Familja e tij me mbiemrin e fshatlindjes Spathara në Skrapar, protagoniste lufte atdhetare, e ka gatuar Vullnetin me lendë venerimi për malin e Tomorit në një mënyrë të tillë që ai të mos largohej nga takimi fizik i përhershëm me atë.
Kur më sipër kemi shkruar se si shumë beratas dhe banorë të krahinës së Tomoricës dhe asaj të Skraparit, edhe kur jeta e sjell të shvendosen për banim në qytete të tjera, do ta zgjedhin këtë mërgim në mënyrë të tillë që prej dritares apo ballkonit, te terracës së pallatit ku strehohen po ashtu, të shquajnë në sfond të horizontit siluetën e malit të Tomorit.
Kur Vullneti, si të gjithë ne, erdhëm në Tiranë për studime pranë Universitetit Shtetëror, viti 1966, ai kreu një veprim ndryshe prej shumicës tonë: u regjistrua në një kurs alpinizmi dhe filloi t’i kacavirej, ngjitej dhe zbriste malit të Dajtit.
Beratasi me origjinë nga viset e afërta të Tomorit po e bënte me aq shumë përkushtim këtë pasion të vet sa që kur u mbyllën katër motet e studimeve ai qe titulluar si ndihmës mjeshtër i sportit të alpinizmit.
Kur u rikthye në qytetin e vet të Beratit për të filluar punë, pa u vonuar shumë e emëruan në Qytetin Stalin, siç atëherë, gjatë monizmit, thirrej Kuçova. Në Uzinën Mekanike, një ndër më të mëdhatë ne vend, Vullnet Zylyftari kreu gjestin tjetër të tomorakut njëqind karatsh: ngriti një ekip alpinist dhe me nxënës e punonjës të qytetit disa herë në vit i ngjitej malit të famshëm.
Kështu ai afroi edhe më shumë banorët e krahut tjetër të territorit përreth Tomorit, të cilët dukej sikur i qëndronin më larg se beratasit gjigandit prej shkembi.
Kur vijimi i punës, e cila e çoi nëpër shkallë të larta të karrierës lokale, e vendosi përfundimisht pranë prindërve dhe familjes së tij në Berat, për tri dekada e më tepër, u bë trajneri i grupit beratas të alpinizmit.
Tani 72 vjeçar ai sërish, edhe pse mosha nuk e favorizon më, s’ka hequr dorë nga kjo lidhje fizike, si prej të njëjtit mish e gjak, me malin e Tomorit.
I përcjellim lexuesit kaq shumë hollësi për Vullnet Zylyftarin, sepse ai ka edhe një cilësi tjetër: është shumë shtatlartë. Si div.
Në shëmbëllesë një Tomor i vogël.
Ndërkohë nga përvoja ime skraparllinjtë çuditërisht ata nuk i ngjajnë malit në trup, janë shtatmezatarë. Janë të paktë këmbëgjatët, malësorët tipikë. Kjo është një enigmë si edhe temë për t’u ngarë.
Pikërisht ky njeri-mal, do të më jepte një shpjegim se cila qe arsyeja përse Çuka e Tomorit në mesditën e 21 majit 1950 u emërtua zyrtarisht Çuka “Partizani”.
Për rrjedhën e arsyeve përse u ndërrua emri historik i malit të shenjtë, thirrur ashtu që prej kohësh pagane, me një dukuri emri që lindi në Shqipëri në fillim të vitit 1942 dhe asnjë ditë më parë se kaq, mjeshtri i alpinizmit paraqiti këtë logjikë: kur u krijua çeta e parë e Skraparit, ajo e Mestan Ujanikut, pranë të cilën Partia Komuniste Shqiptare dërgoi të dërguarin e saj Gjin Marku, këta gjykuan se asaj i duhej bërë një “bekim” tek kryemaja e shenjtë e Tomorit.
Pa e propoganduar shumë këtë gjest të tyre ata të gjithë, më pak se dy dyzina luftëtarësh të një çete, të cilën e quajtën me fjalën e vetme “patriotike” dhe kur asnjeri ende nuk kishte në ball ndonjë yll të kuq, madje vetë Mestani hapësirën më të madhe të pjesës ballore të kapeles ia kishte lënë siluetës së një shqiponje, u ngjitën drejt majës, Çukës së Tomorit, duke qendruar përfundimisht para teqesë së Abas Aliut.
