Ylli Polovina in italiano
VENDLINDJA KU JETOJ DHE PUNOJ QYTETI I DY VAJZAVE TË MIA
PUBLICITIKË

HAJRI HIMA LIBRI “AMBASADOR NË BALLKAN” I YLLI POLOVINES, KONTRIBUT I VYER PËR KOHËN
”REPUBLIKA E SHTATË”
“AMBASADOR NË BALLKAN”
“LOTËT E SORKADHES”, botimi i dytë
LOTËT E SORKADHES
Artikuj të tjerë .....



kërkoni në këtë faqe



S'AFËRMI
MIRËSEVINI

“QYTETI PRANË QIELLIT”: VËRTET KANË LUFTUAR PARTIZANËT NË MAJË TË TOMORIT?


(Fragmenti 26 i librit “Qyteti pranë qiellit”, vijon nga dje)

Marksistë-leninistët ose stalinistë-leninistët me fare pak marksizëm, ca më shumë përfshirë variantin shqiptar të tyre, enverizmin, të vetëkonsideruar si fanarin ndriçues të kësaj ideologjie në të tërë globin, kishin dhe kanë një slogan sundues, plot forcë nënshtrimi për të tjerët: “Nuk ka kala që nuk e marrin komunistët”.
Për t’iu përshtatur subjektit të kësaj që po shkruajmë rreth malit të Tomorit, këtë kredo të tyre po e perifrazojmë me fjalët: “Nuk ka mal që nuk e marrin komunistët”.
Do të rikthehemi shumë shpejt në jetën e brenda qytetit të Beratit dhe përshkrimin e çudive që ndodhen aty, ku mes të tjerash do të shohim se si menjëherë pas çlirimit të vendit prej pushtuesve fashistë italo-gjermanë, Partia Komuniste Shqiptare deri edhe Mangalemit ia ndërroi emrin.
Askush nuk kishte kuturisur më parë, jo thjesht monarku Ahmet Zog, por edhe perandoria sunduese pesëqindvjeçare turke.
Kështu në vitin 1949 Maja e Hekurave u bë Maja e Paqës.
Duke nisur moti pasardhës Maja e Kulmakut në Tomor u shndërrua në Çuka “Partizani”.
Në vitin 1960 Maja e Jezercës u quajt zyrtarisht Maja e Rinisë.
Në të njëjtin vit Maja e Papllukës mori emrin Maja “8 Marsi”.
Në 1965 majës tjetër të malit të Tomorit, asaj në skajin e kundërt të Kulmakut, iu zyrtarizua emri “11 shkurti”.
11 shkurti qe Dita e Novatorëve.
Në vitin 1967 Maja e Sqota Sqapit u thirr Maja “25 gushti”.
Po këtë mot Maja e Radohimës mori emrin e ri Maja “Shkurte Pal Vata”.
Në 1968 Maja e Madhe (Shnikut) u quajt Maja “Skënderbeu”.
Në 1969 Maja Grykë e Haptë u emërtua Maja “Ismet Sali Bruçaj”.
Maja e Vishensit në 1970 u quajt “Maja e Dritës”.
Kështu, me këta emra, kanë mbetur edhe sot e janë regjistruar nëpër të gjitha hartat turistike, përfshi edhe guidat në internet, të cilat shkojnë anë e kend botës.
Aleksandër Bojaxhi, pa dyshim alpinisti më i spikatur që ka kombi ynë në këtë gjysmë shekull, në mos edhe për të gjitha kohrat, sportist dhe intelektual mjaft i kultivuar dhe diturisht i plotësuar, me origjinë nga Berati, do të na sillte për shpjegim edhe këto rradhë: “E para veprimtari me ndërmëndje alpinistike në formë të organizuar e kryer mbas Luftës së Dytë Botërore është ekspedita në malin e Tomorit e organizuar nga Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve nëpërmjet inspektoriatit të sporteve të rënda dhe që u realizua më 27-28 Korrik 1949».
Sipas Bojaxhiut, në këtë ekspeditë merrnin pjesë alpinistë të ekipeve Tirana Rreth, Elbasanit, Beratit, Partizanit të Ushtrisë Popullore, Ministrisë së Punëve të Brendëshme, të fshatrave Kapinovë e Borgullas pranë malit të Tomorit. Grupin e udhëhiqte inspektori i sporteve të rënda Luigj Shala.
Intenerari i tyre: 16 korrik fjetje në Berat, nisje të nesërmen në mëngjes dhe në 27 korrik e kaluan natën në Teqenë e Kulmakut. Në mesditën e 28 korrikut kapën Çukën e Tomorit.
Kështu thirrej historikisht kjo majë.
Deri ato çast nuk i qenë ngulitur dot as bektashinjtë dhe as komunistët.
Mbasditen e 28 korrikut 1949 ekspedita u rikthye në Berat, për të shkuar drejt Tiranës dhe me këtë rast shënuar në biografinë e alpinizmit shqiptar «një provë e rezistencës për ngjitje malore ».
Aleksandër Bojaxhi thekson se «pjesëmarrësit nuk kishin veshje dhe paisje a mjete të nevojshme». Në listën e pjesëmarrësve të kësaj ndërmarrjeje sportive aspak të lehtë, ndodheshin 7 qytetarë të Beratit, mes tyre dy që bënë emër të ndritur: Petraq Kule dhe Vangjel Mëlëngu.
Por ndërkohë qe edhe Baba Abdurahman Hoxha i Teqesë së Kulmakut.
Pothuaj një vit më pas, në 21 maj 1950, drejt Majës së Tomorit u krye një eskursion tjetër. Ishte veprimtari «për nder të Zgjedhjeve».
Sipas Aleksandër Bojaxhiut, në të morën pjesë 49 vetë dhe sërish grupi u pri nga alpinisti Luigj Shala.
Por këtë herë ekspedita kishte edhe një të deleguar të forumit më të lartë drejtues të Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve, zyrtarin Minella Kapo. Ky erdhi për të qenë i pranishëm në kryesimin e ceremonisë së rastit për t’ja ndërruar emrin Çukës së Tomorit.
Emri i ri: Çuka «Partizani».
Iu vendos në mesditën e 28 majit.
Grupi pjesëmarrës i kësaj ngjarjeje ishte me alpinistë nga Tirana, Elbasani, Fieri, Vlora, prej ekipeve «Dinamo» dhe «Partizani». Nga qyteti i Beratit qenë plot njëzetë vetë.
Por nuk ndodhej asnjë përfaqësues i teqesë së Kulmakut.
Një habi: emrat e rinj të majëmaleve në periudhën e realkomunizmit nuk i vendoste asnjë institucion partiak apo i pushtetit ekzekutiv qendror ose lokal. Këta rrinin «mënjanë».
Formalisht majëmalet emërtoheshin prej forumeve sportive, madje nga vetë alpinistët?!
Qenë këta që ndryshonin gjeografinë dhe historinë.
Por çuditë do të jenë edhe më të mëdha kur të zhbirojmë përse Çukës Tomori do t’i vendosej emri «Partizani». Kishin luftuar në majëmal ata, në afro 2400 metra apo thjesht patën ngrënë një drekë?
Apo nuk janë ndodhur atje kurrë?


Version i printueshem
Faqja paraardhese

LIBRAT

Libra të tjerë .....

LIBRI I FUNDIT
Image Title Here




LIBRA TË TJERË
Kontakt: ylli@yllipolovina.com © 2007-2017 yllipolovina.com Webmaster: taulant@topciu.com