Qe pothuaj mesditë dhe siç rrëfen e me këtë rast shpjegon Vullnet Zylyftari me përvojë të shumë dhjetrave herë ngjitje alpinistike në këtë pikë të malit, nisi papritur një erë e fortë, e cila i pengoi të bënin çap më përpara. Zylyftari thotë se kur i ngjitesh majës së Çukës së Tomorit, me të vajtur ora 11.30 duhet të marrësh rrugën e zbritjes, të largimit, të ikjes së shpejtë, sepse ndryshimi i fortë i temperaturave të paramalit dhe të pas tij, të midis ultësirës së shtatit e të kurrizit të kreshtave të tij, shkakton lëvizje të vrullshme të ajrit, pothuaj trazime të të gjithë hapësirës dhe njeriu mund të flaket tutje si një gjethe vjeshte.
Gjithnjë sipas Vullnet Zylyftarit, komandant Mestan Ujaniku dhe komisari Gjin Marku hëngrën një drekë festive në teqe dhe të bekuar prej dervishit të saj, të uruar me gjithë zemër prej tij për t’ja dalë mbanë çlirimit të vendit nga pushtuesit fashistë italianë, zbritën poshtë, në fshat.
Në maj 1950, arsyetojmë ne, Mestan Ujaniku legjendar, pas çetës së Pezës, komandanti i të dytit formacion çlirimtar shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, qe shpallur zyrtarisht nga PKSH si armik, ishte burgosur dhe brenda mureve të qelisë ndërruar jetë.
Gjin Marku komisari, ndërkohë as ai nuk i kishte punët mirë. Pati përfunduar në burg, sepse dy vite më parë, në nëntor 1948, prej kongresit të parë të Partisë Komuniste qe akuzuar për agjitacion e propagandë kundër saj.
Në 21 maj 1950 ata që propozuan dhe realizuan me ceremoni zyrtare emërtimin Çuka “Partizani” për shkak të dy “armiqve” nuk mund ta tregonin sekretin përse në historinë e Çetës Plakë të Skraparit, ndër më të parat grupe të armatosura antifashiste në Ballkan dhe në Evropë, ajo majëmali kishte rëndësi speciale.
Ndërkohë jo vetëm skraparllinjtë ato çaste të emërtimit, por edhe beratasit, këtë gjest e shihnin me miratim, sepse gjatë pesë moteve të luftës ai drejtim, mali i Tomorit, qe vendstrehimi i sigurt i ilegalëve të rrezikuar.
Tomori dhe Skrapari qe tokë tërësisht e lirë, që në 1942 madje.
Atje majëmali, Çuka Tomori, ishte simboli i faltores së lirisë, i tempullit të saj. Qe monumenti natyror i Lirisë. Ndodhej në vendin e duhur, tek mali i shenjtë i shqiptarëve.
Më vonë këtë veprim politik inteligjent koha e ktheu në gjest rrufjan, sepse në 1961 do të vinte në atë çukë ushtria. Ajo do të ngrinte dy struktura të saj, radiopërforcim dhe fjetina.
Qe një lloj pushtimi i ri. Nuk mund të shkoje më deri atje, tek vendkomanda, tek antenat. Ishte zonë e ndaluar.
Tre-katër mote më pas rrufjanizmi politik do të kryente gjestin më të panevojshëm, por edhe më të pabesë: do të rrëzonte muret e faltores bektashiane.
Ndërkaq është koha vulos, jo ideologjia dhe aspak pushteti, kushdoqoftë ky.
Alpinisti Gazmend Shehu, i cili ka shkuar në tunelet e braktisura të fjetinës ushtarake në vitin 1993 dhe një zjarr që ndezën brenda për t’u ngrohur, për shkak se grehina nuk kish më ventilim, nga tymi për pak u mbytën, motet e fundit nuk ka rihyrë edhe për një arsye tjetër.
Brenda jeton një ulkonjë dhe për të mbrojtur këlyshët e saj ajo të bën copë-copë.
Ah, ujqërit, na tregonte një ditë Vullnet Zylyftari. Në majëmal të Tomorit, tek Çuka, në dimër ata janë të uritur dhe vijnë në tufë.
Version i printueshem
Faqja paraardhese |
|
|